Doksologji për 110 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë
Sot, 28 Nëntor 2022, të gjithë të bashkuar festojmë 110 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Me këtë rast në, kishat orthodhokse në të gjithë vendin kryhet Shërbesa e Dhoksologjisë (Lavdërimit) së Flamurit, në të cilën thuhet edhe lutja e mëposhtme:
“O Zot, që bekon dhe shenjtëron, Ti bekoje flamurin tonë, dhe shpëtoje shtetin tonë dhe popullin tonë nga çdo rrezik dhe shtrëngicë dhe drejtoje në udhën e dritës, të lirisë dhe të përparimit, nën hijen tënde; dhe vlerësona ne të pavyerit të kremtojmë këtë ditë të lavdëruar me nder, shëndet edhe ditë të gjata, këtu dhe kudo. Se Ti je Perëndi mëshirëplotë dhe njeridashës, dhe Ty të dërgojmë lavdi, Atit edhe Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë dhe në jetë të jetëve”.
* * * *
28 Nëntori shënoi shkëputjen përfundimtare nga zgjedha otomane dhe nisjen e rrugës së vështirë për t’iu ribashkuar sërish shpirtërisht dhe ekonomikisht familjes sonë Evropiane, nga gjiri i së cilës ishim shkëputur përdhunshëm për 500 vjet.
Në këtë rrugëtim shekullor drejt lirisë dhe pavarësisë orthodhoksët kanë dhënë një kontribut ekonomik jo vetëm të qenësishëm, por edhe vendimtar. Ky ka qenë një kontribut sa shpirtëror, aq edhe kulturor e luftarak. Ishte Gjergj Kastrioti i rezistoi me lavdi zgjedhës otomane dhe më pas orthodhoksët morën pjesë në kryengritjet e shumta, ku mund të veçonim epopenë e trimave himarjotë e deri te lufta finale për të hedhur poshtë zgjedhën otomane, ku ata morën pjesë masivisht, të bashkuar me të gjithë besimet e tjera.
Kontributi kulturor i orthodhoksëve rrezatoi në shekuj dhe që kontribuoi qenësishëm për të krijuar, por edhe për të mbajtur gjallë kulturën kombëtare në vitet e vështira të pushtimit otoman.
Kujtojmë Perikopenë e Ungjillit të Pashkës, ndoshta dokumenti i parë në shqip, i cili dëshmon një përpjekje më të hershme për shkrimin e saj. Kujtojmë Dhaskal Todrin, Episkopin Grigor Gjirokastriti, Vangjel Meksin, Konstandin Kristoforidhin, Akademinë e Voskopojës, Naum Veqilharxhin, Imzot Theofan Nolin e shumë të tjerë.
Kujtojmë edhe kulturën materiale të krijuar nga orthodhoksët, që nga kodikët, kishat e mrekullueshme, ikonat e jashtëzakonshme dhe afresket e pashoqe, me të cilat mburret i gjithë vendi etj.
E gjithë kjo rrjedhë shekullore bëri që orthodhoksët të ishin pjesë themelore dhe e pandashme e realizimit të ëndrrës shekullore të Pavarësisë. Ata ishin pjesë e pandashme në nënshkrimin e Aktit të Mëvetësisë, në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, por edhe e gjithë kësaj rruge 110-vjeçare të themelimit dhe konsolidimit të Shtetit Shqiptar. Ndaj në këtë përvjetor festojnë së bashku me të gjithë popullin shqiptar me krenarinë e kontributit të jashtëzakonshëm që kanë dhënë në historinë e vjetër e të re të vendit dhe me bindjen se do ta rrisin këtë kontribut në të ardhmen.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










