NDERHYRJE PER SHPETIMIN E KISHAVE – MONUMENTE KULTRURE
Kisha e Shën Dhimitrit, Tërbuq – Gjirokastër
Fshati i madh Tërbuq ndodhet në zonën Odrie, në perëndim të Labovës së Madhe. Kisha qendrore e tij, kushtuar Shën Dhimitrit, zotëron një pozicion mjaft të mirë.
Gjatë periudhës së përndjekjeve ateiste, kisha u shndërrua në depo produktesh bujqësore, gjë që solli si pasojë edhe dëmtime të shumta në pjesën e brendshme dhe të jashtme të saj. Gjithashtu, kambanorja u rrëzua dhe kisha u zhvesh nga të gjitha dekorimet dhe orenditë e brendshme. Në fund të dhjetëvjeçarit 1980, çatia dhe tavani i kishës u shkrumbuan tërësisht nga zjarri, i cili dobësoi po ashtu edhe aftësinë mbajtëse të godinës në tërësi. Brenda oborrit të kishës gjendet edhe një godinë e vogël, e cila dikur shërbente si shkollë, por, në vijim, u shkatërrua plotësisht.
Punimet e kryera për rehabilitimin e kishës u përqendruan fillimisht në konsolidimin dhe përforcimin e muraturës prej guri dhe, atje ku ajo ishte krejtësisht e dëmtuar, u plotësua dhe u lidh perimetrikisht me brez BA. Në vijim, u plotësuan kolonat dhe harqet e hajatit të bukur në pjesën jugore të kishës, u vendos çatia e re, u kryen fugatime të jashtme të muraturës dhe suvatime të brendshme, u zëvendësuan dyshemetë dhe u realizua rrethimi i truallit. U ndërtua, po ashtu, kambanorja e re mbi harkun qendror të hajatit dhe u krye rikonstruksioni i Hijerores. Të gjitha punimet e mësipërme u realizuan nga punëtorë dhe mjeshtër vendas.
Ndërhyrja për shpëtimin e kishës u realizua me nismën, kujdesin dhe mbledhjen e fondeve financiare nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastasi.

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










