Kryepiskopi Joan drejton Liturgjinë Hyjnore në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston
Më 8 mars 2026, Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, drejtoi Liturgjinë Hyjnore në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston, një nga qendrat më të rëndësishme të jetës shpirtërore të komunitetit orthodhoks shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e Kryepiskopit Joan ishte ngjarje e veçantë për besimtarët e shumtë shqiptarë të diasporës, të mbledhur nga Bostoni dhe zonat përreth.
Fortlumturia e Tij u prit me nderime nga Hirësia e Tij, Nikodhimi, Episkop i Kishës Orthodhokse Shqiptare në Boston. Të dy hierarkët bashkëmeshuan Liturgjinë Hyjnore, duke dhënë dëshmi të gjallë uniteti dhe vazhdimësie të traditës liturgjike dhe kishtare të Kishës Orthodhokse Shqiptare si në atdhe, ashtu edhe në diasporë. Kjo ditë kishte edhe një tjetër domethënie të veçantë, sepse përkoi me përvjetorin e dorëzimit në gradën priftërore të Imzot Theofan Nolit, themeluesi i kësaj kishe dhe një prej figurave më të shquara të historisë së Kishës dhe të kombit shqiptar. Përkujtimi i këtij momenti historik ishte rast reflektimi mbi rolin e tij në themelimin e jetës kishtare shqiptare në Amerikë dhe në përpjekjet për ruajtjen e identitetit shpirtëror dhe kulturor të komunitetit shqiptar në mërgim.
Në fjalën e tij drejtuar besimtarëve, Kryepiskopi Joan përkujtoi 118-vjetorin e dorëzimit në gradën priftërore të Imzot Theofan Nolit, duke theksuar rëndësinë historike dhe shpirtërore të kësaj figure për Kishën Orthodhokse Shqiptare. Ai theksoi se veprimtaria e Nolit mbetet shembull përkushtimi ndaj Kishës, model shërbimi ndaj popullit dhe përpjekjes për të ndërtuar ura mirëkuptimi dhe bashkimi. Përkujtimi më i mirë i të gjithë njerëzve që kanë kontribuar për Kishën, theksoi ai, është të jetojmë një jetë sipas mësimit orthodhoks. Të kemi një jetë shpirtërore, sepse për fatin tonë të keq, në botën e sotme ka humbur jeta shpirtërore. Njerëzit nuk kultivojnë jetë shpirtërore të përditshme. Nuk mjafton vetëm një ditë në kishë, të dielën, nevojitet një jetë e përditshme shpirtërore. Jeta shpirtërore është shumë e thjeshtë: përpjekje shpirtërore e çdo dite për të jetuar sipas mësimeve të Jisu Krishtit. Nëse do të përpiqemi të jetojmë në këtë mënyrë, do të fillojmë të njohim veten tonë të vërtetë dhe, nga përulësia, do të përfitojmë hirin e Perëndisë, nëpërmjet të cilit realizohen të gjitha. Në fund të fjalës së tij, Kryepiskopi Joan falënderoi të gjithë të pranishmit duke uruar që Katedralja e Shën Gjegjit të jetë qendër shpirtërore për të gjithë njerëzit, si për shqiptarët edhe për anëtarët e çdo kombi.
Ndërsa Imzot Tikhoni, Kryepiskopi i Uashingtonit, Mitropolit i Gjithë Amerikës dhe Kanadasë, me anë të letrës së tij, përshëndeti Kryepiskopin Joan, duke i uruar mirëseardhjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe duke i shprehur gëzimin për bashkëkremtimin në Liturgjinë Hyjnore me një nga episkopët e dioqezës, Hirësinë e Tij, Nikodhimin. Ky bashkëkremtim, theksoi ai, le të jetë shenjë dhe model për lidhje gjithnjë e më të thelluar midis Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse në Amerikë dhe le të shërbejë si një prelud për një takim dhe bashkëkremtimi të tij me Kryepiskopin Joan.
Pas përfundimit të Shërbesave të Shenjta, Hirësia e Tij, Episkop Nikodhimi shtroi drekë vëllazërore për të gjithë të pranishmit. Në këtë atmosferë të ngrohtë komunitare, besimtarët ndanë urime, kujtime dhe reflektime mbi historinë e kësaj kishe dhe mbi lidhjet e forta shpirtërore që bashkojnë komunitetin orthodhoks shqiptar në Boston. Gjithashtu, u sollën edhe kujtime kur Kryepiskopi Joan studionte në Holy Cross dhe shërbente në këtë kishë, një periudhë që mbetet pjesë e rëndësishme e kujtesës së komunitetit. Këto kujtime theksuan vazhdimësinë e lidhjeve ndërmjet Kishës në Shqipëri dhe komuniteteve të diasporës, si dhe rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore shqiptare në mërgim.
Vizita e Kryepiskopit Joan dhe kremtimi i Liturgjisë Hyjnore në këtë ditë përbën një moment të rëndësishëm për jetën kishtare të komunitetit orthodhoks shqiptar në Boston, duke përforcuar ndjenjën e unitetit, kujtesën historike dhe përkushtimin ndaj misionit të Kishës në shërbim të besimtarëve.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










