25/07/2025 25/07/2025 Më 25 janar 2025, u nda nga kjo jetë Kryepiskopi Anastas, figura themelore e ringjalljes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Sot, gjashtë muaj pas jetëndërrimit të tij, kujtojmë me dashuri, respekt, mirënjohje dhe dhimbje një udhëheqës shpirtëror që la gjurmë të pashlyeshme në jetën fetare, kulturore dhe kombëtare të vendit tonë. Që nga ardhja...
25 Ιουλίου, 2025 - 18:36

Në përkujtim të Kryepiskopit Anastas – 6 muaj pas ndarjes së tij nga kjo jetë

Διαδώστε:
Në përkujtim të Kryepiskopit Anastas – 6 muaj pas ndarjes së tij nga kjo jetë

Më 25 janar 2025, u nda nga kjo jetë Kryepiskopi Anastas, figura themelore e ringjalljes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Sot, gjashtë muaj pas jetëndërrimit të tij, kujtojmë me dashuri, respekt, mirënjohje dhe dhimbje një udhëheqës shpirtëror që la gjurmë të pashlyeshme në jetën fetare, kulturore dhe kombëtare të vendit tonë.

Që nga ardhja e tij në Shqipëri në fillim të viteve ’91, në një kohë të errët për besimin dhe institucionet fetare, Kryepiskopi Anastas u shndërrua në një figurë uniteti, rilindjeje dhe paqeje. Ai udhëhoqi me urtësi rindërtimin e Kishës Orthodhokse, duke ndërtuar katedrale dhe kisha në çdo qytet dhe fshat ku banojnë orthodhoksë, duke kthyer në jetë dhjetëra kisha dhe manastire të rrënuara, duke formuar breza të rinj klerikësh dhe duke rritur ndjeshëm rolin e kishës në shoqërinë shqiptare.
Nën udhëheqjen e tij, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë jo vetëm që rifitoi dinjitetin dhe autonominë e saj, por u shndërrua në një faktor të rëndësishëm në ndërtimin e harmonisë ndërfetare në Shqipëri. Fjalët dhe veprat e tij ishin gjithnjë të mbushura me dashuri për Perëndinë, dashurinë për të afërmin, për solidaritetin njerëzor dhe për paqe.

Personaliteti i tij tejkalonte kufijtë e fesë. Si hierark, teolog, misionar dhe mendimtar i njohur ndërkombëtarisht, Kryepiskopi Anastas ishte një zë i rëndësishëm në botën orthodhokse dhe në dialogun ndërfetar, duke përfaqësuar me dinjitet Shqipërinë në forumet më të larta ndërkombëtare.
Sot, teksa përkujtojmë 6-mujorin e jetëndërrimit të tij, jemi të vetëdijshëm se trashëgimia e tij jeton në zemrat e mijëra besimtarëve, në kishat që ngriti nga gërmadhat, në fjalët që predikoi dhe në shembullin që la pas.

Me rastin e këtij përkujtimi, në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u kryen Shërbesat e Mëngjesores, Meshës Hyjnore dhe Përshpirtjes nën kryesimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Imzot Joanit në bashkëmeshim me Anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë si edhe klerikë nga Kryepiskopata dhe Mitropolitë e vendit.

Në fjalën e rastit, Kryepiskopi Joan ndër të tjera theksoi: “Në kishë kujtimi ka një kuptim shumë të thellë. Kujtimi përpara Perëndisë do të thotë që ai person është falur dhe është në praninë e Perëndisë; kujtomë o Zot në Mbretërinë tënde i thotë kusari para se të ndërronte jetë në kryq bashkë me Zotin. Kujtimi për ne është shenja e faljes tonë dhe shenja e shpëtimit tonë.

I kujtojmë të gjithë njerëzit sepse i duam, edhe familjarët i kujtojmë se i duam, por në Kishë kujtohen të gjithë, familjarët e të gjithë të tjerët sa janë dhe kujtimi na sjell ne në kungim me ata dhe na largon dëshpërimin. Padyshim ne dëshpërohemi kur një njeri i dashur largohet nga ne por siç na porosit Shën Pavli; ne nuk dëshpërohemi si ata që nuk kanë shpresë, sepse besimi i krishterë beson që Krishti e mundi vdekjen dhe te Zoti nuk ka të vdekur.
Më e rëndësishmja është që kujtimi na tregon ne dimensionin e përjetësisë. Nëse ne nuk do të kemi në zemrat tona dimensionin e përjetësisë, nuk mund të kemi paqe e nuk mund të kemi siguri.

Jeta është e shkurtër, një ditë të gjithë ne do largohemi por te Zoti do jetojmë gjithmonë dhe vargjet që dëgjuam nga psaltët, ‘lum ata që zgjodhe dhe i more’ një nga këta është edhe Kryepiskopi ynë për të cilin realisht duhet të falenderojmë Perëndinë që u zgjodh dhe u mor dhe ne besojnë se ai qëndron pranë Perëndisë në tendat e të drejtëve dhe lutet vazhdimisht për ne.

Në këtë ditë, doja që ju të luteshit të gjithë për Kryepiskopin tonë të dashur duke besuar se ai është në tendat e të drejtëve e duke shpresuar se ai lutet vazhdimisht për ne”.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!


Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων