01/09/2019 01/09/2019 Rrallë herë, një personalitet njerëzor mblodhi rreth tij kaq shumë dhunti dhe kaq shumë veçori, sa shën Kozmai. Një natyrë njerëzore, e pajisur me bollëk nga providenca hyjnore me zgjuarsi dhe mençuri, ky mësues i popullit, duke shtuar mbi dhuntitë e tija natyrore, dhuntitë e fituara më pas, që arriti t’i përvetësojë me mundim dhe...
01 Σεπτεμβρίου, 2019 - 16:48
Τελευταία ενημέρωση: 01/09/2019 - 16:51

KALLINJ NGA ARA E HIERODËSHMORIT SHËN KOZMA (24 Gusht)

Διαδώστε:
KALLINJ NGA ARA E HIERODËSHMORIT SHËN KOZMA (24 Gusht)

Rrallë herë, një personalitet njerëzor mblodhi rreth tij kaq shumë dhunti dhe kaq shumë veçori, sa shën Kozmai. Një natyrë njerëzore, e pajisur me bollëk nga providenca hyjnore me zgjuarsi dhe mençuri, ky mësues i popullit, duke shtuar mbi dhuntitë e tija natyrore, dhuntitë e fituara më pas, që arriti t’i përvetësojë me mundim dhe me përpjekje, u vendos tërësisht në shërbim të Perëndisë dhe të njeriut.

Nëse do t’i mungonte diçka nga ato që kishte, sigurisht, nuk do të ishte në pozitën të kryejë veprën e madhe, që mori përsipër. Do ta linte në mes dhe do të hiqte dorë nga përpjeka e tij mbinjerëzore. Por ai, i palodhur si pak njerëz, idealist besnik si rrallëkush, i pakësoi në minimum pretendimet e tija për jetën dhe iu përkushtua tërësisht Krishtit dhe njeriut.

Nga mësimdhëniet e tija shfaqet një njohës i thellë i problemeve njerëzore të epokës së tij, psikolog i shkëlqyer dhe drejtues shumë i aftë i shpirtrave. E di se cilëve u drejtohet, prandaj çdo herë predikimi i tij ndryshon. Flet në gjuhën e popullit, që ta kuptojnë të gjithë dhe qëndron larg parregullsive të klerikëve dhe kryesisht nga argjendashja. Shpall se, falas e mori dhuntinë nga Perëndia, prandaj dhe falas e ofron. Nuk pranon para, as shpërblim, për ato që thotë dhe bën, dhe shpall se, për atë është mallkim të mbledhë të ardhura nga predikimi i tij. Mbeti deri në fund i varfër dhe pa pasuri. Një torbë në krahë dispononte dhe asgjë tjetër. Edhe stoli, ku ngjitej për të folur, kur grumbullonte popullin nëpër sheshe, nuk ishte i tiji. Një i krishterë i tillë praktik, nuk ishte e mundur veçse, ta mahnitë popullin. Nga njëra anë, ndoshta, nuk dinte shumë shkronja, por, megjithatë, disponon ndjenja të mprehta, në mënyrë që të perceptojë dhe të dallojë oportunistin dhe paradashësin, nga njeriu pa interesa dhe misionar.

Misionar është ai njeri, që del nga individualizmi i tij dhe i jepet shoqërisë, sepse ndjen se është borxhli ndaj gjithë njerëzve, sipas thënies së shën Pavlit: “asnjeriu të mos i detyroheni asgjë, përveç se të doni njëri-tjetrin” Romakëve 13, 8. Sakrifikon qetësinë e tij personale, që t’i futet peripecisë së ashpër të dashurisë. Çlodhjen e tij, që t’i jepet luftës për përhapjen e Mbretërisë së Perëndisë. Rehatinë e tij shpirtërore dhe mirëqenien materiale, që të kalojë në privime të domosdoshmeve dhe në kalitje. Urtësinë e tij, që të përulet për dobinë e të tjerëve, e vëllezërve të tij “të paktë” më Krishtin. Diçka të tillë bëri shën Kozmai. Nga mësimëdhëniet e tija kuptojmë se ai vetë ishte një teolog i urtë. Arrinte të zbresë dhe të përulet në nivelin e popullit. Thjeshtësia e tij, me të cilën fliste, ishte një përulje nga dashuria, për dobinë dhe ndërtimin shpirtërorë të të tjerëve. Të gjithë e kuptonin, madje dhe fëmijët e vegjël. Predikimi nuk është një mendim i thellë filozofik, për të marrë admirim dhe duartrokitje. Është mësimëdhënie e kuptueshme dhe synon në ndërtimin shpirtëror të besimtarëve. Urtësia e Perëndisë e fshehur në thjeshtësinë, Krishti i fshehur në Grazhd.

* * *

Madhështia e Priftërisë.

Qëndrimi i rreptë, që mban shën Kozmai, për ata që shajnë dhe përbuzin priftërinjtë, nuk i detyrohet ndonjë qëllimi. Është fryt i besës së tij të qashtër për madhështinë e Priftërisë. Dhe të mos mendojë njeri se shenjtori mban anën e klerikëve të asaj kohe. Flet me një gjuhë shumë të rreptë për parregullsitë e tyre dhe u tregon vendin çdo herë që njoftohet se sjellja e tyre nuk i përshtatet lartësisë së detyrës së tyre. E fshikullon, me tërë kuptimin e fjalës, argjendashjen e klerikëve, indiferentizmin e tyre për veprën e shpëtimit të shpirtrave, mangësitë e theksuara të karakterit të tyre. Ja si e përshkruan gjendjen ideale të priftërinjve: “Të jenë të përulur, të urtë, të mos aforizojnë, të mos zemërohen dhe të mos mallkojnë. Të mos kenë armiqësi, të mos dehen, të jenë të ndritshëm si rrezet e diellit.”

Nuk mban anën e priftërinjve për gabimet e tyre. Por kjo nuk e pengon që të mos mbaj as anën e atyre, që sillen me pabesi të tepruar ndaj klerikëve, qoftë nëse dinë disa gabime të tyre, qoftë nëse nuk e njohin lartësinë e misionit të tyre të hirshëm. Kështu me qashtërsi dhe me sinqeritetin karakteristik që e dallon, shenjtori e vendos çështjen në dimensione të sakta. Le ta dëgjojmë:

“Ju laikët të nderoni priftërinjtë tuaj. Dhe nëse rastis një prift dhe një prijës, të preferoni të nderoni priftin. Dhe nëse rastis një prift dhe një engjëll, të preferoni priftin. Sepse prifti është më i lartë se engjëjt. Prifti, që do të mirën e tij, të lexojë Ligjin e Perëndisë, të kuptojë detyrën e tij.”

* * *

Detyrat e priftit.

Ja tani dhe detyrat e priftit të mirë dhe të denjë: “Kushdo që dëshiron të bëhet prift, duhet të jetë i pastër si engjëll, të jetë i arsimuar, të shpjegojë Ungjillin e shenjtë dhe Shkrimin e Shenjtë. Dhe kur të bëhet 30 vjeç, t’i luten laikët dhe dhespoti, atëherë të bëhet prift, pa dhënë para dhe të banojë pranë kishës, ku, cilëndo orë, që ta kërkojnë laikët ta gjejnë. Të dallojë kush është zënë me gruan e tij, kush vëlla me vëllain e tij, cili gjiton me gjitonin e tij, t’i sjellë tek dashuria dhe të sakrifikohet për grigjën e tij. Dhe kur të meshojë dhe të mbarojë Ungjillin, t’ua shpjegojë të krishterëve çfarë porosit Krishti të bëjnë dhe të mendojnë, se thekët, që varen te petrahili, nënkuptojnë shpirtrat e të krishterëve. Dhe nëse humbet një shpirt do të japë llogari ditën e gjykimit dhe të kuptojë se felloni që vesh dhe nuk ka mëngë, tregon se prifti nuk duhet të ketë duar të përzihet në gjërat e botës, por ta ketë gjithmonë mendjen tek qielli. Dhe kur e palosë fellonin bëhet si dy krahë, që simbolizon se, nëse bën punë të mira, si engjëll do të fluturojë dhe do të shkojë në Parajsë; dhe nëse është i padenjë, i paarsimuar, i ndotur nga mëkatet dhe jep para, që të vërë ndërmjetës për t’u bërë prift, atëherë ai blen ferrin dhe kur thotë Ungjillin, thotë aq shumë gënjeshtra, mjerë ai prift.”

Për ne priftërinjtë, klerikët në përgjithësi, këto fjalë të shenjtorit janë zjarr. Janë paralajmërim i tmerrshëm, që na bën mirë t’i mbajmë në mendje. Sepse edhe ne jemi njerëz me dobësi dhe na nevojitet, shpesh dhe dendur, që të ripërtërijmë brenda nesh premtimet e rënda, që dhamë të mbajmë betimet tona dhe të mbetemi të panjollshëm nga e keqja, të përkushtuar gjithë jetën tonë tek Zoti ynë. Por, edhe për ju laikët, këto fjalë janë zjarr, sepse ju mësojnë me sa respekt duhet të silleni ndaj priftërinjve dhe me sa nder duhet t’i rrethoni.

Shën Kozmai dispononte karburante shpirtërore me bollëk, jo vetëm se kishte jetuar në manastir, por edhe se shpesh herë furnizohej me lutjen. Besonte shumë tek fuqia e lutjes, dhe madje e lutjes mendore, tek fuqia e emrit të Jisu Krishtit: “Kuptoni, pra, bijtë e mi, çfarë fuqie ka Kryqi i tërëshenjtë. Por, me emrin e Zotit tonë Jisu Krisht, shkoni në parajsë.”

Një shembull i Misionarit të shenjtë ishte dhe vazhdon të jetë shën Kozmai nga Etolia. Pa pasuri, i përulur, asket, i zellshëm, didaktik, mbjellës i palodhur i fjalës së Ungjillit. Dhe si atë i saktë i Kishës dhe misionar, kërkonte dhe përpiqej për vazhdimin e Misionarizmit. Kryqi, që lartësonte dhe linte atje ku kalonte, kujtonte rrugëtimin e Misionarizmit. Kujtonte gjurmët e gjakosura të Zotit. Kujtonte detyrën e të gjithëve, që të rrjedhë fjala e Perëndisë dhe të pushtojë zemra. Kur largohej nga një vend, rekomandonte të organizohen grupe misionare, me qendër dhe bazë studimin e Shkrimit të Shenjtë“Nëse do të ecja për para, do të isha i marrë dhe i pamend, çfarë është trashëgimia ime? Të mblidheni nga pesë apo dhjetë veta të bisedoni për këto kuptimet hyjnore dhe t’i vendosni në zemrën tuaj, që t’ju sigurojnë jetën e amëshuar. Kjo është tradita Orthodhokse. Të transmetoni misionarizmin me zjarrë në zemër. Le të bëhemi shërbëtorë të kësaj tradite misionare”. U bëftë.

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

 IGNATI

Berat me 24.08.2019

 


H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων