08/06/2019 08/06/2019 E DIELA E 318 ETËRVE TË SHENJTË TË SINODIT TË I EKUMENIK Joani 17, 1 – 13. MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT·SATURDAY, 8 JUNE 2019 Rrugë Drejt Jetës së Përjetshme “Kjo është jeta e përjetshme, që të të njohin ty të vetmin Perëndi të vërtetë dhe Jisu Krishtin që dërgove” v. 3. Ashtu si në...
08 Ιουνίου, 2019 - 17:06

E Diela e Etërve të Sinodit I Ekumenik – Joani 17:1-13 – Nga Mitropoliti i Beratit Hirësi Ignati

Διαδώστε:
E Diela e Etërve të Sinodit I Ekumenik – Joani 17:1-13 – Nga Mitropoliti i Beratit Hirësi Ignati

E DIELA E 318 ETËRVE TË SHENJTË TË SINODIT TË I EKUMENIK Joani 17, 1 – 13.

MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT·SATURDAY, 8 JUNE 2019

Rrugë Drejt Jetës së Përjetshme

“Kjo është jeta e përjetshme, që të të njohin ty të vetmin Perëndi të vërtetë dhe Jisu Krishtin që dërgove” v. 3.

Ashtu si në frymën e lutjes kryepriftërore të Jisu Krishtit ndaj Atit të Tij qiellor, që dëgjuam në tekstin e Ungjillit, kështu dhe në shumë pjesë të tjera të Shkrimit të Shenjtë, si një veçori kryesore e besimtarit, shfaqet pranimi dhe ruajtja e fjalës së Perëndisë.

* * *

Kur dikush me gatishmëri ia hap zemrën fjalës së Perëndisë dhe e ruan brenda saj dhe e zbaton në jetën e tij, atëherë është me të vërtetë besnik, mik i vërtetë i Perëndisë. Zoti sot i jep përgjigje një pyetjeje themelore të besës sonë. Na thekson se çfarë është jeta e përjetshme. Jeta e përjetshme, thotë, është njohja jonë me Perëndinë, jeta më Zotin, hyjnizimi ynë, ngritja dhe përparimi i vazhdueshëm i besimtarëve në njohjen personale të të vetmit Perëndi të vërtetë dhe të Jisu Krishtit. Por, këtë temë, që ndoshta disave u duket teorike dhe e vështirë për t’u kuptuar, e thjeshtëson Fryma e Perëndisë nëpërmjet Shkrimit të Shenjtë, dhe gjithashtu na tregon disa mënyra praktike, që na drejtojnë në këtë hyjnizim, në këtë njohje të Perëndisë.

* * *

Një rrugë e tillë është bindja. Secilido njeri, që jo thjesht dëgjon, por i bindet Perëndisë dhe nuk shkel urdhrat e Zotit, ai e njeh me të vërtetë Perëndinë. Vetë ungjillor Joani në letrën e tij të përgjithshme na thotë qartë: “Ai që thotë, e kam njohur atë, dhe nuk ruan porositë e tij, është gënjeshtar, dhe e vërteta nuk është tek ai” 1 Joanit 2, 4. Dhe shumë saktë. Sepse, vërtetimi se kemi njohur “Perëndinë e vërtetë dhe Jisu Krishtin që dërgoi”, nuk është njohje teorike e Perëndisë, “nëse ruajmë porositë e Tij”. 1 Joanit 2, 3.

Për shembull, kemi dy njerëz. Njëri njeh hollësi nga jeta e Jisu Krishtit, di përmendësh pjesë të tëra nga Ungjilli i shenjtë dhe predikon, madje, për Perëndinë, por jeta e tij nuk është e krishterë. Ndërsa nga ana tjetër, kemi një të krishter, që është i pashkolluar dhe, përveçse, disa lutjeve të vogla, nuk di asgjë tjetër teorike, por jeton me frikë Perëndie. Ky i krishteri i dytë, e njeh Perëndinë më mirë se i pari. I pari i kishte kushtet dhe i shpërdoroi me jetën e tij të parregullt. I dyti, edhe pse nuk kishte mundësi të mësojë diçka më shumë, me jetën e tij të mirë, arriti më tepër se i pari.

E njoh, pra, Zotin do të thotë se, jetoj sipas dëshirës së Tij, jam krejtësisht i varur prej Tij. I intonoj rrahjet e zemrës sime me rrahjet e zemrës së Tij. Ndjek gjurmët e Tij. Ata, që para çdo veprimi i drejtojnë vetes së tyre pyetjen se: “E do Perëndia këtë që do të bëjë?”, dhe në mënyrë analoge përparojnë ose i shmangen të bëjnë “të keqen përpara Zotit”, këta “e njohën me të vërtetë” Jisu Krishtin. Kjo bindje krijon një bashkim të thellë të shpirtit tonë me Perëndinë. Atëherë jetojmë “më Krishtin”. Përfundimi i këtij komunikimit tonë të ngushtë është njohja me Perëndinë.

* * *

Një rrugë e dytë, që na sjell në të njëjtin përfundim, është dashuria.Perëndia erdhi në botë “dhe bota nuk e njohu” Joani 1, 10. Dhe përse ky fenomen? Shumë thjeshte, sepse mungonte dashuria nga zemrat e njerëzve. “Ai që nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Perëndinë”
1 Joanit 4, 8,thotë në mënyrë të prerë Ungjillori i dashurisë. Vetëm “kush ka dashuri, e njeh Perëndinë” 1 Joanit 4, 7.

Dashuria është një urë, që e transporton njeriun nga toka në qiell. Zemra e njeriut e ngrohtë nga dashuria, mund t’i afrohet dhe të njohë misterin e Perëndisë. Prandaj dhe apostull Pavli, mbi fuqinë, njohjen dhe të mirat e tjera, vendosi dashurinë, që është mjeti më i përkryer, që na njeh Zotin, na bashkon me Perëndinë dhe na bën “pjesëtarë të natyrës hyjnore” 2 Pjetrit 1, 4.

Shën Joani Kronshtandit vëren me saktësi: “Ashtu si Trinia e Shenjtë, Zoti dhe Perëndia ynë, është NJË dhe njëkohësisht TRE PERSONA, kështu dhe ne duhet të jemi të pandarë, të jemi si një njeri, një mendje, një dëshirë, një zemër, të bashkuar pa të keqen, me një dashuri pa dinakëri, ashtu si dhe Perëndia është dashuri, prandaj dhe Zoti kërkoi nga Ati i Tij për njerëzit: «të jenë një sikurse edhe ne jemi një». Joanit 17, 22”.

Zoti, jo vetëm, që e predikoi, por edhe e zbatoi dashurinë. U bë njeri nga dashuria për njeriun. U ul tek dhimbja njerëzore dhe shëroi plagë. U ngjit në Golgotha, që të paguajë me gjakun e Tij, shpërblimin e njeriut dhe nga lartësia e Kryqit predikoi predikimin e dashurisë për armiqtë, duke i falur kryqëzuesit e Tij.“Nuk ka dashuri më të madhe se të japësh jetën për miqtë”.Joanit 15, 13.

Këtë dashuri të Perëndisë për njeriun, e ndjenë në thellësitë e shpirtit të tyre, nxënësit e Zotit dhe shenjtorët e Kishës dhe të krishterët e vërtetë të të gjithë kohërave. Dhe shpirti i tyre u tejmbush nga dashuria për Perëndinë dhe për njeriun. Për Perëndinë, nga njëra anë, nga mirënjohja për dashurinë e Tij dhe sakrifikimin për njeriun; për njeriun, nga ana tjetër, si vëlla më Krishtin. Veç kësaj, dashuria ndaj të afërmit është urdhër i Krishtit Shpëtimtar, dhe secilido i krishterë, që e kupton dhe ndjenë shpëtimin, nuk mund veçse të zbatojë dëshirën dhe urdhrin e Shpëtimtarit të tij.

Dashuria ndaj Shpëtimtarit bëhet zjarr në shpirtin e nxënësve të Tij, u jep krahë, u jep fuqi, në mënyrë që apostull Pavli shkruan, se: “As vdekja, as jeta, as engjëjt, as sundimtarët, as gjërat e tashme, as ato që po vijnë, as pushtetet, as forcat qiellore, as forcat e botës së nëndheshme, as ndonjë krijesë tjetër nuk do të mund të na ndajnë nga dashuria e Perëndisë, që u tregua përmes Jisu Krishtit, Zotit tonë” Romakëve 8, 38-39. Dhe për këtë dashuri sakrifikuan jetën e tyre.

Pra, kur jemi njerëz të dashurisë, domethënë i duam vëllezërit tanë dhe ua tregojmë këtë me veprat tona, atëherë bëhemi magnete shpirtërore, që tërheqim dhe vetë Perëndinë pranë nesh. Për shembull, kur me zemrën tonë të hapur, me zërin tonë të ngrohtë, me shikimin tonë të gëzueshëm dhe të ëmbël, me buzëqeshjen tonë, me nderimin tonë, besnikërinë tonë, kujdesin tonë, i përqafojmë vëllezërit tanë, atëherë, vjen Zoti dhe e bënë shpirtin tonë banesën e Tij, krijojmë lidhje të ngushta bashkë me Të dhe njihemi si Atë e bir, si dy miq të mirë dhe të sinqertë. “Ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të” 1 Joanit 4, 16. Pa këtë dashuri, nuk mund të pretendojmë se njohim Perëndinë dhe se jemi të tijët. Zoti do të na thotë, “kurrë nuk ju njoha”. “Nuk është ky një argument se kurrë nuk më njohët? Pyet Zoti i Tërëfuqishëm”. Jeremia 22, 16.

Nëse nuk na prek sakrifica e Zotit dhe torturat e dëshmorëve, për të ruajtur të pashuar flakën e dashurisë ndaj Perëndisë dhe të afërmit tonë, le të na frikësojë pësimi i pesë virgjëreshave të marra, të cilat -siç vëren shën Joan Gojarti- pas mijëra mundimesh dhe luftës së madhe kundër epsheve natyrore, që të mbeten të virgjëra, ngaqë i lanë të fikurë kandilat e tyre, largohen të turpëruara me kokën poshtë; nuk ekziston diçka më e errët sesa virgjëria, që privohet nga përdëllimi, virtyti dhe njeridashja. Kush, pra, është dobia e virgjërisë, shton, pasi nuk panë Dhëndrin dhe nuk arritën të hyjnë, kur trokitën derën, por dëgjuan atë fjalën e tmerrshme “nuk ju njohë juve”.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Shumë prej nesh mundohemi, që të shtojmë njohjet tona me njerëz dhe të përparojmë në lidhjet tona me persona, nga të cilët llogarisim, se diçka mund të fitojmë. Por, në ç ‘gjendje gjendet njohja jonë me “të vetmin Perëndi të vërtetë”, dhe Jisu Krishtin? A i përshkojmë vallë dy rrugët që përmendëm, të bindjes dhe të dashurisë, dhe në cilën pikë ndodhemi? Le të mos ndalojmë kurrë në këtë udhëtim të shenjtë. Le të përparojmë vazhdimisht dhe t’i themi Zotit tonë gjithmonë: “Zgjate përdëllimin tënd mbi ata që të njohin.”

U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

† IGNATI

Berat me 09.06.2019


Radio Ngjallja

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων