27/09/2020 27/09/2020 Nga Ilirjan Gjika Në veri të lumit Seman,midis Fierit dhe Lushnjes, shtrihet vargu i kodrave të Ardenicës. Pikërisht në pjesën më të lartë të saj, në lartësinë 237 m ngrihet në një pozitë dominuese mbi fushën e Myzeqesë, manastiri ‘’Lindja e Hyjlindjes’’. Objekti i kultit mban emrin e Marisë, ashtu si shumica e kishave të...
27 Σεπτεμβρίου, 2020 - 19:18

“Manastiri i Ardenicës, qendër e rëndësishme fetare, historike dhe kulturore”!

Διαδώστε:
“Manastiri i Ardenicës, qendër e rëndësishme fetare, historike dhe kulturore”!

Nga Ilirjan Gjika
Në veri të lumit Seman,midis Fierit dhe Lushnjes, shtrihet vargu i kodrave të Ardenicës. Pikërisht në pjesën më të lartë të saj, në lartësinë 237 m ngrihet në një pozitë dominuese mbi fushën e Myzeqesë, manastiri ‘’Lindja e Hyjlindjes’’.
Objekti i kultit mban emrin e Marisë, ashtu si shumica e kishave të Myzeqesë, në të cilën ajo njihet si mbrojtëse e veprimtarisë kryesore ekonomike të kësaj krahine: bujqësisë. Edhe pse në pamje të parë të lë përshtypjen e një objekti kulti të zakonshëm, manastiri, fsheh në brendësi të tij vlera të shumtë. Sa më shumë të futesh në ‘’labirinthet’’ e historisë së tij aq më shumë dalin në pah të fshehtat dhe misteret e tij.
1
Historia e këtij manastiri i ka rrënjët që nga mesjeta, por data e saktë e ndërtimit apo themelimit të tij nuk dihet. Kështu, Aleksudhi, thekson se manastiri duhet të jetë ndërtuar vonë gjatë mbretërimit në Epir dhe në Shqipëri të hegjemonëve dhe perandorëve të Kostandinopojës (A. Alexoudes, 1868: 74).
Ndërkohë që ekziston një gojëdhanë se themelet e këtij manastiri janë hedhur në vitin 1282 me nismën e perandorit Andronik II Paleolog të Bizantit (S. Adhami, 1981: 18). Po kështu rreth origjinës së tij, disa nga studjuesit më në zë të monumenteve të kulturës në Shqipëri, në librin ‘’Historia e Arkitekturës Shqiptare’’, theksojnë se manastiri është ndërtuar në mesjetën e mesme (A. Baçe, A. Meksi, E. Riza, Gj. Karaiskaj, P. Thomo, 1979: 279).
Por një tjetër mendim që bazohet në të dhënat e studimeve të bëra në vitet 1980, thekson se, manastiri është themeluar diku në shekujt XIII-XIV ndoshta në kohën e zotërimeve në Myzeqe të familjeve feudale të Muzakajve dhe Matarangëve (R. Gega, 1988: 157). Kurse autorë të tjerë mendojnë se ai mund të jetë ndërtuar edhe në kohën e Despotatit të Epirit në shekullin e XIII (S. Mihalçka, 1986: 77).
Të tjera hipoteza aludojnë se manastiri mund të jetë ndërtuar në themelet gërmadhë të një tempulli pagan, i cili ka qenë ndërtuar për nder të hyjneshës Artemisa nga ka rrjedhur dhe emri i sotëm Ardenica. Një gjë të tillë e përforcon fakti se pranë manastirit në perëndim të tij, në rrëzë të kodrave të Libofshës, dikur kalonte një nga degët jugore të rrugës antike Egnatia, e cila gjatë mesjetës u quajt fillimisht si ‘’Rruga Mbret’’ dhe më vonë ‘’Rruga e Muzakias’’. Ndërkohë që të tjerë studjues e lidhin emrin e Ardenicës me atë të qytetit antik të Arnisës e cila shënohet në hartat në krahun e majtë të Shkumbinit (P. Thomo, 1981: 19).
Ndërsa Theofan Popa në librin e tij ‘’Mbishkrime të Kishave të Shqipërisë’’ thekson se ‘’Fjala Ardenicë vjen nga fjala greke që do të thotë freksuese, në kuptimin që Shën Mëria me lutjet e saj i freskon besnikët nga zjarri i mëkateve (Th. Popa, 1998: 95).
2
Manastiri i Ardenicës vërtet i përket periudhës bizantine por formën e tij të sotme ai e ka marrë gjatë shekullit të XVIII. Në librin e tij, Anthim Aleksudhi, na dëshmon se kisha e Shën Mërisë u rindërtua në vitin 1743, ndërsa manastiri u restauruan në vitin 1778 (Alexoudes, f. 74). Ndërsa Llukë Karafili, një autor që dikur shkruante me emrin Bardhyli, në një artikull të tij të vitit 1938, thekson midis të tjerave për manastirin se, Kurt Pasha ‘’…urdhëroi ndreqjen e dhomave dhe të kthyerën e portës nga juga që më parë ish nga veriu bashkë me konakët mbi portën…’’ (Bardhyli, 1938: 168). Por mbishkrime të tjera brenda manastirit tregojnë se gjatë shekullit të XVIII ka patur edhe rindërtime të tjera. I tillë është edhe ai i hajatit perëndimor që tregon se ai së bashku me çardakun u rindërtua në vitin 1754 (Pop: 101).
Përsa i përket mbishkrimeve të cilat janë të gjithë në gjuhën greke, më i vjetri në kohë, është ai i datës 1 maj 1477 (Aleksudes: 74). Ky mbishkrim gjendet mbi hyrjen qëndrore të Manastirit që gjendet në drejtim të lindjes dhe ka të bëjë me një rindërtim të manastirit. Një mbishkrim tjetër ndodhet në brendësi të naosit mbi portën kryesore të tij dhe na jep datën 1743-1744, që është edhe periudha e pikturimit të kishës së Shën Mërisë nga vëllezërit piktorë Kostandin dhe Athanas Zografi. Në manastir ndodhen edhe dy pllaka me data të ndryshme që i përkasin shekullit XVIII. Njëra pllakë që mban datën 1770 ndodhet në një nga harqet e furrës. Datimet të ndryshme kishte edhe në kambanat që përdorte manastiri apo kandilët e ikonostasit (Popa: 94-101). Po kështu datime kishin edhe kandilët dhe kambanat. Aleksudhi na bën me dije se në kambanore, këmbana e madhe datonte në vitin 1708 ndërsa kambana e vogël ishte e vitit 1738 (Aleksudes: 74).
3
Manastiri i Ardenicës zë një sipërfaqe prej 2.500 m2 së bashku me objektet e tij si dy kishat, konakët dykatësh, depot, qilarët, furra, stalla, mulliri i vajit, sterat e ujit dhe hyrja në formë galerie e mbuluar me qemer cilindrik (Gega: 141). Po kështu, manastiri konsiderohet nga studjuesit edhe edhe si ‘’ansambël unikal arkitektonik’’, ku përveç objekteve të tjera ishte i pajisur edhe me dhoma dhe hajate për banim, dhoma për klerikët, qeli për murgjit si dhe kishte edhe ndërtime që shërbenin për qëllime kulturore si shkolla dhe biblioteka. Në qendër të këtij objekti kulti ndodhet kisha “Lindja e Shën Mërisë”, e cila është ndërtuar me gurë shtufi dhe të bardhë. Ndërsa absida është punuar me gurë të bardhë me elementë dekorativë (Mihalçka: 77-78).
Kisha e Shën Mërisë është një bazilikë trenefëshe me përmasa 24.35 m gjatësi dhe 10.80 m gjerësi. Ajo është ndërtuar në vitin 1743 në kohën e mitropolitit të Beratit Metodit. Një gjë të tillë e tregon mbishkrimi i vendosur në pjesën e jashtëme të murin lindor të sa (Popa: 97).
Kisha zë një vëllim të madh dhe është e mbuluar nga një çati druri me tavan të rrafshët. Mjediset që përbëjnë këtë kishë janë: naosi, narteksi dykatësh, dhoma e pagëzimit, hajati perëndimor, hajati jugor dhe këmbanorja. Naosi përbëhehet nga tre anijata, të cilat ndahen në dy rreshta kolonash prej druri dhe përbëhet nga tre hyrje si ato që ndodhen në veri, jug dhe në perëndim të tij. Ai veçohet nga altari me anë të ikonostasit ndërsa dyshemeja e kishës është shtruar me pllaka guri gëlqeror. Në qëndër të naosit ndodhet një rozetë e punuar me pllaka guri (Gega: 145). Në pjesën perëndimore të nartekstit (parasallës) ndodhen edhe dy varret e peshkopëve të Beratit, Joasafit dhe Metodit (K. Beduli, 2000: 80). Aleksudhi na tregon se kjo kishë e shkatërruar nga faktorët natyrorë u rindërtua në vitin 1743, ndërsa ‘’qoshet e manastirit, dhomat dhe qelitë e tij’’ u restauruan në vitin 1778 (Alexoudes: 74).
Kisha e Shën Mërisë është zbukuruar me afreske të mrekullueshme nga krijimtaria e piktorëve Kostandin dhe Athanas Zografi. Këta piktorë korçarë punuan për zbukurimin e këtij tempulli në vitin 1744. Veprimtaria artistike e ateliesë së piktorëve Zografi është shpalosur në bazilikat e Voskopojës, Vithkuqit, në Myzeqe dhe në malin Athos në Greqi, ku shkuan disa herë dhe shfaqën talentin e tyre të fuqishëm, nëpër kishat dhe manastiret e atjeshme. Piktura e Zografëve cilësohet nga specialistët si vazhdim i traditës më të mirë të pikturës kishtare në vendin tonë. Tematika pasqyron ngjarje nga Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e Re, dogmatika, liturgjia, jeta e shenjtorëve, etj. Disa nga skenat janë “Festat e Virgjëreshës”, skenat nga “Jeta dhe vuajtjet e Krishtit”, “Fjetja e Shën Mërisë”, “Zbutja e shpirtit të shenjtë tek apostujt”, etj.
Në brezin e fundit, ndërmjet figurave të shenjtorëve është pikturuar muzikologu i shquar bizantin nga Durrësi Johan Kukuzeli. Në narteks, në të gjithë faqen lindore paraqitet skena e madhe që titullohet “Gjyqi i Fundit”. Krahas afreskeve një vend të rëndësishëm në dekoracionin artistik zë edhe ikonostasi i gdhendur në dru, i polikromuar me ar, i cili mban dy radhë ikonash të mëdha dhe të vogla. Zbukurimi i ikonostasit me ikona është realizuar në vitin 1744, ku kanë ndihmuar edhe esnafët e bakërxhinjve dhe muratorëve vozkopojarë, ç’ka tregon lidhjen e tyre shpirtërore me këtë trevë. Ikonat janë vepër e piktorit më të mirë miniaturist të shekullit të tetëmbëdhjetë, Kostandin Shpataraku.
Disa nga ikonat janë: “Lindja e Shën Mërisë”, “Krishti në Fron”, “Shën Mëria me Krishtin”, “Johan pagëzori”, “Mbledhja e kryeengjëjve”, “Kryqëzimi”, etj. Interesant është fakti se si në ikonën e Shën Gjon Vladimirit, në një nga ndarjet e cilklit të saj është pikturuar princi shqiptar i shekullit të katërmbëdhjetë, Karl Topia, me kurorë mbretërore në kokë dhe skeptër në dorë, që piktori e quan mbret të Shqipërisë(I. Gjika, 2002). Pikturat janë ekzekutuar mbi një shtresë suvaje që mbulon sipërfaqen e brendëshme të mureve (Mihalçka: 78). Suvaja ka një trashësi prej 10-13 mm dhe përbëhet nga dy shtresa. E para me trashësi 10 mm përbëhet nga gëlqere e lidhur me kshtë gruri. Ndërsa e dyta ku janë elzekutuar afresket përbëhet nga gëlqere me trashësi prej 2-3 mm (S. Mihalçka-M. Beci, 1988: 107).
Po kështu një tjetër objekt është edhe kambanorja. Ajo është 22 m e lartë dhe ndodhet në jug të hajatit perëndimor të kishës (Gega: 148). Ndërsa kisha e Shën Triadhës është një kapelë e cila shtrihet në pjesën verilindore të manastirit dhe ka përmasa 7.50 x 3.70 m. Hyrja e saj është në anën perëndimore dhe është e pajisur me dy dritare të vogla në faqen jugore. Kjo kapelë është ndërtuar me gurë shtufi dhe është e pajisur me një hapësirë, muri gjysmërrethor i së cilës e ndan atë nga një sternë uji. Porta e kapelës është mbuluar me hark guri (Gega: 145). Episkop Irineu që jetoi gjatë viteve 1960 në këtë manastir, thekson se në vendin ku është ngritur Shën Triadha ndodhej kisha e parë e manastirit (Beduli: 81). Ndërsa autorë të tjerë theksojnë se kisha e shën Triadhës është rindërtuar në vitin 1922 (Mihalçka: 76).
Në faqen e jashtme të murit jugor të saj janë vendosur disa spolie antike të marra nga Apolonia si dhe një reliev që paraqet ndoshta Shën Gjergjin mbi kalë. Po këtu gjendet edhe një mbishkrim i gdhëndur në një pllakë guri që mban datën 1 maj 1778. Ai tregon ringritjen nga themelet të godinave përqark të manastirit të cilat u bënë në kohën e peshkopit Joasaf të Beratit (Popa: 107). Ky duhet të ketë qenë Joasafi II i cili e drejtoi Mitropolinë e Beratit në vitet 1772-1800. Ky klerik i lartë është varrosur pranë pjesës së jashtëme të absidës së kishës së Shën Mërisë, për varrin e të cilit na njofton imzot Irine Banushi (Beduli: 80).
Ndërkohë që dy Mitropolitë të tjerë të Beratit, Metodi (1736-1751) dhe Joasafi (1752-1759 dhe 1765-1767). Edhe këta kerikë janë varrosur në narteksin e kishës së Shën Mërisë.
Ndërkohë që në mungesë të burimeve ujore manastiri përdorte stera për mbledhjen e ujit të shiut. Janë katër të tilla nga të cilat mund të përmendim sterën pus, atë jugore që ndodhet ngjitur me kishën e madhe, sterën ngjitur me kishën e vogël, etj (Gega: 149-150).
4
Manastiri i Ardenicës ka qenë mjaft i përmendur për pasurinë e bibliotekës së tij. Deri nga Greqia vinin në Ardenicë murgj dhe priftërinj për të studiuar në këtë bibliotekë. Kjo u pasurua me një fond të madh librash gjatë shekujve XVII – XVIII, sidomos nga ndihmat e shoqërisë voskopojase “Shoqata e Manastirit të Ardenicës”, e cila i sillte librat jo vetëm nga Europa Perëndimore, por edhe nga Hungaria e Polonia.
Anthim Aleksudhi i cili ka parë korrespondencën që ekzistonte në arkivin e manastirit se për këtë institucion fetar, vinin ndihma financiare gjatë shekujve XVII-XVIII, nga një shoqatë me qëndër në Hungari dhe Poloni. Anëtarët e saj ishin voskopojarë që merreshin me tregti në këto vende dhe ndihmat që mblidhnin në këto vend ja dërgonn manastirit me miqtë dhe të afërmit e tyre ne Shqipëri. Emrat e tyre ishin shkruar në diptikun e manastirit dhe përkujtoheshin me nderim edhe në ceremonitë fetare që organizoheshin në Ardenicë (Alexoudes: 75).
Kjo bibliotekë, që ishte një thesar i çmuar kulturor me 32.000 vëllime, u dogj nga zjarri në vitin 1932. Për ekzistencën e kësaj bibliotekë na dëshmon arkeologu i njohur Leon Rei, drejtuesi i misionit arkeologjik francez të Apolonisë në vitet 1924-1938. Në ditarin e tij ai na tregon se, diku nga fundi i viteve 1920, kur kishte nisur të organizonte fushatat e gërmimeve në Apolloni, e lajmëruan në mënyrë konfidenciale se, në bibliotekën e Manastirit të Ardenicës ishte një kodik i vjetër, që fliste për hitorinë e Apolonisë. Për të parë këtë kodik, Leon Rei shkoi në Ardenicë ku nga studimi i tij ka lënë edhe shënimet përkatëse, në të cilin flitej për historinë e krishtërimit në Apoloni dhe murgun Polian (L. Rei, 2013).
Por manastiri i Ardenicës ka qenë edhe një vend arsimi dhe kulture. Shkolla e tij u hap në shekullin e XIII. Deri në vitn 1684 këtu shkolloheshin klerikët e Myzeqesë dhe Beratit nga të cilët mund të përmendim Dionisin, Joasafin, Metodi dhe Metodi II (Bardhyli: 169). Gjatë Rilindjes Kombëtare, shkolla e Manastirit të Ardenicës, do të bëhet një nga vatrat e mësimit të gjuhës shqipe, nga ku do të dalin një brez i tërë shkollarësh. Në fillim të shekullit të XX në këtë shkollë dha mësim të fshehta të gjuhës shqipe edhe Jani Minga, një nga personalitet e periudhës së fundit të Rilindjes Kombëtare.
Po gjatë kësaj kohe krahas në dhjetëvjetëshin e parë të këtij shekulli në shkollën e Ardenicës gjejmë si mësues një sërë personalitete rë arsimit të krahinës së Myzeqesë si: Anastas Laska, Kozma Dhima, Spiro Saqellari, Papa Isaia, etj (N. Kule, 1999: 66). Në këtë periudhe, shkruan autori Naun Kule, ‘’…shkolla e Ardenicës kishte mbi 200 konviktorë, shkollë me gjuhë të dytë frëngjishten dhe me drejtor Mësuesin e Popullit Jani Mingën’’ (N. Kule, 2008: 18). Kjo shkollë si ç’shihet edhe nga një sërë dokumentash të kohës dhe pamjesh të fiksuara në foto do të ushtronte aktivitetin e saj në manastirin e Ardenicës edhe gjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit XX.
5
Së bashku me vlerat arkitektonike dhe historitë e tij, sot, manastiri i Ardenicës shërben si një muze i hapur për të gjithë. Vizitorët mund të shohin nga afër kishën e Shën Mërisë, afresket e saj, ikonostasin, anvonin dhe fronin peshkopal të gdhëndur me dru are, varret e tre peshkopëve: Metodit, Joasafit dhe Joasafit II.
Të tjera ambiente janë edhe kapela e shën Triadhës, hajatet, këmbanorja, mbishkrimet, spoliet dhe relievet antike të murosura. Po kështu në hyrje të manastirit sapo futesh në portën e tij ndodhet mulliri i vajit, një vepër e mirëfilltë e ‘’inxhinjerisë popullore’’. Në bodrumin e mbuluar me qemer ku gjendet ai mund të gjesh një sërë objektesh antike. Të tilla janë një gur miljar i rrugës Egnatia, disa anfora vaji, trungje kolonash, kapitelesh, kryqe të dikurshëm varresh, relieve me mbishkrime, etj.
Dëshmi tjetër, për rëndësinë e këtij manastiri është dhe e dhëna burimore se në altarin kishës së Manastirit të Ardenicës, është bërë edhe kurorëzimi i martesës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut me Donika Arianitin. Ceremoniali mendohet se u zhvillua në mesditën e 26 prillit 1451, në prani të princave shqiptarë dhe ambasadorëve të Napolit, Venedikut, Raguzës. Këtë të dhënë verbale e përmendin për herë të parë në shkrimet e tyre një sërë autorësh të huaj dhe shqiptarë të të shekujve XX-XXI.
Po kështu nga Ardenica mund të shihen lehtësisht edhe Dajti, mali i Tomorrit, malet e Labërisë, bregdeti i Adriatikut, laguna e Karavastasën dhe gjithë Myzeqeja. Të gjitha këto e bëjnë manastrin një vend të vizituar edhe për turizmin shplodhës dhe argëtues, vlerat e të cilit ia shton edhe pylli halor dhe ullishtat që ndodhen në bregoret përrreth tij. I tillë ka qenë dhe mbetet manastiri i Ardenicës, një vend pelegrinazhi jo vetëm fetar, por edhe historik dhe kulturor.


facebook.com/MitropoliaFier

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων