07/02/2021 07/02/2021 E DIELA XVI E MATTHEUT (E TALANTAVE) Mattheu 25, 14-30. TALENTET “Edhe njërit i dha pesë talanta, e tjetrit dy, e tjetrit një.” v. 15. Një njeri i pasur, që kishte shërbëtorë nën pushtetin e tij, kur do të nisej për një udhëtim të largët, me qëllim që të kthehej, thirri shërbëtorët e tij. Njërit...
07 Φεβρουαρίου, 2021 - 16:26
Τελευταία ενημέρωση: 07/02/2021 - 16:30

“Edhe njërit i dha pesë talanta, e tjetrit dy, e tjetrit një.” v. 15.

Διαδώστε:
“Edhe njërit i dha pesë talanta, e tjetrit dy, e tjetrit një.” v. 15.

E DIELA XVI E MATTHEUT
(E TALANTAVE)

Mattheu 25, 14-30.

TALENTET

“Edhe njërit i dha pesë talanta, e tjetrit dy, e tjetrit një.” v. 15.

Një njeri i pasur, që kishte shërbëtorë nën pushtetin e tij, kur do të nisej për një udhëtim të largët, me qëllim që të kthehej, thirri shërbëtorët e tij. Njërit i dha pesë talanta, tjetrit dy dhe të fundit një të vetme. Këto duhet që marrësit t’i punonin dhe të jepnin llogari, kur të kthehej i zoti i shtëpisë.

U dha të gjithëve. Secilit sipas fuqisë së tij, sipas aftësive që kishte për t’i vlerësuar dhe për t’i shumëfishuar. Asnjëri nuk mbeti i pakënaqur. Zoti është bujar. Dhuron pa mbajtur anë, pa “hatër”. Dhe ajo, një talantë, që i dha shërbëtorit të tretë, nuk është diçka e vogël dhe e pavlershme. Simbolizon një tërësi dhuntish të shumta dhe të mëdha, ashtu siç ishte e madhe vlera që kishte talanta si monedhë. Llogaritet afërsisht se vlera e saj ishte 240 lira të arta.

Sigurisht, të gjithë njerëzit kanë talanta. Njeriu i shëmbëlltyrës simbolizon Perëndinë. Talanta ishte një sasi e rëndësishme ari në lashtësi. Dhe simbolizon çdo dhuratë të Perëndisë, shkruan shën Vasili i Madh. Domethënë, Perëndia pajis çdo njeri me dhunti të ndryshme, të cilat nëse do t’i kultivojë sipas vullnetit hyjnor, do të denjësohet për Mbretërinë e Qiejve. Të gjithë, pra, kemi dhunti, dhe madje shumë, dhe një talantë akoma ishte një kapital i rëndësishëm.

Ekzistojnë dhunti të ndryshme si: zëri melodik, piktura, perceptimi mendor, gojëtaria, dhuntia e fisnikërisë nga natyra, dhe e ngushëllimit të të hidhëruarve… Të shumta janë dhuratat e Perëndisë tek njerëzit. Asnjë nuk është i përjashtuar nga bamirësia e Perëndisë. Dikush ka dhuntinë të kompozojë poezi, tjetri të shkruajë libra shkencor dhe tjetri libra letrar. Njëri ka memorie dhe tjetri ka gjykim të drejtë. Njëri pajiset me logjikë të pagabueshme dhe tjetri me karakter të qëndrueshëm.

Të gjithë njerëzit, pa përjashtim, morëm dhe marrim çdo ditë dhurata dhe bekime nga Perëndia. Zoti i shëmbëlltyrës, siç pamë, nuk u ndau të gjithëve të njëjtën sasi parash, por secilit i dha sipas fuqisë së tij. Domethënë, Perëndia nuk u jep të gjithëve të njëjtat dhunti dhe as në të njëjtin nivel, por secilitdo sipas fuqisë që ka, që t’i shumojë; sepse dhe ndarja e dhuntive bëhet me perspektivën, që secili t’i administrojë në mënyrë që të shpëtojë.

Rrjedhimisht, nuk lejohet të dëshpërohemi se nuk kemi atë apo këtë dhunti, apo të kemi zili të tjerët, për dhuntitë e tyre të jashtëzakonshme. Çdo gjë që kemi na e ka dhënë Perëndia me dashuri të përsosur dhe urtësi. Është, pikërisht, ajo që mund të ngremë pa u dëmtuar; pikërisht, ajo që mund të kultivojmë për të shpëtuar. Perëndia nuk bën gabime. Përndryshe atje ku ka dhënë shumë, atje do kërkojë shumë. Prandaj, në vend që të bëjmë krahasime, le të kultivojmë me gëzim talentin tonë, cilido qoftë. Sepse, siç është shkruar, “pyjet do të ishin të shurdhëta, nëse do të këndonin vetëm zogjtë zëmirë”.

* * *

Siç përmendet në shëmbëlltyrë, kaloi shumë kohë, dhe zoti i shtëpisë dikur u kthye. Thirri, pra, atëherë shërbëtorët, që të japin llogari, se çfarë bënë me pasurinë, që u besoi. I pari, i gëzuar dhe me mirësi, i thotë zotërisë së tij: –Zot, pesë talanta më dhe.

Punova, vrapova, u lodha shumë, por mundimi im nuk shkoi kot. Pesë talantat i bëra dhjetë. –Shumë mirë, shërbëtori im i mirë dhe besnik, iu përgjigj ai. Merr tani shpërblimin tënd të shumëfishtë, për mundimin tënd. Në të paktat ishe administrator i besueshëm; do të jap shumë të mira. Hyr të shijosh të njëjtin gëzim me Zotin tënd. E njëjta ndodhi dhe me shërbëtorin e dytë.

Përse i njëjti lavdërim? Sepse i njëjtë dhe i barabartë ishte mundimi, përpjekja dhe lodhja; sepse treguan dhe të njëjtin zell. Që të dy e dyfishuan atë sasi që morën, na shpjegon komentuesi i Shkrimit të Shenjtë Efthim Zigavinoi. Për më tepër, shpërblimi që jep Perëndia është shumë i madh: “Mbi të pakta ishe besnik, mbi të shumta do të të vë”. v. 23. Sa bujar është Zoti ynë!

I ndryshëm është dialogu me atë shërbëtor që kishte vetëm një talantë. –Zot, një talantë më dhe, ja merre prapa. Sapo ike, e fsheha thellë në tokë dhe prisja të kthehesh përsëri, që ta zhvarros. E di sa i ashpër je. Ti korr atje ku nuk mbolle dhe mbledh atje ku nuk shpërndave. Ja, ke atë që më dhe. Dhe Zoti iu përgjigj: –Shërbëtor i lig dhe dembel! E dije, se unë korr atje ku nuk mbolla dhe mbledh atje ku nuk shpërndava. Duhej, pra, ta vendosësh paranë time në bankë, dhe kur të vija unë, do të merrja me interesa atë që më takonte.

Vendimi dënues kishte dalë tashmë –kryesisht e nxori vetë shërbëtori i padobishëm, për veten e tij: fatkeqësi e përjetshme, mungesë gëzimi, dëshpërim, ferr, larg Perëndisë dhe njerëzve të tij.

* * *

Le të vijmë tani në pikën e dytë të shëmbëlltyrës. Është justifikimi që dha shërbëtori i tretë për sjelljen e tij: –Zot, tha, e dija se je i ashpër. Korr atje ku nuk mbolle dhe mbledh atje ku nuk shpërndave. U tremba, pra, dhe e fsheha talentin tim në tokë. Ja ajo që më dhe. Ta kthej të paprekur.

Perëndia e pranon karakterizimin, që i bëhet me këtë mbrojtje. Pranon se është i ashpër, duke kërkuar të korrë atje ku nuk mbolli dhe të mbledhë atje ku nuk shpërndau. Le të mos habitemi. Nuk e thotë vetëm ai vetë, por dhe e vërteton në praktikë.

Po, Perëndia është i ashpër dhe do që t’i ofrojmë diçka, që nuk na e dha. Cila është kjo gjë? Vullneti ynë dhe mundimet tona.

Hiri i Tij është i pasur, por nuk shpëtohemi pa ofruar edhe ne diçka. Perëndia na jep talantat e dhuntive, por që t’i shtojmë me përpjekjen tonë.

Pse nuk kujdesesh për edukimin tënd, për fëmijën tënde? Pse vitet e jetës tënde të humben dhe rinia jote të kalbet në pellgun e ndotur të mëkatit? Nëse je atë ose nënë, kjo është talanta jote. Përse shkujdesesh për shtëpinë tënde, për fëmijët e tu? Përse nuk qëndron zgjuar mbi familjen tënde? Nëse je mësues, është e shkëlqyer talanta jote. Por, përse e mbulon me baltën e indiferentizmit tënd? Atdheu të beson bijtë e tij. Nuk të do gramafon pa jetë dhe pa puls, por mësues të gjallë, frymëzues dhe reformues, i cili do të farkëtojë karaktere dhe do të formojë qytetarë të dobishëm. Nëse je klerik, përse e fsheh talantën tënde? Përse e mbulon me mendime të dheshme, zjarrin e Shpirtit të Tërëshenjtë, që fsheh në zemrën tënde, madje në momentin kur pranë teje humbasin shpirtra të pavdekshëm, për të cilët ke dhe ti përgjegjësi?

Prijësi i shëmbëlltyrës i vlerësoi shërbëtorët, që punuan dhe shumëfishuan talantat e tyre. Por e dënoi ashpër shërbëtorin, që solli prapa atë një talantë, që kishte marrë. Na bënë përshtypje ky dënim i ashpër. Ky shërbëtor nuk e humbi talantën e Zotit të tij, as nuk e shpërdoroi. Ia solli prapa të pangarë. Nuk bëri, pra, diçka të keqe; por nuk bëri as ndonjë të mirë; prandaj ndëshkohet. Mund të punonte, por nuk punoi. Për plogështinë dhe dembelizmin e tij, meriton dënim. Kështu Zoti, nga njëra anë, lavdëron gatishmërinë dhe përkujdesin dhe punën e dy shërbëtorëve, por dënon dhe bën shembull shërbëtorin tjetër, për plogështinë dhe indiferentizmin e tij.

 

* * *

 

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Le të mësojmë dhe ne nga kjo shëmbëlltyrë dobiprurëse dhe le të punojmë me sedër, që të kultivojmë talantat, që na ka dhënë Perëndia, në mënyrë, që të kemi mbrojtje të mirë përpara Gjykimit të tmerrshëm mbarëbotëror!
U bëftë!

ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI
Berat më 07.02.2021

 

facebook.com/mitropoliaberatit

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων