24/04/2020 24/04/2020 Urime për Pashkë nga autoritetet e larta shtetërore dhe politikanë Me rastin e Pashkës, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe gjithë besimtarët kanë marrë urime edhe nga personalitet politike. Presidenti, Z. Ilir Meta: Të dashur qytetarë shqiptarë, Të dashur besimtarë ortodoksë, Pashkë të mbara e të bardha për të gjithë! Gëzuar për shumë vjet, shëndet të...
24 Απριλίου, 2020 - 15:49
Τελευταία ενημέρωση: 24/04/2020 - 15:52

Me rastin e Pashkës, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe gjithë besimtarët kanë marrë urime edhe nga personalitet politike.

Διαδώστε:
Me rastin e Pashkës, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe gjithë besimtarët kanë marrë urime edhe nga personalitet politike.

Urime për Pashkë nga autoritetet e larta shtetërore dhe politikanë

Me rastin e Pashkës, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe gjithë besimtarët kanë marrë urime edhe nga personalitet politike.

Presidenti, Z. Ilir Meta:

Të dashur qytetarë shqiptarë,

Të dashur besimtarë ortodoksë,

Pashkë të mbara e të bardha për të gjithë! Gëzuar për shumë vjet, shëndet të plotë, mirësi e begati në çdo familje!

Sivjet, një armik i padukshëm, që po kushtëzon mendimet dhe sjelljet tona të përditshme, na detyron mos ta kremtojmë siç do donim këtë Festë të Madhe e të Shenjtë. As Dritën e Ngjalljes nuk do mundemi dot ta marrim sot në Kishë dhe ta kalojmë nga dora në dorë, për ta çuar në shtëpitë tona.

Por Krishti i Ngjallur na mëson: MOS KINI FRIKË! Nxënësit e Tij të vërtetë, duhet të bëhen “dritë e botës”. Kështu le të shndrisë drita juaj përpara njerëzve, që të shikojnë veprat tuaja të mira dhe të lavdërojnë Atin tuaj në qiej.

Me kurajën dhe shpresën që na fal Krishti i Ngjallur dhe me Ngjalljen brenda nesh, le ta përjetojmë këtë Ditë të Bekuar dhe mesazhin e saj në thellësitë e zemrës dhe shpirtit tonë, dhe ta përhapim atë jo vetëm brenda familjeve tona, por edhe tek të afërmit e miqtë tanë që ndodhen fizikisht larg nesh, tek të moshuarit, të sëmurët, të vetmuarit dhe njerëzit më në nevojë.

Le të falim sot më shumë solidaritet mbarëkombëtar dhe paqe, me fjalë e vepra të thjeshta dashurie, le të ndajmë sot të mirat dhe gëzimet tona, për të ndriçuar honet e errëta të ndasive, zbrazëtisë së brendshme, vetmisë dhe varfërisë, veçanërisht të atyre që vuajnë nga mjerimi, dhimbjet dhe braktisja.

Le të shpërndajmë sot Dritën e Ngjalljes tek të gjithë, për të mbështetur njëri-tjetrin në betejën e përgjithshme për t’u çliruar nga frika dhe pandemia dhe për t’u bashkuar në një përpjekje të re në të mirë të lirisë së shpirtit, drejtësisë, të së vërtetës, begatisë, mirëkuptimit, pajtimit, vëllazërimit dhe dinjitetit tonë njerëzor.

Le të lutemi sot edhe për heronjtë e ditëve tona, mjekët dhe infermierët, e për këdo që është në vijën e parë të mbrojtjes së shëndetit dhe të sigurisë së çdo qytetari. Por edhe për priftërinjtë e klerikët që, në krye të misionit të tyre hyjnor e fisnik, po bëjnë aq shumë për ne të gjithë në këto momente tepër të vështira, veçanërisht për komunitetet më të përvuajtura.

Një urim të veçantë kam sot për komunitetin e dashur të shqiptarëve në Greqi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të prekura rëndë nga pandemia, dhe për të gjithë bashkatdhetarët tanë kudo në botë.

Uroj ta kremtojmë Pashkën me frymë, energji dhe shpresa të ripërtërira, me ngjallje të vërtetë në shpirtrat e zemrat tona, për një shoqëri solidariteti dhe përgjegjësie të përbashkët.

KRISHTI U NGJALL! VËRTET U NGJALL!

Kryetari i Kuvendit, Z. Gramoz Ruçi:

Me rastin e Festës së Pashkëve, u uroj të gjithë besimtarëve ortodoksë, si edhe të gjithë shqiptarëve: Shëndet e lumturi në vatrat e tyre familjare!
Këto Pashkë na gjejnë fizikisht të izoluar, por më shumë të bashkuar prej mesazhit thelbësor të kësaj Feste, shpresës së ringjalljes e ringritjes. Përshëndes në mënyrë të veçantë ata që Festa e Pashkëve i gjen duke luftuar në betejën për jetën, në vështirësi apo larg vatrave familjare.

Sot, të gjithë e kemi kuptuar se sa e mrekullueshme është jeta dhe paqja dhe sa pa kuptim janë marramendja pas urrejtjes e konflikteve.

Qëndresa stoike dhe beteja që po zhvillojmë për mbrojtjen e jetës, na ka bindur se askush nuk shpëton duke qenë i vetëm, por në bashkëveprim, mbështetje e solidaritet me të gjithë.

Përditë e më shumë po bindemi se njerëzimi, pavarësisht nga kombet, shtetet, pasuria, varfëria dhe ndarjet që ato shkaktojnë, është një familje e madhe 7.7 – miliardëshe, që i përgjigjet si një e vetme rrezikimit të jetëve njerëzore nga pandemia COVID-19.

Sot është dita t’u rikthehemi edhe njëherë mësimeve të krijuesve, arkitektëve dhe ndërtuesve të qytetërimit dhe t’i zbatojmë ato jo vetëm në betejën për jetën, por në të gjithë veprimtarinë tonë.

Përditë e më shumë po bindemi se nga pandemia nuk na mbrojnë vetëm vaksinat e kurat mjekësore, por edhe antitrupat e dashurisë, drejtësisë e solidaritetit njerëzor, vlera që këto kohë po shkëlqejnë në të gjithë planetin, si eliksiri më i dobishëm kundër së keqes që kërcënon njerëzimin.

Prandaj, me kurën e dashurisë, humanizmit e solidaritetit, të luftojmë edhe sëmundjet e shoqërisë: varfërinë, pabarazinë, ndarjet e konfliktet, në çdo formë që ato shfaqen.

Festa e Pashkëve të na frymëzojë që të punojmë më shumë për të ndalur globalizimin e së keqes, përhapjen e formave të ndryshme të dhunës, të indiferencës njerëzore ndaj njeri-tjetrit, të dobëtëve, të sëmurëve, të pambrojturve, ndaj natyrës dhe mjedisit.

Krahas globalizimit të mallrave, shërbimeve, teknologjive dhe ideve, të përpiqemi për të globalizuar solidaritetin dhe përkushtimin njerëzor.

Solidaritetin që shfaqëm dhe po shfaqim ndaj koronavirusit, ta shndërrojmë në një vlerë, tipar dhe trashëgimi të shoqërisë.

Mirëkuptimin fetar ta shndërrojmë në një vlerë shoqërore dhe udhërrëfyes të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga besimi, pikëpamjet dhe pasuria.

Festa e Pashkëve na shtoftë të mirat dhe mundësitë për të gjithë, na fuqizoftë rezistencën, durimin e besimin se shumë shpejt do t’u rikthehemi gëzimeve të jetës.

 

Kryeministri, Z. Edi Rama:

Kryeministri, Z. Edi Rama, në Facebook:

Në këtë kohë të çuditshme tempujsh të kyçur, vijnë edhe Pashkët Ortodokse, pa kishat hapur, por me Zotin pranë çdo familjeje që sonte feston. GËZUAR PASHKËT!

Kryetari i PD, Z. Lulzim Basha:

Me urimin tradicional ‘Krishti u Ngjall!’ dhe me këtë foto të lepurushëve të Pashkëve, të përgatitur nga vajzat e mia, u urojmë familjarisht të gjithë besimtarëve ortodoksë: ‘Nga mot gëzuar!’

Sot, urimet dhe lutjet tona të para, janë për të gjithë anëtarët e familjes sonë të madhe, të cilët përballen me virusin dhe pasojat e tij, për mjekët dhe infermierët tanë kurajozë e të palodhur, për të gjithë ata që shërbejnë me sakrifica të mëdha për të na mbrojtur dhe ndihmuar, për të gjithë shqiptarët në nevojë dhe shtrëngesë, për shërbëtorët e Zotit që, me lutjet e tyre, sjellin paqe e shpresë në shpirtin e çdokujt. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet e të dashurit tuaj! Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Kryetarja e LSI, Znj. Monika Kryemadhi

Festa e shenjtë e Pashkëve na mëson se sakrifica nuk është humbje dhe se ndriçimi i zemrës përmes besimit na lartëson mbi të keqen dhe antivlerat. Fuqia e shpirtit i jep njeriut forcën për të çarë mes vështirësive dhe për të ndërtuar të ardhmen.

Masat e distancimit fizik prej pandemisë nuk duhet të na ndajnë shpirtërisht nga njëri-tjetri dhe nga zakonet tona të mira. Përmes tyre, ne si komb kemi përballuar ndër shekuj vështirësi pas vështirësie, dhe sot është koha që, ashtu siç kemi gjetur mënyra të reja për të kremtuar festat tona fetare, ashtu të hapim rrugën për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët. Me besimin në Zot, me dashurinë për njëri-tjetrin, me vlerat dhe traditat tona kombëtare.

Pashkë të mbara për të gjithë besimtarët ortodoksë dhe gjithë familjet shqiptare! Krishti u ngjall!

Ambasada Amerikane

Nga komuniteti ynë në komunitetet dhe familjet tuaja, i urojmë Gëzuar Pashkët të gjithë bashkësisë ortodokse në Shqipëri! Sjelltë kjo ditë e shenjtë gëzim, paqe dhe shpresë në të gjitha familjet tuaja!

Ish-Presidenti, Z. Sali Berisha:

Të dashur miq, sot besimtarët ortodoksë shqiptarë festojnë Pashkën, ditën e Ngjalljes së Krishtit Mbret, Burrit, Hyjit të përjetshëm dhe burrit që, me parimet, mësimet e Tij, formësoi qytetërimin perëndimor. Kjo ditë e bekuar frymëzon për të gjithë besimtarët e Zotit shpresë, besim dhe paqe.

Ndaj dhe ne, le t’u urojmë atyre nga zemra Gëzuar Pashkën dhe të lutemi bashkërisht që, Pashka që vjen, mirë se të na gjejë! Gëzuar!!

 

— orthodoxalbania.org

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων