27/11/2019 27/11/2019 † Anastasi Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë Në pritje të Krishtlindjeve 2019 Thirrje – Lutje Për kapërcimin e polarizimit kishtar 1. Shumë shkruhen dhe thuhen tashmë prej muajsh në lidhje me çështjen kishtare të Ukrainës. Ajo që është më kritike dhe e nevojshme është të theksojmë detyrimin tonë për ruajtjen e unitetit...
27 Νοεμβρίου, 2019 - 9:26

Për kapërcimin e polarizimit kishtar

Διαδώστε:
Për kapërcimin e polarizimit kishtar

† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Në pritje të Krishtlindjeve 2019

Thirrje – Lutje

Për kapërcimin e polarizimit kishtar

1. Shumë shkruhen dhe thuhen tashmë prej muajsh në lidhje me çështjen kishtare të Ukrainës. Ajo që është më kritike dhe e nevojshme është të theksojmë detyrimin tonë për ruajtjen e unitetit të Orthodhoksisë. Shën Joan Gojarti, duke shprehur përvojën shpirtërore të Etërve dhe traditën kishtare, deklaron: “Emri i Kishës nuk është ndarje, por bashkim dhe njëzëshmëri. Kisha u krijua jo që të jemi të ndarë, por të bashkuar”. Në një vend tjetër, ai na thotë: “Asgjë nuk e zemëron më tepër Perëndinë, sesa ndarja e Kishës”. Pra, çdo veprim duhet të kryhet duke pasur seriozisht parasysh këtë të vërtetë themelore: Uniteti i Kishës është para dhe mbi të gjitha.

2. Ngjarjet kishtare të vitit të kaluar, krijuan një realitet të ri, ku u përzien dukshëm edhe interesa e synime gjeopolitike. Kjo situatë e re nuk mund të shpërfillet as direkt, as indirekt. Dhënia e Autoqefalisë për Kishën e Ukrainës nuk solli unitetin e dëshiruar të orthodhoksëve, as paqen, siç ka ndodhur në të gjitha rastet e mëparshme të dhënieve të Autoqefalisë. Personi qendror i problemit të Ukrainës, i vetëquajturi “patriark”, z. Filaret, përfundimisht e mohoi Tomosin, duke hedhur akuza mbi përmbajtjen dhe qëllimin e tij. Ndasitë janë shtrirë edhe në rajone të tjera dhe në botën orthodhokse në përgjithësi. Në të njëjtën kohë, misteri thelbësor i unitetit dhe i faljes – Eukaristia Hyjnore – u përdor në kundërveprim nga Patriarkana e Moskës si një mjet presioni. Dhjetëra milionë orthodhoksë kanë ndërprerë kungimin eukaristik me Patriarkanën Ekumenike, Patriarkanën e Aleksandrisë dhe Kishën e Greqisë. Veç të tjerash, çështja e vlefshmërisë së hirotonisjeve të kryera nga i vetëquajturi “patriark”, z. Filaret, ndërkohë që ishte i aforizuar dhe i anatemuar, ende vazhdon të krijojë ndasi. Pasojat e dhimbshme të këtij operacioni janë të njohura, jo vetëm ndër qarqet orthodhokse, por, në përgjithësi, në mbarë botën e krishterë.

3. Deri tani, në pjesën më të madhe të Kishave Orthodhokse mbizotëron një heshtje shqetësuese. Presionet e qarta politike që vijnë nga të dyja anët plagosin autoritetin shpirtëror të Kishës Orthodhokse. Ndërsa mobilizimi i personave të papërgjegjshëm, për të hedhur baltë mbi ata që shprehin vlerësime të ndryshme, duke lajkatuar njëherësh ata të cilët mbështesin, i ulin vlerën dialogut ndërorthodhoks në një periudhë kaq kritike për Orthodhoksinë. Disa qarqe kishtare shprehin pritshmërinë se, me kalimin e kohës, të gjitha Kishat Orthodhokse do ta njohin marrësin e Tomosit. Por edhe nëse e njohin disa Kisha Orthodhokse Autoqefale, shumë të tjera, siç ato deklarojnë deri tani në pozicionimet e tyre publike, do të vazhdojnë ta mohojnë njohjen. Si pasojë, kemi një ndarje etno-racore (në grekë, në sllavë dhe në të tjerë që dëshirojnë marrëdhënie harmonike me të gjithë), gjë që zhvlerëson karakterin multietnik dhe multikulturor të Orthodhoksisë si dhe ekumenicitetin e saj. Koha nuk i vetëkorrigjon skizmat kishtare, as nuk i shëron, përkundrazi i thellon dhe i ngurtëson ato.

4. Tanimë, është urgjente të kërkohen rrugë për kapërcimin e polarizimit kishtar. Për zgjidhjen e konflikteve të shumëllojta në botën e sotme, stadi i parë është ndalja e përshkallëzimit të tensioneve. Është e ditur gjerësisht dhe përsëritet shpesh në arenën ndërkombëtare se tensionet mund të kapërcehen vetëm me anë të dialogut serioz. Le të synohet sërish dhe sa më shpejt komunikimi dhe shkëmbimi i propozimeve krijuese midis faktorëve kyç të krizës. Në Kishën Orthodhokse ka persona që mund të kontribuojnë në nisjen e menjëhershme të këtyre konsultimeve.

5. Është koha që të vendosim si themele të përpjekjeve të reja të vërtetat e Traditës Orthodhokse që mbështeten në Shkrimin e Shenjtë. P.sh.: “Pse më thërrisni, Zot, Zot, dhe nuk bëni sa them?” (Llk. 6:46, shih Matth.7:21); “Por unë po ju them juve: Doni armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë juve, bëjuni mirë atyre që ju kanë mëri juve…” (Matth. 5:44);
“falna fajet tona, sikundër edhe ne ua falim fajtorëve tanë” (Matth. 6:12); “…duke u kujdesur të ruani unitetin e Shpirtit me anë të lidhjes së pajtimit” (Efes. 4:3, shih edhe Gal. 5:15). Duke i zbatuar me besnikëri porositë e Zotit, do të gjejmë rrugë të reja për kapërcimin e krizës.

6. Zgjidhjet ekzistojnë. Perëndia do të na ndriçojë për t’i gjetur ato. Sigurisht që zgjidhje nuk do të gjenden, duke shkëmbyer shkrime fyese dhe kërcënuese apo me anë të ndërhyrjeve jashtëkishtare, as nuk mund të arrihen në mënyrë të njëanshme ose vetvetiu me kalimin e kohës. Çdo vonesë e përkeqëson situatën tashmë të dhimbshme. Dhe nëse “në fund”, “në të ardhmen” do të gjendet njëfarë zgjidhjeje, do të jenë akumuluar ndërkohë shumë faqe të pakëndshme në historinë e Orthodhoksisë. Parimi bazë i Sinodialitetit, mbi të cilin është mbështetur në mënyrë diakronike ecuria e Kishës Orthodhokse, përfundimisht është gjëja e vetme që mund të krijojë rrugëzgjidhje në këtë krizë. Të bashkuar në Shpirtin e Shenjtë, me respekt të ndërsjellë dhe me qëllimin ekskluziv gjetjen e një rregullimi paqësor, do të mund të arrijmë në një zgjidhje të pranuar nga mbarë Kisha Orthodhokse. Sa më tepër shtyhet në kohë përdorimi i Sinodialitetit në nivel panorthodhoks, aq më të rrezikshme do të bëhen ndasitë e shumanshme në mbarë botën orthodhokse. Teknologjia sot shton zhurmën, pështjellimin dhe trazimin midis orthodhoksëve dhe, rrjedhimisht, ulet besueshmëria e Orthodhoksisë në botën bashkëkohore.

7. Teksa po afron Krishtlindja, e kremtja e madhe e ardhjes së Birit dhe Fjalës së Perëndisë brenda njerëzimit, e iniciativës mahnitëse të Atit për pajtimin me gjininë njerëzore, përulësisht intensifikojmë lutjen tonë që të përshpejtohen hapat drejt pajtimit dhe paqësimit. Që të bëhemi të denjë të psalim të gjithë orthodhoksët së bashku: “Lavdi Perëndisë në më të lartat dhe mbi dhenë paqe, dhe mbi njerëzit mirëdashje” (Llk. 2.14). “Të gjitha janë prej Perëndisë, që na pajtoi me veten e tij me anë të Jisu Krishtit dhe na dha shërbesën e pajtimit” (2Kor. 5:18).

Iniciativa për kurimin e realitetit të ri i përket padyshim Patriarkanës Ekumenike. Nga ana tjetër, të gjitha Kishat Autoqefale, të gjithë Orthodhoksët pa përjashtim, kemi përgjegjësinë për të kontribuuar në këtë pajtim.

Me pajtimin do të gjejnë paqe miliona besimtarë. Në të njëjtën kohë, Orthodhoksia do të konfirmojë aftësinë e saj shpirtërore për të kuruar plagët, duke pasur si udhërrëfyes Fjalën e Perëndisë dhe veprimin e Shpirtit të Shenjtë. Kështu, do të konfirmojë të vërtetën se Ajo është Një Kishë, e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike, që ka Krye të saj Birin e Mishëruar të Perëndisë “për të cilin janë të gjitha dhe me anë të të cilit u bënë të gjitha” (Hebr. 2:10), “… që na dha shërbesën e pajtimit” (2 Kor. 5:18).

Tiranë, 20 nëntor 2019

orthodoxalbania.net

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων