07/10/2021 07/10/2021 E enjte, 7 tetor 2021 – Shenjtori i ditës Dëshmorët Sergji e Baku. Hierodëshmor Polikroni. Dëshmorët Juliani e Qesari. – Dëshmorët Sergji e Baku – Shën Sergji dhe Baku jetuan nën sundimin e perandorit Maksimian. Rridhnin nga familje fisnike dhe vlerësoheshin shumë nga perandori, i cili u kishte besuar, ndonëse ishin ende të rinj, detyra...
07 Οκτωβρίου, 2021 - 14:47

Dëshmorët Sergji e Baku

Διαδώστε:
Dëshmorët Sergji e Baku

E enjte, 7 tetor 2021 – Shenjtori i ditës

Dëshmorët Sergji e Baku. Hierodëshmor Polikroni. Dëshmorët Juliani e Qesari.

– Dëshmorët Sergji e Baku –

Shën Sergji dhe Baku jetuan nën sundimin e perandorit Maksimian. Rridhnin nga familje fisnike dhe vlerësoheshin shumë nga perandori, i cili u kishte besuar, ndonëse ishin ende të rinj, detyra të larta në Schcola Gentilium. Sergji ishte “primicerius” dhe Baku “secundicerius”.

Një ditë, ndërsa perandori kishte dhënë urdhër për të blatuar therore publike për nder të perëndive pagane, dy të rinjtë ushtarakë ishin të vetmit që nuk u paraqitën. Këtë qëndrim perandori e konsideroi si akt revolte, ndaj i thirri dhe u kërkoi arsyen e mosbindjes. Ata iu përgjigjën: “Të shërbejmë si shërbëtorë besnikë vetëm në ushtrinë tënde tokësore, o perandor. Nuk mund të na ndajë asgjë nga i vetmi Perëndi i vërtetë. Për të adhuruar kultin e perëndive të pafrymë, as zjarr, as hekur s’mund të na detyrojë. Sepse s’ka lumturi më të madhe për ne se të vuajmë për besimin”.

Maksimiani dha urdhër t’i zhvishnin para të gjithëve dhe t’i vishnin me rroba grash. I ngarkuan me zinxhirë të rëndë në qafë dhe i hoqën zvarrë duke i lënë t’i tallnin rrugës.
Perandori urdhëroi që t’i çonin garnizon më garnizon, deri në Barbalisos mbi Eufrat (Balis, 100 km nga Alepi), ku gjendej guvernatori i Lindjes, Antioku, jashtëzakonisht i egër dhe i pamëshirshëm. I nxorën të rinjtë para tij, por atje nuk u lëkundën as nga kërcënimet dhe as nga lajkat. Sergjin e mbyllën në një birucë, ndërsa Bakun e torturuan dhe e rrahën me kamxhik kaq shumë, sa dha shpirt. Të nesërmen nxorën Sergjin, i cili nuk donte të qëndronte në këtë botë kotësie. I veshën këpucë me thumba nga brenda dhe e detyruan të vraponte para karrocës së Antiokut në një largësi prej 15 km, deri në Tetrapirghi (sot Kseira-Sele). Gëzimi që po merrte pjesë në Vuajtjen e Zotit e ngriti mbi dhimbjen e trupit, saqë filloi të këndonte psalme. Gjatë natës, një engjëll erdhi dhe ia shëroi plagët dhe të nesërmen doli para qeveritarit sikur s’kishte asgjë. Antioku dha urdhër t’i prisnin kokën në Rosafa, dhe pak para çastit të ekzekutimit, Sergji u lut për persekutorët e tij.

Banorët e qytetit të Suras, ku ishte martirizuar Baku, donin ta largonin fshehurazi trupin e Sergjit, por një zjarr i madh i pengoi ata. Të krishterët e Rosafës vrapuan në atë vend, dëbuan rrëmbyesit dhe e vunë lipsanin në një vend të sigurt. Më pas mbi varrin e shën Sergjit u ndërtua një kishë, i cila u bë një nga shenjtëroret më të nderuara në mbarë Lindjen, aq sa ky vend u quajt Sergjiopolis. Pjesë nga lipsani i tij i shenjtë u shpërndanë në tërë botën e krishterë.

– Hierodëshmor Polikroni –

Polikroni ishte bir i një fshatari me emrin Bardonius nga dioqeza e Gamfanetis. Që i ri, tregoi zell për studimin e Librave të shenjtë dhe për jetën asketike, saqë me lutjen e tij bëri të buronte një gurrë për lehtësimin e mundimeve të bashkëqytetarëve të tij.

Kur u rrit, u nis së bashku me shokë të tjerë për të punuar në vreshtat e rrethinave të Konstandinopojës. Edhe pse punonte rëndë, hante një herë në dy-tri ditë dhe të gjithë e admironin për virtytet. Zotërisë së vreshtit i ra në sy shërbëtori i Perëndisë dhe i dha një shumë të madhe të hollash që të kthehej në vendin e tij duke i thënë: “Kthehu në shtëpinë tënde, njeri i Perëndisë, dhe lutu për mua”. Polikroni i përdori paratë për të ndërtuar një kishë, pranë së cilës u vendos dhe më pas u bë prift.
Kur u mblodh Sinodi i Parë Ekumenik i Nikeas (325), shën Polikroni u tregua mbrojtës i zjarrtë i besimit orthodhoks. Kështu, edhe pas fjetjes së perandorit Konstandin, herezia ariane u zgjerua shumë dhe heretikët vendosën ta hiqnin qafe shenjtin.

Një ditë, teksa qëndronte përpara shenjtërores për të celebruar Misteret Hyjnore, arianët hynë në kishë, e vranë dhe e përzjenë gjakun e tij me Gjakun hyjnor të Zotit.

 

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων