29/12/2020 29/12/2020 dt.28 dhjetor 2020 – Presidenti z. Ilir Meta dekoroi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Atë Aleksandër Lipen – i arrestuar, i burgosur dhe i pushkatuar padrejtësisht nga regjimi diktatorial komunist i kohës Shkurt-Korrik 1946. Shkëlqesia e tij, Presidenti Ilir Meta, e vlerësoi Atë Aleksander Lipen si intelektualin e shquar dhe me ndikim të...
29 Δεκεμβρίου, 2020 - 20:26
Τελευταία ενημέρωση: 29/12/2020 - 20:39

Nderim për Atë Aleksandër Lipe, priftin e martirizuar nga sistemi komunist

Διαδώστε:
Nderim për Atë Aleksandër Lipe, priftin e martirizuar nga sistemi komunist

dt.28 dhjetor 2020 – Presidenti z. Ilir Meta dekoroi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Atë Aleksandër Lipen – i arrestuar, i burgosur dhe i pushkatuar padrejtësisht nga regjimi diktatorial komunist i kohës Shkurt-Korrik 1946.

Shkëlqesia e tij, Presidenti Ilir Meta, e vlerësoi Atë Aleksander Lipen si intelektualin e shquar dhe me ndikim të madh, themeluesin e një prej shkollave të para në gjuhën shqipe në zonën e Përmetit, që u ekzekutua në kalanë e Gjirokastrës.

Gjithashtu Presidenti dekoroi edhe një intelektual tjetër përmetar, Agathokli Xhitomi, duke e vlerësuar si intelektual mes dhjetëra intelektualëve e përfaqësuesve të familjeve më të shquara të Përmetit, demokrat e intelektual properëndimor, deputet i Parlamentit në vitet 1920-1924, dhe që u dënua me pushkatim, së bashku me të ashtuquajturin “Grupi i Deputetëve”.

Ndër të tjera Presidenti përmendi: “Për guximin dhe kurajën e jashtëzakonshëm, për vizionin për t’iu kundërvënë diktaturës dhe për sakrifikimin e jetës për demokracinë dhe lirinë e Shqipërisë, pata sot privilegjin t’i vlerësoj këto dy personalitete kombëtare me Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’.

Përulem me nderim, para shembullit të jashtëzakonshëm të guximit qytetar, largpamësisë dhe dëshirës për demokraci, që populli i Përmetit dha me votimin kundër regjimit komunist, që në 2 dhjetor 1945. Ky mesazhi i fuqishëm demokratik, qytetar dhe kurajoz, në zgjedhjet e 75 viteve më parë, kundër vendosjes së diktaturës, është i gjallë dhe i vlefshëm sot dhe për të ardhmen!”

Merrnin pjesë pasardhës të familjeve të tyre si edhe miq të tyre, të cilët falënderuan Presidentin për vlerësimin e të dy martirëve të lirisë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!

—————

Disa fjalë për Atë Aleksandër Lipe, nga nipi i tij Rrok Hil Marku dhe miq të tij Lekë Tasi & Irakli Thanasi:
Atë Aleksandër Lipe lindi në janar 1895. Gëzonte një respekt të veçantë në qytetin e Përmetit dhe më gjerë, të cilit i thoshin zakonisht “prifti i Rrëzës“, “prifti i Leusës” ose “i Kaludhit”, sepse ai kishte si detyrë të parë Shën Mërinë e Leusës, ku meshonte zakonisht, por falë përgatitjes shumë më të ngritur nga ana teologjike dhe si më i ri, kishte detyrë mbikëqyrjen e kishave të të gjithë krahinës, katekizmin etj. Kurrikuli i tij ishte i plotë, me studime në Vellá, shkollë prestigjioze afër Janinës, dhe pastaj Seminarin në Selanik. Dinte edhe gjuhë të huaja.

Kryesisht ishte personaliteti i tij, serioziteti dhe kultura, si dhe fakti që posa ishte kthyer nga internimi i përkohshëm nga Italia, që ia siguronin këtë konsideratë. Shkurt, ai dinte të kundërshtonte të padrejtën (konkretisht pushtimin italian) dhe të pavërtetën, gjë që përbën vetinë e parë të qytetarit, veti që përfshin edhe rrezikun kur i qëndron me konsekuencë.

Arrestimi më i bujshëm erdhi në shkurt 1946, me 8 persona, ku bënte pjesë dhe Atë Aleksandër Lipe. Gjyqi u bë në Gjirokastër katër muaj më pas, në qershor. Zgjati njëzet ditë, torturat nuk dihen, por akuzat u hodhën poshtë nga të gjithë të pandehurit, se ishin tërësisht të paprovuara, të pavërteta, megjithatë gjyqtarët nuk patën nevojë për prova as për të dëgjuar avokatë dhe karakteristike për atë proces qé përmbysja e pritshmërisë që kishin njerëzit edhe nën komunizëm…

Më 13 qershor 1946 me vendim të Gjykatës Ushtarake e dënuan me vdekje me pushkatim: “Sabotator i Luftës Nacional-Çlirimtare, për veprimtari spiunazhi kundër interesave të atdheut, për veprime sabotazhi kundër Pushtetit tonë Demokratik dhe propagandë kundra integritetit tokësor të Shqipërisë”.

Në shpalljen e vendimit u deklarua: “Në kundërshtim me ato që kërkoi prokurori, dënimet do të rëndohen. Në fakt, i kishte ardhur porosia direkt nga Enveri: “Prifti të pushkatohet, të tjerëve nga 20 vjet”.”

Ekzekutimi i Atë Aleksandër Lipes u bë në 4 korrik 1946, nuk dihet ende në ç`rrethana dhe natyrisht as varri…

Më pas, “prifti i Rrëzës” apo “prifti i Përmetit“ u shndërrua në simbol të së keqes nga propaganda komuniste dhe po kështu edhe nipat e mbesat, familjarët e pasardhësit e tij. Të gjithë u persekutuan në mënyra të ndryshme dhe të vazhdueshme.

Në vitin 2009 iu dha titulli “Nderi i Krahinës” dhe shkollës së fshatit iu vu emri i tij.

Një shkrim të mendimit dhe përballjes së tij me sistemin të saposhfaqur komunist mund të lexoni në shkrimin e mëposhtëm të z. Lekë Tasi & Irakli Thanasi:

panorama.com.al

Përgatiti: Thoma Shkira, teolog, pjesëmarrës në ceremoni.

 

 

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων