Mesazh i Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik, Bartholomeut, drejtuar Kishës së tërë, për pandeminë e Koronavirusit
Një mesazh shumë aktual dhe që vlen të lexohet.
Vellezër dhe bij më Zotin,
Nga Fanari, nga zemra e Qytetit Mbretëreshë, nga qyteti i Shën Sofisë, i Kishës së Madhe, komunikοj me ju të dashurit e mi, me secilën e secilin prej jush, duke marrë shkas nga kushtet e papara më parë, sprovën të cilën po kalojmë si njerëzim, për shkak të kërcënimit mbarëbotëror që shkakton pandemia e koronavirusit të ri, i njohur si Covid-19.
Fjala e Kishës, e Kishës Mëmë, është e pamundur të mungojë. Fjala jonë, pra, është ashtu siç kemi mësuar nga përvoja e shekujve: falënderuese, didaktike, përforcuese dhe ngushëlluese.
Falënderojmë me sinqeritet të gjithë ata që po luftojnë me vetsakfrifikim, dhe madje duke lënë pas dore veten dhe familjet e tyre,
– personelin mjekësor që ndodhet fare pranë bashkënjerëzve tanë të sëmurë,
– studiuesit dhe shkenctarët specialistë që po kërkojnë kurën e pështatshme farmaceutike dhe vaksinën e shpëtimit nga virusi,
-por dhe të gjithë ata që merren në mënyrë aktive me përballimin e kësaj pandemie.
Kontributi juaj, të dashur, është i paçmueshëm. Është kontribut për të gjithë shoqërinë. Është sakrificë, dhe meriton çdo nder e mirënjohje.
Ju falënderojmë dhe të gjithë së bashku ju duartrokasim, jo vetëm nga ballkonet e shtëpive tona, por çdo moment nga zemra jonë. Mendimi ynë dhe lutjet tona janë pranë jush.
Në këtë luftë, shtetet e koordinuara dhe Autoritetet kompetente shëndetësore, kanë përgjegjësinë kryesore për planifikimin, përballimin e saktë dhe tejkalimin e kësaj krize. Do të mund t’i quante dikush Strategë në betejën për përballimin e armikut të padukshëm, por tashmë të njohur. Një armik i drejtuar kundër njerëzimit.
Kjo përgjegjësi, që po ngrenë mbi supet e tyre, kërkon domosdosmërisht bashkëpunimin e të gjithëve ne. Është moment për përgjegjësi individuale, shoqërore dhe kolektive.
Prandaj, bijtë e mi, kudo që të jeni, si atë, po ju nxis që t’i përgjigjeni me saktësi dhe durim të gjitha masave të vështira, por të domosdoshme, që kanë marrë autoritetet shëndetsore dhe shtetet. Gjithçka bëhet për mbrojtjen tonë, për të mirën e përbashkët, për kufizimin e përhapjes së virusit. Pra, çlirimi ynë nga vuajtja e tij, varet tërësisht nga bashkëpunimi ynë.
Ndoshta disa prej jush, me anë të këtyre masave drastike, keni ndier që besimi juaj nënvlerësohet ose cënohet.
Por ajo çka është në rrezik nuk është besimi, por besimtarët,
nuk është Krishti, por të Krishterët tanë,
nuk është Perëndinjeriu, por ne njerëzit.
Besimi ynë është thellësisht i themeluar në rrenjët e kulturës sonë. Besimi ynë është i gjallë dhe asnjë situatë e jashtëzakonshme nuk mund ta kufizojë. Ajo çka nevojitet të kufizohet janë mbledhjet, grumbullimet e mëdha të njerëzve, për shkak të situatës emergjente. Të qëndrojmë në shtëpi. Të mbrohemi dhe të mbrojmë të tjerët përreth. Atje, secila dhe secili të lutet për tërë njerëzimin, të mbështetur në fuqinë e unitetit shpirtëror.
Do ta përjetojmë këtë periudhë si udhëtim në shkretëtirë për të arritur me siguri në Tokën e Premtuar, atëherë kur shkenca, me hirin e Perëndisë, të fitojë betejën me virusin. Sepse jemi të sigurt se, me lutjet tona, do e fitojë. Kështu, pra, e mira është që të jemi të gjithë bashkë, këtu, të bashkuar shpirtërisht, duke vazhduar luftën e pendimit dhe shenjtërimit.
Shikojmë bashkënjerëzit tanë tek po vuajnë nga pasojat e virusit, të tjerë ranë dhe u larguan nga ne. Kisha jonë uron dhe lutet për shërimin e të sëmurëve, për prehjen e shpirtrave të viktimave, por edhe për forcimin e familjeve të atyre që u prekën.
Edhe kjo sprovë do të kalojë. Retë do të largohen dhe Dielli i Drejtësisë do ta eliminojë efektin vdekjeprurës të virusit. Por jeta jonë do të ketë ndryshuar. Dhe kjo sprovë është një mundësi që ajo të ndryshojë drejt së mirës. Drejt vendosjes së dashurisë dhe solidaritetit.
Bekimi i Zotit, bijtë e mi, me ndërmjetimet e Hyjlindëses së Përmbishenjtë, Ungjillëzueses, të jetë prezent në ecurinë tonë, të transformojë izolimin vullnetar në kungim të vërtetë, të bëhet lutje dhe destinacioni ynë, të bëhet esenca dhe kthimi ynë në çdo gjë të vërtetë, në atë që është e pëlqyeshme për Perëndinë!
Forca! Perëndia me ne!
Mesazh i Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik, Bartholomeut, drejtuar Kishës së tërë, për pandeminë e Koronavirusit.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










