05/08/2022 05/08/2022 Shpërfytyrimi (shndërrimi i fytyrës) i Krishtit është një nga ngjarjet kryesore të rregjistruara në Ungjijtë. Menjëherë porsa Zoti ishte njohur nga apostujt e Tij si “Krishti (Mesia), Biri i Perëndisë së Gjallë”, ai iu tregoi atyre se “ai duhej të shkonte në Jerusalem, të vuante shumë… se do të vritej dhe do të ngjallej të...
05 Αυγούστου, 2022 - 13:01

METAMORFOZA E SHPËTIMTARIT TONË JISU KRISHT

Διαδώστε:
METAMORFOZA E SHPËTIMTARIT TONË JISU KRISHT

Shpërfytyrimi (shndërrimi i fytyrës) i Krishtit është një nga ngjarjet kryesore të rregjistruara në Ungjijtë. Menjëherë porsa Zoti ishte njohur nga apostujt e Tij si “Krishti (Mesia), Biri i Perëndisë së Gjallë”, ai iu tregoi atyre se “ai duhej të shkonte në Jerusalem, të vuante shumë… se do të vritej dhe do të ngjallej të tretën ditë” (Mattheu 16). Njoftimi i afrimit të pësimit dhe vdekjes së Krishtit u prit me indinjatë nga nxënësit. Pastaj, mbasi i qortoi ata, Zoti mori Pietrin, Jakovin e Joanin dhe “u ngjit në një mal të lartë”, sipas traditës Mali Tabor dhe atje “u shpërfytyrua përpara tyre”.
…edhe faqja e tij ndriti posi dielli, edhe rrobat e tij u bënë të bardha posi drita. Dhe ja, iu shfaqën atyre Moisiu dhe Elia, të cilët bisedonin me të. Atëherë Pietri, duke marrë fjalën, i tha Jisuit: “Zot, është mirë që ne jemi këtu, nëse do, le të ngremë tri tenda: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian”. Ndërsa ai fliste akoma, ja një re plot dritë i mbuloi; dhe nga reja u dëgjua një zë që thoshte: “Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!”. Dhe nxënësit, sapo e dëgjuan këtë, ranë me fytyrë përdhe dhe i zuri një frikë e madhe. Por, Jisui u afrua, i preku dhe tha: “Ngrehuni dhe mos kini frikë!”. Dhe ata kur ngritën sytë përpjetë, nuk panë njeri, përveç Jisuit vetëm. Pastaj, kur po zbritnin nga mali; Jisui i porositi, duke iu thënë: “mos i thoni askujt për këtë vegim, derisa Biri i Njeriut të ngjallet nga të vdekurit.” (Mattheu 17:1-9; shih, gjithashtu Marku 9:1-9; Lluka 9:28-36; 2 Pietri 1:16-18).
Festa Judaike e Kasolleve (ose e të Vjelave) ishte një festë e banimit të Perëndisë me njerëzit dhe Shpërfytyrimi i Krishtit zbulon se si ndodh ky bashkëbanim me anë të Mesias, Birit të Perëndisë në mish njerëzor. Nuk ka dyshim se Shpërfytyrimi i Krishtit ndodhi gjatë kohës së Festës të Kasolleve dhe kremtimi i ngjarjes në Kishën e Krishterë, bëhet përmbushja në Dhiatën e Re e festës së Dhiatës së Vjetër, në një mënyrë të ngjashme me festat e Pashkëve dhe të Rushajeve.
Gjatë Metamorfozës, apostujt panë lavdinë e Perëndisë të pranishme në madhështi, në personin e Krishtit. Ata panë, që me të vërtetë në atë “tërë plotësia e Perëndisë pëlqeu të banojë” dhe që “në atë gjithë plotësia e hyjnisë banon trupërisht” (Kolosianët 1:19, 2:9). Ata e panë këtë para kryqëzimit, që të mund të njihnin se kush ishte ai që vuajti për ata dhe se çfarë ka përgatitur ai, i cili është Perëndi, për ata që e duan atë. Këtë kremton Kisha në festën e Shpërfytyrimit.
Kur u shpërfytyrove në mal, o Krisht Perëndi, lavdinë tënde i tregove nxënësve, në masën që ata mund ta mbanin. Le të ndriçojë mbi ne mëkatarët drita jote e përjetshme. Me ndërmjetimet e Hyjlindëses, O Jetëdhënës, lavdi më Ty (Përlëshorja).
Në mal u shpërfytyrove, o Krisht Perëndi dhe nxënësit panë lavdinë tënde, aq sa ata mund ta shikonin dhe kështu, kur do të shikonin në kryq, do e kuptonin që pësimi yt ishte i vullnetshëm dhe do të shpallnin në tërë botën, se Ti je me të vërtetë Shkëlqimi i Atit (Shkurtorja).
Përveç kuptimit themelor që ka kjo ngjarje, në kontekstin e jetës dhe misionit të Krishtit dhe të temës së lavdisë së Perëndisë, që u zbulua me tërë shkëlqimin hyjnor në faqen e Shpëtimtarit, prania e Moisiut dhe Elias ka gjithashtu, një rëndësi të madhe për kuptimin dhe kremtimin e festës. Shumë himne i referohen këtyre dy figurave udhëheqëse të Dhiatës së Vjetër. Gjithashtu, këndimet nga Dhiata e Vjetër në Mbrëmësoren flasin për shfaqjen e lavdisë së Perëndisë tek këta dy njerëz të shenjtë (Eksodi 24:12-18, 33:11-34; 1 Mbretërit 19:3-16).
Moisiu dhe Ilia, sipas vargjeve liturgjike, nuk janë vetëm figurat më të mëdha të Dhiatës së Vjetër, të cilët vijnë tani për të adhuruar Birin e Perëndisë në lavdi dhe nuk janë vetëm thjesht dy njerëz të shenjtë, të cilëve Perëndia iu ishte zbuluar në theofanitë parafigurative të Dhiatës së Vjetër të Izraelit. Këto dy figura qëndrojnë për vetë Dhiatën e Vjetër: Moisiu për Ligjin dhe Ilia për Profetët. Dhe Krishti është përmbushja e Ligjit dhe e Profetëve (Mattheu 5:17).
Ata të dy qëndrojnë, gjithashtu, për të gjallët dhe për të vdekurit, sepse Moisiu vdiq dhe vendi i varrimit të tij njihet, ndërsa Elia u rrëmbye i gjallë në qiell, për t’u shfaqur përsëri, për të lajmëruar kohën e shpëtimit të Perëndisë në Krishtin Mesia. Kështu, në shfaqjen e Jisuit në malin e Metamorfozës, Moisiu dhe Ilia tregojnë, që Mesia-Shpëtimtar është këtu dhe që ai është Biri i Perëndisë, për të cilin Ati vetë dëshmon, Zoti i gjithë krijimit, i Dhiatës së Vjetër dhe të Re, i të gjallëve dhe i të vdekurve. Shndërrimi i fytyrës i Krishtit është në vetvete përmbushja e të gjitha theofanive dhe shfaqjeve të Perëndisë, përmbushje e bërë e përsosur dhe e plotë në personin e Krishtit. Ai na zbulon destinacionin përfundimtar të të gjithë njerëzve dhe të të gjithë krijimit – që do transformohet dhe lavdërohet nëpërmjet shkëlqimit madhështor të vetë Perëndisë.
Nuk ka dyshim që festa e Metamorfozës së Shpëtimtarit i përkiste në fillim periudhës para Pashke të Kishës. Ndoshta kremtohej në një nga të Dielat e Kreshmës, sepse, përveç disa evidencave historike dhe faktit që sot Shën Grigor Pallamai, mësuesi i madh i Shpërfytyrimit të Krishtit, përkujtohet gjatë Kreshmës, ngjarja vetë është e lidhur me afrimin e vdekjes dhe Ngjalljes së Shpëtimtarit. …Sepse kur do të shikonin në kryq, do e kuptonin që pësimi yt ishte i vullnetshëm… (Shkurtorja).
Sot, kjo e kremte festohet në 6 gusht, ndoshta për disa arsye historike. Megjithatë, kremtimi veror i festës, të çon vetë në temën e Metamorfozës. Bekimi në këtë ditë i rrushit, si edhe i frutave dhe zarzavateve të tjera, është shenja me e bukur dhe më e përshtatshme e shndërrimit final të të gjitha gjërave në Krishtin. Ai tregon lulëzimin dhe frutshmërinë përfundimtare të të gjithë krijimit në parajsën e Mbretërisë së jetës pambarim të Perëndisë, ku gjithçka do të transformohet nga lavdia e Zotit.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων