08/11/2019 08/11/2019   Që nga përjetësia Perëndia është dritë: e vetmja dritë e vërtetë, jomateriale, e pafundme dhe absolutisht e pakuptueshme. Ai prehet në misterin e padepërtueshëm të Natyrës së Tij unike dhe qëndron në lidhjen e pashprehshme të dashurisë mes Tre Personave të Tij: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Ai është i mirë dhe parimi...
08 Νοεμβρίου, 2019 - 14:56

Kryeengjëjt Mihail e Gavriil dhe Fuqitë e Patrup (Engjëjt, Qeruvimet, Serafimet etj.).

Διαδώστε:
Kryeengjëjt Mihail e Gavriil dhe Fuqitë e Patrup (Engjëjt, Qeruvimet, Serafimet etj.).

 

Që nga përjetësia Perëndia është dritë: e vetmja dritë e vërtetë, jomateriale, e pafundme dhe absolutisht e pakuptueshme. Ai prehet në misterin e padepërtueshëm të Natyrës së Tij unike dhe qëndron në lidhjen e pashprehshme të dashurisë mes Tre Personave të Tij: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Ai është i mirë dhe parimi i çdo të mire dhe i çdo dashurie, por në pasurinë e mirësisë së Tij, dëshiroi që dikush tjetër të merrte pjesë në Dritën e Tij dhe e nxori botën nga mosqenia në qenie.

Para se të krijonte botën e dukshme, e solli në ekzistencë me Fjalën e Tij dhe përsosi në shenjtëri natyrën engjëllore përmes Shpirtit të Shenjtë, duke krijuar Fuqitë qiellore dhe të patrup, shërbëtorët e Tij të zellshëm dhe të zjarrtë si zjarr jolëndor. Ato janë drita të dyta, që marrin nga Hiri i Shpirtit të Shenjtë shkëlqimet e Dritës së parë pa fillim dhe pjesëmarrjen në pavdekësinë e Tij; janë ikona besnike të esencës hyjnore. Engjëjt e shenjtë janë të një natyre shpirtërore, pa peshë trupi, gjithnjë në lëvizje, të lirë dhe me arsye. E shikojnë Perëndinë në masën që munden ta pranojnë, dhe në soditjen e Tij gjejnë ushqimin, qëndrueshmërinë dhe arsyen e ekzistencës së tyre. Megjithëse janë të lirë nga çdo ndjenjë trupi, ata u krijuan nga një ndryshim (kalimi nga mosqenia në qenie).

Kështu, ata me vështirësi mund të priren tek e keqja, por jo të kapen në lakun e saj. Prandaj, ata duhet të përdorin lirinë supreme që Perëndia u ka dhënë për ta ruajtur për të mirë dhe për të përparuar në soditjen e mistereve hyjnore, pa rënë, pa kthim në të keqen dhe largimin nga Perëndia, sepse atëherë s’do të mund të llogarisin, si qeniet njerëzore, pendimin, sepse ata s’kanë trup.

Megjithatë, nuk është se janë plotësisht jolëndorë: vetëm hyjnori është vërtetësisht pa lëndë dhe i patrup (pa trup dhe përtej çdo lëvizjeje). Ata janë të kufizuar në kohë e në hapësirë. Kur janë në qiell, nuk janë në tokë; dhe kur dërgohen nga Perëndia mbi tokë, nuk janë në qiell. Natyra e tyre e mprehtë i bën t’u shpëtojnë kufizimeve që për ne janë muret, dyert dhe vulosjet, kur dërgohen nga Perëndia me mision pranë njerëzve dhe që për këtë, ata ruajnë formë trupore duke na lejuar t’i shikojmë. Gjithashtu, lehtësia e tyre dhe shpejtësia ekstreme e lëvizjes së tyre u jep mundësinë të përshkojnë hapësirën pothuajse përnjëherësh ose të gjejnë mendimet e njerëzve, gjë që na ka bërë të besojmë se ata janë të pajisur me omnishiencën (gjithëditurinë) hyjnore.

Megjithatë, si qenie të krijuara nuk janë të pajisura me omnishiencë, as që të gjenden në dy vende njëkohësisht. Nëse profetizojnë, kjo ndodh falë hirit dhe urdhrit hyjnor, jo nga veçoria e tyre. Perëndia i bëri shërbyesit e Tij dhe i dërgon (‘engjëll’ nënkupton ‘lajmëtar’) të vigjilojnë mbi tokë. Ata udhëheqin popujt, kombet dhe Kishat (sipas Apokalipsit, çdo Kishë lokale ka një engjëll mbrojtës), dhe sigurojnë realizimin e planeve të Providencës: si në përgjithësi, ashtu edhe në veçanti për secilin nga ne. Perëndia ka vendosur padukurisht pranë secilit prej nesh personalisht një engjëll mbrojtës, i cili vigjilon pa pushim mbi ne, pa u ndarë nga Perëndia. Na sugjerojnë të mirën përmes zërit të ndërgjegjes sonë, na ndihmojnë t’u shmangemi kurtheve të djallit dhe nxisin brenda nesh zjarrin shpëtimtar të pendimit kur mëkatojmë (Eks. 23.20; Tobit 6.4).

Vetëm Krijuesi njeh gjininë dhe kufijtë e natyrës engjëllore. Ajo është një në raport me Perëndinë, por e panumërt në raport me ne. “Një lumë zjarri rridhte para Tij; mijëra e mijëra i shërbenin, dhe mori e mori mbaheshin para Tij”, thotë profeti Daniel (Dan. 7.10). Nuk mund t’i numërojmë, prandaj dhe Trinia e Shenjtë zakonisht i radhit në 9 urdhra të ndarë në 3 triadha. Dispozita e parë hierarkike është ajo që gjendet gjithmonë pranë Perëndisë dhe që është e bashkuar me të, para të tjerave dhe pa ndërmjetës. Ajo përmbledh Serafimet, ku ky emër në hebraisht do të thotë “të zjarrtë”.

Në fakt, lëvizja e tyre e përjetshme dhe e qëndrueshme përreth realiteteve hyjnore u jep pushtet të lartësojnë vartësit e tyre drejt Perëndisë, duke gjallëruar në të nxehtësinë pastruese dhe të ndritshme të virtytit. Të dytët, të të njëjtit rang, por me funksion të ndryshëm, janë Keruvimet, emri i të cilëve evokon plotësinë e njohjes së Perëndisë. Thuhet se janë të mbuluar me sy në tërë anët, si pasojë e aftësisë së tyre për të soditur dritën hyjnore. Të tretët janë Fronet, mbi të cilat Perëndia gjen prehjen e Tij. Triadha e dytë, e ndërmjetme, transmeton me mirësi dhe urdhra dekretet e Providencës dhe ngre frymët e rangut të poshtëm drejt imitimit të Perëndisë. Ajo përbëhet nga Zotërimet, Virtytet dhe Fuqitë. Triadha e tretë e përmbyll hierarkinë qiellore. Ajo përbëhet nga Principatat, Kryeengjëjt dhe Engjëjt. Me këta të fundit Perëndia komunikon dekretet e Providencës së Tij dhe, meqë janë më afër nesh, ai i dërgon kur do, në një trajtë trupore.

Në planin hyjnor, njeriu, në personin e Adamit, duhet të ishte urdhri i dhjetë i kësaj hierarkie dhe duhet të përmbushte përsosmërinë e krijimit (Lluk. 15.1-10). Por, ngaqë ra dhe iu nënshtrua vdekjes, Krishti zbriti nga qiejt për ta nxjerrë nga ferri. Ai përshkoi shkallët e hierarkisë engjëllore, mori trup dhe e ngriti me Ngjalljen e Tij natyrën njerëzore përmbi rangun që ajo gjendej në fillesat e saj, duke e ulur në të djathtë të Perëndisë, mbi Keruvimet dhe Serafimet

Po para kësaj, kur Perëndia krijoi botën e padukshme, plotësia e panumërueshme e hierarkisë qiellore gëzonte nga drita e Perëndisë dhe formonte një rreth të shenjtë, të thjeshtë dhe të pandërprerë, duke psalur njëzëri fuqishëm: “Shenjt, Shenjt, Shenjt, Zoti Savaoth, qielli e dheu janë plot me lavdinë e Tij” (Is. 6.3). Por fryma qiellore që qëndronte në rangun e parë dikur, më i afërti i Perëndisë, dhe që ishte i tëri i shkëlqyer me dritën e Tij, Eosfori, ra në krenarinë e privilegjeve që kishte marrë dhe donte të bëhej si i Shumëlarti.

Ai tha: “Do të ngjitem në Qiej; përmbi yjet e Perëndisë do të ngre fronin tim; do të ngjitem mbi majat e reve; do të bëhem si i Shumëlarti” (Is. 14.14). Nuk ishte i keq nga natyra, por nga krenaria, u revoltua haptazi kundër Atij që e kishte krijuar. Ishte ai i pari që hodhi poshtë të mirën dhe zgjodhi të keqen. I ktheu kurrizin dritës për të rënë në errësirat e privimit nga Perëndia; prandaj, menjëherë kur tha këto fjalë ra nga rangu i lartë ku ishte dhe përfundoi në greminën e ferrit. Pasi çau qiejt, tërhoqi me dhunë në rënien e tij një shumicë engjëjsh nga të gjithë urdhrat dhe u bë kryetari i tyre.

Numri i tyre ishte kaq i madh, sa në pamjen e këtij spektakli të vajtueshëm, Kryeengjëlli Mihail, kryetari i ushtrive qiellore, i cili nga përulësia dhe nënshtrimi i tij i urtë ndaj Krijuesit, ishte i fuqizuar në dritën, u lëshua te ky rregullim, mblodhi Engjëjt që qëndruan besnikë dhe thirri: “Le të vëmë re” d.m.th. “Le të bëjmë kujdes, të jemi vigjilentë, ne qeniet e krijuara, që patëm privilegjin të qëndrojmë më këmbë para Perëndisë. Le ta dimë se jemi shërbyes. Të bëjmë kujdes me njohjen e vetes e të shikojmë rënien e atyre që donin të barazoheshin me Perëndinë!” Pikërisht, në kujtimin e kësaj Mbledhjeje: d.m.th. të kësaj mbledhje, të kësaj asambleje, të këtyre koreve engjëllore nën drejtimin e Kryeengjëllit Mihail në vigjilencë, mirëkuptim dhe unitet, në traditën e vjetër, Etërit vendosën ta fusnin këtë festë sot.

I tepërlavdishmi dhe i tepërndritshmi, Princi i fuqive qiellore dhe i patrup, Mihaili, na shfaqet shpesh në Shkrimin e Shenjtë. Atë e dërgon Perëndia te njerëzit për t’u shpallur vendimet e Drejtësisë së Tij. Ai iu shfaq i pari patriarkut Avraham (Gjen. 12) dhe shërbëtores së tij Agara në shkretëtirë, për lajmin e lindjes së Ismailit (Gjen. 16). Ai u dërgua te Loti për ta shpëtuar në Sodomën që Zoti do ta dorëzonte në shkatërrim (Gjen. 19). Kur Perëndia i dha urdhër Avrahamit të sakrifikonte birin e vet, Isaakun, që të vinte në provë bindjen e tij, ishte Mihaili që ndërhyri për ta ndaluar sakrificën (Gjen. 22). Ai iu shfaq dhe patriark Jakovit, që ta çlironte nga duart e vrasësve të vëllait të tij (Gjen. 27.41). Ai kryesonte popullin e Izraelit kur doli nga Egjipti dhe e drejtoi nën formën e një reje ditën dhe me anën e një drite natën (Eks. 13.21). Ai u dërgua gjithashtu para magjistarit Valaam, gjatë rrugës për në Balak të mbretërisë së Moavit për të mallkuar popullin e Izraelit, dhe i bllokoi rrugën duke qëndruar para mushkës të tij me një shpatë të zhveshur në dorë.

Kur Jisui i Naviut ishte rrëzë mureve të Jerikosë, duke pritur një shenjë të Perëndisë për të rrethuar qytetin, Mihaili iu shfaq, duke mbajtur përsëri një shpatë. Meqë druhej se mos ishte dredhi e të ligut, që transformohet në engjëll drite, Jisui i Naviut e pyeti: “A je ti nga tanët apo nga kundërshtarët?”. Mihaili iu përgjigj: “Si kryetar i ushtrisë së Zotit po të vij tani”, dhe që nga atëherë e urdhëroi të nderonte vendin që shenjtëroi me praninë e tij (Jis. N. 5.13). Te Gjykatësit, ai ngushëlloi Gedeonin dhe e dërgoi për të çliruar Izraelin nga shtypja e madianitëve (Gjyq. 6.11).

Kur Davidi regjistroi popullin, në kundërshtim me urdhrin e Perëndisë, Mihaili u dërgua nga Perëndia për të qenë instrument i zemërimit të Tij. Për një ditë, ai shkatërroi me shpatën e tij më shumë se 70 mijë burra dhe ishte gati të shkatërronte Jerusalemin, por, i prekur nga pendimi i Davidit, Zoti e ndali dhe i dha urdhër ta fuste shpatën në mill (I Kron. 21). Ai iu zbulua shumë herë profetit Ilia për ta ngushëlluar në sprovat dhe për ta dërguar me mision (I Mbret. 19.5; II Mbret. 1.15). Gjatë invazionit të mbretit të asirianëve, Sinakaribi, Mihaili hodhi përdhe për një natë 185 mijë burra në kampin e pushtuesve (II Mbret. 19.35). Ishte pikërisht ai që zbriti nga qielli dhe rrinte në mes të furrës së zjarrtë në Babiloni, me tre djemtë e rinj, duke kënduar me ta lavdërime për Zotin (Dan. 3.92), dhe që u mbylli gojën luanëve në gropën ku kishin hedhur profetin Daniel (Dan. 6.23).

Ndërhyrjet shpëtimtare të Kryeengjëllit të shenjtë Mihail, në të vërtetë, janë të panumërta, si në Dhiatën e Vjetër, edhe më shumë pas ardhjes së Krishtit. Ishte ai që i çliroi apostujt në burg (Vep. 5.19), që iu dërgua apostull Filipit për të pagëzuar eunukun e mbretëreshës së Etiopisë (Vep. 8.26), që iu shfaq centurion Kornelit dhe i kërkoi të vinte shën Petroja për ta pagëzuar (Vep. 10), që liroi Petron nga burgu (Vep. 12) dhe goditi mbretin Erod, që e konsideronte veten perëndi. Iu shfaq shën Pavlit për ta ngushëlluar në sprovat e tij dhe ishte për ungjillor shën Joanin interpretuesi i mistereve të fshehta të Perëndisë për sa i përket fundit të kohëve, në Apokalips. Është Mihaili që do të angazhohet në betejën e fundit kundër Antikrishtit dhe Djallit, dhe që do t’i rrëzojë përfundimisht në ferr (Apo. 12.7). Dhe, në Gjykimin e Fundit, ai do të mbajë një peshore në dorë, për të peshuar veprat tona.

Tradita e Kishës ka ruajtur edhe kujtimin e shumë mrekullive të Kryeengjëllit Mihail, si, për shembull, atë të mrekullisë në Kolose të Frigjisë (kujtuar më 6 shtator).

Më Perëndinë, Drejtësia është e pandashme nga mëshira: Mëshira dhe e vërteta u takuan, drejtësia dhe paqja u përqafuan” këndon psalmisti (Ps. 84.11). Prandaj dhe ne s’mund të kujtojmë Mihailin, Engjëllin e Drejtësisë, pa i bashkangjitur Gavriilin, Engjëllin e Mëshirës. Ai u dërgua nga Perëndia te njerëzit për të shpallur mrekullitë e dashurisë dhe të dashamirësisë së Tij për shpëtimin tonë. Ai i dha profetit Daniel interpretimin e vizionit enigmatik që pati në lidhje me fundin e mbretërive të midëve dhe të persëve (Dan. 8.16), dhe i shpalli, një herë tjetër, se Krishti, Shpëtimtari i botës, do të vinte pas 449 vjetësh (Dan. 9.24). Ai u dërgua gjithashtu te gruaja e Manoesë në kohën e Gjyqtarëve, për t’i shpallur lindjen e ardhshme të Samsonit. Kur Manoe nga gëzimi e mbajti që t’i shtronte një banket, Gavriili iu përgjigj se nuk ushqehet me të tilla ushqime dhe e këshilloi të shprehte mirënjohjen e tij, duke i bërë flijim Zotit.

Kur e pyetën për emrin, ai iu përgjigj: “Përse më kërkon emrin? Është mister”, dhe u zhduk nga sytë në tymin e sakrificës (Gjyq. 13). Ai ishte lajmëtari i tërë lajmeve të gëzueshme të lindjes së mrekullueshme të fëmijëve nga barku i fishkur apo shterp. Ai iu shfaq veçanërisht Joakimit dhe Anës për lindjen e Hyjlindëses, Zaharias dhe Elisabetës për lindjen e Pararendësit (Lluk. 1). Ai ushqeu me manën qiellore Hyjlindësen për 12 vjet në Tempull (shih 21 nëntor) dhe u dërgua nga Perëndia pranë saj për t’i lajmëruar lajmin e mirë të pritur që në fillimin e botës: d.m.th. lindjen e Perëndisë me veprimin e Shpirtit të Shenjtë. Ai siguroi Josifin në ëndërr, kur ky u turbullua nga dyshimet për virgjërinë e Hyjlindëses (Matth. 1.20). Kur lindi Shpëtimtari, ai udhëhoqi barinjtë në shpellën e Betlehemit, që ta adhuronin. E lajmëroi Josifin për planet vrasëse të Herodit dhe e këshilloi të merrte fëmijën dhe nënën e tij dhe të iknin në Egjipt. Kur rreziku kaloi, ai iu shfaq përsëri në ëndërr që ata të ktheheshin.

Natën e shenjtë të Ngjalljes së Krishtit, Gavriili zbriti nga qiejt, u vesh me rroba të bardha e të shndritshme të dritës hyjnore, lëvizi gurin që vuloste varrin dhe u ul atje. Kur gratë Miroprurëse erdhën atje, ai i qetësoi nga frika duke iu thënë: “E di që kërkoni Jisuin e kryqëzuar. Nuk është këtu, siç ju tha” (Matth. 28.5).

Kështu, me krijimin e botës dhe deri në Ngjalljen e Krishtit dhe me fundin e kohëve, Kryeengjëlli Gavriil është lajmëtari i dërguar nga Perëndia për të shpallur te njerëzit mrekullitë e mëshirës së Tij në Personin e Zotit Jisu Krisht.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë/facebook

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων