23/07/2021 23/07/2021 Është e fortë dallga dhe të shumta janë valët që po na rrethojnë e që na turren. Po s’kemi fare frikë, se mos mbytemi; sepse qëndrojmë mbi një shkëmb që nuk thërrmohet dhe që nuk epet kurrë. Me tërbim të patreguar vërsulet e lëshohet deti; po këtë shkëmb as ka mundur, as do të mundë...
23 Ιουλίου, 2021 - 16:33

KISHA TRIUMFUESE (1) – Këshilla nga Shën Joan Gojarti

Διαδώστε:
KISHA TRIUMFUESE (1) – Këshilla nga Shën Joan Gojarti

Është e fortë dallga dhe të shumta janë valët që po na rrethojnë e që na turren. Po s’kemi fare frikë, se mos mbytemi; sepse qëndrojmë mbi një shkëmb që nuk thërrmohet dhe që nuk epet kurrë. Me tërbim të patreguar vërsulet e lëshohet deti; po këtë shkëmb as ka mundur, as do të mundë ta copëtojë ndonjëherë!
Me të vërtetë, nuk më thua: Ç’gjë mund të na trembë? Mos është vdekja? Aspak. Për mua jeta është Krishti dhe vdekjen e quaj jo thjesht fatkeqësi.
Mos do të na frikësojë internimi? Po toka e tërë anembanë është e Zotit. Apo mos na tmerron humbja e parave? Vëlla i dashur! Dihet se asgjë nuk sjellim me vete, kur vijmë në këtë botë, të jesh i sigurt se edhe kur të dalim prej saj, nuk do të marrim dot asgjë. Mjerimet e tmerrshme që ka kjo botë, përbuzen prej meje dhe nuk përfillen fare. Gjithashtu edhe gëzimet që na sjell herë pas here nuk ushtrojnë as më të voglën influencë mbi mua. S’kam frikë nga vobektësia, nuk e dëshiroj pasurinë, s’më tmerron vdekja, e në qoftë se dëshiroj të jetoj, këtë e bëj, vetëm e vetëm që të influencoj sa më tepër në besën tuaj.
Prandaj ju flas sot për gjendjen e keqe, sikundër mund ta quajë dikush prej jush dhe ju lutem të mos dëshpëroheni aspak, po të keni kurajë dhe besim të patundur te Zoti.
S’ka asnjë fuqi në botë, që t’ju përçajë e t’ju ndajë ju e t’ju largojë nga Kisha; sepse atë që bashkoi e lidhi Perëndia, njeriu nuk mund ta ndajë në asnjë mënyrë.
E në qoftë se martesën nuk mund ta prishësh, ti Satana, si guxon të besosh, se do të mund ta përçash e ta shkatërrosh Kishën e Perëndisë? Është e vërtetë se ti nuk pushon së luftuari për këtë; po mundohesh më kot, se sa më tepër luftohet kjo, aq më e fortë dhe më e shkëlqyer del. Pushoje pra, këtë luftë, o i çmendur, nëse dëshiron të mos shuhet krejt fuqia jote, se sigurisht kjo ka për të ngjarë, në qoftë se ti nuk heq dorë nga kjo luftë.
Kur lufton me njerëz mund të kesh shpresë që të dalësh fitues; po me qiellin a mund të fitojë dikush, qoftë edhe më i fuqishmi i botës? Fuqia e Kishës është e pathyeshme, se Zoti Vetë e ka krijuar dhe themeluar, apo mos kujton or armik i çmendur, se je i zoti t’i dalësh Perëndisë ballë për ballë?
Kisha, pra, dije mirë këtë, është më e fortë edhe nga qielli vetë. Ky i fundit bashkë me tokën do të zhduken, po fjalët e Zotit, nuk do të humbasin e nuk do të përgënjeshtrohen kurrë.
Cilat fjalë? “Se portat e ferrit nuk do ta mundin dot Kishën”. Nëse nuk do të besosh te fjalët, atëherë beso në realitetin e në punët. Sa tiranë kanë dashur ta shkatërrojnë Kishën? Sa
kamina, sa dhëmbë egërsirash, sa shpata të mprehta? Megjithëkëtë nuk mundën të bëjnë asgjë. Nuk më thua, ku janë armiqtë e saj? Janë fshehur, janë lënë në heshtje e në harresë të plotë.
Kurse Kisha ç’u bë? Kjo ndrit e shkëlqen më shumë edhe se dielli; se edhe ky do të shuhet e do të zhduket një ditë, po ajo ka për të mbetur përjetë dhe e pavdekshme.
Ç’thotë historia kishtare? Thotë se Kisha nuk u mund kur ishte e vogël dhe kur ishin besnikë të pakët; si do të mundet tani kur tërë bota është mbushur me besnikë e me pasues të saj? Dielli dhe dheu do të kalojnë e do të zhduken, po fjalët e mia kurrë.
Dhe kjo është shumë e arsyeshme, pasi Perëndia e do Kishën më tepër sesa qiellin. Zoti duke zbritur në tokë, nuk mori trup qielli, por mish Kishe. Për Kishën u bë dhe qëndron qielli, dhe jo Kisha për qiellin.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων