15/10/2021 15/10/2021 E premte, 15 tetor 2021 – Shenjtori i ditës. DITË KRESHME Hierodëshmor Lukiani. Omologjet Varsi. Oshënar Savini i Qipros. Oshënar Efthimi i Ri. – Hierodëshmor Lukiani – Në moshën 12-vjeçare humbi prindërit, që ishin zyrtarë. Pas kësaj ai e dha lëmoshë pasurinë e tyre dhe emigroi nga Samosata e Eufratit të veriut, më në jug,...
15 Οκτωβρίου, 2021 - 17:13

Hierodëshmor Lukiani

Διαδώστε:
Hierodëshmor Lukiani

E premte, 15 tetor 2021 – Shenjtori i ditës.
DITË KRESHME
Hierodëshmor Lukiani. Omologjet Varsi. Oshënar Savini i Qipros. Oshënar Efthimi i Ri.
– Hierodëshmor Lukiani –
Në moshën 12-vjeçare humbi prindërit, që ishin zyrtarë. Pas kësaj ai e dha lëmoshë pasurinë e tyre dhe emigroi nga Samosata e Eufratit të veriut, më në jug, në Edesën e Sirisë, ku u arsimua dhe u pagëzua.
U bë murg, pasi që fëmijë ushtrohej me rreptësi dhe lutej me lotë, ishte serioz, gjumëpakë dhe kreshmues deri në tepri. Tashmë hante një herë në javë, si dhe në festat.
Arriti kulmet e theologjisë, ndaj e hirotonisën prift të Antiokisë, ku jepte mësim në shkollën që themeloi. Zotërues i hebraishtes bëri me zell shpjegimin e Dhiatës së Vjetër, duke larguar në mënyrë tepër orthodhokse spekullimet e heretikëve. Në rrugë e shikonin vetëm ata që donte ai.
Maksimiani (286-305) urdhëroi dhe u arrestua sapo një prift heretik i tregoi vendin e tij të fshehtë. Duke e çuar tek mbreti në Nikomedi (në veriperëndim të Azisë së Vogël), rrugës bindi në Kapadhoki mohues të Krishtit që të ndërronin mendje dhe të martirizoheshin.
Për pendimin e “të rënëve” (domethënë e atyre që kishin mohuar Krishtin dhe ishin konvertuar në idhujtarë për shkak të përndjekjeve), punoi gjithë jetën me sukses, duke vepruar me fjalë dhe letra pothuajse 3000. Meqenëse figura dhe gojëtaria e tij të bënin për vete, perandori komunikoi me të nga larg, nëpërmjet një të treti! Pasi i dolën huq premtimet, filluan torturat.
Shenjtorit ia shtrembëruan këmbët në “drurin” e torturës dhe i mbërthyen në shpinë copa tjegullash majëmprehta. Megjithëse qëndroi 14 ditë i pangrënë në burg, nuk shijoi sakrifikimet e idhujve. Kështu, ditën e Theofanisë, ashtu siç e kishin braktisur si gati për të vdekur, meshoi duke përdorur gjoksin e tij si Tryezë të shenjtë! E mbanin nxënësit e tij. Më pas u dukën gardianët.Thirri tri herë “Jam i krishterë” dhe dha shpirt sipas disa të tjerëve merrte ende frymë kur e hodhën në det.
Mbas 14 ditëve u shfaq dhe lajmëroi një bindësin e tij, kështu që ai bashkë me të tjerë nxituan në një vend të bregut të detit, që i kishte treguar.
Atje një delfin shumë i lodhur solli trupin e tij të plotë, që mbante erë miro dhe menjëherë ngordhi. Dora e djathtë u gjend më vonë e zgjidhur nga guri që i kishin lidhur. Në varrin e tij shën Elena (21 maj) ndërtoi një kishë.
E himnizoi bashkëvendasi i tij, Shen Joan Gojarti (Krisostomi) i hyjshëm (13 nëntor). Lukian (greqisht dhe latinisht) do të thotë i ndritshëm.
* * * *
– Oshënar Efthimi i Ri –
Ati ynë hyjmbajtës Efthim u lind në periudhën e perandorit ikonoklast Leon V Armeni (813-820) në një fshat të Galacisë, në rrethinat e Ansirës. Në pagëzimin e shenjtë mori emrin Nikita. Mbeti jetim nga babai kur qe 7 vjeç, por u edukua me frymën e krishterë nga nëna e tij e devotshme. Shërbeu në ushtri dhe me këmbënguljen e së ëmës u martua me një vajzë të pasur dhe besimtare, me të cilën pati një vajzë. Megjithatë, Nikita preferonte që fëmijë të bëhej murg.
Njëherë, kuajt e shtëpisë u larguan, dhe me këtë pretekst Nikita, gjoja për t’i kërkuar, u nis për në shkretëtirë. Nga qyteti në qytet, arriti përfundimisht në Malin Olimp të Bitinisë, i cili zbukurohej nga figurat e shën Joanikut, shën Petros së Atroas, shën Theofan Rrëfyesit etj., dhe ishte një nga qendrat murgërore më të rëndësishme të perandorisë bizantine.
Në manastiret e mëdha që ngriheshin atje, jetonin me mijëra murgj në vetmi të plotë, ose me një jeront, ose në një vëllazëri më të madhe. Mbi të gjitha, Nikita donte të merrte bekimin e shën Joanikut të Madh, çudibërës e rrëfyes i besës orthodhokse dhe, nëse ishte e mundur, të rreshtohej mes nxënësve të tij.
Kur Nikita iu afrua shën Joanikut, i cili kishte zbuluar te ky djalosh i ri dashurinë për virtytin, u tha dishepujve për ta vënë në provë: “Kush është ky i ri kaq guximtar që vjen drejt nesh, ndërkohë që është një kusar dhe kriminel? Kapeni dhe lidheni!”. Nikita uli kokën dhe nuk kërkoi të mbrohej, por kishte gëzim të madh t’i afrohej shenjtorit. Kur Joaniku e drejtësoi, të gjithë admiruan qëndrimin e përulur që mbajti dhe mohimin e vullnetit të tij. Por, për t’iu larguar lavdërimeve, u nis që andej dhe shkoi nën drejtimin e një ati të shenjtë, Joanit, i cili e donte Perëndinë dhe jetonte në vetmi.
Në vitin 842 Jeronti e qethi murg të Skimës së Vogël me emrin Efthim. Pas pak kohësh e dërgoi në një manastir kinoviak atje afër, në Pisadë, për t’u formuar në bindje dhe vetëmohim të përditshëm të vullnetit. U nënshtrua me urtësinë më të madhe në të gjitha punët që i besonin. E konsideronte veten i fundit i të gjithëve dhe të padenjë, madje nuk i bindej vetëm igumenit, por të gjithëve, si të dëgjonte prej tyre fjalën e Perëndisë.
Rreth vitit 858, Efthimit i duhej të braktiste manastirin për shkak të skandaleve dhe trazirave që solli zgjedhja e shën Fotit në fronin patriarkal të Konstandinopojës. I dashuruar me qetësinë dhe vetminë, Efthimi zgjodhi t’i braktiste këto zhurma, dhe bashkë me një nga shokët e tij, Theostiriktin, të niseshin për në Malin Athos, i cili në atë kohë banohej nga eremitë që ushtroheshin me ashpërsi të madhe.
Para se të tërhiqej në shkretëtirat e egra të Athosit, shenjti qëndroi për disa vite pranë një asketi me famë në Olimp, Theodhorit, që të merrte Skimën e Madhe engjëllore.
Pra, pas 15 vjetësh në Olimp, Efthimi shkoi në Athos, nën drejtimin shpirtëror të një armeni me emrin Josif, burrë i virtytshëm, trupi i të cilit pas vdekjes buronte miro. Inkurajonin njëri – tjetrin në betejat për virtytin dhe vendosën të qëndronin në një shpellë për tre vjet pa dalë prej saj, duke u ushqyer me ato që Perëndia u jepte. Fitimtar në këtë sprovë mbinjerëzore, Efthimi u kthye për pak kohë në Malin Olimp për të parë Theodhorin.
Kur i përshkroi jetën engjëllore që bëhej atje, Theodhori i kërkoi ta merrte me vete. Megjithatë, Theodhori nuk mundi të qëndronte në Malin e Shenjtë për shkak të moshës së tij të madhe dhe sëmundjeve të herëpashershme.
Ndaj Efthimi e la në rrethinat e Selanikut, për t’u kthyer sërish në Athos e të shijonte mjaltin e jetës hesikaste. Pak më vonë, mori vesh se Theodhori kishte ndërruar jetë, ndaj u kthye në Selanik, në varrin e tij. Me këtë rast u hirotonis prift me qëllim që asketët e Athosit të kungoheshin më shpesh.
Kur u kthye në Malin e Shenjtë, nuk gjeti më prehjen dhe qetësinë që kërkonte për shkak të vizitorëve të shumtë që e çmonin shenjtërinë e tij ndër anakoretët.
Vendosi të largohej në ishullin e Shën Efstratit bashkë me dy miq të tjerë, Joan Kolovin dhe Simeonin; por gjatë rrugës u kapën robër nga piratët arabë, që kishin pushtuar atëherë Detin Egje. U liruan dhe u kthyen për në Athos, por dyndjet e vazhdueshme të piratëve i detyronin të strehoheshin në vende më të sigurta. Efthimi, Josif Armeni dhe disa nga nxënësit e tyre shkuan në Brasta, fshat në Kalkidhiki (krahinë e Selanikut). Jetuan jetën engjëllore në qeli të ndara. Herë pas here Efthimi tërhiqej në vetminë e Athosit.
Një ditë iu zbulua të restauronte një manastir të braktisur afër Selanikut, në malin Peristera. Qëndroi në këto rrënoja rreth vitit 871 bashkë me dy nga nxënësit e tij, Ignatin dhe Efremin, dhe si çmim të vështirësive të panumërta e dashakeqe të djallit, arritën të ndërtonin manastirin kushtuar Shën Andreas. Shumë nxënës nga Selaniku u mblodhën rreth Efthimit.
Më 888, themeloi diku më larg një manastir femëror, në krye të të cilit caktoi një nga motrat e tij, Efthiminë, e cila gjithashtu ishte bërë murgeshë.
Gjatë kësaj kohë, Efthimi ushtrohej në një shtyllë që kishte zgjedhur si strehë që ditët e para kur erdhi në Selanik. Në vitin 898 kaloi momentet e fundit në vetmi, ndjeu të afrohej dita e largimit nga kjo botë, mbodhi dishepujt në një drekë feste në mensën e manastirit, i këshilloi, i bekoi dhe u largua për në një ishull të shkretë, ku fjeti në paqe në prani të engjëjve dhe shenjtorëve.
* * * *
– Oshënar Savini –
Shkëlqeu nga virtytet dhe për këtë u denjësua të bëhej episkop. Por pas pak kohësh preferoi të largohet nga telashet e botës dhe t’i përkushtohej Perëndisë në vetminë e shkretëtirave.
Luftoi të përparonte në virtyt, dhe Zoti e shpërbleu me karizmën e mrekullibërjeve: shëronte të sëmurët, nxirrte demonë, parashikonte ngjarje që do të ndodhnin. Falë mësimit të tij, frymëzoi shumë shpirtra të braktisnin botën dhe të ndiqnin Krishtin. Fjeti në paqe në një datë që nuk e njohim.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων