E Diela e 3-të e Llukait – Djalosh, po të them, ngrihu!
E Diela e 3-të e Llukait (I)
Para vdekjes
(Llk. 7:11-16)
… Djalosh, po të them, ngrihu!
Procesioni mortor është një procesion dhimbjeje, epilog tragjik i një përpjekjeje ku vdekja është fitimtari. Njerëzit e thjeshtë, që përcillnin djalin e vdekur të vejushës së dërrmuar nga Naini, ecnin të heshtur. Sigurisht, ata shoqëronin duke qarë pa zë vajtimin e kumbueshëm të kësaj nëne. Çfarë mund të bënin tjetër?
Njerëzit dhe vdekja
Mendja njerëzore është e pashpresë para vdekjes që vjen për një çast dhe i jep fund mrekullisë që quhet jetë. Është një “mister shumë i frikshëm”, i errët për të. Mendja njerëzore e kundron e habitur dhe thërret bashkë me poetin: “Ç’është ky mister që ndodh me ne? Si iu dorëzuam prishjes dhe si u bashkuam me vdekjen?” Edhe personalitetet më të shquara njerëzore, mendimi i të cilëve ishte i ndriçuar për shumë çështje të tjera, para vdekjes mbetën pa fjalë, si fëmijë të vegjël naivë, që qëndrojnë gojëhapur para gjërave që janë të vështira për t’u shpjeguar. Nuk arritën të depërtonin brenda misterit të madh të vdekjes. Nuk thanë diçka esenciale, që shpërbën retë e errëta që e rrethojnë. Edhe sikur tërë urtësia e të urtëve të mblidhet për këtë çështje, nuk do t’ia dale mbanë të japë ndonjë shenjë drite, për të ndriçuar sadopak errësirën që mbështjell vdekjen.
Edhe zemra njerëzore ndodhet në të njëjtën gjendje me mungesë fjalësh, ndoshta edhe më keq. Ajo plagoset rëndë nga ardhja e vdekjes. Mendja njerëzore mund të pranojë disi se, në fund të fundit, kemi për të vdekur një ditë, por zemra nuk pajtohet kurrë me këtë ide. “Dua të jetoj!” është thirrja e saj tronditëse. Njeriu nuk mund ta shpërbëjë i vetëm misterin e vdekjes, por, për fat të mirë, vjen Dikush tjetër për ta ndriçuar.
Krishti dhe vdekja
Për ta ndihmuar njeriun që të përballet me vdekjen, Krishti nuk parashtroi silogjizma dhe argumente njerëzore. Ai qëndroi, para së gjithash, pranë zemrës njerëzore që vuante për shkak të vdekjes dhe vuajti edhe Ai bashkë me të. Jisuit “i erdhi keq” për nënën e plagosur nga dhimbja e humbjes së të birit. Me dhembshuri e dashuri i tha “mos qaj”. Por nuk u kufizua vetëm në fjalët ngushëlluese. Me pushtet hyjnor i tha të vdekurit: “Djalosh, potë them, ngrihu!”. Dhe ai u zgjua si nga një gjumë i lehtë dhe u kthye përsëri në krahët e nënës së tij.
Krishti, me praninë dhe mësimin e Tij, u përball drejtpërsëdrejti me vdekjen. Ai dha përgjigje të thellë, duke na treguar shkakun e vdekjes. Foli për mëkatin që hyri në botë, duke sjellë me vete edhe vdekjen. Zbuloi se, pas mbretërisë së saj mbarëbotërore, lëviz “hija” e djallit “njerivrasës”. Thelbi i mesazhit të krishterë është se Krishti mori natyrën njerëzore dhe shkoi drejt Kryqit me dëshirën e Tij, për të na çliruar nga prangat e vdekjes. Vdiq për ne dhe na pajtoi me Perëndinë me anë të sacrifices së Tij. U përball me vdekjen brenda mbretërisë së saj dhe e bëri që të dëbohej larg fytyrës së Tij, sepse Krishti është “Ngjallja dhe Jeta”.
Me mrekullitë e ngjalljes së të vdekurve, që kreu gjatë jetës së Tij në mes të njerëzve, dha “shenjat” e para të pushtetit të Tij mbi vdekjen. Dhe në fund, me Ngjalljen e Tij, e shpërbëri pushtetin e saj. Nga ajo kohë, Krishti ndriçon “ata që jetojnë në hijen e vdekjes” dhe çliron nga ligji vdekjeprurës i mëkatit të gjithë ata që E besojnë.
Zoti i siguroi se kushdo që beson tek Ai, nuk ka pse të ketë frikë; “nuk do të vdesë për gjithë jetën” (Jn. 11:26). Pra, tani drama e njeriut në betejën e tij me vdekjen luhet në jetën e secilit. “Në ruajttë ndonjë fjalën time, nuk do të shohë vdekje për gjithë jetën” (Jn. 8:51).
Në këtë perspektivë, vdekja trupore për të krishterin mori kuptim të ri. Vdes në Zotin, siç ka jetuar në Të (Rom. 14:8). Nga një fat i frikshëm dhe i pamëshirshëm, vdekja bëhet kalim për në përjetësi. Vdekja e të drejtëve, që u bënë me dëshirë dhe vepër “bij të të Lartit”, është hyrje në paqen e përjetshme, në dritën e pakrijuar. Apostulli Pavël sqaron romakët: “Nëse rri tek ju Shpirti i atij që ngjalli Jisuin prej së vdekurish, ai që ngjalli Krishtin prej së vdekurish, do t’u japë jetë edhe trupave tuaj të vdekshëm, me anë të Shpirtit të tij që rri në ju” (Rom.8:11). Pas ngjalljes finale do të hyjmë në një botë të re, ku nuk do të ekzistojë vdekja.
Një pamje e tillë e misterit të ekzistencës njerëzore I hap të krishterit besimtar horizonte të tjera, I dhuron në shpirt paqe dhe shpresë. E burrëron dhe i fal qetësi në jetë dhe në vdekje, siç e vërtetojnë me madhështinë e tyre të hirshme martirët e panumërt, të gjithë ata që nuk patën kurrë frikë asgjë – as kërcënimet, as torturat – përveçse mëkatit, që e dinin se është burimi i vdekjes. Të gjithë këta ecën përpara në betejën e tyre me vdekjen, duke kënduar himnin e fitimtarëve:
Krishti u Ngjall! “Vdekja u përpi nga fitorja! Ku është, o vdekje, thumbi yt? Ku është, o hadh, fitorja jote?… Por falënderojmë Perëndinë që na dha fitoren me anë të Zotit Jisu Krisht”
(I Kor. 15:54-55, 57).
Vdekja, në shoqërinë me Krishtin, tek e cila të çon besimi i gjallë dhe pjesëmarrja në misteret e Kishës sonë, nuk është më mister i errët. Është zgjim në një botë të re drite; kapërcim në një cilësi të re jete.
Shkëputur nga Libri:
RREZE NGA DRITA E UNGJILLIT
Vëllimi I
Vjeshtë – Dimër
Autor: † ANASTAS JANNULLATOS
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Profesor Emeritus i Universitetit Kombëtar të Athinës
Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










