04/03/2026 04/03/2026 Fjala e Fortlumturisë së Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë Konferenca Ndërkombëtare: “Anastasi: Kryepiskop, Theolog, Hierapostull” Brookline, Massachusetts, 2 – 4 mars, 2026 Trashëgimia e Kryepiskopit Anastas Në vitin 1992, pikërisht këtu në këtë mjedis, isha student në Shkollën Theologjike “Kryqi i Shenjtë”, kur komunikova për herë të parë me Fortlumturinë...
04 Μαρτίου, 2026 - 13:07

Fjala e Fortlumturisë së Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë Konferenca Ndërkombëtare: “Anastasi: Kryepiskop, Theolog, Hierapostull”

Διαδώστε:
Fjala e Fortlumturisë së Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë Konferenca Ndërkombëtare: “Anastasi: Kryepiskop, Theolog, Hierapostull”

Fjala e Fortlumturisë së Tij, Joani,
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Konferenca Ndërkombëtare: “Anastasi: Kryepiskop, Theolog, Hierapostull”
Brookline, Massachusetts, 2 – 4 mars, 2026
Trashëgimia e Kryepiskopit Anastas
Në vitin 1992, pikërisht këtu në këtë mjedis, isha student në Shkollën Theologjike “Kryqi i Shenjtë”, kur komunikova për herë të parë me Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin Anastas, përpara se ai të fronëzohej si Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Komunikimi u mundësua nga profesori im, në atë kohë Mitropolit Dhimitër Trakatelis i Vrestenës, i cili më vonë u bë Kryepiskop i Amerikës. Kur fola në telefon, Kryepiskopi Anastas më tha: “Joan, biri im, Dhimitri më ka njoftuar për ty, për dëshirën tënde për të shërbyer në Kishë dhe për rezultatet e tua në Shkollën Theologjike. Gëzohem shumë për ty dhe u mbusha me entuziazëm kur mësova për dëshirën tënde për t’u kthyer dhe për të shërbyer në atdheun tënd”.
Unë i premtova se do të kthehesha menjëherë pas përfundimit të studimeve, sepse edhe unë u gëzova thellësisht për bekimin që Shqipëria e kishte atë në krye të Kishës sonë, në këtë fillim shumë kritik – pas shkatërrimit të plotë ateist. Që atëherë, lidhja jonë ka qenë gjithmonë e ngushtë – një udhëtim i përbashkët dashurie dhe bashkëpunimi në Krishtin për përparimin e Kishës sonë të dashur, Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Jam thellësisht i nderuar që pata bekimin nga Perëndia të isha pranë tij pothuajse në të gjitha momentet vendimtare, në të gjitha takimet më të rëndësishme dhe në të gjitha përpjekjet për të ngritur nga rrënojat Kishën tonë. Urtësia e tij e thellë, dashuria e tij e zjarrtë për Perëndinë dhe njerëzimin ishin të bashkuara tek ai në mënyrë kaq të mrekullueshme, saqë me të vërtetë përgjërimet e besimtarëve orthodhoksë të Shqipërisë – të cilët kërkonin një njeri të Perëndisë për të ringritur Kishën e tyre – u përgjigjën nga Perëndia në shkallën më të lartë, nëpërmjet pranisë së Kryepiskopit Anastas për tri dekada në këtë Kishë të vuajtur.
I
Vepra ndërtimore: Ngritja e kishave nga rrënojat
Kur Kryepiskopi Anastas mbërriti në Shqipëri në vitin 1991, si Ekzark i Patriarkanës Ekumenike, ai gjeti një vend ku Kisha ishte shkatërruar pothuajse plotësisht. Regjimi ateist – i vetmi në botë që e shpalli ateizmin me kushtetutë – shkatërroi ose ktheu jofunksionale 1,600 kisha, paraklise dhe manastire. Nga 440 klerikë që shërbyen para komunizmit, kishin mbetur vetëm 22, të gjithë të moshuar dhe të rraskapitur. Siç thoshte vetë Kryepiskopi i lumur, ishte “kohë kur në Shqipëri mbretëroi fryma e errësirës. Kur ateizmi militant shoi ndërgjegjen, mbyti gjithçka që jeta njerëzore e çmon si më të çmuar: lirinë, besimin, dashurinë”.
Në këtë peizazh shkretimi shpirtëror, Kryepiskopi Anastas nisi atë që, me të drejtë, shumë e quajnë “mrekulli”. Për më shumë se tri dekada, ai drejtoi ndërtimin dhe restaurimin e mbi 450 ndërtesave kishtare dhe sociale: u ngritën 150 kisha të reja; u restauruan 70 manastire dhe kisha që ishin kthyer në monumente kulture; u riparuan 160 kisha të tjera; dhe u ndërtuan apo u rinovuan 45 ndërtesa kishtare. Në total, u ngritën ose u rikthyen në funksion 425 ndërtesa. Ai themeloi Akademinë Theologjike – Hieratike “Ngjallja e Krishtit” në Durrës, Liceun Kishtar “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër dhe në Sukth, Durrës, si edhe 50 Qendra Rinore në qytete të ndryshme. Ai arsimoi dhe hirotonisi 145 klerikë të rinj. U themeluan mbi 400 enori, u ndërtuan shkolla, klinika dhe qendra sociale. Dyert e kishës u hapën për çdo person, pa dallim besimi. Shifrat flasin vetë: qindra kisha, dhjetëra manastire, mijëra njerëz të punësuar, infrastrukturë sociale dhe kishtare, e cila e nxori Shqipërinë nga mjerimi. Unë do ta quaja atë njeriun e ringjalljes – jo vetëm ringjalljen e mureve të kishave, por ringjalljen e shpirtrave nga errësira.
II
Tempujt e gjallë: Ringritja shpirtërore
Megjithatë, Kryepiskopi Anastas nuk u mjaftua vetëm me ndërtimin e kishave. Thellë në shpirtin e tij, ai e dinte se ndërtesat janë thjesht instrumente – instrumente në shërbim të qëllimit të vërtetë, që është shpëtimi i shpirtrave. Me fuqi të veçantë, ai e shprehu këtë gjatë një vizite në Delvinë, kur tha ato fjalë që kanë mbetur si testament për të gjithë ne: “Përtej tempujve prej guri, duhet të ndërtojmë tempujt e gjallë të Krishtit – brenda shpirtrave të njerëzve, ata tempuj shpirtërorë që i shkatërroi regjimi ateist”. Kjo fjali përmbledh të gjithë vizionin e tij. Dëmi më i madh i ateizmit nuk ishte shkatërrimi i mureve, por shkatërrimi i ndërgjegjes, i besimit, i lidhjes së qenieve njerëzore me Perëndinë. Muret mund të rindërtohen, por shpirtrat kërkojnë mundim shumë më të thellë, më shumë durim dhe më shumë dashuri. Për të, ndërtesat nuk ishin qëllim në vetvete, por thjesht mjet për të kryer veprën shpëtimtare të Kishës. Ata u ndërtuan për njerëzit dhe në shërbim të tyre.
Kryepiskopi i lumur ishte njeri me maturi të jashtëzakonshme shpirtërore, jo thjesht në formimin e tij theologjik – megjithëse ai ishte ndër theologët më të shquar orthodhoksë të shekullit të njëzetë, Profesor i Historisë së Feve në Universitetin e Athinës, Doktor Honoris Causa në 19 universitete. Maturia e tij shpirtërore buronte nga një jetë e përkushtuar e gjitha në lutje, në soditje dhe në shërbim të Perëndisë dhe njerëzve. Ai e kishte përjetuar Perëndinë si realitet të gjallë dhe pikërisht kjo përvojë i dha atij forcën dhe urtësinë për t’u transmetuar besimtarëve të Shqipërisë frymën e vërtetë të një Kishe Orthodhokse të gjallë dhe të shëndetshme – një Kishë e themeluar mbi besimin në Ngjalljen e Krishtit dhe mbi dashurinë për çdo qenie njerëzore. Ai dinte si të hynte në shpirtin e çdo personi. E kuptonte se, pas dekadash errësire ateiste, njerëzit nuk kishin nevojë vetëm për kisha në të cilat do të hynin brenda, por për dikë që do t’u fliste zemrave të tyre, do t’u mësonte të luteshin përsëri dhe do t’u tregonte se Perëndia është i gjallë dhe i pranishëm. Dhe pikërisht këtë bëri ai – me fjalë të ngrohta, me durim të pashtershëm dhe me dashuri të vërtetë. Predikimi i tij ishte gjithmonë i përqendruar në dashurinë dhe respektin për çdo qenie njerëzore. Ai përhapi brenda Kishës frymë pajtimi dhe faljeje. Ne që kemi qenë pranë tij gjatë këtyre viteve, dëshmojmë: Ai nuk bëri dallim midis njerëzve; ai i trajtoi të gjithë me të njëjtën ngrohtësi – si një fshatar të thjeshtë e thjeshtë, po ashtu edhe udhëheqës të njohur ndërkombëtar. Ai besonte në Ngjalljen – jo si dogmë abstrakte, por si përvojë që transformon jetën.
III
“Fjalët e tij të çmuara”
Kryepiskopi i lumur na la mësime dhe fjalë që vazhdojnë të ndriçojnë jetën tonë. Më lejoni të përmend disa nga këto mësime të çmuara:
Liturgjia pas Liturgjisë – sepse adhurimi nuk përfundon në ndërtesën e kishës, por vazhdon si shërbim në botë.
Dashuria nuk njeh kufij – Kisha nuk mbyllet në vetvete dhe nuk ekziston vetëm për veten, por për të gjithë njerëzit, kushdo qofshin ata, sepse të gjitha qeniet njerëzore janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë.
Gjithmonë në një udhëtim – besimi nuk është zotërim statik, por pelegrinazh dinamik drejt Perëndisë.
Këto nuk ishin thjesht slogane, ishin jeta e tij. Ai predikonte atë që jetonte, dhe jetonte atë që predikonte. Në një botë plot me fjalë, por e zbrazur nga veprat, jeta e tij ishte dëshmia më e fuqishme se fjalët dhe veprat duhet të jenë të pandashme – sepse besimi pa vepra është i vdekur, siç na mëson Apostull Jakovi (Jak. 2:26). Thoshte shpesh: “Ngjallja nuk është thjesht dogmë, është përvojë që transformon jetën”. Këtë dëshmuam në Shqipëri. Një Kishë që dukej e vdekur, erdhi në jetë – jo nga fuqitë njerëzore, por nga Hiri i Perëndisë që vepronte nëpërmjet njerëzve plot besim, të cilët e donin Perëndinë dhe i shërbenin Atij. Një nga frazat që Kryepiskopi i lumur përsëriste vazhdimisht, si lutje dhe si bindje, ishte: “Perëndia nuk do të na braktisë”. Në momentet më të vështira – kur Shqipëria u shkatërrua nga kriza e vitit 1997, kur vështirësitë dukeshin të pakapërcyeshme – ai i përsëriste këto fjalë me besim të palëkundur. Ky besim nuk ishte naivitet. Ishte bindja e thellë e një njeriu që e kishte përjetuar Perëndinë në çdo moment të jetës së tij.
Me anë të shembullit të tij, ai forcoi tek të gjithë ne një besim të palëkundur te Perëndia. Sa herë që përballej me vështirësi dhe sfida të ndryshme, ai nuk tërhiqej, por, me besim të madh te Perëndia, i bindur që po bënte punën e Tij, qëndronte i fortë si shkëmb, por me dashuri dhe dhembshuri, për të mbrojtur Kishën dhe misionin e saj, duke përhapur kështu besim dhe shpresë tek të gjithë besimtarët. Ky besim e bëri të palëkundur. Ai shkoi atje ku të tjerët kishin frikë të shkonin. Ai vizitoi fshatrat më të largëta dhe hapi kisha në vendet ku askush nuk besonte se diçka mund të ndërtohej ndonjëherë. Dhe, mrekullisht, ato u ndërtuan. Urtësia, dashuria dhe besimi i tij – ishin aq të fuqishme saqë njerëzit jo vetëm që thjesht e pasuan, por i besuan dhe e deshën atë. Sepse ai i donte vërtet ata, ashtu si një atë do bijtë e tij.
Edhe roli i tij i jashtëzakonshëm në dialogun ndërfetar është i njohur, veçanërisht me Islamin, me të cilin kemi jetuar dhe bashkëjetuar në Shqipëri për shekuj me rradhë. Formula e tij e famshme – “Vaji i besimit nuk duhet të përdoret nga asnjëra palë për të ndezur konflikte, por për të shëruar plagët dhe për të qetësuar zemrat” – u bë pjesë e Enciklikës Sinodale të Sinodit të Shenjtë dhe të Madh në Kretë. Si një nga Presidentët e Këshillit Botëror të Kishave, ai ishte protagonist në shumë marrëveshje të mëdha. Shqipëria sot konsiderohet një model i dialogut ndërfetar në Evropë.
Vizioni i tij për Orthodhoksinë ishte global. Sikundër shkroi: “Kur mendoj për Orthodhoksinë në shekujt që do të vijnë, e ëndërroj atë të hapur ndaj zhvillimit, ndaj kushteve të reja të krijuara nga shkenca, arti dhe teknologjia. Vendi i Orthodhoksisë nuk është në një hapësirë jashtë historisë, por në qendër të proceseve shoqërore, në avangardë të progresit…”
IV
Dashuria për Perëndinë dhe Shërbesa ndaj grigjës
Kryepiskopi Anastas erdhi në Shqipëri në kohë të vështirë. Ai hasi shumë kryqe gjatë gjithë shërbesës së tij. Shumë njerëz nuk do të kishin duruar. Shpesh kam ngritur pyetjen: Si arriti t’i rezistonte çdo vështirësie? Përgjigja gjendet në një episod nga Ungjilli. Pas Ngjalljes së Tij, Zoti ynë Jisu Krisht iu drejtua Apostullit Pjetër me pyetjen: “Simon, bir i Jonait, a më do ti mua më shumë se këta?” Dhe kur Pjetri iu përgjigj: “Po, Zot, ti e di se unë të dua”, Krishti i tha: “Kulloti delet e Mia” (Jn. 21:16-17). Në këtë dialog të shenjtë qëndron thellësia e çdo shërbese kishtare. Dashuria për Perëndinë nuk mbetet abstrakte dhe e brendshme, ajo shprehet, manifestohet, bëhet e dukshme nëpërmjet shërbesës ndaj grigjës dhe nëpërmjet dashurisë për të gjithë dhe për gjithçka. Sa më shumë e duam Perëndinë, aq më me zell dhe fuqi i shërbejmë popullit të Tij. Dashuria për Perëndinë dhe shërbesa ndaj grigjës janë të pandashme – nuk ekzistojnë dot pa njëra – tjetrën.
Sepse vetëm njerëzit që e duan Perëndinë, mund të duan vërtet edhe njerëzit e tjerë dhe mund të kryejnë me përkushtim shërbesën e udhëheqjes dhe baritimit të grigjës të cilën ua ka besuar Perëndia. Po kështu, njerëzit që e kanë frikë Perëndinë, nuk kanë frikë nga njerëzit apo nga ndonjë vështirësi që mund të hasin. Frikë nuk ka në dashuri, por dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën – shkruan Shën Joani (1 Jn. 4:18). Kryepiskopi i lumur Anastas e jetoi këtë të vërtetë me të gjithë qenien e tij. Që nga hirotonisja e tij në dhjakon më 7 gusht 1960, e gjithë jeta e tij ishte një dhjakoni – një shërbim i pandërprerë ndaj Krishtit dhe çdo personi që takonte. Dashuria e tij e zjarrtë për Perëndinë e nxiti atë t’i shërbente grigjës me entuziazëm, energji dhe me vetëmohim që nuk mund të shpjegohet në terma njerëzorë – mund të shpjegohet vetëm nëpërmjet Hirit të Perëndisë. “Edhe e dimë se të gjitha u ndihmojnë për mirë atyre që e duan Perëndinë, atyre që janë thirrur sipas vullnetit të tij” (Rom.8:28).
Epilog
Sa më shumë që kalon koha, aq më e qartë bëhet madhështia e veprës së tij. Habitem shpesh – dhe jo vetëm unë, por edhe shumë të tjerë – se si ai arriti ta realizonte një vepër kaq monumentale! Si përgjigje mund të ofrojmë vetëm këtë: besim i madh, dashuri e madhe, Hir i madh nga Perëndia. Ai i dhuroi Kishës sonë gjithçka që kishte: të gjithë pasurinë e tij shpirtërore dhe intelektuale, njohurinë dhe urtësinë e tij, mendjen e tij të matur dhe të kthjellët. Me bindje të plotë ju them se nuk njoh asnjë person tjetër që i ka dhënë më shumë kësaj toke, pa kërkuar asgjë dhe pa marrë asgjë në këmbim. Shembulli i tij dëshmon se mësimi i Zotit tonë Jisu Krisht – “duajini armiqtë tuaj, bekojini ata që ju mallkojnë, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë” – është i mundur të vihet në praktikë dhe se falja e dashuria duhet të triumfojnë mbi urrejtjen.
Në funeralin e Kryepiskopit të lumur, kishim vendosur një libër ngushëllimi. Në të lexova që dikush, në mënyrë lakonike, kishte shkruar vetëm një fjalë: Fitove. Kjo fjalë përmbledh të gjithë jetën e tij. Ai u sulmua padrejtësisht, u paragjykua, u shpif dhe u pengua, por në fund fitoi. Atij i përshtaten fjalët e Shën Pavlit në Letrën e tij të dytë drejtuar Timoteut: “Luftën e mirë e luftova, udhën e mbarova, besimin e ruajta. Pastaj më mbetet kurora e drejtësisë, të cilën do të ma japë atë ditë Zoti, gjykatësi i drejtë, dhe jo vetëm mua, por dhe gjithë atyre që duan dukjen e tij” (2 Tim. 4:7-8).
Jeta dhe vepra e tij do të jenë përgjithmonë shembull i gjallë dhe frymëzim i qëndrueshëm, jo vetëm për ne sot, por edhe për brezat që do të vijnë. Nuk mund të gjeja fjalë më të përshtatshme për të përshkruar udhëtimin e tij në këtë jetë sesa vetë fjalët e tij: “Përvojë dashurie nëpër udhë të vështira – Pëshpëritje mirënjohjeje dhe dashurie në përjetësi; për të Përjetshmin”.
Lutemi që Perëndia të na japë forcë dhe urtësi për të vazhduar rrugën e ndritshme të Kryepiskopit të lumur Anastas, sepse nderimi më i madh që mund t’i japim atij është të ecim të bashkuar dhe me të njëjtën frymë në atë rrugë. Lavdi Perëndia për gjithçka. Amin.

 

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων