Kungata Hyjnore
Kungata Hyjnore është misteri i mistereve. Në kapitullin e gjashtë të ungjillit të Joanit, Krishti thotë: «Nëse nuk hani mishin e Birit të njeriut dhe nuk pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, dhe unë do ta ngjall atë në ditën e fundit. Sepse mishi im është me të vërtetë ushqim dhe gjaku im është me të vërtetë pije. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të.»
Pastaj në Darkën Mistike thotë: «Qëndroni në mua dhe unë në ju. Ashtu si shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, nëse nuk mbetet në hardhi, kështu as ju, nëse nuk mbeteni në mua. Unë jam hardhia, ju jeni shermendet. Ai që mbetet në mua dhe unë në të, ai jep shumë frut, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë.»
Pas këtyre fjalëve, Ai themeloi misterin e Eukaristisë Hyjnore: «Dhe Jisu, duke marrë bukën dhe duke bekuar, e theu dhe ua dha nxënësve dhe tha: merrni, hani, ky është trupi im. Dhe duke marrë kupën dhe duke falënderuar, ua dha atyre duke thënë: pini prej saj të gjithë; sepse ky është gjaku im, i besëlidhjes së re, i cili derdhet për shumë, për ndjesën e mëkateve.»
Natyra e Vërtetë e Kungatës Hyjnore
Kungata Hyjnore nuk është thjesht një akt simbolik që na kujton diçka nga e kaluara. Kur Jisui thotë « bëjeni këtë në përkujtimin tim», nuk do të thotë të kujtoni të kaluarën, sepse ne, për shembull, nuk kemi çfarë të kujtojmë nga e kaluara me Krishtin, sepse as nuk jetonim atëherë. Por ja çfarë do të thotë: në momentin që kungohemi, kujtojmë se Perëndia është i pranishëm kudo, pranë nesh, rreth nesh, por kryesisht brenda nesh. Na shikon, na dëgjon, na prek, gjaku i Tij bëhet gjaku ynë dhe trupi i Tij, trupi ynë. Jo simbolikisht, por realisht. «Sepse mishi im është me të vërtetë ushqim dhe gjaku im është me të vërtetë pije.»
Etërit e shenjtë nuk lënë asnjë dyshim se buka dhe vera janë trupi dhe gjaku i vërtetë i Zotit.
Shën Kirili i Jeruzalemit thotë: «Duke marrë Dhuratat e Çmuara, bëhemi Krishtmbajtës, sepse Trupi dhe Gjaku i Zotit bëhen një me trupin dhe gjakun tonë.»
Shën Joani i Kronshtadit thotë: «Shndërrimi i bukës dhe i verës në Trup dhe Gjak të Krishtit ndodh sapo prifti shqipton fjalët: “Dhe bëje këtë bukë, Trup të çmuar të Krishtit tënd, amin, dhe atë që është në këtë kupë, Gjak të çmuar të Krishtit tënd, amin, duke e shndërruar me anë të Shpirtit tënd të Shenjtë”. Sapo prifti shqipton këto fjalë dhe bekon Dhuratat e ofruara duke bërë shenjën e Kryqit me dorën e tij, buka dhe vera shndërrohen automatikisht në Trup dhe Gjak të Krishtit.»
Mendja njerëzore nuk mund ta kuptojë këtë mister. Kjo vetëm përjetohet me fuqinë e besimit. Kështu dëshiron Perëndia, së pari ta besosh, pastaj ta shohësh dhe ta prekësh. Ne nuk mund të interpretojmë apo të shpjegojmë mënyrën e bashkimit të besimtarit me Krishtin në Kungatën Hyjnore, por edhe fakti se si Perëndia bashkohet tërësisht me secilin prej nesh në atë moment.
Kur kungohemi nga lugëza, nuk marrim thjesht një pjesë të Krishtit, të Perëndisë, por të gjithë natyrën njerëzore dhe hyjninë e Jisu Krishtit. Ai i jepet i tërë pa mungesa secilit prej nesh veçmas dhe në mënyrë unike. Marrëdhënia e Perëndisë me secilin prej nesh është unike dhe dashuria e Perëndisë për dikë nuk mund të zëvendësojë dashurinë e Perëndisë për dikë tjetër.
Ashtu si një prind që humbet një nga fëmijët e tij nuk thotë se dashurinë për fëmijën që humba do ta mbuloj me dashurinë për fëmijët e mi të tjerë, por gjithmonë e ndjen boshllëkun që nuk mund të mbulohet veçse me praninë e fëmijës së humbur.
Pra, nëse ne bashkohemi me vetë Perëndinë – Atë që krijoi gjithë botën, të cilit në Dhjetën e Vjetër askush nuk guxonte t’i afrohej pa vdekur, Atë që u mishërua në mënyrë misterioze, të cilin të gjithë kërkonin t’i prekte të sëmurët për t’u shëruar, që edhe rrobat e Tij shëronin me prekje, që me një fjalë dëbonte demonët, që eci mbi ujë, që u ngjall prej së vdekurish dhe u ngjit ne qell dhe ul në të djathtë të Atit – si ne, që hamë trupin e Tij dhe pimë gjakun e Tij, nuk digjemi, nuk zhdukemi, si nuk na përpin përgjithmonë prezenca dhe prekja e Tij e plotfuqishme?
Dhe këtu është misteri i mistereve: ai vjen brenda nesh si një fllad shërues, si dritë, si shoqërues, si mbrojtës, si mik, si vëlla, si At dhe nënë. Ai vjen të bëhet çfarëdo që kemi nevojë secili prej nesh, ashtu si mana nga qielli që bëhej për secilin çfarëdo që kishte nevojë fizikisht. Trupi dhe gjaku i Krishtit është vetë Krishti dhe kushdo që dëshiron të takojë Krishtin në mënyrë të dukshme, reale dhe trupore, mjafton t’i afrohet Kungatës Hyjnore, dhe çfarëdo që t’i kërkojë, do ta marrë nga Zoti ashtu siç do ta merrte nëse do të jetonte në kohën e Krishtit dhe do të shkonte ta takonte për ndonjë problem të tijin.
Shumë herë tregojmë nderim të madh për lipsanet, dhe mirë bëjmë, për objekte të shenjta te ndryshme etj. Ndërsa Kungatës Hyjnore i afrohemi nga zakoni dhe pa kujdes. Prandaj nuk marrim fuqinë dhe energjinë e saj, sepse nuk i afrohemi me frikë, besim dhe dashuri. Kur Krishti vizitoi Nazaretin, qytetin ku u rrit, ungjilli na thotë se banorët nuk e besuan, sepse thoshin: a nuk është ky biri i Marisë dhe vëllezërit e tij nuk janë me ne, si është e mundur të bëjë mrekulli. Kujtonin se e njehnin, prania e tij u ishte bere zakon, ishin familjarizuar. Dhe pastaj ungjilli shton se ai nuk bëri shumë mrekulli atje për shkak të mosbesimit të tyre. Nuk është se Perëndia nuk ka fuqi të bëjë mrekulli, por mosbesimi ynë e pengon, sepse Ai dëshiron pëlqimin tonë. E njëjta gjë ndodh edhe me Kungatën Hyjnore. I afrohemi të papërgatitur, nga zakoni, pa frikë, pa seriozitet dhe shumë herë me paturpësi dhe krenari.
Dëgjoni çfarë thotë apostulli Pavli për të krishterët e sapopagëzuar të Korintit: «Sepse ai që ha bukën dhe pi verën në mënyrë të padenjë, pa e dalluar në to trupin e Zotit, ha dhe pi dënimin e tij. Për këtë arsye ka midis jush shumë të dobët dhe të sëmurë, si dhe mjaft vdekje. Po të shqyrtonim veten tonë, nuk do të merrnim dënimin e Perëndisë. Por, kur Zoti na ndëshkon, na edukon, në mënyrë që të mos pësojmë dënimin përfundimtar bashkë me botën.» (Kor. 11, 29-32). Le të kujtojmë se çfarë pësoi Juda që u kungua në mënyrë të padenjë: «[Jisui mori bukën] dhe ia jep Judës, birit të Simon Iskariotit. Dhe pas kafshatës, atëherë hyri në të Satani.». Ndonëse vetë Krishti i dha trupin e Tij, për shkak se Juda ishte i padenjë, në vend të Krishtit, në të hyri djalli. Pastaj dha puthjen e tradhtisë dhe më pas kreu vetëvrasje.
Është e qartë. Kushdo që guxon t’i afrohet Kungatës Hyjnore pa kujdes, me indiferencë, nga zakoni, kushdo që guxon t’i afrohet me paudhësi, imoralitet dhe krenari, me idenë se është i denjë dhe i pastër ndërkohë që nuk është rrëfyer, nuk është penduar sinqerisht për mëkatet e tij, atëherë do ta pësojë si kashta kur bie në zjarr: në vend që të ngrohet dhe të ndriçohet si hekuri, do të digjet dhe do të bëhet hi. Ekziston një frazë ne librat apokrife që i atribuohet Krishtit ku thotë: «Kush është afër meje, është afër zjarrit; dhe kush është larg meje, është larg mbretërisë.» (Ungjilli i Thomait. Thënia 82). Prandaj nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm një: te përgatisim veten qe te jemi pranë Krishtit, qe te jetojmë.
Kanonet e Kishës
Shën Nikodhimi i Malit të Shenjtë thotë se për të kuptuar sa serioz është një mëkat, duhet t’i kushtojmë vëmendje kanonit që vendosin Etërit e Kishës për atë mëkat. Për të kuptuar pra sa serioze është t’i afrohesh Kungatës Hyjnore i papenduar, shen Vasili i Madh qe ka shkruar liturgji hyjnore dëgjoni çfarë thotë: «Ai që ka vrarë nga pakujdesia, duhet të qëndrojë larg Kungatës Hyjnore për 20 vjet. Shkelësi i kurorës 15 vjet. Kurvëruesi 7 vjet. Homoseksuali 15 vjet. Ai që bën dëshmi të rreme 10 vjet. Vjedhësi, 2 vjet».
Dhe nuk janë vetëm mëkatet trupore që na pengojnë nga Kungata Hyjnore, por edhe ato shpirtërore, si zilia, urrejtja, armiqësia, kur nuk falim ose jemi të grindur me dikë. Shën Joani Gojarti, i cili shkroi liturgjinë hyjnore që bëm sot, shkruan: «U zure me dikë dhe mban mëri brenda teje? Përgjove apo dërmove vëllain tënd? Mos iu afro Kungatës Hyjnore pa u pajtuar me të!». Bile për disa mëkate, lejohet të kungohemi vetëm në fund të jetës sonë.
Nuk përmend të tjera sepse mund të dëshpërohemi. Nëse tani brenda nesh ndiejmë dërrmim dhe pikëllohemi. Duhet te dimë se kjo është gjë e mirë. Nuk duhet ta largojmë këtë ndjenë, duhet ta mbajmë ne zemër, se pastron mëkatet dhe na përul, ndjek djallin, sjelle paqen dhe përulësinë, duhet ta shndërrojmë në lutje pendimi drejtuar Krishtit tonë si një ne rrëfim te sinqert. Zoti është njeridashës, është i mëshirshëm dhe kushdo që pendohet sinqerisht, do ta mëshirojë dhe do ta shpëtojë.
Vëllezër dhe motra,
Kungata Hyjnore është misteri më i madh i Kishës sonë, është jeta jonë. Perëndia nuk ka çfarë të na ofrojë më të lartë se trupin dhe gjakun e Birit të Tij, që na bën perëndi sipas hirit. Me frike perëndie bese dhe dashuri le te afrohemi. Amin.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










