27/09/2020 27/09/2020 Zakonisht kur kthehemi në shtëpi Ditën e Diel, thjesht të kujtojmë disa pika që spikatëm në Liturgjinë Hyjnore. Sot do të doja që në një orë të ditës kur të jeni të qetë, të lexoni me shumë kujdes leximin e Apostullit të sotëm – Letra e e Apostull Pavlit 2 Korinthianëve 6:1-10. E gjeni në...
27 Σεπτεμβρίου, 2020 - 19:06
Τελευταία ενημέρωση: 27/09/2020 - 19:09

Fjala e Kryepiskopit Anastas në fund të Liturgjisë Hyjnore 27 Shtator 2020

Διαδώστε:
Fjala e Kryepiskopit Anastas në fund të Liturgjisë Hyjnore 27 Shtator 2020

Zakonisht kur kthehemi në shtëpi Ditën e Diel, thjesht të kujtojmë disa pika që spikatëm në Liturgjinë Hyjnore.

Sot do të doja që në një orë të ditës kur të jeni të qetë, të lexoni me shumë kujdes leximin e Apostullit të sotëm – Letra e e Apostull Pavlit 2 Korinthianëve 6:1-10. E gjeni në kalendarin e vogël të Kishës.

Edhe si bashkëpunëtorë me të, ju lutemi juve të mos e pranoni më kot hirin e Perëndisë. Sepse thotë: “Në kohë të pëlqyer të dëgjova ty, edhe në ditë shpëtimi të ndihmova ty”; ja tani tek është kohë e pëlqyeshme; ja tani tek është ditë shpëtimi.

Në asgjë nuk japim asnjë pengesë, që të mos qortohet shërbesa jonë.

Por në çdo gjë e rekomandojmë veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë, me shumë durim, në shtrëngime, në nevoja, në pikëllime, në rrahje, në burgje, në turbullira, në mundime, në pagjumësi, në agjërime; në pastërti, në urtësi, në zemërgjerësi, në mirësi, në Frymë të Shenjtë, në dashuri pa shtirje; në fjalë të së vërtetës, në fuqi të Perëndisë; me armët e drejtësisë në dorën e djathtë e në të majtën; në lavdi e në çnderim, në emër të mirë e në emër të keq; porsi mashtrues, po të vërtetë; porsi të panjohur, po të njohur mirë; porsi duke vdekur, po ja tek rrojmë; porsi të munduar, po jo të vrarë; porsi të hidhëruar, po gjithnjë të gëzuar; porsi të vobektë, po shumë veta pasurojmë; porsi skamës, po të gjitha i zotërojmë.

Edhe këtu përshkruhet identiteti që ka çdo njeri që beson dhe është i krishterë. Apostulli na thotë dhe lutet – ju lutemi juve të mos e pranoni më kot hirin e Perëndisë – pra mos e pranoni më kot këtë hir të Perëndisë. Dhe na thotë që ta bëjmë këtë duke paraqitur veten tonë në çdo gjë si shërbëtorë të Perëndisë. Kjo nuk u drejtohet vetëm klerikëve por për çdo besimtar Orthodhoks i cili vjen në Kishë, që ta paraqesë veten e tij si shërbëtorë të Perëndisë, jo vetëm në disa çaste zyrtare por në çdo gjë e në çdo kohë.

Edhe Apostulli e përshkruan në mënyrë shumë të gjallë se si është ky shërbëtor i Perëndisë, si duhet të jetë ai.

Së pari, Apostulli thotë se ai duhet të ketë ‘shumë durim’ – durim të madh në shtrëngime, në nevoja, në pikëllime, në rrahje, në burgje, në turbullira, në mundime, në pagjumësi, në agjërime – për shembull, kufizimet që kemi tani për shkak të Covid -19 .

Së dyti,  duhet të ketë  ‘dashuri pa shtirje’, jo thjesht dashuri e cila do që të duket (mburret) para të tjerëve. Dhe në vazhdim thotë duhet të ketë ‘Frymën e Shenjtë’, jo që të mbështetet mbi fuqitë e tij por këtë ta bëjë me anë të hirit të fuqisë së Perëndisë – edhe kjo u jepet njerëzve të përulur, njerëzve që kanë besë.

Le të shikojmë jetën tone çdo dite që të ruajmë këto tre gjëra: 1. Me shumë durim, 2. me dashuri pa shtirje dhe 3. me Frymë të Shenjtë. Le të mos shqetësohemi me vështirësitë që po kalojmë. Nuk janë dhënë që këto vështirës të na rrëzojnë. Me forcë dhe shpresë le të vazhdojmë më tej përpjekjet tona shpirtërore. Edhe meqë kemi një rritje të numrave të pandemisë, të shtimit të rasteve:

 “Le të ruajmë distancat midis nesh por le të kultivojmë mardhëniet tona shpirtërore  dhe le të jetë secili prej nesh pranë tjetrit në zemrën e tij dhe në lutjen që ai bën për të tjerët”.  

Kryepiskopi Anastas

27 Shtator 2020

Radio Ngjallja

 

 


H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων