06/07/2020 06/07/2020 SHENJTORI I DITES. E hënë, 6 korrik 2020 Hierodëshmor Asti i Durrësit. Oshënar Sisoi. Dëshmorët Luçia, Riksi, Oroni. – Hierodëshmor Asti i Durrësit – Asti ishte Episkop i Durrësit në vitin 98 pas Krishtit (emri tij do të thotë: “qytetar” ose “i qytetit”). Ai ishte një Bari i vërtetë, shembull i gjallë i një jete...
06 Ιουλίου, 2020 - 11:48

Hierodëshmor Asti i Durrësit

Διαδώστε:
Hierodëshmor Asti i Durrësit

SHENJTORI I DITES.
E hënë, 6 korrik 2020

Hierodëshmor Asti i Durrësit. Oshënar Sisoi. Dëshmorët Luçia, Riksi, Oroni.

– Hierodëshmor Asti i Durrësit –

Asti ishte Episkop i Durrësit në vitin 98 pas Krishtit (emri tij do të thotë: “qytetar” ose “i qytetit”). Ai ishte një Bari i vërtetë, shembull i gjallë i një jete të krishterë aktive për besimtarët e tij, një veprimtar i zellshëm për përhapjen e Ungjillit. Trajani, me hipjen në fron si Perandor i Romës (98-117), përtëriti dekretin e persekutimit të krishterëve në të gjithë Perandorinë Romake.

Kështu Asti arrestohet nga paria e qytetit Numeriu, Nearku, Aglaidhi dhe Ariani dhe, pasi nuk pranoi t’i bëjë therore idhujve, e dorëzojnë te qeveritar Agrikola. Ky u përpoq që në fillim t’i ndryshonte mendjen dhe të mohonte Krishtin e më pas me kërcënime, por pa rezultat. Si një kryefetar i denjë i foli Agrikolës se nuk vlente ai pushtet që përdor forcën e tij për të bërë keq.

Qeveritari, i tërbuar nga qëndrimi i Astit, mendoi të hakmerrej djallëzisht. E torturuan, duke e rrahur me kamxhikë prej lëkure kau të pajisur me sfera plumbi, por ai përsëri ngulmoi në besimin e tij te Krishti, duke mos e mohuar Atë. E më pas, e lyen me mjaltë dhe e kryqëzuan mbi dru, pranë mureve të qytetit, ku, i pickuar nga grerëzat dhe insektet e tjera, dha shpirtin e tij në duart e Perëndisë dhe i lumur mori kurorën e martirizimit. Ishte kohë vere dhe dielli përvëlonte. Lipsanin e shën Astit e morën të krishterët dhe e varrosën duke ngritur edhe një kishë mbi të.

Po atë ditë me shën Astin dhanë jetën e tyre si dëshmorë të Krishtit dhe 7 besimtarë të tjerë që quheshin: Peregrini, Lukiani (Luçiani), Pompeu, Hisiki, Papia, Saturnini, Gjermani, të gjithë nga Italia. Meqenëse atje ata përndiqeshin, erdhën me një anije në Durrës, për të shpëtuar.

Këtu, duke parë shën Astin, episkopin e Durrësit, të varur në kryq, të lyer me mjaltë dhe të pickuar nga grerëzat dhe insektet, për besimin e Krishtit, filluan ta lumëronin atë dhe t’i thurnin lavde e për këtë ata u arrestuan. Këta deklaruan se ishin të krishterë. Qeveritari, i tërbuar nga vendosmëria e Astit dhe i befasuar nga vendosmëria që të 7 këta pohuan se ishin të krishterë, urdhëroi dhe i mbytën në detin Adriatik, kështu të lumurit morën kurorën e pavyshkur të martirizimit (Këta festohen nga Kisha të nesërmen, dt. 7 korrik).
Mbas 70 vjetësh dëshmorët iu shfaqën Kryepiskopit të Aleksandrisë. Ky i gjeti lipsanet e çmuara të tyre të futura në rërë, i mori e i varrosi me nderim dhe ndërtoi një kishë të vogël për nder të tyre.

Për hierodëshmor Astin janë hartuar dy shërbesa kishtare me himne, të cilat psaleshin ditën kur populli e kremtonte bashkëqytetarin e tyre. Shërbesa e parë ka qenë hartuar nga Josif Himnografi i shekullit të 9-të, ku një kopje e saj ruhet në një dorëshkrim, në Bibliotekën e Parisit në kodikun greqisht 13, f.330a dhe 1575, f.145b. Shërbesa e dytë është hartuar në vitin 1918 me titull “Shërbesë e kënduar e Shenjtit, hierodëshmor të lavdëruar Astit, Episkop i Durrësit, hartuar nga Mitropoliti i Durrësit, Gorëmokrës dhe Shpatit, Jakovi, dhe e miratuar nga Kisha e Madhe e Krishtit shtypur me shpenzimet e të nderuarit Mihail Thoma Truja nga paria e Durrësit. Në Konstandinopojë, 1918”.

Kjo shërbesë u miratua nga Sinodi i Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopojës, më 30 korrik 1918 dhe mban nënshkrimin e Patriark Gjermanit.

Shën Asti ka qenë dhe vazhdon të jetë një shenjtor tepër popullor ndër besimtarët e krishterë orthodhoksë të Durrësit, aq sa edhe mjaft qytetarë të tij mbanin dhe mbajnë emrin e tij, si dhe ndërtonin edhe kisha për nder të tij (historianë, kronistë dhe arkeologë dëshmojnë mjaft për të, ku ndër të tjera përmendim katedralen e madhe për nder të shën Astit dhe Isavrit në shek. XIII-XIV, në Spitallë në vitin 1917, në varrezat e qytetit rreth vitit 1957, së fundi në 2002 ndërtuar nga Kryepiskopi Anastas, pranë portit).

Gjithashtu Mitropolit Jakovi shkruan ndër të tjera në parathënien e Shërbesës së tij, hartuar në Durrës në Mitropolinë e Hirshme më 26 korrik 1917, se: “priftërinjtë e qytetit u porositën për muaj të tërë t’i japin djemve të sapopagëzuar emrin e shenjtit. Filluam të ndërtojmë një kishë në zonën e Spitallës, që ndodhet gjysmë ore larg Durrësit, bëmë ikonën e Shën Astit dhe Episkopit të parë të Durrësit, sipas traditës, Apostull Qesarit në kishën e shenjtë të Shën Gjergjit.

Por përveç këtyre të gjithave përkujdesjeve dhe formimit të Shërbesës me këngë për të kremten në fjalë, përkushtuar tërësisë shpresëtare të Dioqezës sonë të Hirshme dhe veçanërisht të krishterëve kremtëdashës të Durrësit, dhe duke i këshilluar në mënyrë atërore si kujtues të vdekjes në kryq të Episkopit plak dhe hierodëshmorit Asti dhe të nderit të lartë, ku edhe nderohet qyteti dhe me anë të tij e gjithë Dioqeza e Durrësit, duke kryer çdo vit kujtimin e tij të përvitshëm me urtësi, shpresëtari dhe panagjirikisht, që nga viti im i parë në fronin hieratik në vitin 1911, duke lavdëruar dhe madhëruar atë ndër shenjtorët e Zotit dhe Perëndisë tonë të madh e të lavdëruar, Jisu Krishtit. E Atij qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amin.”

Fama e shën Astit kalon kufijtë e qytetit dhe të vendit tonë, duke u përmendur dhe pikturuar në afreske edhe në kisha të tjera lokale si ato të Ohrit, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Italisë.

* * * *

– Dëshmorët Luçia, Riksi, dhe 24 martirët e Kampanisë –

Kjo martire e shenjtë u arrestua nga vikari Riksos, i cili e detyroi t’u sakrifikonte idhujve. E kundërshtoi me trimëri dhe arrit që ta kthente persekutuesin në besim. Riksosi tregoi respekt të madh për të dhe e la në një shtëpi të qetë, ku shenjtorja të kreshmonte e të lutej.

Me porosi të shën Lukias, Rikso la gruan dhe fëmijët, pasuritë dhe lavditë e botës që të shpallte besimin në Kampani. Atje u arrestuan dhe u nxorën para qeveritarit ku rrëfyen Krishtin Perëndinë e vërtetë. I dënuan me prerje koke bashkë me njëzet e katër të krishterë të tjerë: Anatoli, Antonini, Luçia, Neasi, Serini, Diodori, Dioni, Apoloni, Apami, Papieni, Koteus, Orioni, Papikus, Satiri, Viktori, Irineu, Theodhori, Dionisi, Proniku dhe pesë martirë të tjerë të vyer.

Mitropolia e Shenjtë Korçë/facebook

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων