11/10/2021 11/10/2021 Dhembshuri dhe ngushëllim i vërtetë (Llk. 7:11-17) Mos qaj! Me hap të rëndë, me kujë e vajtime, kortezhi mortor shkon drejt daljes së qytetit të vogël të Nainit. Në arkivolin e hapur duket fytyra e re e të vdekurit dhe gruaja e ve e dërrmuar, që tashmë, krejtësisht e vetme, pa burrë dhe fëmijë, i...
11 Οκτωβρίου, 2021 - 13:48

E Diela e 3-të e Llukait (II)

Διαδώστε:
E Diela e 3-të e Llukait (II)

Dhembshuri dhe ngushëllim i vërtetë
(Llk. 7:11-17)
Mos qaj!
Me hap të rëndë, me kujë e vajtime, kortezhi mortor shkon drejt daljes së qytetit të vogël të Nainit. Në arkivolin e hapur duket fytyra e re e të vdekurit dhe gruaja e ve e dërrmuar, që tashmë, krejtësisht e vetme, pa burrë dhe fëmijë, i shkon nga pas duke qarë me zë të lartë. Kjo pamje dëshmon se dhimbja e saj është e padurueshme. Në këto çaste tragjike, nëna e shumëvuajtur shikon Dikë që i afrohet dhe i thotë me dhembshuri: Mos qaj! “Edhe Zotit, kur e pa, iu dhimbs, edhe i tha asaj: Mos qaj!”. Ai është kalimtar në atë qytet, por nuk është indiferent. Sapo e shikon hidhërimin, afrohet me dhembshuri për të ngushëlluar, për t’i dhënë zgjidhje.
1. Krishti veproi në këtë mënyrë gjatë gjithë jetës së përmbidheshme. Po kështu vazhdon edhe tani, që gjendet i lavdëruar në qiell dhe mes nesh. Ai afrohet me dhembshuri dhe u jep fuqi atyre që vuajnë; vjen në mënyrë mistike, herë me një person të dashur, herë me një libër ngushëllues. Afrohet dhe, i mbushur plot dhembshuri, thotë: “Mos qaj, biri im! E njoh dhimbjen. Përballesh me përbuzjen, zemërashpërsinë e të pushtetshmëve, me shpifjen, braktisjen e miqve? Këto i kam provuar dhe Unë, madje edhe të tjera më të këqija. Por dëgjomë: mos qaj! Fjalën e fundit e kam Unë. Çfarë është ajo që të dëshpëron? Shikon njeriun tënd teksa tretet në krevatin e dhimbjes dhe nuk mund ta ndihmosh? Nuk është shuar çdo shpresë, sikundër mendon; nuk humbi gjithçka për ty. Pranë teje qëndroj Unë. Unë jam gjithçka. Kujto pak se çfarë fuqie gjetën pranë Meje gjithë sa me besim studiojnë jetën Time, gjithë sa kanë dëgjuar fjalët e Mia!”.
Shohim sa shumë paqe dhe fuqi u fal Krishti atyre që E besojnë! Ku e gjen i krishteri tërë këtë fuqi dhe rezistencë? Disa habiten kur e shikojnë besimtarin të ruajë paqen edhe në sprovën më të vështirë. Po ku gjetkë mund ta gjejë fuqinë përveçse te Krishti? Tek Ai shkon për të gjetur mbrojtje, sepse Ai i jep kuptim jetës dhe vdekjes dhe është gjithmonë i Gjallë dhe i Pranishëm pranë tij. I krishteri merr fuqi prej hirit të mistereve të Kishës së Krishtit. E di se dhimbja ka kuptim të thellë dhe se gjithçka ndodhet në duart e Perëndisë. Atij ia dorëzon veten me besim.
Dhe Zoti e jep zgjidhjen kur e gjykon me vend. Kujtoni pak historinë e Nainit. Pasi i tha “mos qaj” nënës së shkretë, “u afrua e preku shtratin… edhe ai tha: Djalosh, po të them, ngrihu! Edhe i vdekuri u ngrit e ndenji, edhe zuri të flasë. Edhe ia dha së ëmës” (Llk. 7:14-15). Nëse Zoti i thekson përherë secilit nga ne “mos qaj”, këtë e bën sepse, në vazhdim, vetë Ai do të na nxjerrë nga rruga pa krye. Nuk ka rëndësi nëse do ta bëjë menjëherë apo pak më vonë. Është shumë e rëndësishme se Krishti, gjatë kalimit të Tij nga Palestina, nuk reshti së dhëni zgjidhje për dramën e dhimbjes, kudo që e hasi atë. Sillni pak në mendje të demonizuarit që çliroi prej djallit, mëkatarët që i çliroi prej tiranisë së ndërgjegjes fajtore, të uriturit që i ngopi me bukë, të sëmurët e shumtë që shëroi, të vdekurit që i ngjalli, për t’u siguruar se pothuajse të gjitha mrekullitë e Tij, me të cilat vërtetoi hyjninë e Tij, i bëri që t’i shpëtonte njerëzit prej dhimbjes.
2. Në mrekullinë e sotme, shumë do të shikojnë vetëm zemërdhembshurinë e Krishtit para dramës së dhimbshme të një djali të ri që kishte vdekur. Sigurisht, Krishti ndjeu dhembshuri të thellë, por kjo nuk ishte një ndjenjë e përkohshme për këtë rast të veçantë. Është njeridashja e përsosur e Perëndinjeriut para vdekjes dhe prishjes, fenomene që godasin njeriun që e ka dënuar vetë veten me vdekje, pas rënies së tij nga Parajsa.
Po kështu edhe mrekullia e sotme është shembull për mbarë njerëzimin. Me ngjalljen e të vdekurit paralajmërohet ngjallja e njeriut. Biri i vejushës, i privuar prej mbrojtjes dhe dhembshurisë atërore, bëhet bir i Atit qiellor, trashëgimtar i jetës së përjetshme dhe “bir i ngjalljes”. Dhe ky veprim mrekullibërës i Krishtit nuk reshti kurrë. Gjithmonë ndërhyn në çastin kritik, për t’i dhënë kthesë të favorshme ecurisë së ngjarjeve. Historia e Nainit përsëritet shpesh me variante të ndryshme, me një ndryshim, që distanca midis ngushëllimit të parë që fal me këshillën “mos qaj” dhe zgjidhjes përfundimtare, ka mundësi të jetë më e madhe. Por le të mos tregohemi të paduruar. Na mjafton të dimë se Zoti “ka dhembshuri për ne”. “Perëndia është besnik dhe nuk do t’ju lërë të ngiteni tej fuqisë suaj, po bashkë me ngasjen do t’ju tregojë rrugë shpëtimi, që të mund të duroni” (1 Kor. 10:13). Dhe këtë të vërtetë na e theksojnë edhe ngjarjet e panumërta të historisë dhe të përvojës personale të besimtarëve. Nuk ka për t’ju lënë në furrën e sprovës më shumë se rezistenca juaj, por së bashku me sprovën do të sjellë edhe fundin e saj, që të mund të tregoheni të duruar.
3. Në perikopenë e sotme ekziston edhe një detaj tjetër karakteristik dhe interesant: “Edhe u afrua e preku shtratin” (vargu 14). Interpretuesit e mëdhenj të Kishës japin një shpjegim mahnitës të këtij akti, që është një shkëlqim i përvojës së tyre shpirtërore:
“Përse nuk e përfundoi mrekullinë e Tij vetëm me fjalën, por njëkohësisht e preku të vdekurin? Që të mësosh se edhe trupi i shenjtë i Krishtit vepron për hir të shpëtimit të njeriut, sepse është trup jete dhe sepse mishi njerëzor i Fjalës së tërëfuqishme mbart përbrenda vetes të gjithë fuqinë e Tij… Dhe, meqë natyra njerëzore u bë dhe natyrë e Atij që i gjallëron të gjitha, për këtë arsye edhe mishi i Tij njerëzor është jetëbërës dhe mund ta heqë vdekjen dhe prishjen” (Kirili i Aleksandrisë, Shpjegim i Ungjillit sipas Llukait, kap. 7, TLG 72.609.34-43).
Ky Trup jetëbërës i Krishtit është Kisha e Tij, e cila I ofron njeriut në çdo Eukaristi Hyjnore mishin e Tij, duke vërtetuar shfuqizimin e vdekjes dhe të prishjes. Me mishin e Tij, Zoti prek natyrën e vdekshme njerëzore për shkak të mëkatit dhe fton çdo njeri me të njëjtat fjalë: “Djalosh, po të them, ngrihu!”. Bëhet fjalë për një ftesë “në jetë të përjetshme”, në ngjalljen finale, që na e fal bashkëtrupëzimi i besimtarit në Trupin mistik të Kishës.
* * *
Sot perikopeja e Ungjillit është për ata që vuajnë. Por kush nuk vuan? Nëse do të ishte e mundur të vizitonim të gjitha shtëpitë e qyteteve dhe të fshatrave, nuk e di nëse do të gjenim ndonjë familje që të mos e ketë tronditur dhimbja. Por, nëse do të kishim edhe një shqisë tjetër, do të shikonim edhe diçka tjetër: Dikë, me pamje të ndritshme, teksa i afrohet çdo dere, për të hyrë me qetësi nëpër shtëpi dhe, “duke ndier dhembshuri për të”, t’i thotë familjes: “mos qaj!”. Pikërisht ky Vizitor Hyjnor vjen edhe në këtë orë për të trokitur në derën e zemrës sonë, që të na thotë përsëri: “Mos qaj, biri im! E njoh hidhërimin, privimet, sëmundjen tënde. Mbështetu tek Unë dhe le të ecim së bashku përtej gërmadhave të dhimbjes, me shpresën për një jetë të re”.
Vëllezërit e mi, le të mos i mbyllim veshët. Le të mos e mbyllim derën, siç bëjnë fatkeqësisht disa. Le ta përqendrojmë shikimin tonë në fytyrën e Tij të shenjtë dhe me besim le t’i përgjigjemi: “Po, o Zot, merre dorën dhe zemrën time dhe udhëhiqmë përtej stuhisë së vuajtjes, në një jetë paqeje!”.
Shkëputur nga Libri:

RREZE NGA DRITA E UNGJILLIT
Vëllimi I
Vjeshtë – Dimër
Autor: † ANASTAS JANNULLATOS
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Profesor Emeritus i Universitetit Kombëtar të Athinës
Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës

Radio “Ngjallja”

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων