“Kemi nevojë për një person, si Moisiu, i cili do të jetë ndërmjetësi, por edhe udhëheqësi ynë”!
Sot të dashur besimtarë, Kisha e shenjtë, ka caktuar që të kremtojmë në këtë të Diel të IV të kreshmëve të mëdha, Shën Joanin e Shkallës.
Shën Joani i shkallës, mësojmë nga sinaksari, lindi në vitin 579 dhe fjeti në vitin 649. Në moshë shumë të vogël i`u përkushtua Zotit. Nga mosha 16-vjec deri në fund të jetës së tij, ai qëndroi si murg, si jerond, më pas si udhëheqës i manastirit dhe në fund si një asket, në malin Sina. Ai ka shkruajtur një vepër shpirtërore që quhet Shkalla, për këtë arsye ai quhet Shën Joani i Shkallës. Ky libër është i ndarë në 30 kapituj ku përmendën 30 shkallë të përparimit tonë shpirtërorë, të cilët arrijnë kulmin e tyre me virtytin e shpresës, besës dhe dashurisë.
Sot kemi zgjedhur disa pjesë nga kjo vepër e Shën Joanit të Shkallës. Ne përmendëm herën e kaluar që jemi në një udhëtim, nga kjo jetë e përkohëshme në atdheun tonë që është Mbretëria e Perëndisë, atdheu ynë i përjetëshëm. Shën Joani i Shkallës na thotë, që ne në këtë udhëtim kemi nevojë për një udhëheqje. Ai na thotë: “Sa duam që të ikim nga Egjipti dhe të çlirohemi nga tirania e faraonit, e kemi të nevojshëm një person si Moisiu, i cili do të jetë ndërmjetësi, por edhe udhëheqësi ynë. Ai i cili vazhdimisht do të ngrejë duart tek Perëndia për ne”. Kujtojmë përsëri popullin e Izraelit, dhe pikërisht ai që e çojë këtë popull nga skllavria për në Tokën e Premtuar, ishte pikërisht Moisiu. Ishte ky udhëheqës i cili vazhdimisht komunikonte me Perëndinë, por edhe në momente të vështira që kaloi ky popull në shkretëtirë, kur bënte populli mëkate të rënda, ishte pikërisht Moisiu që ngrinte duart dhe i thoshte Zotit të kishte mëshirë dhe të mos e shfaroste. Kështu, thotë Shën Joani i Shkallës, ne kemi nevojë për një udhëheqës të tillë që të na udhëheqë drej Mbretërisë së Qiellit.
Në vazhdimësi na thotë diçka të frikëshme: “ Mos të mendojmë që meqënëse jemi anëtarë të kishës, jemi të gjithë të shpëtuar, jo të gjithë sa janë të pagëzuar do të shpëtojnë”.
Po të kujtojmë historinë e popullit të Izraelit, ata të cilët u larguan nga Egjipti bashkë me Moisiun, nga mosha 20-vjeç e sipër vetëm dy persona arritën të futeshin në Tokën e Premtuar. Vetëm dy persona. Një paralajmërim për të na thënë dhe neve që nuk mjafton vetëm të jemi të pagëzuar dhe jemi të shpëtuar.
Tani do ta vazhdojmë këtë temë për atin tonë, ose udhëheqësin tonë shpirtëror. Çfarë na thotë Shën Joani për këtë?
Ai shkruan: “Ne duhet të kemi besim tek ai person. Ne duhet ti tregojmë gjithçka atij, edhe gjënë më të vështirë që kemi duhet t,ia shprehim. Jo vet, kaq, por në mënyrë mistike kundrejt Perëndisë, duhet t`i tregojmë Perëndisë besimin dhe dashurinë që kemi për atë dhe Perëndia në vazhdimësi do ta informoi udhëheqësin tonë shpirtëror dhe ai do të tregoi mirësinë dhe afrimitetin e tij ndaj nesh. Udhëheqësi shpirtëror na mbron nga një rrezik shumë i madh, që është armiku kryesor i yni, na mbron nga egoizmi”.
Shën Joani na thotë se sa e vështirë dhe sa e rrezikshme është egoizmi. Ai sqaron: “ Ata akoma, që duan të imponojnë mendimin e tyre edhe kur kanë të drejtë, duhet të njohin se janë të sëmurë nga një sëmundje djallëzore, d.m.th nga krenaria. Duhet ti bindemi tërësisht atit tonë shpirtëror, duhet t`ia lëmë gjithçka atij dhe ai që i beson udhëheqësit të tij shpirtëror nuk ka frikë nga asgjë në jetën e tij. Akoma as nga vdekja ska frikë, sepse çdo ditë, e pret vdekjen si një fjetje, si një gjumë, ose më mirë si vetë jetë. Pse? Sepse e di që në atë ditë që do të dal përpara Zotit, nuk do të jetë ai por do të jetë udhëheqësi i tij shpirtëror që do të jap llogari për jetën e tij”.
Shën Joani përmend dhe diçka për misterin e rrëfimit që ka të bëj me marrdhënien tonë me atin shpirtëror. Ai thotë: “Ne duhet të shprehim në rrëfim të gjitha mendimet që na mundojnë, të gjiha pasionet tona. Është e nevojshme që ne vazhdimisht të shkojmë në misterin e rrëfimit. Misteri i rrëfimit është si një fre që na mban dhe nuk na lejon të shkojmë të mëkatojmë. Kur shkojmë të rrëfejmë mëkatet tona në misterin e rrefimit duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Nuk duhet ti justifikojmë veprat tona dhe nuk duhet të bëjmë të tjerët fajtor për mëkatet tona. Kur të shkosh tek misteri i rrëfimit thuaj atit shpirtëror se asnjë tjetër nuk është shkaktar për mëkatet e mia, asnjëri, as djalli, as trupi, asgjë tjetër, është vetëm pakujdesia ime, prandaj ulu në gjunj me frymë të dërrmuar, me lotë, përpara atit tënd shpirtëror dhe rrëfe mëkatet e tua. Ne kur krijojmë këtë marrdhënie me udhëheqësin tonë shpirtëror, na jep Perëndia një dhuratë të lartë, na jep dhuratën e perulësisë, për shkak të bindjes që bëjmë ne, Perëndia bën që të lind tek ne perulësia”.
Ne në asnjë mënyrë nuk duhet të largohemi nga udhëheqësi ynë shpirtërorë. Shenjtori na porosit: Mos e largo dorën tënde nga ai që të mori dhe të coji tek Zoti, dhe gjithë jetën tënde mos të nderosh person tjetër më tepër sesa atë”.
Në fakt të gjitha këto mësime që na thotë Shën Joani i Shkallës, i përkasin të gjithë të krishterëve në shekuj, por ai konkretisht i bëri në mënyrë të veçantë për jetën murgjërore, por që na përkasin edhe ne të gjithëve. Na thotë dhe diçka për ata që nuk e kanë mundësinë të lënë jetën e tyre dhe të shkojnë ta përkushtojnë tërësisht jetën Zotit. Vinin njerëz të ndryshëm tek ai dhe i thoshin që nuk e kishin mundësinë që të lën gruan, familjen dhe të përkushtohen në manastir. Kemi plot detyrimet tona familjare dhe shoqërore, çfarë duhet të bëjmë neve?
Shenjtori i këshillon: “ Bëni të mira sa të mundeni; mos përbuzni të tjerët; mos thoni gënjeshtra; mos urreni; të shkoni vazhdimisht në mënyrë aktive në shërbesa dhe në misteret e kishës; të tregoni dhembshuri për ata të cilët janë të varfër; mos skandalizoni të tjerët; mos prekni asnjëgjë e cila nuk është e juaja; mos flini me gruan e huaj dhe nëse do të bëni të gjitha këto nuk jeni larg Mbretërisë së Perëndisë.
Le të përpiqemi edhe ne të dashur besimtarë, të bëjmë të gjitha këto që na thotë shenjtori dhe me të vërtetë nuk do të jemi larg Mbretërisë së Perëndisë. Amin.
Nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, +Nikolla, E Diela e IV e Kreshmëve, dt. 11/04/2021
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










