16/03/2020 16/03/2020 E hënë, 16 mars 2020 – Shenjtori i ditës. JEMI NË KRESHMËN E MADHE TË PASHKËS Dëshmorët Savini, Juliani. Oshënarët Kristodhuli dhe Anini, çudibërës. – Oshënar Kristodhuli, çudibërës – Ky dishepull i shkëlqyer i Zotit lindi në një fshat të vogël të Bitinisë, rreth vitit 1020. I ndriçuar nga hiri, shkëlqeu në studime, gjatë të...
16 Μαρτίου, 2020 - 13:58

Oshënar Kristodhuli, çudib

Διαδώστε:
Oshënar Kristodhuli, çudib

E hënë, 16 mars 2020 – Shenjtori i ditës.
JEMI NË KRESHMËN E MADHE TË PASHKËS

Dëshmorët Savini, Juliani. Oshënarët Kristodhuli dhe Anini, çudibërës.

– Oshënar Kristodhuli, çudibërës –

Ky dishepull i shkëlqyer i Zotit lindi në një fshat të vogël të Bitinisë, rreth vitit 1020. I ndriçuar nga hiri, shkëlqeu në studime, gjatë të cilave mësoi të përbuzte gjërat e përkohshme e të parapëlqente të përjetshmet. Prindërit i kishin rregulluar, kundër vullnetit të tij, fejesën me një vajzë nga familje e mirë, ndaj u largua fshehtas për në malin Olimp, ku u bë nxënës i një jerondi të shquar për urtësinë dhe dijen rreth gjërave të Perëndisë. U vesh me skimën engjëllore me emrin Kristodhul dhe nisi përpjekjet që të imitonte në gjithçka sjelljen e atit të tij shpirtëror, të cilin e shikonte si ikonë të gjallë të Krishtit. E mposhti mishin me kreshmë dhe i kalonte gjithë netët në lutje.

Pas tre vjetësh jerondi vdiq dhe Kristodhuli, nga frika se mos prindërit e rikthenin në botë, u nis për pelegrinazh në Romë, ku nderoi me përkushtim lipsanet e apostujve të shenjtë Petro dhe Pavël, të cilët i zbuluan në ëndërr jetën e tij të ardhshme. Prej andej shkoi në Tokën e Shenjtë dhe jetoi me asketët në shkretëtirat e egra të Palestinës. Më pas hyri në një manastir, ku bëri jetë shembullore, por iu desh të largohej për shkak të kërcënimit të pushtimit turk. Lundroi me disa murgj për në Azinë e Vogël dhe u strehua në qendrën e ndritur monakale të malit Latros, ku rinisi me shumë zell përpjekjet asketike, saqë bashkëmurgjit e admironin. Ushqehej me bukë elbi dhe ujë dhe në festat e mëdha hante nga të gjitha, që të mos vepronte si heretikët (manikeasit), të cilët i përbuznin ushqimet.

Murgjve të manastirit u ra në sy dallueshmëria e shenjtit dhe kërkuan ta zgjidhnin igumen. Në fillim kundërshtoi, nga frika se mos humbiste thesarin e tij më të çmuar, hezikinë, por përfundimisht, me kërkesë të patriarkut Kozma (1075-1081), pranoi. Filloi menjëherë të ndreqte disa parregullsi në lidhje me funksionimin e manastirit dhe, i shtrënguar nga vërshimi kërcënues i turqve selxhukë, që po e zaptonin tërë Azinë e Vogël pas betejës së kobshme të Manxikertit (1071), pas tre vjetësh u detyrua të jepte dorëheqjen dhe u tërhoq përsëri. U fut në një nga manastiret e Strobilos dhe, me propozimin e igumenit Arsen Skinuri, pranoi të merrte në ngarkim metoqin e manastirit, që ndodhej në ishullin Kos, ku themeloi një manastir dedikuar Hyjlindëses. Por shqetësimet që i shkaktonin vizitat e shumta të besimtarëve, e detyruan të kërkonte strehë tjetër, më të favorshme për jetën soditëse.

Pas shumë kërkimesh, gjeti atë që donte: ishullin e Patmosit, i shkretë dhe pa ngushëllim njerëzor, atje ku shën Joan Theologu mërgoi dhe mori zbulimet hyjnore. Shkoi menjëherë në Konstandinopojë, për t’i kërkuar perandorit Aleks I Komnini (1081-1118), t’i jepte një copë toke, që të ndërtonte një manastir kushtuar dishepullit të dashur. Sovrani, që e pëlqente për hir të shenjtërisë dhe mënyrës së sjelljes, i propozoi të merrte drejtimin e murgjve të malit të Zagorasë, në Thesali, të cilët kishin mbetur pa udhëheqës shpirtëror. Shenjtori iu përgjigj se dëshironte vetëm një gjë: një vend të qetë dhe larg nga punët e botës, që të përkushtohej në lutje. Por për hir të bindjes, tha se do të shkruante për këta murgj një Kanon për jetën e përbashkët dhe, nëse ata do ta pranonin, do të merrte drejtimin e tyre.

Hartoi një Tipikon në të cilin i këshillonte murgjit të hiqnin dorë nga çdo pronë private dhe nga vullneti i tyre vetjak, që të jetonin me bindje dhe durim në varfëri, duke shpresuar vetëm te hiri hyjnor. Meqë thirrja e vetme e murgjve është të jenë të përqendruar, të përkushtuar ndaj Perëndisë dhe shenjtorëve, i urdhëronte të shmangnin lidhjet me njerëzit e botës. I porosiste t’i rrëfenin tek ati shpirtëror me hollësi të gjitha mendimet e tyre të këqija dhe të bënin tre mijë metani çdo ditë dhe po kaq dhe çdo natë, duke u lutur me përkushtim dhe pendim, si të ishin para gjykimit të Perëndisë.

Këto urdhërime të shenjta, të cilat ishin shprehje besnike e traditave të Etërve, iu dukën të hidhura murgjve dembelë të Zagorasë, prandaj ata nuk e pranonin më si drejtuesin e tyre shpirtëror. Për Kristodhulin ishte gëzim dhe lehtësim kur mësoi këtë, ndaj e përsëriti kërkesën e tij dhe perandori i dha ishullin e Patmosit, të pavarur nga autoritetet civile dhe të përjashtuar nga taksat apo detyrime të tjera. Urdhëroi gjithashtu, që nga thesari i tij t’u sigurohej çdo vit murgjve gruri i nevojshëm për të mbijetuar, që ata t’i kushtoheshin pa përkujdesje të tjera lutjes për shpëtimin e tij dhe të gjithë perandorisë.

Sapo mbërriti në Patmos, me krisobulën që afirmonte të gjitha të drejtat që i ishin dhënë mbi ishullin dhe që i krijonte mundësinë t’i kushtohej vetëm jetës engjëllore, përmbysi statujën e vjetër të Artemidës dhe ndërmori ndërtimin e një kishe kushtuar shën Joan Theologut. Ai i ndihmonte gjithë ditën me duart e tij punëtorët dhe hante pas perëndimit të diellit. Kur vinte mbrëmja dhe punëtorët shkonin për t’u çlodhur, i ngrinte duart drejt qiellit dhe lutej deri në agim. Fama e shën Kristodhulit tërhoqi shumë vizitorë në Patmos, si dhe shumë banorë të ishujve fqinj, të cilët në ato kohë të vështira vuanin nga uria.

Një ditë, kur numri i tyre ishte veçanërisht i madh, shenjtori urdhëroi që t’u jepej për të ngrënë të gjithëve. Murgu që ishte përgjegjës për ushqimet, vuri re që rezervat kishin mbaruar. Por, me këmbënguljen e shenjtorit, e shtroi tryezën dhe me hirin e Perëndisë turma jo vetëm që u ngop, por tepricat ishin më të shumta se ushqimi që u vu në tryezë.

Shën Kristodhuli qëndroi pesë vjet në Patmos, duke mbikëqyrur ndërtimin e manastirit dhe duke organizuar jetën në kinov sipas traditës më të pastër të shën Vasilit dhe shën Savës. Fliste dhe këmbëngulte sidomos për ndarjen nga bota dhe shkëputjen nga çdo lloj tjetër preokupimi. Por armiku i gjithçkaje të mirë, duke përfituar nga fakti se perandori Aleks e kishte kthyer vëmendjen nga rreziqet që vinin nga Perëndimi, që t’i kundërvihej invazionit nga normanët, krijoi mundësinë për sulme të reja nga turqit në brigjet e Azisë së Vogël dhe në ishuj. Manastiri sapo kishte përfunduar, por fortifikimi i tij ishte i pamjaftueshëm, ndaj dhe shenjtori u tërhoq për të gjetur një vend më të sigurt. I mblodhi murgjit dhe i këshilloi të shpresonin te Perëndia dhe t’i shpërndanin gjithë rezervat e manastirit te punëtorët laikë, që ishin në ishull bashkë me familjet e tyre, para se të nisej për në Evripo.

Qeveritari i fuqishëm i kësaj krahine, Efthimi, ishte bir shpirtëror i shenjtorit, ndaj i priti me gëzim murgjit dhe iu dha gjithçka që u nevojitej për të mbijetuar. Shën Kristodhuli ngriti aty një manastir të përkohshëm. Pastaj, si ndjeu se po i afrohej fundi, thirri dishepullin e tij më të afërt, Savën, e caktoi si pasues, i dha mësimet e fundit për drejtimin e vëllezërve dhe e urdhëroi të kthehej në Patmos, që të përgatiste rivendosjen e vëllazërisë.

Kur erdhi java e parë e Kreshmës së Madhe, ai u mbyll në qeli që të qëndronte vetëm me Perëndinë dhe në fillim të javës së dytë i thirri vëllezërit, i bekoi dhe u diktoi Testamentin e tij, në të cilin i nxiste murgjit të mos mblidhnin në këtë jetë kalimtare gjëra të prishshme, dhe të preferonin qetësinë e vendeve të shkreta të Patmosit, sesa manastiret e pasura, ku lutja e murgjve turbullohet nga kontakti me njerëzit e botës.

Pastaj, pasi u kërkoi t’ia merrnin trupin e t’ia çonin në Patmos, dha shpirt (16 mars 1093). Murgjit nuk i lejuan të merrnin me vete trupin e shenjtorit, por ata shkuan sërish fshehtazi në Evripo dhe e zhvendosën lipsanin përmes një akti “piraterie të devotshme”. Në vazhdim, manastiri i Patmosit, i mbrojtur nga mrekullitë e Kristodhulit, mbeti një ndër vendet e spiritualitetit të lartë të murgërisë orthodhokse, nga ku dolën episkopë dhe patriarkë. Edhe sot atje ruhen dorëshkrime, ikona e sende të çmuara.

* * * * *

– Dëshmor Savini –

Shën Savini lindi në një nga familjet më të famshme të Ermopolit, buzë Nilit dhe u bë i njohur për përpjekjet në mbështetje të Krishterimit. Për këtë arsye, sapo nisi persekutimi i madh i Dioklecianit (rreth 303), e kërkuan njerëzit e perandorit. U fsheh bashkë me gjashtë të krishterë të tjerë në një kasolle disa kilometra larg qytetit, ku vazhdonin të luteshin dhe të kreshmonin. U denoncuan nga një lypsar, të cilit Savini i kishte dhënë shpesh lëmoshë. I kapën dhe nisën t’i torturonin jashtë qytetit, në prani të guvernatorit Arian.

Kur pa guximin e shenjtorit, ai urdhëroi që të fshikullohej egërsisht, derisa e mbuloi gjaku, me bindjen se do të mohonte Krishtin. Ngaqë qëndronte i heshtur para pyetjeve të qeveritarit, njëri nga të pranishmit tha se Savini kishte humbur mendjen. Martiri atëherë u përgjigj: “Nuk është kështu. Sepse kam arsye, prandaj dhe refuzoj të mohoj Krishtin dhe t’u sakrifikoj idhujve!”.

Më pas, teksa po lundronin në lumë për t’u kthyer në qytet, ujërat papritmas nisën të egërsoheshin, si në furtunë, dhe anija që transportonte qeveritarin dhe Savinin për pak sa nuk u mbyt. Sapo mbërritën në destinacion, Ariani e nxori Savinin para gjykatës, duke e akuzuar se kishte përdorur magji për t’i shpëtuar gjykimit.

Savini pohoi se ishte i krishterë dhe se kurrë nuk do të mohonte Zotin dhe u kërkoi që ta merrnin sa më shpejt vendimin për vdekjen e tij, e cila për të ishte porta për në jetën e përjetshme. E shtrinë përtokë, ia lidhën gjymtyrët në katër hunj, dhe i kaluan mbi trup pishtarë të ndezur, por shenjti nuk pushoi së rrëfyeri Krishtin, që për të ishte e vetmja shpresë.

Paganët, kur panë vendosmërinë e tij, i lidhën një gur të madh në këmbë, e hipën në një varkë dhe e hodhën në lumë. Në lutjen e fundit ai vetë paratha se trupin do t’ia gjenin të krishterët pas tri ditësh. Kështu ndoshi dhe ata e varrosën denjësisht, ashtu siç u ka hije martirëve të Zotit, së bashku me gurin, që kishte qenë mjeti për martirizimin e tij.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë?/facebook

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων