26/02/2020 26/02/2020 Përmes jetës dhe veprës së Konstandin Kristoforidhit (1827 – 1895) Konstandin Nelko u lind në Elbasan më 1827. Arsimin fillor e mbaroi në shkollën greqishte të lagjes “Kala” dhe në vitet 1847-1850 atë të mesëm në gjimnazin “Zosimea” në Janinë. Në kohën kur ende studionte në shkollën “Zosimea”, Konstandini u thirr si mësues ndihmës, dhe...
26 Φεβρουαρίου, 2020 - 12:46

Në 125 vjetorin e fjetjes në Zotin (24.2. 1895) të personalitetit madhështor orthodhoks dhe të cilësuar “Babai i gjuhës shqipe”

Διαδώστε:
Në 125 vjetorin e fjetjes në Zotin (24.2. 1895) të personalitetit madhështor orthodhoks dhe të cilësuar “Babai i gjuhës shqipe”

Përmes jetës dhe veprës së Konstandin Kristoforidhit (1827 – 1895)
Konstandin Nelko u lind në Elbasan më 1827. Arsimin fillor e mbaroi në shkollën greqishte të lagjes “Kala” dhe në vitet 1847-1850 atë të mesëm në gjimnazin “Zosimea” në Janinë. Në kohën kur ende studionte në shkollën “Zosimea”, Konstandini u thirr si mësues ndihmës, dhe i mësoi shqipen nënkonsullit të Janinës, G. Hanit, dhe e ndihmoi për të hartuar një fjalor shqip-gjermanisht. Hani kishte dy libra për të mësuar shqipen. Njëri prej tyre ishte Dhiata e Re e Vangjel Meksit dhe Grigor Argjirokastritit, të cilën Kristoforidhi e përdori për t’i mësuar Hanit gjuhën shqipe. E njohu shumë mirë, aq sa, për veprën e tij, u mbështet në këtë përkthim. Këto dëshmojnë se njohja e Konstandinit me Dhiatën e Re, njohuritë e tij filologjike dhe zelli i tij për të përkthyer Shkrimet e Shenjta në gjuhën shqipe i ka fillesat të paktën që nga mosha 20-vjeçare.
Gjithashtu, Konstandin Kristoforidhi, në Maltë, më 15 mars 1860, në “Shënime mbi Shqipërinë. Gjuha dhe Përkthimi i Shkrimeve të Shenjta”, shkruan: “Për të fituar përvojë në shkrimin e gjuhës sime amëtare, unë kam shpenzuar shumë vite të jetës, duke e studiuar teorikisht dhe nga ana gramatikore, duke shqyrtuar prejardhjen e çdo fjale së bashku me z. Georg Hahn, tashti konsull austriak në Syra. Z. Georg Hahn ka qenë i pari, që i kushtoi vëmendje gjuhës shqipe, duke qënë në atë kohë nënkonsull austriak në Janinë (sot konsull i përgjithshëm), ai shfrytëzoi rastin për ta studiuar dhe ka hartuar një fjalor shqipe gjermanisht në këto dy dialekte toskërisht e gegërisht, e gjithashtu ka bërë një gramatikë shqipe të dy dialekteve, si dhe punime të tjera interesante për këtë gjuhë, që u botuan në Vjenë më 1850. Në kohën që ai merrej me këtë punë, unë kam qenë ndihmësi i tij si mësues i gjuhës shqipe. Por përpjekjet etij qenë të padobishme për vendin tim, pasi shkrimet e tij qenë gjermanisht e kështu edhe mundi im shkoi kot”.


Këtu nuk po flasim për trashëgiminë dhe terrenin fetar dhe kulturor të njohur të bashkësisë orthodhokse të popullit të Elbasanit dhe të familjes së tij me trashëgimi orthodhokse, por po pohojmë atë që shkruan Rexhep Qosja, i cili thotë se Hani me librin e tij për të mësuar shqipen, Dhiatën e Re në shqip dhe udhëtimet e bëra të dy së bashku për të mbledhur material filologjik për fjalorin e tij, i ndezi shkëndijën gjeniut Kristoforidh për t’u marrë me përkthimin e këtij Libri të shenjtë për të gjithë jetën.
Arsyeja e ndërrimit të mbiemrit të Konstandinit nga Nelko në Kristoforidhi.
Në vitin 1854, Konstandini dëshiroi të ndërronte mbiemrin e tij nga Nelko në Kristoforidhi. Të gjithë autorët dhe studiuesit, kur i referohen ndërrimit dhe mbiemrit të ri Kristoforidhi, e lidhin këtë me punën përkthyese biblike ose me mbarë veprën e tij filologjike, që nga momenti i vitit 1857, vit kur nisi të bashkëpunonte për përkthimin e Shkrimit të Shenjtë në gjuhën shqipe me Shoqërinë Biblike dhe deri në vitin 1895, vitin e vdekjes së tij.
Arsyeja e përhapur mes popullit të Elbasanit, për ndërrimin e mbiemrit nga Kristoforidhi dhe njëkohësisht të nocionit etimologjik dhe teologjik, është se mbiemri i ri Kristoforidhi, që fjalë për fjalë nga greqishtja do të thotë: ai që sjell Krishtin – Krishtbartës ose Krishtsjellës, se me mish e me shpirt ai i ishte përkushtuar përkthimit në shqip të Biblës. Autori Tomor Osmani, pa iu referuar fare këtij ndërrimi të mbiemrit, shkruan: “Një punë të veçantë K. Kristoforidhi ka kryer për zgjidhjen e problemit të alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe, që nis në vitet ‘50 të shekullit XIX, kur ai ende nuk ishte i lidhur me Shoqërinë Biblike të Londrës”.
Ky pohim vërtetohet edhe nga një fakt i mëvonshëm i vitit 1860, një vit pasi Kristoforidhi nisi bashkëpunimin me Shoqërinë Biblike. Ai i dha dorën e fundit përkthimit të tij që kishte ndërmarrë, për të cilin themi se natyrisht e kishte bërë para kësaj sipërmarrjeje me shoqërinë, sepse, ashtu siç dihet, përfaqësuesi i Shoqërisë Biblike, Isak Laudzi, i kërkoi Kristoforidhit, mbi Ungjillin e dorëzuar për botim, që të ndërronte alfabetin latin që kishte përdorur, me atë grek, për arsye se shqiptarët, që të kuptonin me germa latine, duhet t’i mësonin nga fillimi ato germa të huaja për ta, ndërsa germat greke i kishin mësuar në shkollat greke dhe i lexonin më mirë. Kristoforidhi pranoi këtë propozim dhe ashtu u bë. Meqë Laudzi i ndryshoi alfabetin ose, përgjatë afateve, nuk i kishte caktuar Kristoforidhit se cilido të ishte alfabeti i përdorur për përkthim, atëherë ka gjasa që Kristoforidhi t’i ketë çuar përkthimin që kishte bërë para fillimit të bashkëpunimit me Shoqërinë Biblike Britanike, pasi i kaloi edhe një korrektim të fundit.
Pra, që nga viti 1850, Kristoforidhi kishte mësuar dhe ndihmuar Hanin deri në vitin 1854 dhe njëkohësisht e deri në vitin 1854 patjetër ishte marrë me përkthimin e Shkrimit të Shenjtë. Edhe pse asnjë libër i përkthyer nuk kishte parë dritën e botimit, përsëri puna e tij kishte dhënë aq rezultat, sa Konstandini vetë të kishte arsye të ndërrimit të mbiemrit të tij nga Nelko në Kristoforidhi.
Në vitin 1853, Konstandin Kristoforidhi bëhet mësues në shkollën greqishte të Shën Prokopit të lagjes orthodhokse të Tiranës. Ndërsa ndërmjet viteve 1850-1857 studion për filologji në Athinë. Punon në Smirnë (Izmir), më 1856-1857 dhe, më pas, për herë të parë, më 1857, kalon në Bebek afër Stambollit dhe fillon bashkëpunimin me Shoqërinë Biblike dhe, në korrik të të njëjtit vit, shkon në Maltë për kualifikim në filologji dhe teologji për të ndjekur Kolegjin Protestant nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të degës së Shoqërisë Biblike, duke pranuar njëkohësisht përkthimin e Dhiatës së Re në gjuhën shqipe. Studion për dy vjet dhe ndërpret studimet për të gjetur punë.
Më 1860, largohet për në Tuniz, ku e gjejmë drejtor dhe kryemësues të greqishtes në një shkollë greke, deri më vitin 1865. Në Tuniz martohet me Eleni Panajotin, një greke me origjinë nga Korfuzi, me të cilën patën 9 fëmijë. Pasi komunikon me përfaqësuesin e Shoqërisë Biblike, rinis bashkëpunimin me Shoqërinë Biblike, ku, i vendosur më 1866 në Stamboll, merret me botimin dhe korrektimin e librave të Shkrimit të Shenjtë. Më1867, bën përpjekjen me shqiptarët e Stambollit për krijimin e alfabetit të përbashkët të shqipes dhe një herë tjetër të dytë, por nuk u arrit rezultat; deri më 1872, boton për herë të dytë abetaren toskërisht.


“Më 1872, Konstandin Kristoforidhi, për herë të parë, predikon në gjuhën amtare në Kishën e Shën Mërisë, gjatë një ceremonie fetare”. Këtë fakt, të marrë nga Arkivi Qendror Shtetëror, e shkruan Hyqmet Kotherja në librin e tij “Pavarësia e Elbasanit”, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së vendit. Gjithashtu, siç rrëfen Aleksandër Xhuvani, kur vetë ishte në klasën e tretë shkonte dhe e pyeste për fjalë në shqip Kristoforidhin “të cilin e quejshim babaji shqipes”.
Ai shkruan: “Më gjimojnë edhe veshët nga fjalët e tij të qarta, kur predikonte ungjillin në kishë a kur, ndodhaz, nëpër tryezat e burravet prej musulmanësh e kristianësh fliste përmbi shqipen e përmbi Shqipënin, i nderue e i dashun prej të gjithëve. E mbaj mend që vinte shpeshherë në kishë, hypte edhe në amvonët dhe predikonte ungjillin shqip (se ndër orthodhoksët asht e lejueshme me predikue e me mbajtë ligjirata mbrenda në kishë edhe shekullarë, por njerëz të diçëm e të virtytshëm), dhe njerëzia e ndigjojshin me gojë hapët. Kur vdiste në lagje ndonjë njeri i përmendun, vijshin Kristoforidhin me mbajtë shqip ligjëratën e vorrimit, dhe ka disa copa prej këtyne ligjëratave… Por Kristoforidhi ka lanë vrragë e gjurmë të thellë në Elbasan në punë të gjuhës shqipe… Librat e tij, sepse ishin fetare, nuk kishin ndalim dhe këndoheshin prej shumëkujt. Deri gratë patën mësue atëherë shqipen me alfabetin e Kristoforidhit. Prej Kristoforidhit u fut shqipja në kishën orthodhokse të lagjes së Kalasë, dhe disa këndime të kishës thoheshin shqip, e përkthimet e Kristoforidhit të disa prej këtyne këndimeve gjinden edhe sot”.
Në vitin 1872, Kristoforidhi u bë për herë të dytë mësues i fesë në kishën greke të Shën Prokopit në Tiranë. Dëshmitë e nxënësve të tij dhe të memories së paraardhësve të tyre ndër vite e cilësuan jo thjesht një mësues të mirë, por edhe një besimtar të devotshëm. Për këtë, ish-mësuesi veteran Jorgji Pano, në librin “Alfabeti i Gjuhës Shqipe dhe Kongresi i Manastirit”, shkruan për mësimin fshehurazi të gjuhës shqipe te nxënësit e shkollës greke të Tiranës nga mësuesi i saj Konstandin Kristoforidhi: “…Kështu (nga Kristoforidhi) kanë mësuar të shkruajnë shqipen me alfabetin e Stambollit babai im Anastasi, Fan Koja, Simon Dimaroçi, Pashko Cama etj. Gjuhën shqipe e kemi përdorur edhe në shërbimet e meshës në kishën e Shën Prokopit dhe në atë të Shën Evangjelizmojt dhe si tekste përdornin përkthimet e bëra prej Kostandin Kristoforidhit”.
Për veprën e Konstandin Kristoforidhit

Vetëm nëpërmjet Shkrimit të Shenjtë në gjuhën shqipe, do të çelte sytë e popullit nga gjumi letargjik shekullor. Prandaj vijoi punën e përkthimit të Dhiatave në shqip, të përfaqësuesit të Patriarkanës me Shoqërinë Biblike, Grigor Argjirokastritit. Përkthimet biblike të Kristoforidhit patën jehonë të gjerë te të gjithë shqiptarët, pa dallim feje dhe krahine. Të gjitha veprat e tij mbështeteshin tërësisht në Bibël ose në libra fetarë me motive fetare dhe biblike.
Puna e tij vijoi në vazhdën e traditës fetare dhe kulturore të Elbasanit dhe të Manastirit të Shijonit, që, pas shekullit XV, u bë selia e Mitropolisë së Durrësit, aty ku është e njohur tradita e dorëshkrimeve të përkthyera në gjuhën shqipe dhe e ruajtjes së tyre, siç është Anonimi i Elbasanit, që, nga të shpëtuarit, është përkthimi më i vjetër i Biblës në gjuhën shqipe, i cili patjetër është i lidhur me traditën paraturke të shqipes biblike.
Disa forma të sjelljes së ndonjë prej përfaqësuesve të Shoqërisë Biblike, të ndonjë prej rilindasve nga të cilët kishin pushtet në Perandorinë Otomane dhe të njerëzve prej tij të konsideruar të besuar, të cilat shpeshherë e bënë të dyshonte dhe të rrinte me kokën mënjanë ndaj personave që merreshin me çështje të përbashkëta për të mirën e kombit shqiptar. Këto kuptohen te pakënaqësitë e shprehura të Konstandin Kristoforidhit. Vetë letra e tij dërguar Nikolla Naços, tregon padrejtësitë dhe pakënaqësitë. Kjo ishte përndjekja që i bënë atij në të gjallë e që vijoi dhe në periudhën e komunizmit aq sa, deri më sot, nuk ka një vepër shteruese për Babanë e gjuhës së Kombit dhe pararendësin e Autoqefalisë së Kishës sonë.

Përndjekja e figurës dhe veprës së Kristoforidhit
Në periudhën e komunizmit, në vitin 1948, Enver Hoxha përmendi në Kongresin e Parë të Partisë Komuniste se feja është mjeti i fashizmit dhe i klerit dhe mori masat e caktuara për heqjen e mësimit të fesë në shkolla që me reformën arsimore të vitit ‘46-’47. Ndërsa në vitin 1969, përsëri i njëjti diktator, në librin “Mbi revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës sonë”, shkruan se në frymën e letërsisë së mëparshme fetare, si: përkthime Ungjijsh, katekizma, libra liturgjikë dhe vepra të tjera me motive biblike, Konstandin Kristoforidhi, në nivelin arsimor të mesëm dhe të lartë, thjesht të përmendet dhe jo të analizohet. Kjo rëndoi mbi studimet për figurën e Kristoforidhit, sepse për të u mjaftuan disa artikuj të rrallë dhe, në shumicën e librave që i referoheshin periudhës së rilindjes kombëtare, ndaj Kristoforidhit nuk kushtohej kapitull më vete, por përmendej shumë rrallë ose vendosej brenda anonimëve, ku, pasi përmendeshin me emër disa figura, atij ndoshta si anonim i lihej vendi të gjendej në … etj. Madje, disa studiues, të ndikuar nga kjo frymë, u përpoqën ta vishnin me petkun e afetarit.
Të njëjtën gjë pohon Tomor Plangarica kur, në vitin 2002, në konferencën që u mbajt nga Universiteti i Elbasanit për nder të Kristoforidhit, shkruan: “Në veprën e Kristoforidhit zë një hapësirë të konsiderueshme përkthimi i shkrimeve të shenjta. Mjedisi fetar në kohën e Kristoforidhit, por edhe më tej, nuk e kishte të lehtë komunikimin e vlerave gjuhësore e kulturore që përvijoheshin përmes atyre përkthimeve në gjuhën e shkencës. Për më tepër, më tej mjedisi shqiptar u shkëput dhunshëm nga interesimet fetare, për një kohë të gjatë, e për rrjedhojë, humbi edhe jehona dhe vlera e drejtpërdrejtë e kontributeve të Kristoforidhit në këtë fushë”.
Le të marrim si shembull atë që shkruan në vitin 1977 Dhimitër Shuteriqi në veprën “Autorë dhe Tekste”: “Kristoforidhi që përktheu ungjijtë, sado paradoksale të duket, nuk besonte në ungjijtë”. Kjo tendencë nuk mbeti vetëm në frymën e trajtimit të Kristoforidhit si afetar. Por, në të njëjtin artikull, Shuteriqi analizon edhe fakte të tjera të cilat trajtohen me tendencën e frymës antifetare të shtetit komunist, por këto fakte tregojnë më tepër sesa manipulimi tendencioz që u bëhet në tekst.
Pikërisht këto janë fakte që na ndihmojnë të sigurohemi për fetarinë e tij, edhe pse trajtohen në frymën e kundërt. Disa prej tyre përmenden në referencat më poshtë të përdorura edhe në autorë të tjerë, por, meqenëse përsëriten, nuk po i themi këtu të gjitha, siç është pohimi i fetarisë së Kristoforidhit nga vetë ai dhe amaneti që të varrosej në Manastirin Orthodhoks të Shijonit (“Shën Joan Vladimiri”), fakte që dëshmojnë katërcipërisht për fetarinë orthodhokse të tij. Gjithashtu, është po Dhimitër Shuteriqi që nxjerr nga Arkivi i Shtetit të dhënën e ndërrimit dhe kuptimit të mbiemrit Kristoforidh nga vetë Konstandini. Gjithashtu, është ai që shkruan edhe një tjetër të dhënë të çmuar për ne, se një muaj para se të vdiste Kristoforidhi, pasi ishte i sëmurë në shtrat nga ceroza, prifti orthodhoks e vizitonte çdo ditë në shtëpinë e tij dhe bisedonin për çështje të besimit së bashku dhe se ditën e fundit para se të vdiste, Kristoforidhi u rrëfye tek ai.

Çfarë i interesonte Kristoforidhit?
Babait të gjuhës i interesonte të sillte në shqip për popullin e tij Shkrimin e Shenjtë. Kur shkruan: “Ata që e duan shqipen janë nga dora e dytë”. Më 15 mars 1860, në veprën e tij “Shënime mbi Shqipërinë. Gjuha dhe Përkthimi i Shkrimeve të Shenjta”, ai thotë: “Këta njerëz (shqiptarë) të varfër shkojnë në kishat e tyre çdo të diel dhe çdo ditë të kremte me ndjenja fetare për të dëgjuar Liturgjinë dhe lutjet e përsëritura në greqisht, për ta gjuhë e panjohur. Shqiptarët kurrë nuk e kanë dëgjuar fjalën e Zotit të thënë në gjuhën e tyre, ata nuk i njohin fare Zbulesën hyjnore, profecitë e Perëndisë që i përmbajnë Shkrimet e Shenjta, ata nuk njohin parimet më të thjeshta të mësimeve të krishtërimit, nuk katekizmohen dhe vetëm sa e dëgjojnë emrin e krishterë, duke qenë të lindur nga prindër të krishterë”.
Për më tepër, mbi fetarinë e tij, themi se: Kristoforidhi, për të shkëputur shqiptarët nga sundimi osman, e përktheu Biblën që në rininë e tij të hershme deri në vitet e fundit të jetës së tij, ku përfshihen përkthimet e botuara të njohura po dhe mjaft libra të Dhiatës së Vjetër të pabotuara, të cilat dëshmojnë për besën, pasi, me të drejtë, studiuesi Engjëll Sedaj ka konstatuar se rastet e raporteve të përfaqësuesve të Shoqërisë Biblike kur e përmendin Kristoforidhin si protestant janë të paargumentuara dhe të pavërtetuara dhe, në nëntitullin e një artikulli të tij, të cilin e titullon “K. Kristoforidhi kurrë nuk konvertoi në protestanizëm”, të botuar në vitin 1997 në revistën “Hylli i Dritës”, shkruan: “Tomson e thotë troç (për Kristoforidhin) se: “nuk u kthye në fenë tonë”. – dhe vazhdon citimi i artikullit – Besimi i Kristoforidhit ishte besim i një shkencëtari, kurse krishtërimi i tij ishte ai i traditës shqiptare, që në fakt, është besimi më i qëndrueshëm dhe shumë i drejtë. Këtë punë e ka dëshmuar ai edhe nga fjalët kur në një pyetje të Tomsonit, (a beson në Perëndi? Kristoforidhi thotë, se “a do të ndodhte që një njeri i cili nuk beson, t’i kushtonte kaq mund Biblës? Dhe si mund t’i tregoja unë në mënyrë më bindëse ndjenjat e mia për vlerën dhe nevojën e Biblës për popullin tim?”.
Gjithashtu, në fjalimin e përmbivarrshëm, foli nxënësi i tij Dhimitër Pina ose Tushi i Pinës dhe tha: “Qani, o ju male të Shqipërisë, babanë e shqipes”. “Elbasani ra në zi të rëndë atë ditë, si gjithë Shqipëria kur e mori vesh. Autoritetet Osmane, që s’patën si të mos vinin në varrim, – Kristoforidhi ishte atëherë “gjyqtar i paqit”, – nxinë kur dëgjuan evokimin e mësuesit të ri patriot. Ata s’kishin mundur gjithashtu të ndalojnë edhe procesionin me trupin e të vdekurit të madh nëpër udhët e qytetit. Një tjetër dhëmbkë i mundonte elbasanasit atë ditë për Kostandinin e tyre të dashur: se për shkak të shiut, nuk e varrosën dot në Sh. Jon, si e kishte lënë porosinë ai, “te mulliri nën bahçe”. … Elbasanasit deshën t´ia shpien Kristoforidhit eshtrat në Sh. Jon, por nuk e bënë dot. Ky do të kishte qënë, pa fjalë, një manifestim patriotik të cilin sundimtarët turq e druanin”.
Megjithëse u varros mes dy dhespotëve në Shën Marinë e Kalasë, ky amanet, që ta varrosnin në Manastirin e Shijonit, përcakton përfundimisht besimin e tij të krishterë orthodhoks.

Mbyllje
Vepra e tij e tregon Konstandin Kristoforidhin jo thjesht dhe vetëm gjuhëtarin më të madh të Rilindjes sonë Kombëtare, me 26 vepra monumentale, por Kreun dhe projektuesin e kësaj lëvizjeje. Ai përktheu të plotë Dhiatën e Re në të dy dialektet e shqipes, jo pak nga librat e Dhiatës së Vjetër (nga ato që u botuan dhe që nuk u botuan), dhe libra të tjerë shkollorë katekizmi etj., sepse kuptoi se pavarësia nga sundimi otoman dhe ndikimi tij te populli shqiptar nuk mund të kryheshin ndryshe, veçse duke përforcuar traditat fetare të një populli që sipërfaqësisht në masë ishte islamizuar dhunshëm.
I së njëjtës frekuencë është edhe mendimi i Kryepiskopit Anastas, i cili shkruan se një nga arsyet e thellimit të islamizimit te ne është mospasja e gjerë në popull e një tradite të shkruar biblike dhe kishtare. Kristoforidhi, me penën e tij, restauroi përçarjen ndër shqiptarët dhe, për të shpëtuar kombin, përktheu Biblën përgjatë gjithë jetës së tij, sepse dëshiroi t’u jepte shqiptarëve atë liri shpirtërore dhe unitet të cilin e kishin arritur arbërorët me Gjergj Kastriotin.
Kjo vepër e tregon atë Kalorësin e dytë të Krishterimit të traditës arbërore, babanë e gjuhës shqipe dhe përbashkuesin e Kombit. Dhiata e Re dhe librat e përkthyera, të cilat patën një jehonë të gjerë te të gjithë shqiptarët pa dallim feje, u bë certifikata e çlirimi shpirtëror të shqiptarëve, akti i shpalljes së pavarësisë së tyre drejt Evropës kristiane dhe testamenti i autoqefalisë së Kishës sonë.
orthodoxalbania.net

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων