13/01/2020 13/01/2020 SHENJTORI I DITES. E hënë, 13 janar 2020 Dëshmorët Ermili, Stratoniku. Oshënar Maksim Kafsokaliviti. Oshënar Jakovi i Nisivës – Dëshmorët Ermili, Stratoniku – Shën Ermili ishte dhjak në Singidunum (Beograd), në kohën kur mbretëronte perandori Licinius (324). U denoncua nga paganët dhe i priti me gëzim e me padurim ushtarët që erdhën ta arrestonin. E...
13 Ιανουαρίου, 2020 - 13:26

Dëshmorët Ermili, Stratoniku. Oshënar Maksim Kafsokaliviti. Oshënar Jakovi i Nisivës

Διαδώστε:
Dëshmorët Ermili, Stratoniku. Oshënar Maksim Kafsokaliviti. Oshënar Jakovi i Nisivës

SHENJTORI I DITES.
E hënë, 13 janar 2020

Dëshmorët Ermili, Stratoniku. Oshënar Maksim Kafsokaliviti. Oshënar Jakovi i Nisivës

– Dëshmorët Ermili, Stratoniku –

Shën Ermili ishte dhjak në Singidunum (Beograd), në kohën kur mbretëronte perandori Licinius (324). U denoncua nga paganët dhe i priti me gëzim e me padurim ushtarët që erdhën ta arrestonin. E çuan në amfiteatër, ku u tall me adhurimin e pamend të idhujve, për këtë arsye ia shqyen fytyrën. E futën në burg, ku e vizitoi një engjëll, i cili e ngushëlloi dhe i dha zemër që të qëndronte i fortë deri në fund të betejës. Kur e çuan prapë para perandorit, i tregoi se besimi i tij ishte edhe më i fortë pas gjithë atyre sprovave, dhe u rrah me shkopinj nga 6 burra, pa ndier aspak dhimbje. Iu lut Perëndisë dhe i kërkoi ta denjësonte të bëhej pjesëmarrës në Pësimin e Tij shpëtimtar. Atëherë, një zë u dëgjua nga qielli, duke i premtuar se do të kurorëzohej pas 3 ditësh.

Rojtari i burgut, Stratoniku, kishte fituar besimin nga të gjitha këto mrekulli dhe ishte bërë mik i Ermilit, por ende nuk guxonte të shpallte hapur se ishte i krishterë dhe të arrinte në martirizim. Të nesërmen, kur Ermilin e nxorën nga qelia e burgut që ta torturonin, Stratoniku nuk duroi dot dhe derdhi lot kur pa mikun e tij të shtrirë përtokë, të rrahur keq me shkopinj me trekëndësha hekuri në majë, dhe barkun të çarë deri në të përbrendshmet nga thonjtë e shqiponjës. Kur e panë në atë gjendje, ushtarët e pyetën dhe, si ndjeu se kishte ardhur momenti i përshtatshëm, Stratoniku u rrëfeu jo vetëm që ishte mik i martirit, por edhe se kishte të njëjtin besim si ai dhe ishte gati të vuante vdekjen për dashurinë e Krishtit. E arrestuan dhe e dënuan me rrahje, por mori zemër kur pa mikun e tij dhe i kërkoi t’i lutej Zotit, që t’i jepte fuqi për të këmbëngulur deri në fund.

Kur i futën në burg, një zë qiellor u premtoi kurorën e fitores të nesërmen.
Sapo u gdhi, Ermilin e morën dhe e varën në një shtyllë për ta prerë copë-copë. I frikësuar nga ndërhyrjet hyjnore dhe i dëshpëruar se nuk mundi ta rikthente Stratonikun në idhujtari, tirani urdhëroi t’i mbështillnin të dy martirët në një rrjetë dhe t’i hidhnin në Danub. Të mbushur me gëzim për të takuar Krishtin, të dy shenjtorët psalnin: “Lavdi Perëndisë në më të lartat, dhe mbi dhenë paqe, dhe mbi njerëzit mirëdashje”. Ujërat e lumit, të shenjtëruara nga trupat e shenjtorëve, i nxorën në breg disa ditë më vonë, për gëzimin e të krishterëve, të cilët i varrosën me nderime afër qytetit.

* * * * *

– Oshënar Jakovi i Nisivës –

Shën Jakovi përqafoi në fillim jetën eremite në malet afër Nisivës (Persi). Ushqehej me atë që ofronte toka, pa përdorur zjarr apo veshje të leshta. Aktiviteti i tij i vetëm ishte të pastronte pa kompromis shpirtin e tij, që Shpirti i Shenjtë të shkëlqente në të dhe në trup. Në fakt, Hiri banonte tek ai me bollëk, sa kryente mrekulli të shumta për mbështetjen e besimtarëve, për dënimin e të këqijve dhe idhujtarëve. U bë mjaft i njohur dhe u zgjodh episkopi i parë i Nisivisë (308); por nuk ndryshoi asgjë në mënyrën e jetesës së tij, kur kaloi nga shkretëtira në zhurmën e qytetit. Asketizmit të tij të zakonshëm i shtonte edhe kujdesin për të varfrit, për vejushat e jetimët dhe për mbrojtjen e të shtypurve. Kur shën Konstandini i Madh mblodhi Sinodin e madh dhe të shenjtë Ekumenik të Nikeas, ai qëndroi mes Etërve dhe shkëlqeu me madhështi nën mbrojtjen e Orthodhoksisë. Kur u kthye në Nisivi, themeloi një shkollë eksegjetike, interpretuese, e cila u bë e njohur menjëherë nga mësimdhënia e shën Efremit (28 janar).

Kur Sapori, mbreti i persëve, rrethoi qytetin me ushtrinë e tij (338), shën Jakovi inkurajoi popullin për mbrojtje, ngriti në një natë muret e qytetit, të cilat ishin shembur nga një përmbytje dhe, në çastin e sulmit vendimtar, Perëndia i dërgoi, me anën e lutjes së tij, një re të madhe mushkonjash, të cilat mbollën panik mes armiqve dhe e kthyen mbrapsht ushtrinë perse. Paqja u vendos përsëri dhe shën Jakovi vazhdoi të drejtonte kishën, duke përparuar nga dita në ditë në soditjen e Perëndisë, dhe kaloi përfundimisht për në banesën e të lumurve i mbushur me lavdi.

Radio “Ngjallja”/facebook

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων