“Përse jeni kaq të trembur? Si nuk keni besim?”
Kur ne e thërrasim Zotin për pafuqinë tonë; a jemi të gatshëm ta pranojmë Atë, me çfarëdo pamje që të na shfaqet Ai? Ne lutemi, pa ia lënë Atij mundësinë të përgjigjet, siç do Ai për lutjet tona, ne sikur ia diktojmë Atij edhe mënyrën, edhe kohën e përgjigjes. Nxënësit e thirrën Atë kur ishin në rrezik, e pritën Atë, i mori malli për Të, por tani, kur Ai u shfaq para tyre, ata “u trembën”.
Përse pra? Vetëm sepse Ai u shfaq me një pamje të re, jo ashtu, siç e prisnin. Ndoshta, ata e përfytyruan Atë si lundërtar, që lundron drejt tyre në lundër, ose prisnin që Ati të shfaqej papritur midis tyre në anije; sidoqoftë, “Ata të gjithë e panë Atë dhe u trembën.” (Mark.6:50). Megjithatë, nuk kishte, siç dukej, asnjë arsye t’i trembeshin Atij, që po u afrohej në mes të errësirës së natës, në shkëlqimin e dritës qiellore.
Kush po ecte nëpër dallgët e pabindura, pa iu dorëzuar atyre? “Vallë ata nuk e njohën Mësuesin e tyre , nuk e kuptuan se rruga e Tij në det, rruga e Tij në ujërat e thella dhe gjurmët e Tij janë të panjohura? Ne kërkojmë shpëtim, sipas kuptimeve tona të ngushta tokësore, kurse Ai na ndriçon me rrezet e dritës qiellore. Por, besimi i vërtetë i pranon të dyja; pranon gjithçka, mjaft që të jetë nga Zoti. Kujt i trembeshin nxënësit?
“Ata menduan se kjo ishte një fantazmë?” Por, çfarë edhe nëse kjo ishte me të vërtetë kështu? Në këtë rast, kjo pamje mund të paralajmërojë vdekjen e shpejtë, e po çfarë, pra? Vallë këta njerëz nuk donin të ndaheshin nga deti i trazuar dhe me luftën e dëshpëruar kundër stuhisë së tërbuar të mbronin gjithçka, me çmimin e vdekjes?
Kështu edhe ne shpesh rëndohemi nga jeta dhe, megjithatë, nuk jemi të gatshëm për vdekjen dhe nuk e pranojmë forcën e Zotit në gjithçka që ndodh. Për ne ky nuk është Krishti që na afrohet nën shkëlqimin e gëzuar të dritës qiellore, por një forcë e panjohur, që urdhëron dallgët dhe është e armatosur kundër nesh. Dhe kështu, në të vërtetë, duke u nisur për rrugë, ne lëmë Zotin larg nesh, në breg, dhe duam që t’i përballojmë vetë të gjitha rreziqet dhe fatkeqësitë.
“Përse jeni kaq të trembur? Si nuk keni besim?”
Midis zhurmës dhe shqetësimit, midis stuhisë së tërbuar rreth nesh, ne duhet të dëgjojmë Zërin e Zotit, ta kërkojmë Atë me gjithë zemër në çdo çast të jetës sonë dhe të jemi të gatshëm ta pranojmë Atë gjithmonë, në çfarëdo pamje që të jetë vizita e Tij.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










