Në 20-vjetorin e themelimit Konvikti i vajzave “E Tërëshenjta Mari – Trëndafili që nuk vyshket”
20 vjet më parë, Kryepiskopi Anastas ndërmori nismën e bekuar të themelimit dhe funksionimit të Konviktit për vajza, në Bularat të Dropullit, Mitropolia e Gjirokastrës. Ai shërbente për të përballuar sfidën e largimit të popullsive nga zonat rurale dhe sidomos për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë dhe të rejave që nuk kishin akses në shkolla të arsimit të mesëm (për shkak të distancave dhe mungesës së infrastrukturës).
Pa 20 vjetësh, mund të konstatohet me kënaqësi se objektivat e vendosura nga Kryepiskopi, si themelues dhe mbështetës i pakursyer i kësaj qendre të veprimtarisë shpirtërore dhe shoqërore të Kishës sonë, janë përmbushur dhe vazhdojnë të zbatohen me përpikmëri. Fortlumturia e Tij, sikundër me plot nisma të tilla origjinale dhe të përparuara për kushtet e Kishës dhe shoqërisë sonë, nuk është mjaftuar vetëm me bekimin e momentit për konviktin. Ai i ka ndenjur afër dhe është përpjekur me urtësinë që e dallon dhe sidomos artin e punës me të rinj, t’i japë vizionin dhe të japë rrugët për realizimin në praktikë. Bashkëpunëtorët në hierapostullim që ka zgjedhur dhe, në veçanti, Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësi Dhimitri, kanë qenë faktori tjetër i suksesit. Ata kanë zbatuar çdo ditë me përkushtim ato që janë planifikuar për të sotmen dhe perspektivën.
E veçanta e këtij konvikti është se nuk shërben vetëm si strehim. Përkundrazi, është thuajse një kolegj, ku të rejat që jetojnë atje kanë mundësinë e edukimit të vazhdueshëm dhe të të mësuarit më të thelluar. Ato marrin edhe mësime për besimin, mbi artin e muzikën kishtare etj. Gjithashtu, jeta e përbashkët, që përbën përvojë të vyer të tolerancës dhe solidaritetit, mësimi i gjuhëve të huaja, të kompjuterëve, të mirësjelljes dhe artit shtëpiak, jeta e pasur shpirtërore, janë në fakt një shkollë e dytë, përtej programit të detyruar të shkollës publike.
Në këto vite, 250 të reja kanë përfunduar shkollën e mesme falë mundësisë që u krijoi ky konvikt dhe momentalisht janë mbi 30 ato që qëndrojnë aktualisht, deri në përmbylljen e maturës. Shumica e tyre kanë vazhduar më pas studimet e larta dhe janë diplomuar. Një pjesë madje shërbejnë në sektorët e arsimit dhe social që ka ngritur Kisha jonë. Ato janë pjesëtare të denja të shoqërisë dhe Kishës dhe kjo falë themelit të shëndoshë të karakterit të tyre, që u mbrujt në këtë qendër dedikuar së Tërëshenjtës Mari, si Trëndafil që nuk Vyshket.
Funksionimi i pandërprerë për dy dekada i konviktit falë mbështetjes bujare nga Kryepiskopi Anastas, edhe në periudha vështirësish financiare e ekonomike, ndikon edhe në mjedisin shoqëror. Të rejat – banore të tij – ndajnë dhuratat e dashurisë që marrin në kolegjin e tyre me besimtarët e fshatrave përrreth, por edhe në gjithë Mitropolinë e Gjirokastrës. Mbështesin sipas mundësive kryerjen e shërbesave në fshatra me pak besimtarë, ndihmojnë me korin e tyre në Liturgjitë Hyjnore, marrin pjesë si ndihmëse në shkollat e katekizmit dhe në kampingjet që organizohen nga Kisha.
Bashkë me falënderimet më të përzemërta për Kryepiskopin Anastas, të të rejave, që patën mundësinë e bekuar të kalojnë një pjesë aq të ndjeshme të jetës së tyre tek “E Tërëshenjta – Trëndafil që nuk Vyshket” dhe të familjeve të tyre, vjen edhe urimi që kjo vepër e suksesshme e Kishës sonë, që ka dhënë kontribut në shoqëri e arsim, të vazhdojë me përvjetorë të tjerë!
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










