04/10/2021 04/10/2021 E hënë, 4 tetor 2021 – Shenjtori i ditës Oshënar Jerotheu i Athinës. Dëshmore Domnina. Oshënar Amuni. Oshënar Piori. Oshënar Guria, episkop i Kazanit të Rusisë. – Oshënar Jerotheu i Athinës – Shën Jerotheu ishte me shën Dionis Areopagjitin një nga nëntë anëtarët e Areopagut. Kur apostull Pavli erdhi të predikonte në Athinë, ata ishin...
04 Οκτωβρίου, 2021 - 15:20

Oshënar Jerotheu i Athinës

Διαδώστε:
Oshënar Jerotheu i Athinës
E hënë, 4 tetor 2021 – Shenjtori i ditës
Oshënar Jerotheu i Athinës. Dëshmore Domnina. Oshënar Amuni. Oshënar Piori. Oshënar Guria, episkop i Kazanit të Rusisë.
– Oshënar Jerotheu i Athinës –
Shën Jerotheu ishte me shën Dionis Areopagjitin një nga nëntë anëtarët e Areopagut. Kur apostull Pavli erdhi të predikonte në Athinë, ata ishin ndër të parët që u kthyen.
Kur apostulli u largua, Jerotheu u bë episkopi i parë i Athinës dhe u përpoq t’i mësonte Dionisit misteret që Perëndia i kishte dhënë mençurisë së tij qiellore për të soditur. Edhe ai u mor mbi retë bashkë me apostujt dhe hierarkët për të marrë pjesë në varrimin e Nënës së Zotit.
Ashtu siç u tha te jeta e shën Dionisit, shën Jerotheu nuk i la me shkrim frytet e soditjeve të tij, ose të paktën, këto nuk na u përçuan veçse në formë fragmentesh nëpërmjet veprave të dishepullit të tij. I bashkuar që në këtë jetë me Zotin përmes jetës dhe mësimit, fjeti në paqe duke lënë Dionisin si pasues.
– Oshënar Guria, episkop i Kazanit të Rusisë –
Shën Guria lindi në Radonezh në një familje të thjeshtë bojarësh. Që i ri u angazhua në shërbim të princit Penkov, por bënte fshehur edhe një jetë asketike. Shërbyesit e tjerë ishin xhelozë që princi e simpatizonte shenjtin, kështu shpifën sikur ai kishte bërë imoralitet me gruan e princit. E shpëtoi nga vdekja biri i princit, por megjithatë atë e hodhën në një gropë të madhe ku hante tërshërë një herë në tri ditë.
Mbante në mendje shembullin e martirëve të parë dhe falënderonte Perëndinë. Një herë kur një mik i tij i tha se do t’i sillte ushqim fshehur, iu përgjigj se hiri i Zotit e ushqente. Megjithatë i kërkoi penë dhe letër që të kopjonte alfabetin dhe t’u mësonte fëmijëve të lexonin. Miku i tij i shiste këto punë dhe ua shpërndante të varfërve paranë që mblidhej prej tyre.
Pas dy vjet mbylljeje, shën Guria pa dritë në portën e qelës (dhomës) së tij. Drita po bëhej kaq e fortë sa dera po hapej prej fuqisë së saj. Ai mundi të dilte pa e vënë re njeri duke mbajtur në dorë ikonën e Hyjlindëses. Hyri në manastirin e Shën Josif Volokolamskut (9 shtator) ku edhe u qeth murg. Më pas u bë igumen për dhjetë vjet, dhe pastaj jetoi si eremit në heshtje për dy vjet, para se të emërohej igumen i Manastirit të Selijanovit.
Më 1552, cari Ivan IV i Tmerrshmi (1533-1584) pushtoi Kazanin dhe kërkoi dikë për të përhapur besën e krishterë në atë anë. Shën Gjermani (6 nëntor), i cili ishte ende murg në Volokolamsk, i tregoi arkimandrit Gurian, dhe, më 1555 shenjti u hirotonis episkopi i parë i Kazanit. Si ndihmë në veprën e tij misionare ishin arkimandrit Gjermani dhe Varsanufi. Hierarku i shenjtë themeloi në Kazan shumë manastire. Kalonte netë të tëra në lutje.
I lodhur nga ushtrimi asketik dhe i gozhduar në trup nga sëmundja, ai thoshte: “E gjithë koha e jetës tani është koha e punëve. Shpërblimi do të jetë në jetën e ardhshme. Gëzimet qiellore do të jenë vetëm për atë që ka luftuar shpirtërisht në këtë jetë për të marrë të mirat që nuk prishen. Në jetën shpirtërore duhet të ecim përpara, me gjithë kundërshtimet dhe fatkeqësitë, sepse sipas apostullit: “vuajtjet e kohës së tanishme nuk kanë të krahasuar me lavdinë që do të na zbulohet (Rom. 8.18)”.” Shën Guria fjeti në paqe më 4 dhjetor 1563.

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων