24/11/2020 24/11/2020 PATRIARCH OF ALEXANDRIA CALLS ON KENYAN CLERGY TO REMAIN LOYAL TO PATRIARCHATE E martë, 24 nëntor 2020 – Shenjtori i ditës. JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES (15 NËNTOR – 25 DHJETOR) Hierodëshmor Klementi i Romës. Hierodëshmor Petro i Aleksandrisë. Oshënar Malku. – Hierodëshmor Klementi i Romës – I lumuri Klement jetoi në Romë në kohën...
24 Νοεμβρίου, 2020 - 17:03

Hierodëshmor Klementi i Romës. Hierodëshmor Petro i Aleksandrisë. Oshënar Malku

Διαδώστε:
Hierodëshmor Klementi i Romës. Hierodëshmor Petro i Aleksandrisë. Oshënar Malku

PATRIARCH OF ALEXANDRIA CALLS ON KENYAN CLERGY TO REMAIN LOYAL TO PATRIARCHATE
E martë, 24 nëntor 2020 – Shenjtori i ditës.
JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES
(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)
Hierodëshmor Klementi i Romës. Hierodëshmor Petro i Aleksandrisë. Oshënar Malku.
– Hierodëshmor Klementi i Romës –
I lumuri Klement jetoi në Romë në kohën e sundimeve të njëpasnjëshme të Dometianit (81), Nervës (98) dhe Trajanit (117). Sipas disave, vinte nga një familje princash dhe u bë dishepull i apostujve dhe i vetë shën Petros: “Predikimi i tyre jehonte në veshët e tij, tradita e tyre ishte ende para syve të tij”, shkroi për të shën Irineu. Kishte zell apostolik dhe e hirotonisën episkop të Romës (rreth 91), pas shën Linit dhe shën Anaklitit. Disa thonë se ai ishte episkopi i parë i Romës. Megjithatë, për këtë nuk ka ndonjë kundërshtim, sepse në këtë periudhë dinjiteti i episkopit nuk dallohej qartë nga ai i Plakut (presviterit) dhe Lini, Anakliti dhe Klementi, tre nxënësit e apostujve, më të rëndësishmit atëherë për Kishën e Romës, e kanë kryer vazhdimisht dhe periodikisht këtë detyrë.
Shën Klementi në predikimin e tij ndiqte shembullin e apostull Petros. I përulur dhe i butë, i zhytur në njohjen e Shkrimeve të Shenjta, por dhe në dijet helene, dinte të bindte judenjtë dhe paganët duke iu folur për mëshirën e pafundme dhe për Mbretërinë e përjetshme, premtuar atyre që përqafojnë me besim rrugën e pendimit. Është autori i një letre të shquar drejtuar Korintasve, që dikur ishte renditur në Kanonin e Shkrimeve të Shenjta, ku i nxit anëtarët e rinj të komunitetit të atjeshëm, të cilët kishin bërë kryengritje kundër pleqve, të ruanin unitetin e Kishës, duke respektuar hierarkinë që u caktua nga apostujt. I atribuojnë edhe shkrime të tjera: Kanonet e Apostujve të Shenjtë, Kushtetutat Apostolike dhe një letër të dytë Letër drejtuar Korintasve; por vërtetësia e tyre është e dyshimtë.
Gjatë predikimeve të tij, shën Klementi arriti të kthente Theodhorën, gruan e prefektit Sisinius, mik i ngushtë i perandorit Nerva dhe e drejtoi Sisiniusin në Pagëzimin e Shenjtë, pasi më përpara e kishte shëruar nga verbëria. Kur konti Puplius e pa këtë, si dhe përhapjen e Krishterimit në rrethe paganësh, e dëboi me urdhër të perandorit Trajan në Kersonin Tavrik (gadishullin Tavrik (Krime)), krahinë e egër që ndodhej në skajet e largëta lindore të perandorisë. Episkopi i shenjtë u gjet mes 2 000 të krishterësh të dënuar në punë të rënda në nxjerrjen e mermerit. I ngushëlloi dhe bëri që të buronte ujë nga shkretëtira. Edhe atje fjala e tij ktheu paganë dhe tregohet se për një vit ndërtoi 75 kisha. Por perandori dërgoi një guvernator mizor, që t’i pengonte kthimet e shumta. Ai e nisi duke goditur së pari shën Klementin. Pasi e torturuan urdhëroi që t’i varnin një spirancë në qafë dhe ta hidhnin në Detin e Zi, në mënyrë që besimtarët të mos ia gjenin trupin (rreth vitit 97).
Megjithatë, Perëndia nuk e la grigjën e tij krejt vetëm. I dëgjoi përgjërimet e saj dhe në mënyrë të çuditshme bëri që të tërhiqeshin ujërat dhe të krishterët të mund të gjenin trupin në fund të detit, më shumë se 300 metra nga bregu. Që atë ditë, çdo vit, ditën e festës së tij, deti tërhiqej, që besimtarët të shkonin e të nderonin lipsanin e shenjtë.
Shumë vite më vonë, më 860, apostulli i sllavëve, shën Kirili (11 maj), u dërgua nga patriarku i Konstandinopojës, shën Foti, në Kerson që të pagëzonte atje popullsinë sllave. Ai gjeti edhe lipsanin e shën Klementit dhe një pjesë të tij e transferoi në Bizant. Më pas, ai çoi lipsanin e shenjtorit në Romë, te papa Adriani II. Kjo lidhje e krijuar me një nga episkopët e parë të Romës do të ishte e një rëndësie të madhe për devotshmërinë ruse dhe do të lejonte të rrënjosej edhe më shumë në traditën apostolike.
* * * * *
– Hierodëshmor Petro i Aleksandrisë –
I stolisur me dije dhe urtësi, shën Petroja drejtoi Shkollën Katekiste të Aleksandrisë, para se të bëhej episkop i mitropolisë së Egjiptit, në vitin 300, pas shën Theonait. Tre vjet me vonë, ediktet që urdhëronin persekutimin dhe përndjekjen e të gjithë të krishterëve e detyruan të largohej, për të vazhduar, në fshehtësi, të inkurajonte besimtarët që të ruanin besimin. Duke përfituar nga mungesa e tij, Militi (ose Meleti), episkopi i Likopolit, pushtoi fronin e Aleksandrisë, me pretekstin se Petroja e kishte braktisur nga frika e përndjekjes. Militi mori pushtetet juridike kishtare dhe dorëzoi priftërinj ndjekësit e tij në krahina të ndryshme të Egjiptit, duke krijuar kështu një kishë skizmatike, që do bëhej shkaku i përçarjeve të dhimbshme për më shumë se një shekull. Uzurpatori, me shpirt fanatik, e kritikoi shën Petron për qëndrimin e tij tolerant ndaj atyre që ishin dorëzuar gjatë persekutimit, por që, duke u penduar, donin të riktheheshin në kungimin e Kishës.
Disa vite më vonë, i erdhi radha Militit ta nxirrnin përpara sprovës së besimit, por ai u tërhoq para kërcënimit dhe vuajtjeve dhe u sakrifikoi idhujve. Që me formimin e kësaj kishe skizmatike të Militit, lindi herezia e frikshme e Ariosit. Thuhet se shën Petroja, pasi e kapën dhe e nxorën për ta gjykuar, refuzoi ta pranonte Ariosin heretik në kungim. Kur e pyetën për arsyen, ai tha se natën e mëparshme kishte parë Krishtin t’i shfaqej me pamjen e një fëmije 12-vjeçar me bukuri ndriçuese, që mbante një tunikë liri të grisur nga lart deri poshtë. Fëmija i varfër mbante dy copat, duke u përpjekur të fshihte me lot lakuriqësinë e tij. Petroja e pyeti: “O Zot, kush e grisi tunikën tënde?” Ai iu përgjigj: “Ariosi më zhveshi, prandaj kujdes se mos e pranon në kungatë dhe këshillo priftërinjtë, Akilin dhe Aleksandrin, të cilët do të pasojnë fronin e Aleksandrisë, të ruajnë besimin e shenjtë orthodhoks kundër sulmeve”.
Duke forcuar, pra, besën orthodhokse dhe duke inkurajuar ata që ishin në pranga që të këmbëngulnin në besimin te Krishti deri në vdekje, shën Petroja u kap nga vala e fundit e persekutimit, në kohën e Maksimianit (311). I dënuar me prerje koke, madje pa e gjykuar fare, ai pa të vinte çasti të bashkohej me Zotin, duke marrë pjesë në pësimin e tij. Duke pasur frikë se mos banorët e Aleksandrisë ngrinin krye dhe, që të mos bëhej shkaku i trazirave dhe i masakrave, u arratis nga burgu dhe shkoi vetë në vendin e ekzekutimit, ku u dha te xhelatët, duke imituar Mësuesin hyjnor, që u dorëzua pa kundërshtuar tek ata që erdhën për ta arrestuar. Po në atë vend ishte ekzekutuar edhe Apostull Marku, themeluesi i Kishës së Aleksandrisë (25 prill).
Shën Petroja u kërkoi xhelatëve disa momente që të lutej mbi varrin e tij. Me lot, ai iu lut plot zjarr ungjillorit të shenjtë, që t’i jepte kurajë për këtë sprovë të fundit dhe që të ruante Kishën e Aleksandrisë nën mbrojtjen e tij. Kur u ngrit, iu lut edhe Zotit Jisu Krisht dhe i kërkoi që gjaku i tij, që do të derdhej së shpejti, të ishte vula dhe shenja e fundit e persekutimit. U dëgjua atëherë një zë që vinte nga lart: “Petroja ishte i pari i apostujve dhe Petroja është i fundit i martirëve”. Me të vërtetë, vdekja e shën Petros shënoi fundin e persekutimit (24/25 nëntor 311) dhe konsiderohet si i fundit i martirëve të periudhës që parapriu paqen e shën Konstandinit të Madh.
Disa kohë pas martirizimit të shenjtit, besimtarët zbuluan me emocion lipsanin e tij të shenjtë dhe e çuan në katedrale, ku e ulën për herë të parë në fronin episkopal. Sepse, nga përulësia, Petroja kishte refuzuar gjithmonë të ulej. Ai qëndronte në shkallëzën e tij dhe thoshte: “Mos më detyroni të ulem mbi këtë fron episkopal, pasi frika dhe dridhja më kapin kur afrohem dhe kur shikoj fuqinë hyjnore dhe të shndritshme që prehet: pra, atë të Krishtit, Kryepriftit tonë të vetëm!” Para lipsanit të të fundit të martirëve u hirotonis pasuesi i tij, Akili.

 

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων