13/04/2021 13/04/2021 E martë, 13 prill 2021 – Shenjtori i ditës. JEMI NË KRESHMËN E MADHE TË PASHKËS Omologjet Martini i Romës. Dëshmorët Elefteri, Zoili, Theodhosi. Dëshmor Kindiliani. – Omologjet Martini i Romës – Kjo shtyllë e Orthodhoksisë jetoi nën mbretërimin e perandorit Konstanti II Pogonati (641-668). Kishin kaluar vetëm tre muaj nga ngritja në fronin pontifikal...
13 Απριλίου, 2021 - 14:36

Omologjet Martini i Romës

Διαδώστε:
Omologjet Martini i Romës

E martë, 13 prill 2021 – Shenjtori i ditës.
JEMI NË KRESHMËN E MADHE TË PASHKËS
Omologjet Martini i Romës. Dëshmorët Elefteri, Zoili, Theodhosi. Dëshmor Kindiliani.
– Omologjet Martini i Romës –

Kjo shtyllë e Orthodhoksisë jetoi nën mbretërimin e perandorit Konstanti II Pogonati (641-668). Kishin kaluar vetëm tre muaj nga ngritja në fronin pontifikal (649), kur në kishën e shën Joanit të Lateranos u mblodh një sinod ku morën pjesë njëqind episkopë, për të dënuar herezinë monotelite (shih 21 janar) dhe Typos-in e nxjerrë nga perandori, tek i cili ngatërrohej e vërteta me gabimin, për shkak të oportunitetit politik. Shën Martini, që kishte qenë më parë i dërguari i papës Theodhor në Konstandinopojë, ishte në dijeni të qëllimeve të perandorit dhe të teologëve të tij, të cilët, duke shpallur se Krishti kishte një vullnet, përpiqeshin të bashkoheshin në mënyrë tinëzarë me monofizitët e Lindjes.

Kur mori vesh vendimet e sinodit, perandori dërgoi në Itali ekzarkun Kaliopa, me misionin për të arrestuar papën. Kur ai mbërriti në Romë shkoi te papa dhe e mori në pyetje në lidhje me çështjet e sinodit. Shën Martini iu përgjigj duke i rikujtuar anatemën ndaj atyre që përpiqen të bëjnë qoftë edhe ndryshimin më të vogël në besimin e Etërve të shenjtë. Nga frika e popullit të pranishëm, ekzarku u përgjigj me hipokrizi, se besimi i tij ishte i ngjashëm me atë të Martinit dhe të të gjithë të krishterëve të tjerë. Atëherë shenjtori u tërhoq në kishën e Lateranos bashkë me klerin e tij, për t’u lutur për tri ditë. Të hënën në mëngjes Kaliopa kërkoi të kontrollonte banesën e papës, me pretekstin për të gjetur armë. Ushtarët hynë me forcë në bazilikë duke shkaktuar rrëmujë të madhe, përmbysën objektet e kultit dhe arrestuan hierarkun që vuante nga tensioni i lartë.

Të martën, më 19 qershor 653, ata e hipën në anije për të shkuar në Konstandinopojë. Gjatë tre muajve që zgjati udhëtimi, shenjtori u privua nga çdo lloj ngushëllimi njerëzor dhe madje nuk mundi as të lahej. Në ndalesat nëpër porte, ushtarët nuk e lejonin të zbriste, duke e fyer dhe duke i marrë furnizimet me ushqime që i sillnin priftërinjtë dhe populli. Kur mbërritën në Konstandinopojë, më 17 shtator, lejuan turmën ta tallte dhe ta poshtëronte hierarkun, pastaj e çuan në burgun e Prandiaras, ku e mbajtën në fshehtësi për 93 ditë. Më 20 dhjetor, pas një gjykimi në Hipodrom, që i ngjasonte një parodie, ku e penguan të shprehte besimin e tij, e dënuan me vdekje. Shenjtorit ia grisën publikisht rrobat priftërore dhe e tërhoqën deri në pretorium të lidhur me një zinxhir të rëndë në qafë. I moshuar, i sëmurë dhe i pangrënë, shenjtori ecte me vështirësi nëpër rrugë, por fytyra i shndriste nga gëzimi që po vuante për dashurinë e Krishtit dhe për të vërtetën. Pastaj e çuan në burgun e quajtur Diomed, ku e torturuan, ia rropën këmbët dhe e futën në një qeli ku mbanin të dënuarit me vdekje.

Të nesërmen, patriarku i Konstandinopojës, Pavli II, i sëmurë dhe duke pasur frikë gjykimin e Perëndisë, mori nga perandori ndryshimin e dënimit me vdekje në atë të internimit. Pas vdekjes së Pavlit dhe caktimit të Pirros në fronin e patriarkanës, shenjtori qëndroi edhe 85 ditë në burg, para se të dërgohej fshehurazi në Kerson. Ai vuajti mizorisht nga uria dhe keqtrajtimet e barbarëve dhe ia dorëzoi Perëndisë shpirtin e tij apostolik më 16 shtator 656.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων