18/01/2022 18/01/2022 E martë, 18 janar 2022 – Shenjtori i ditës. Oshënarët Athanasi e Kirili të Aleksandrisë. Dëshmore Theodhuli dhe shokët e saj; Eladhi, Voithi, Evagri, Makari. – Oshënarët Athanasi e Kirili të Aleksandrisë – Ati ynë i shenjtë Athanasi, shtylla e Orthodhoksisë dhe drita e universit, lindi nga prindër të devotshëm dhe orthodhoksë më 295, pak...
18 Ιανουαρίου, 2022 - 16:43

Oshënarët Athanasi e Kirili të Aleksandrisë

Διαδώστε:
Oshënarët Athanasi e Kirili të Aleksandrisë

E martë, 18 janar 2022 – Shenjtori i ditës.
Oshënarët Athanasi e Kirili të Aleksandrisë. Dëshmore Theodhuli dhe shokët e saj; Eladhi, Voithi, Evagri, Makari.
– Oshënarët Athanasi e Kirili të Aleksandrisë –
Ati ynë i shenjtë Athanasi, shtylla e Orthodhoksisë dhe drita e universit, lindi nga prindër të devotshëm dhe orthodhoksë më 295, pak para shpërthimit të persekutimit të madh të Dioklecianit (297-313), në qytetin kozmopolit të Aleksandrisë, ku banonin popuj të ndryshëm dhe përplaseshin lloj-lloj kultesh e besimesh. I riu parapëlqente vetëm gjërat e Perëndisë dhe të Kishës. Një ditë, tek po luante në plazh me shokët, duke riprodhuar me seriozitet shërbesat kishtare, Athanasi kreu, sikur të ishte episkop, pagëzimin e fëmijëve që ende nuk kishin marrë ndriçimin e shenjtë. Episkopi i Aleksandrisë e vuri re me admirim këtë, e quajti të vlefshëm pagëzimin dhe e mori nën mbrojtje djaloshin.
Gjatë studimeve të tij, Athanasi u kushtoi pak interes shkencave të tjera. Preferoi më tepër të thurte në heshtje tunikën e virtyteve të shenjta nëpërmjet meditimit të Dhiatës së Re dhe asaj të Vjetër, dhe për pak kohë u tërhoq në shkretëtirë pranë shën Andonit, ku gjatë gjithë jetës së tij qëndroi si dishepull i tij i zellshëm. Pastaj, me t’u kthyer në Aleksandri, u hirotonis dhjak dhe filloi veprën e tij theologjike e baritore. Hartoi dy veprat e tij të para: Ligjërata kundër paganëve dhe Ligjërata për Mishërimin e Fjalës. Pasi dënoi absurditetin e filozofive dhe të besimeve pagane, tregoi se Fjala e Atit nuk ishte vetëm Krijues i botës, Urtësia dhe Providenca e Tij, po që u bë Shpëtimtar i njerëzve që ranë në prishje. “Fjala u bë njeri, që ne të bëhemi Perëndi”.
Nëpërmjet bashkimit tonë me Krishtin, bëhemi me të vërtetë pjesëmarrës të natyrës hyjnore (II Petr. 1.4), sepse Ai nuk është thjesht krijesë, por është Fjala e natyrshme e Atit, Biri i vetëm i Perëndisë, që u bë njeri për të na birësuar me Atin. Kjo bindje absolute do të bëhej shumë shpejt për shenjtorin arsyeja e jetës dhe e betejave të tij. Mbrojtës i patundur i dogmës së hyjnisë së Fjalës dhe i besës në Trininë e Shenjtë, ai ishte gjithashtu edhe predikuesi i shenjtërisë së krishterë dhe i mundësisë për hyjnizimin e njerëzve.
Në këtë periudhë, një prift nga Aleksandria, Ariosi, njeri i rrëmbyer nga grindjet dhe që më shumë i besonte arsyes njerëzore sesa besimit për t’iu afruar mistereve të Perëndisë, nisi të mbillte trazira në popull, duke mësuar se Fjala e Perëndisë nuk është i përjetshëm, që u krijua në kohë dhe, si pasojë, Ai nuk mund të quhet Biri i Perëndisë, veçse metaforikisht. I dëbuar nga Aleksandria, gjeti strehë në Qesari dhe përhapi menjëherë konfuzion në tërë perandorinë, aq sa dhe perandori Konstandini i Madh vendosi të thërriste një Sinod të madh të të gjithë Kishës në Nikea (325), për të shpallur qartë hyjninë e Fjalës.
Shën Athanasi shoqëroi kryepiskopin e moshuar, Aleksandrin, dhe luajti një rol kaq vendimtar në mbrojtjen e së vërtetës, sa ngjalli admirimin e orthodhoksëve dhe urrejtjen e papërmbajtur të heretikëve. Që atëherë, e gjithë jeta e tij do të identifikohej me mbrojtjen dhe shpalljen e pasjes së plotë të së njëjtës substancë (homoousios) të Fjalës së Perëndisë. Emri i Athanasit do të bëhej sinonimi i Besores së Nikeas, i besës Orthodhokse. Pas vdekjes së Aleksandrit, në vitin 326 (kujtohet më 29 maj), Athanasi i zellshëm u zgjodh unanimisht nga populli i Aleksandrisë për t’u bërë pasues i shën Markut. Detyra e tij e parë ishte të vendoste unitetin dhe rregullin në dioqezën e tij të madhe, e cila qe ndarë jo vetëm nga herezia arianiste, por dhe nga skizmatikët meletianë, dhe nga dekadenca e zakoneve dhe disiplinës kishtare.
Për vite me radhë, vrapoi në tërë anët e Egjiptit, deri në kufirin etiopas, duke predikuar dhe duke hirotonisur priftërinj, duke fituar kështu edhe dashurinë e popullit, i cili e konsideroi deri në fund atin e tij. Vizitonte manastire pa fund, deri në shkretëtirën e Thebaidës dhe qëndroi në Tabenesis, në vëllazërinë murgërore të shën Pahomit (15 maj), të cilin e hirotonisi prift. Por, gjatë mungesës së tij, meletianët kishin sajuar gjithfarëlloj shpifjesh kundër shenjtit dhe, kur u kthye në Aleksandri, u akuzua se kishte bërë hirotonisje jokanonike, se kishte vënë në dioqezën e tij taksa të rënda, se kishte përdorur gjithë format e dhunës ndaj kundërshtarëve; veçanërisht kishte përmbysur dhe përdhosur potirin e një prifti meletian dhe, së fundi, kishte mbështetur financiarisht një komplot të kurdisur kundër perandorit. Kryepiskopi e tregoi pafajësinë e tij duke vizituar rezidencën perandorake në Nikomedi.
Por, me t’u kthyer, u akuzua se kishte vënë dikë për të vrarë episkopin meletian të Ipsalit, Arsenin, dhe kishte përdorur dorën e tij të prerë për rite magjie. Athanasi e gjeti Arsenin në manastirin ku ishte fshehur dhe përsëri dëshmoi për pafajësinë e tij gjatë procesit të gjyqit, duke sjellë para të gjithëve viktimën. Gjatë kësaj periudhe, Ariosi, i internuar menjëherë pas Sinodit të Nikeas, kishte arritur të fitonte pëlqimin e perandorit, falë mikut të tij, Eusebit të Nikomedisë, njeri i pabesë dhe dinak. Ai arriti të fitonte rikthimin në Aleksandri dhe i shpërndau mësimet e tij në popull nëpërmjet këngëve dhe sentencave. Athanasi qëndronte i fortë dhe refuzoi fuqishëm pranimin e heretikut në kungim.
Në vitin 335, gjatë festave të organizuara për nder të 30-vjetorit të mbretërimit të tij, Konstandini mblodhi një sinod të ri në Tir (Palestinë), që të vendoste rregullin. Por shumica e pjesëmarrësve ishin zgjedhur nga radhët e kundërshtarëve më të ndërsyer të Athanasit. Gjithashtu, kur shenjti u paraqit me 49 episkopë të tjerë egjiptianë, u refuzua hyrja e shoqëruesve të tij dhe meletianët mundën të shpalosnin tërë akuzat e tyre shpifëse kundër Athanasit të izoluar, duke argumentuar në veçanti se ai kishte penguar dhënien e grurit për rimëkëmbjen e Konstandinopojës. Madje nxorën një grua, e cila pretendonte se ishte dhunuar nga shenjti. Athanasi nxori para asaj gruaje, në vend të tij, një nga miqtë dhe menjëherë e mjera, e cila nuk e kishte parë kurrë shenjtin, deklaroi se ai ishte përdhunuesi, duke zbuluar në këtë mënyrë edhe mashtrimin e saj. Ishte e qartë se armiqtë e tij kërkonin me ngulm zhdukjen e shenjtit. Jashtë, turma e ndërsyer për keq, e quante shtrigan, të pagdhendur dhe të padenjë.
Athanasi u tregua i mençur, u nis fshehurazi për në Konstandinopojë, ku kërkoi drejtësi nga Konstandini, duke e ndaluar gjatë një shëtitjeje me kalë. Me gjithë mbështetjen e popullit të Aleksandrisë dhe letrave të shën Andonit dërguar perandorit, episkopi i shenjtë u internua në Trevë, kryeqyteti i galëve. Ariosin e rifutën zyrtarisht në Kishë dhe perandori, i ndikuar nga Eusebi, urdhëroi kryepiskopin e Konstandinopojës të bashkëcelebronte me heretikun. Megjithatë i pabesi u godit nga drejtësia hyjnore dhe humbi në mënyrë krejt poshtëruese pikërisht para celebrimit, duke iu shpërndarë të përbrendshmet në banjë.
Më vonë, më shumë se 2 vjet, pas vdekjes së perandorit Konstandin, vendimi i internimit u hoq nga i biri, Konstandini II, dhe shën Athanasi u kthye në Aleksandri, duke bërë një ndalesë në Qesari të Kapadokisë dhe në Antioki, për të përforcuar besën Orthodhokse. Kur hyri në Aleksandri (23 nëntor 337), u përshëndet nga turma dhe kleri i ngazëlluar.
Por Eusebi i Nikomedisë dhe arianët nuk e quanin veten të humbur. I nisën sërish shpifjet e tyre, duke e shpallur të parregullt riardhjen e Athanasit. Një sinod i rrëfyesve të Besës, mbledhur në Aleksandri (338), e siguroi shenjtin për mbështetjen unanime të të gjithë episkopatës egjiptiane dhe shën Andoni vendosi vetë të dilte nga shkretëtira e tij e largët dhe të vinte në kryeqytet, që të mbështeste episkopin me dëshminë e fjalës së tij dhe me mrekullitë e tij (shih 17 janar). Armiqtë e tij mblodhën sinodin e tyre në Antioki dhe tentuan të vendosnin me dhunë në fronin e Aleksandrisë njëfarë Grigori nga Kapadokia, duke zaptuar fronet e kishave një për një, për të hequr orthodhoksët (339). I tërë qyteti ishte në trazira dhe gjakderdhje, ndaj Athanasi vendosi të tërhiqej përkohësisht, që të pengonte përhapjen e së keqes dhe u largua për në Romë, pasi i dha zemër klerit të qëndronte i bashkuar përpara kësaj dallge.
Papa Juli e priti me dashamirësi dhe i dha atij tërë mbështetjen e vet; nuk ishte më episkop i internuar, tashmë u bë kampion i Orthodhoksisë. Ai mblodhi një sinod që e deklaroi të vetmin episkop legjitim të Aleksandrisë dhe e njohu të pafajshëm për akuzat qesharake që kishin ngritur kundër tij. Në Romë, Athanasi kishte gjetur edhe rrëfyes të tjerë të besës të internuar, si shën Pavlin e Konstandinopojës (shih 6 nëntor). Ai vazhdoi të administronte dioqezën e tij me anë të korrespondencave dhe kontribuoi gjerësisht për lulëzimin e murgjërisë në Perëndim, duke e bërë të njohur jetën e shën Andonit dhe të asketëve egjiptianë.
Më 343, bashkëperandorët Konstanti (në Perëndim) dhe Konstanci (në Lindje) vendosën të mblidhnin një sinod të madh në Sardikë (Sofje), për të ndarë çështjen e fronit të Aleksandrisë dhe të merreshin vesh për një rrëfim të besës. Sigurisht që episkopët e Lindjes e kishin hedhur poshtë figurën e Ariosit, por ngulmonin kundër termit “i bashkëqenshëm” (homousios). Pa thënë hapur se Biri i Perëndisë është një krijesë, për më tepër ata refuzonin ta shpallnin identitetin e Tij të plotë të një natyre me Atin.
I gjithë kundërshtimi i tyre kundër Besores së Sinodit të Nikeas po kristalizohej, në fakt, mbi personin e Athanasit. Meqenëse ata kërkonin me ngulm paraprakisht si kusht për Sinodin e pajtimit, që episkopi i Aleksandrisë të mos merrte pjesë në të, e braktisën qytetin me zhurmë, duke bërë që të shpërthente skizma mes Lindjes dhe Perëndimit. Perandori i Lindjes, Konstanci, i përfshirë në arianizëm, e pengoi ardhjen e të internuarve, miratoi Grigorin në fronin e Aleksandrisë, spastroi orthodhoksët dhe bëri të sundonte terrori në mbarë perandorinë.
Pas vdekjes së Grigorit, Konstanci i kërkoi disa herë shenjtit, i cili banonte asokohe në Akuileia, që të rimerrte fronin. Përfundimisht, me lutjet e Konstantit, të papës dhe të fisnikëve të oborrit, Athanasi pranoi të kthehej në Egjipt, duke kaluar nga Antiokia, ku perandori e siguroi për mbështetjen dhe pëlqimin e tij, pastaj në Qesari dhe Jerusalem. Gjatë kthimit në Aleksandri, pas një internimi për më shumë se 6 vjet, më 21 tetor 346, ai u prit nga një turmë e madhe njerëzish, të mbledhur si lumë i artë nga të gjitha anët e Egjiptit, e cila e përshëndeste me degë palmash, me këngë dhe valle, ashtu si Krishtin kur hyri në Jerusalem.
Në fakt, Athanasi ishte pikërisht si të ishte Krishti i pranishëm në Kishën e tyre në paqe. Për një dhjetëvjeçar episkopi i shenjtë mundi t’i përkushtohej grigjës së tij shpirtërore, zhvillimit të murgërisë dhe dërgimit të misionarëve në vendet e sapokthyera, si shën Frumentin në Etiopi (30 nëntor).
Kjo fitore e Orthodhoksisë fatkeqësisht nuk zgjati shumë. Më 353, Konstanci u bë perandori i vetëm dhe u ndikua përsëri nga arianët, të cilët rinisën edhe me më shumë agresivitet sulmet kundër besores së Nikeas dhe kundër personit të Athanasit. Perandori dënoi kryepiskopin e Aleksandrisë dhe, me kërcënimin për t’i internuar, i detyroi episkopët e Perëndimit, deri dhe mbrojtësit besnikë të Orthodhoksisë, të pranonin shfronëzimin e shenjtit (Milano 355). Papa Liberi dhe episkopi Osio i Kordobës (27 gusht), i moshuar, thuajse 100 vjeç, protestuan; ata u syrgjynosën pa mëshirë, ashtu si edhe shën Ilari (shih 13 janar). Tashmë kishte mbetur vetëm të dëbohej Athanasi, i cili mbrohej nga i gjithë populli i Aleksandrisë.
Natën e 8 shkurtit 356, qeveritari sirian, në krye të më shumë se 5 mijë burrave, rrethuan kishën e Shën Theonait, ku të krishterët ishin mbledhur për të celebruar një të kremte. Në mes të britmave dhe të zhurmës, Athanasi qëndronte i paturbulluar në fronin e tij, i rrethuar nga besimtarët, të cilët ishin gati të vdisnin për bariun e tyre. Më në fund, miqtë e nxorën kundër dëshirës së tij jashtë kishës dhe e bindën të largohej në shkretëtirë.
Në mbarë qytetin shpërthyen kryengritje kundër autoriteteve. Ushtarët masakruan burra, gra dhe fëmijë, dhunuan virgjëreshat e përkushtuara, plaçkitën vendet e kultit. U dha urdhër të ndiqej Athanasi për rebelim dhe të ndëshkohej ashpërsisht personi që e strehonte. I ndjekur gjatë gjithë kohës, shenjti ishte i detyruar të ndryshonte herë pas here vendqëndrim. Te murgjit gjente mbështetjen më të madhe dhe mikpritjen më të ngrohtë. Jetoi sa në një vend në tjetrin për 6 vjet (356-362), duke mbrojtur besimin e vërtetë me shumë shkrime polemike, enciklika dhe letra drejtuar episkopëve të mbarë botës.
Në Aleksandri, në fronin episkopal kishin caktuar një njeri lakmitar, të dhunshëm e të paskrupullt, Gjergjin e Kapadokisë, i cili mbyti tërë Egjiptin me zjarr dhe me gjak për të nënshtruar orthodhoksët. Internoi episkopët, dënoi në miniera ata që kishin lidhje me Athanasin, ndaloi mbledhjet e besimtarëve, urdhëroi t’u priteshin kokat ose të digjeshin të gjallë të gjithë ata që nuk nënshtroheshin. Pas një viti të mbushur me mizori, populli i Aleksandrisë, i bashkuar, u ngrit dhe e detyroi të largohej (358).
Situata e Kishës, si kurrë ndonjëherë, ishte tepër dramatike. Të gjithë zërat e fuqishëm që mund të ngriheshin në mbrojtje të Orthodhoksisë dhe kundër ndërhyrjeve të perandorit në çështjet e Kishës, heshtën. Kudo fronet episkopale ishin bosh ose të zaptuara nga heretikët. Të fuqizuar nga pëlqimi i perandorit, arianët morën guxim dhe tentuan të impononin formula bese edhe më ekstremiste, duke mohuar plotësisht hyjninë e Birit dhe tërë njëjtësinë e Tij me Atin (në rastin e Aetit dhe Evnomit).
Shumica e episkopëve të Lindjes ishin të rezervuar dhe në kundërshtim vetëm me konfuzionin e Personave hyjnorë që mund të sillte fjala homoousios, ndaj u ngritën dhe deklaruan se Biri është i ngjashëm në esencë me Atin (homoiousios) (Vasili i Ankirës). Arritën ta sillnin Konstancin në doktrinën e tyre, e bindën të dënoheshin arianët ekstremistë dhe të thërrisnin nga internimi papa Liberin.
Shën Athanasi dhe shën Ilari i Puatierit përfituan nga ky dobësim doktrinal për të tentuar për një pajtim. U mblodhën dy sinode, në Sirmium për Perëndimin dhe në Seleuci për Lindjen (359), që të binin dakord për një formulim të besës që të kënaqte orthodhoksët nikeas dhe homoiousianët. Por një vit më pas, në sinodin e Konstandinopojës, perandori kapriçoz shpalli doktrinën ariane, nën mbulesën e një formulimi të vakët dhe mashtrues (homiizmi), dhe e vuri me detyrim në tërë perandorinë. Shën Meleti i Antiokisë (12 shkurt) dhe të gjithë kryetarët e Orthodhoksisë u internuan. Herezia po triumfonte kudo. “E gjithë toka rënkonte, e befasuar se ishte kthyer në arianizëm”, shkruan shën Jeronimi. Por Zoti vigjilon për Kishën e Tij, dhe e qetësoi stuhinë në çastin kur përmbytja dukej e pashmangshme.
Më 360, Julian Apostati uzurpoi pushtetin perandorak dhe, si fillim, shpalli tolerancën për të gjitha kultet. Athanasi arriti të dilte nga shkretëtira dhe të kthehej në Aleksandri, ku thirri një sinod që grumbullonte tërë rrëfyesit e besës të shpërndarë prej vitesh. Përfituan nga kjo mbledhje që të përcaktonin hyjninë e Shpirtit të Shenjtë, i cili filloi të sulmohej nga heretikët. Por liria nuk zgjati shumë. Perandori tregoi pa humbur kohë se cilat ishin qëllimet e tij dhe shpalli persekutimin e tij të furishëm, me shpresën për të rivendosur paganizmin. I ndikuar nga magjistarëtdhe fallxhorët e tij, Juliani dërgoi trupa për të vrarë kampionin e besimit të vërtetë, Athanasin.
I ruajtur nga Hiri i Perëndisë, shenjti shpëtoi nga kisha e rrethuar me ushtarë, mori anijen për t’iu ngjitur Nilit drejt Thebaidës. Njerëzit e perandorit e ndoqën, dhe varka e tyre arriti atë të episkopit, por Athanasi i dha urdhër kapitenit, i cili u çudit, të kthehej nga ata dhe t’i takonin. Kur iu afruan anijes, ushtarët thirrën: “A e keni parë Athanasin?”. Ai u përgjigj duke ndryshuar zërin: “Po, sapo u këmbyem me të. Shpejtoni!”. Dhe ndërsa ata u jepnin lopatave, shenjti ndoqi rrugë tjetër. Qëndroi për më shumë se një vit në Thebaidë, në shoqërinë e ëmbël dhe ngushëlluese të murgjve të Pahomit, derisa vdiq Apostati (363).
Në fron u ngjit menjëherë orthodhoksi Jovian, i cili mori masa për mbrojtjen e besës. Ai ftoi Athanasin në Antioki për të stabilizuar situatën delikate kishtare në këtë fron. Por vdekja e tij e parakohshme ia la vendin të pabesit Valens, i cili e rigjallëroi politikën e Konstancit me më shumë egërsi. Urdhëroi të internoheshin tërë episkopët që thirri Joviani.
Atëherë Athanasi u fsheh për 4 muaj në një varr në periferi të Aleksandrisë, që t’u shpëtonte planeve të guvernatorit. Më në fund, perandori hoqi dekretin e tij të persekutimit dhe urdhëroi ardhjen e episkopit të madh. Turma të gëzuara vrapuan nga të gjitha anët për ta pritur triumfalisht në kishë (1 shkurt 366). Populli ishte i vendosur ta mbante me çdo kusht bariun e tij. Pas kaq luftërash dhe vuajtjesh, plaku arriti paqësisht të gëzonte vitet e tij të fundit, i rrethuar nga dashuria e besimtarëve dhe admirimi i popullit. Ia kaloi pishtarin e Orthodhoksisë shën Vasilit, për të vazhduar betejën e madhe të përcaktimit të dogmës së Shën Trinisë, betejë, e cila do të përfundonte me Sinodin e Dytë Ekumenik të Konstandinopojës (381).
Shën Athanasi dorëzoi shpirtin e tij të madh apostolik te Zoti më 2 maj 373, në moshën 75-vjeçare, me besimin e atij që kreu deri në fund luftën e mirë të besimit, të drejtësisë dhe të dashurisë. U internua 5 herë dhe, gjatë 46 viteve si episkop, më shumë se 16 vjet i kaloi larg grigjës së tij.
Por në asnjë çast nuk kishte reshtur së qeni episkop, d.m.th. “mbikëqyrës”, mbrojtës i paqortueshëm i Besimit, ikonë e gjallë e Krishtit, e Kryepriftit të shpëtimit tonë. Vendosmëria dhe energjia e tij e palëkundur në çështje dogmatike nuk e penguan asnjëherë këtë ushtar të Krishtit të ishte bari i përulur, i butë dhe i dhembshur i deleve shpirtërore, miku i murgjve, ati i jetimëve, ndihma e të varfërve. Me anë të Fjalës që banonte në të, ai u bë gjithçka për të gjithë. Menjëherë u nderua nga Kisha, i barabartë me patriarkët, profetët, apostujt dhe martirët.
Në të njëjtën ditë, Kisha e shenjtë bashkon me kujtimin e shën Athanasit, kujtimin e pasuesit të tij në fronin episkopal të Aleksandrisë, të zjarrtin shën Kiril (412-444). Ashtu si shkëlqeu i pari, i vetëm kundër të gjithëve, për mbrojtjen e hyjnisë së Fjalës së Perëndisë, edhe ky harxhoi energjitë e tij për mbështetjen e dogmës së Mishërimit kundër të pabesit Nestor. Ai tregoi se Fjala e Perëndisë, e bashkësubstancshme me Atin, rrëfyer nga Athanasi, mori vërtet natyrën njerëzore, të cilën e mbajti në Personin e tij për ta bërë pjesëmarrëse në natyrën e Tij hyjnore.
Me Athanasin dhe Kirilin mund të shpallim besimin tonë te Jisu Krishti, Biri i vetëm dhe Fjala e Perëndisë, Njëri i Trinisë, që u bë njeri pa ndryshim, u njoh, u desh dhe u adhurua në dy natyra, hyjnore dhe njerëzore, nëpërmjet të Cilit dhe në të Cilin shkojmë tek Ati me anë të Hirit të Shpirtit të Shenjtë.
* * * * *
– Dëshmore Theodhuli dhe shokët e saj; Eladhi, Voithi, Evagri, Makari –
Në fillim të persekutimit të madh e të tmerrshëm të Dioklecianit dhe Maksimianit (298), guvernator Pelagji u dërgua në qytetin e Anazarbës (Dioqesari), në Kiliki, për të ndëshkuar të krishterët. Theodhuli u kap dhe u nxor para gjyqit, ku deklaroi se ishte e krishterë. E varën nga flokët te një qiparis, ndërkohë që ia shponin edhe gjinjtë me maja hekuri të skuqura, pastaj e çuan në tempullin e idhujve për ta sakrifikuar.
Por shenjtorja, e fuqizuar nga lutja, e përmbysi statujën e Adrianit, e cila u bë copë e thërrime. Pelagji, i frikësuar nga kjo ngjarje, i premtoi asaj se do të bëhej i krishterë, nëse do ta kthente statujën e perandorit në gjendjen e saj fillestare. Kështu ndodhi, dhe qeveritari, i nxitur nga të dërguarit e tjerë të tiranit, nuk dinte më ç’të bënte.
Sekretari i gjyqit, Eladhi, mendoi ta dorëzonte vetë ai në tortura shenjtoren, që të bindej e të sakrifikonte më pas. I ngulën 5 gozhdë në veshë, në ballë dhe në gjoks, por durimi mahnitës i Theodhulës dhe fytyra e saj e paqësuar nga lutja kthyen edhe Eladhin, dhe të nesërmen ai doli para gjyqit, duke rrëfyer Krishtin si Perëndi të vërtetë.
Ia prenë kokën bashkë me Voithin, i cili sapo ishte kthyer në besim nga shenjtorja.
Pelagji i tërbuar urdhëroi ta shtrinin Theodhulën mbi një skarë të zjarrtë, duke derdhur mbi të lëndë djegëse. Meqenëse ajo nuk pësoi asgjë, mbeti e paprekur, e hodhën në një furrë të ndezur, ku dorëzoi shpirtin e saj te Zoti, e shoqëruar nga dy martirë të tjerë të lavdishëm: Evagri dhe Makari.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων