03/01/2021 03/01/2021 Marku 1, 3-8. QË TË VIJË KRISHTI “Zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Bëni gati udhën e Zotit, bëni të drejta rrugët e tij.” v. 3. Të dielën para së kremtes së madhe të Theofanisë, atëherë kur bota ndriçohet dhe shenjtërohet me praninë e Zotit, dëgjojmë pjesën e Ungjillit për predikimin e shën Joan...
03 Ιανουαρίου, 2021 - 13:49
Τελευταία ενημέρωση: 03/01/2021 - 13:53

E diela para Theofanisë

Διαδώστε:
E diela para Theofanisë

Marku 1, 3-8.

QË TË VIJË KRISHTI

“Zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Bëni gati udhën e Zotit, bëni të drejta rrugët e tij.” v. 3.

Të dielën para së kremtes së madhe të Theofanisë, atëherë kur bota ndriçohet dhe shenjtërohet me praninë e Zotit, dëgjojmë pjesën e Ungjillit për predikimin e shën Joan Pararendësit dhe Pagëzorit, i cili e filloi veprimtarinë publike pak para shfaqjes së Zotit Jisu Krisht.

Shën Joan Pararendësi është i vetmi profet, që u profetizua nga profetë të tjerë të mëparshëm. Më konkretisht tek profeti Malakia kap. 3 varg. 1 – lexojmë për atë –“Unë Perëndia do të dërgojë lajmëtarin para Teje -duke iu drejtuar Birit të Tij, Krishtit Mesia- që të përgatisë rrugën, nga e cila do kalosh, që të vish tek njerëzit si Shpëtimtar dhe Çlirimtar”.

Dhe profeti Isaia kap. 40 varg. 3, sikur e dëgjoi predikimin e Joanit para 800 vjetësh, thotë: “Një zë dëgjohet brenda në shkretëtirë: Përgatitni rrugën e Zotit. I bëni të drejta rrugët ku do të kalojë”.

I tillë ishte predikimi i Pararendësit. Në shkretëtirën e lumit Jordan, ku ai vetë gjendej, i ftonte njerëzit, që të pastrojnë brendësinë e tyre me anë të pendimit, për të pritur Krishtin, që pas pak do të shfaqej. Dhe përgjigjja e botës ishte e habitshme: “Edhe dilnin tek ai gjithë vendi i Judesë dhe jerusalemasit, edhe të gjithë pagëzoheshin nga ai në lumin e Jordanit, duke rrëfyer mëkatet e tyre.” v. 5.

Predikimi i tij nuk paralajmëronte thjesht për ardhjen e Shpëtimtarit, ashtu si predikimi i profetëve të tjerë, por dhe përgatiste shpirtrat, në mënyrë që ta pranojnë menjëherë. Krishti nuk ishte tashmë thjesht i prituri, por Ai që po afrohej, që gjendej në pragun e shpirtrave. Dhe shën Joani, me fjalë të fuqishme, i zgjonte njerëzit, i ngrinte, ua kthente vëmendjen drejt Shpëtimtarit, që po vinte.

Ishte dhe pamja e profetit, që i tërhiqte njerëzit. I veshur vetëm me një rrobë të bërë nga leshi i devesë dhe një rrip lëkure në mes, asgjë tjetër. Dhe ushqimi i tij ishte i thjeshtë. Hante majat e lakrave të egra dhe pak mjaltë të egër nga të çarat e shkëmbinjve. Ishte shumë pranë popullit, me marazet dhe problemet e tij. I dhimbsej, i gjendej pranë, e mësonte, për çdo profesion kishte këshillat e tija të goditura.

Ishte i butë dhe i patëkeq dhe tej mase i përulur. Por, paralelisht, dhe i patrembur; i përpiktë dhe i ashpër në fjalët e tija; dhe me guxim qortonte çdo devijim. Nuk nguroi të qortojë dhe vetë Herodin, për mëkatin e madh të kurorëshkeljes, që e skandalizonte popullin. Por, dhe Farisenjve iu drejtua me gjuhë të ashpër, që t’i zgjojë, duke u folur me shëmbëlltyra dhe me figura të mara nga jeta natyrore dhe bujqësore:

“Edhe sëpata rri pranë rrënjës së pemëve; çdo pemë pra që s’bën fryt të mirë pritet, edhe hidhet në zjarr”. Mattheu 3, 10. Çfarë do të thotë vallë kjo fjalë? Cili është kuptimi më i thellë i saj? “Sëpata”, thonë komentuesit e hirshëm, simbolizon gjykimin e Krishtit, që me vendosmëri, me ashpërsi dhe zemërim do të ndërhyjë, që të godasë dhe të zhdukë fuqinë e së keqes. Ashtu si sëpata bije me fuqi dhe vrull, që të kenë rezultat goditjet e saj, kështu dhe gjykimi i Krishtit do të vijë menjëherë dhe fuqishëm dhe do t’i godasë në rrënjë pemët.

Por, cilat janë pemët në këtë shëmbëlltyrë? Pemët simbolizojnë njerëzit, të cilët do të përballojnë gjykimin e ashpër të Zotit. Dhe, që do të goditen në rrënjët e tyre dhe kjo ka kuptim. Nuk do të goditen degët, as frytet. Kjo nuk do të ishte dhe aq e tmerrshme. Degët çelin përsëri dhe pema mund të japë përsëri fryte. Pemët do të goditen në rrënjë dhe kjo do të thotë, se pas goditjes nuk do të ketë shpresë shërimi. Do të çrrënjosen dhe nuk do t’u mbetet më jetë. Gjykimi i Perëndisë është i ashpër. Do të dënojë me vdekje njerëzit e pafrytshëm. Siç e thamë më lart: “Çdo pemë pra që s’bën fryt të mirë pritet, edhe hidhet në zjarr”.

Paralajmërim i tmerrshëm! Fjalë tronditëse, që sigurisht i dëgjuan me frikë ata që dëgjonin Pararendësin e nderuar! “Çdo pemë…” Një rregull i paprekshëm. Le të kishin Ligjin. Le ta dëgjonin kur shkonin në Sinagogat e tyre. Le të kishin atë Abrahamin dhe le të ndjenin nder të veçantë që ishin pasardhës të atij Patriarku të madh. Asgjë nga këto nuk mund t’i shpëtonte. Nëse nuk do të kishin “fryte të mira”, sëpata, zemërimi i drejtë i Perëndisë, do t’i godiste në rrënjë; do tua merrte jetën dhe do t’i dërgonte në vdekjen e përjetshme, në zjarrin e ferrit, të digjen përjetë dhe të torturohen pa pushuar kurrë vuajtjet e tyre!

* * *

Fjala e predikuesit të madh të pendimit trondit dhe shpirtrat tanë. Sepse nëpërmjet faqeve të Ungjillit të shenjtë na drejtohet edhe ne, po aq i gjallë dhe paralajmërues. Dhe kuptojmë se nuk mund t’i shmangemi zemërimit të Perëndisë, gjykimit të Tij të drejtë, veçse nëse kemi “fryt të mirë”. Por, cili është fryti i mirë? “Fryt i mirë” është fryti i denjë i pendimit, na nxit Pararendësi i nderuar. Mattheu 3, 8. Fryti që kërkohet janë veprat, të cilat janë rezultat i pendimit të sinqertë dhe të thellë.

A pendohet me të vërtetë njeriu? Atëherë jeta e tij ndryshon rrënjësisht. Braktis përfundimisht të shkuarën e tij, fillon një jetë të re. I lë tashmë veprat e errëta të mëkatit dhe punon veprat e dritës. Veprat e virtytit. Jetonte me padrejtësi, i pamëshirshëm, në imoralitet, me gënjeshtra, me urrejtje dhe çdo të keqe tjetër? Tani jeton me drejtësi, me dhembshuri, me lëmosha dhe njeridashje, me urtësi, me sinqeritet dhe dashuri dhe çdo virtyt tjetër. E thotë në mënyrë karakteristike shën Joan Gojarti: “Tani duhet të bëjmë të kundërtat. Për shembull: vodhe të mirat e huaja? Tani jep dhe nga të tuat. Ofendove dhe qëllove? Tani të thuash fjalë të mira për ata që të shajnë dhe t’u bësh mirë atyre që të godasin.”

Këto janë veprat e pendimit. Jo vetëm t’i shmangemi së keqes, por të kultivojmë me kujdes virtytin. Dhe këtë ta bëjmë vazhdimisht, sepse nuk pranoi kërcënimin pema që nuk bëri fryte, por pema që nuk bëri fryte të mira. “Duhet gjithmonë të bëjmë fryte”. Fjala e Profetit dhe Pararendësit të Zotit është e tmerrshme, por është edhe një fjalë ngushëlluese. Nuk thotë se sëpata goditi, por se gjendet afër rrënjës gati për të goditur. Pendimi i vërtetë do ta parandalojë goditjen. Frytet e virtytit, që do të paraqesë pema, do ta parandalojnë dënimin vdekjeprurës, do të sigurojnë jetën e saj. Njeriu mund të jetojë vetëm nëpërmjet pendimit. Në këtë jetë dhe në jetën e përjetshme.

Mëkati është produkt i egoizmit. “Bëni gati udhën e Zotit”. Zoti i mbushur me dhembshuri dhe dashuri të pashterur nuk ndalon deri këtu; i jep shpirtit akoma dëshirën dhe gatishmërinë, që të parapërgatitet vetë për pranimin e shpëtimtarit të tij. Duhet ta hapim rrugën nëpërmjet pendimit, që të na drejtojë pranë Çlirimtarit që po vjen.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

E gjithë jeta jonë është një parapërgatitje për të pritur Zotin, që po vjen. Dhe Viti i Ri, që na dhuron Ati ynë i dhembshur, është një mundësi më shumë dhe një ftesë për këtë parapërgatitje. Le të jemi të sigurt, se Perëndia do të na dërgojë dhe sivjet pararendësit e Tij. Do të kërkojë në çdo mënyrë, që të na frymëzojë dëshirën e parapërgatitjes. Nga ne nevojitet përpjekje e përditshme, që të vijë Zoti Jisu në jetën dhe shpirtin tonë.

U bëftë!

ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI
BERAT MË 03.01.2021

 

facebook.com/mitropoliaberatit

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων