11/11/2020 11/11/2020 Maestro Milto Vako vinte nga një familje me tradita të thella orthodhokse, të cilat u përpoq t’i ruante edhe gjatë periudhës së ateizmit shtetëror. Një nga arsyet për të cilat u dënua nga regjimi pas Pleniumit të 4-t famëkeq, ishte edhe mësimi i muzikës korale kishtare tek brezi i ri. Në vitin 1992 e pranoi...
11 Νοεμβρίου, 2020 - 13:15

Fjeti në Zotin Profesor Milto Vako, Artist i Merituar

Διαδώστε:
Fjeti në Zotin Profesor Milto Vako, Artist i Merituar

Maestro Milto Vako vinte nga një familje me tradita të thella orthodhokse, të cilat u përpoq t’i ruante edhe gjatë periudhës së ateizmit shtetëror. Një nga arsyet për të cilat u dënua nga regjimi pas Pleniumit të 4-t famëkeq, ishte edhe mësimi i muzikës korale kishtare tek brezi i ri. Në vitin 1992 e pranoi me gëzim ftesën e Kryepiskopit Anastas, për të drejtuar korin e Kishës. Nisi kështu një kontribut për më shumë se dy dekada, ku ai drejtoi korin çdo të diel dhe të kremte të madhe, por mori pjesë me të dhe në koncerte të ndryshme, gjithmonë i vlerësuar për nivelin e lartë shpirtëror dhe artistik. I veçantë dhe shumë i afërt ishte gjithmonë bashkëpunimi dhe marrëdhënia e ngrohtë me Kryepiskopin Anastas, i cili e ka vlerësuar gjithmonë lart kontributin e Maestro Milto Vakos.
Kisha jonë dhe besimtarët orthodhoksë do ta kujtonë gjithmonë me respekt figurën dhe veprën e tij. Perëndia ta prehë në paqen e Tij të përjetshme!
***
Maestro Milto Vako, Artist i Merituar, lindi në Pogradec në 30 mars 1930. Kreu shkollën e mesme artistike “Jordan Misja” në vitin 1952. Në vitet 1953–1959 vijoi studimet e larta në Konservatorin “Çajkovski” në Moskë, ku u diplomua si dirigjent kori, me profesorin e famshëm Sokolov. Pas studimeve u emërua dirigjent në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, njëkohësisht pedagog në Institutin e Lartë të Arteve dhe në Liceun Artistik. Në 1964-1968 punoi si dirigjent në Teatrin e Operas dhe Baletit. Në 1968-1973 ishte udhëheqës artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në 1973 dënohet, largohet nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore dhe internohet në Tepelenë, ku punoi për dy vjet rresht në kushte të vështira. Në 1975 arrestohet nga regjimi komunist dhe dënohet për agjitacion e propagandë. Vuan dënimin në burgun e Tepelenës e në Ballsh deri në vitin 1982. Pas burgut, deri në vitin 1991 punon si punëtor në ndërmarrjen e Mirëmbajtjes së Shkollave të Tiranës. Në vitet 1991–1993 kthehet pedagog në Akademinë e Arteve. Ndërsa në vitet 1993-2001 ishte shef i katedrës së kantos e dirigjimit dhe më pas pedagog. Ka themeluar dhe drejtuar koret e vajzave në Akademinë e Arteve. Nga viti 1992 ka qenë dirigjenti i korit të Kishës të Ungjillëzimit dhe, më pas, i Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë . Ka dhënë me dhjetëra koncerte si brenda e jashtë vendit, ku është nderuar me çmime të ndryshme. Është autor i shumë teksteve dhe mbante titujt profesor dhe “Artist i merituar”.

 


Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων