21/07/2019 21/07/2019 – Oshënarët Joani, Simeoni i marrë më Krishtin – Që të dy ishin nga Siria dhe jetuan në kohën e mbretërimit të Justinianit: Joani ishte 22 vjeç dhe sapo ishte martuar, ndërsa Simeoni ishte 24 vjeç dhe nuk kishte familje, veç nënës së tij të moshuar. Lidhën miqësi së bashku gjatë një pelegrinazhi që bënë...
21 Ιουλίου, 2019 - 14:01
Τελευταία ενημέρωση: 21/07/2019 - 14:06

E diel, 21 korrik 2019 – Shenjtori i ditës: Oshënarët Joani, Simeoni i marrë më Krishtin. Prakseda, romake

Διαδώστε:
E diel, 21 korrik 2019 – Shenjtori i ditës: Oshënarët Joani, Simeoni i marrë më Krishtin. Prakseda, romake

– Oshënarët Joani, Simeoni i marrë më Krishtin –

Që të dy ishin nga Siria dhe jetuan në kohën e mbretërimit të Justinianit: Joani ishte 22 vjeç dhe sapo ishte martuar, ndërsa Simeoni ishte 24 vjeç dhe nuk kishte familje, veç nënës së tij të moshuar. Lidhën miqësi së bashku gjatë një pelegrinazhi që bënë në Vendet e Shenjta me rastin e Lartësimi të Kryqit të çmuar. Kur arritën në Jeriko, Joani i tha shokut të tij se njerëzit që jetonin në manastiret pranë Jordanit ishin të ngjashëm me engjëjt e Perëndisë dhe, duke i treguar rrugën që të çonte atje, ai tha: “Ja rruga që të çon në jetë”. U kthye prapa dhe me gisht tregoi rrugën e gjerë me njerëz dhe tha përsëri: “Ja udha që të çon në vdekje”.

U lutën dhe hodhën në short rrugën që duhet të ndiqnin, kështu shkuan në Manastirin e Shën Gjerasimit me gëzim duke harruar çdo përkujdesje të botës. Igumeni i manastirit, i lumuri Nikon, kishte marrë vesh për ardhjen e tyre me anë të një zbulimi, shkoi para portës iu uroi mirëseardhjen dhe iu profetizoi të ardhmen. Me kërkesën e tyre, Nikoni i qethi murgj menjëherë dhe iu veshi skimën engjëllore duke i futur në jetën e re me këtë pagëzim të dytë.

Nga frika se mos e humbisnin zellin hyjnor që ua digjte shpirtrat dhe lavdinë e veshjes engjëllore, ata vendosën që të largoheshin nga manastiri pas dy ditësh dhe të ndaheshin nga njëri-tjetri që të jetonin në shkretëtirë të dorëzuar në përkujdesjen e Perëndisë. Morën rrugën në drejtim të Detit të Vdekur dhe ndaluan në një vend të shkretë që quhej Arnonas, ku gjetën disa rezerva të një eremiti që kishte vdekur pak ditë më përpara. Sa filluan betejat e tyre shpirtërore në vetmi, u sulmuan nga kujtimi i të afërmve të tyre: Joanit i kujtohej gruaja dhe Simeonit nëna.

Të shtypur nga këto mendime dhe nga plogështia, ata ishin gati ta braktisnin luftën, por sa herë që kujtonin skimën që kishin veshur dhe ati i tyre shpirtëror që u dilte në ëndërr, merrnin kurajë dhe këmbëngulnin. Qëndruan në qeli të ndara, por, kur plogështia i bezdiste, luteshin së bashku. Tregonin vegimet e njëri-tjetrit dhe gëzoheshin që kishin braktisur gjithçka për Perëndinë. Përparuan kaq shumë në jetën shpirtërore sa për pak vjet u bënë të denjë për vizitat e Perëndisë dhe për mrekulli.

Kur kaluan 30 vjet në shkretëtirë dhe kishin arritur gjendjen e papasionshmërisë. Simeoni i propozoi mikut të tij ta braktisnin shkretëtirën dhe të shkonin në botë të shpëtonin njerëz të tjerë. Joani mendoi se miku i tij ishte bërë viktimë e një vizioni demoniak, e qortoi dhe i kujtoi premtimin që i kishin bërë njëri-tjetrit se kurrë nuk do të ndaheshin. Por asnjë argument nuk e bindte Simeonin, sepse kuptoi se kjo vinte nga një frymëzim hyjnor. Joani e la të nisej, dhe thanë se përsëri do të takoheshin para fjetjes së tyre. Simeoni bëri një pelegrinazh në Jerusalem dhe, pasi u lut për tri ditë atje, u nis për në Emesit, me vendimin se do të shtirej si i marrë. Ishte i pari që e përqafoi këtë lloj asketizmi të rrezikshëm, pra marrëzinë për Krishtin.

Duke zbatuar me përpikëri fjalët e apostullit kur thotë: “Ai i cili do që të bëhet i urtë, le të bëhet i marrë në këtë botë” (I Kor. 3,18), qëllimi i tij ishte të shpëtoheshin shpirtra nëpërmjet shtirjeve të llogaritura, qoftë me anë të mrekullive, qoftë me fjalë për ndërtim ose profetike. Mbi të gjitha, ai u përpoq të qëndronte i fshehur dhe i panjohur nga njerëzit, që të largohej nga çdo lavdi e nderim. Njeriu i Perëndisë jetonte në mes të qytetit pa pasione. Kishte fituar dhuratën e agjërimit, sepse gjatë Kreshmës së Madhe, rrinte pa ngrënë, por kur vinte e Enjtja e Madhe, ulej te pastiçeri dhe gllabëronte tërë ëmbëlsirat që të shikonte nëse do të skandalizoheshin ata që mendonin mirë. Herë të tjera, pasi e kalonte tërë javën në agjërim, hante mish në sytë e të gjithëve.

Një ditë, bëri që t’u shtrembëroheshin sytë disa vajzave që po talleshin me të, por pastaj i shëroi, por disa nuk i shëroi sepse mësoi se më përpara ato kishin rënë në imoralitet. Një herë paralizoi dorën e një zhongleri që e qëlloi me gur, por e shëroi kur iu shfaq në ëndërr dhe i premtoi se do ta braktiste këtë zanat. Një herë tjetër godiste me dru shtyllat e një shkolle duke paralajmëruar në këtë mënyrë tërmetin që do të shkatërronte qytetin e Antiokisë (588); kur tërmeti ra, asnjë nga kolonat që shenjti kishte prekur nuk u shemb.

Para se të binte epidemia e murtajës, ai përqafoi fëmijët që do të prekeshin nga kjo duke iu uruar një udhëtim të mbarë. Hynte shpesh në familjet e të pasurve që të hante, dhe shtirej se kishte përqafuar shërbëtoret atje. Njëra prej tyre e akuzoi shenjtin se kishte mbetur me barrë, dhe ai u kujdes për të gjatë shtatzënisë, por, kur ajo lindi, fëmija zbuloi emrin e babait të vërtetë. Shëroi shumë të demonizuar, megjithëse shtirej se ishte si ata.

Një artizan jude e pa të rrethuar nga dy engjëj; ai donte t’ia tregonte këtë, por shenjti u shfaq në ëndërr dhe ia vulosi gojën. E njëjta gjë ndodhi me të gjithë ata që donin t’i vinin në dukje virtytet e tij. Denonconte krimet e njerëzve, vjedhjet, paturpësitë, me qëllim që banorët e Emesit t’u jepnin fund paligjësive. Nuk kishte asgjë në këtë botë, lutej gjatë gjithë natës në një kasolle. Nuk kishte mjekër dhe flokë, gjë që e bënte të ishte i privuar nga respekti që nxit paraqitja e një murgu. Nga goja e tij dilte një erë e mirë, por kur njeriu me të cilin fliste e kuptonte këtë dhe e shpallte te të tjerët, shenjti e kërcënonte me tortura të tmerrshme në jetën e ardhshme.

Dy ditë para se të largohej nga kjo botë, Simeoni ia tregoi gjithë jetën e tij dhjak Joanit, dhe pa në vegim asket Joanin, mikun e tij, me kurorë mbi kokë që kishte të shkruara këto fjalë: “Kurora e durimit në shkretëtirë”. Dhe, nga ana tjetër, Simeoni iu përgjigj se mbante kurorat e të gjithë shpirtrave që ishin shpëtuar nga marrëzia e tij e shtirur. Pasi e nxiti dhjak Joanin të mos afrohej kurrë në altarin e shenjtë me mendime të këqija kundër dikujt, Simeoni u tërhoq në kasolle, dhe u shtri në një grumbull dërrasash që të tjerët të kuptonin se dërrasat kishin rënë mbi të dhe ai kishte vdekur. Ata që qëndronin afër tij vunë re se shenjti nuk dilte më në rrugë, prandaj shpejtuan në kasollen e tij dhe e gjetën të vdekur. Menduan se ishte viktimë e një aksidenti, e varrosën, pa llambadhe dhe psalme në varrezat e rezervuara për të huajt.

Gjatë kortezhit, një artizan xhami jude, të cilin Simeoni e kishte kthyer në besim, dëgjoi psalme, që kurrë ndonjëherë nuk i kishte dëgjuar, të cilat i psalte një turmë e madhe e padukshme. I çuditur, pa nga dritarja vetëm dy njerëz, dhe tha: “I lumur je ti, o i marrë, sepse, i privuar nga psalme njerëzore, ke Fuqitë qiellore që të nderojnë me himnet e tyre!”

Zbriti dhe shkoi ta varroste me duart e tij. Kur dhjak Joani mësoi për fjetjen e Simeonit, shkoi te varreza dhe e hapi varrin. Ai ishte bosh, dhe kuptoi se Zoti e kishte lavdëruar shenjtin e Tij duke e çuar edhe me trup në lavdi para ngjalljes.
Banorët e Emesit e kuptuan se mes tyre jetonte një apostull i ri që i sillte në shpëtim, duke qëndruar i fshehur.

 

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë / Facebook

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων