16/06/2026 16/06/2026 E Diela II e Mattheut Katedralja “Ngjallja e Krishtit” Tiranë, 14 qershor 2026 Pjesa e Ungjillit të sotëm është e shkurtër, por shumë domethënëse për gjithsecilin nga ne. Kur Zoti filloi shërbesën e tij publike, Ai thirri 12 apostuj. Në ungjillin e sotëm tregohet që Ai thirri katër nxënësit e parë, pikërisht nga liqeni i...
16 Ιουνίου, 2026 - 15:49

Predikime nga Kryepiskopi Joan PREDIKIMI I FORTLUMTURISË SË TIJ, †JOANI KRYEPISKOP I TIRANËS, DURRËSIT DHE I GJITHË SHQIPËRISË – LE T’I PËRGJIGJEMI THIRRJES SË ZOTIT DHE AI DO TË NA BEKOJË DHE SHENJTËROJË

Διαδώστε:
Predikime nga Kryepiskopi Joan  PREDIKIMI I FORTLUMTURISË SË TIJ, †JOANI KRYEPISKOP I TIRANËS, DURRËSIT DHE I GJITHË SHQIPËRISË – LE T’I PËRGJIGJEMI THIRRJES SË ZOTIT DHE AI DO TË NA BEKOJË DHE SHENJTËROJË

E Diela II e Mattheut
Katedralja “Ngjallja e Krishtit”
Tiranë, 14 qershor 2026
Pjesa e Ungjillit të sotëm është e shkurtër, por shumë domethënëse për gjithsecilin nga ne. Kur Zoti filloi shërbesën e tij publike, Ai thirri 12 apostuj. Në ungjillin e sotëm tregohet që Ai thirri katër nxënësit e parë, pikërisht nga liqeni i Galilesë. Ai i tha Pjetrit dhe vëllait e tij Andrea ‘ejani pas meje, më ndiqni dhe do t’ju bëj peshkatarë njerëzish’. Gjithashtu, Ai thirri edhe Jakovin dhe Joanin të bijtë e Zebedeut të cilët po rregullonin rrjetat së bashku. Ata të dy lanë përnjëherë gjithçka që kishin dhe e ndoqën Atë pas. Dhe Zoti filloi shërbesën e Tij publike, duke predikuar, shëruar dhe duke përhapur Ungjillin kudo. Ky është Ungjilli i sotëm, shumë i thjeshtë në dukje, por shumë i rëndësishëm për ne.
Fillimisht Ungjilli flet për thirrjen. Zoti na thërret gjithmonë. Çdo njeri, pa përjashtim, thirret vazhdimisht, sepse njeriu nuk është një gjendje statike. Nëse nuk ngrihemi lart shpirtërisht, atëherë do të fillojmë të biem poshtë. Ligji që është për natyrën fizike, po i njëjti është edhe në natyrën shpirtërore. Një objekt që nuk ka forcë për t’u ngritur lart, fillon të bjerë poshtë. Kështu është edhe në jetën shpirtërore. Zoti i thërret të gjithë. Ai thërret ata që vijnë për herë të parë në kishë, thërret ata që kanë ardhur vazhdimisht, thërret njerëzit që nuk besojnë, thërret edhe ata që besojnë, që të përparojnë akoma më shumë. Thirrja është e vazhdueshme dhe na drejtohet të gjithëve, që të përparojmë në jetën shpirtërore. Madje shën Grigori i Nisës thekson që jo vetëm në këtë jetë duhet të rritemi vazhdimisht shpirtërisht, por nëse do të bëhemi të denjë të jemi në Mbretërinë e Qiejve, edhe atje do të jemi vazhdimisht duke kaluar nga lavdia në lavdi. Meqë Perëndia nuk arrihet dhe nuk ezaurohet kurrë, sado të rritemi shpirtërisht në përjetësi, përsëri nuk e mbarojmë udhëtimin tonë. Ai është një udhëtim i vazhdueshëm nga lavdia në lavdi.
Në Ungjillin e sotëm theksohen disa çështje shumë të rëndësishme. E para, apostujt e parë iu përgjigjën menjëherë Zotit. Ata lanë punën e tyre dhe i shkuan pas. Kur e lexon në Ungjill duket si diçka shumë e thjeshtë, por kjo na bën të reflektojmë në jetën tonë. A i përgjigjemi ne përnjëherë Zotit duke lënë gjithçka? Ja, të mendojmë sikur secili nga ne të jetë në punën e tij, dikush në dyqan, dikush në zyrë, dikush në punë të tjera dhe ta thërrasë Perëndia dhe ai t’i lërë të gjitha dhe të shkojë pas Tij, duke lënë familje, duke lënë babanë, dhe duke lënë gjithçka tjetër. Kjo nuk është aq e lehtë, edhe pse kur e bëjnë të tjerët duket e lehtë. Ungjilli i sotëm na kujton të gjithëve: A i kemi lënë të gjitha të tjerat për ta ndjekur pas Zotin? Ne nuk mund t’u shërbejmë dy zotërinjve – na thotë Zoti. Ti nuk mund t’i shërbesh dot edhe Perëndisë edhe Mamonait. Mamonai ishte perëndia siriake e pasurisë e personifikuar me lakminë dhe etjen për të fituar gjithçka. Ne nuk mund t’i shërbejmë dot edhe Zotit edhe të gjitha pasioneve tona, dëshirave dhe gjithçkaje tjetër. ‘Lënia e të gjithave’ nuk do të thotë vetëm anën materiale si lënia e rrjetave, varkës dhe e punës së tyre, por do të thotë të lësh gjithçka tjetër. Ata nuk menduan shumë gjatë, siç mendojmë ne shpesh duke bërë analiza.
Nëse Zoti do të na kishte thirrur, ne do t’i përgjigjeshim që na lër edhe pak kohë. Edhe apostujt kishin punë te peshkimi. Të dy vëllezërit, Jakovi dhe Joani mund të përgjigjeshin: Ne nuk mund të vijmë tani se kemi dhe babanë, ndaj duhet të rrimë ca kohë që ta ndihmojmë atë dhe pastaj do të vijmë pas Teje. Ungjilli thotë: Ata i lanë rrjetat dhe menjëherë shkuan pas Tij. Kur bën thirrje Perëndia, duhet shkuar përnjëherë pas Tij. Ngurrimi vjen realisht nga arsyet që gjejmë ne, sepse kushdo që punon për Perëndinë, Perëndia nuk do ta braktisë as atë dhe as familjen e tij. Por ne nuk i përgjigjemi thirrjes përnjëherë, sepse nuk duam të shkëputemi nga ato çfarë na jep bota. Prandaj dhe Ungjilli i sotëm është shumë i rëndësishëm dhe doja që gjithmonë kur të lexoni Ungjillin të meditoni për t’u zhytur në thellësi, sepse thesaret e mëdha dhe perlat më të bukura janë më në thellësi. Shpeshherë ne lexojmë Ungjillin në mënyrë sipërfaqësore. Dhe kur e lexojmë në mënyrë sipërfaqësore, Ungjilli nuk na thotë dot gjë. Në Jerondiko tregohet një histori shumë e bukur nga aba Abrahami. Ai tregon që një herë shkoi të vizitonte aba Aresin, i cili ishte një atë shpirtëror shumë i madh. Tek ai vinin qindra njerëz për ta pyetur për gjëra të ndryshme dhe ai u përgjigjej të gjithëve shumë thjesht. Në fund erdhi një murg, i ra në gjunjë dhe i tha: – Aba, çfarë duhet të bëj që të shpëtoj shpirtin tim? Aba i thotë: – Kthehu në qeli, agjëro, ha vetëm një herë në ditë bukë dhe ujë dhe lutu. Ai e falenderoi dhe iku. Pas një viti kur aba Abrahami, ishte te qelia e aba Aresit atje vazhdonin të vinin njerëz të ndryshëm, të cilët e pyesnin për gjëra të ndryshme dhe ai u përgjigjej. Në fund erdhi përsëri ai murgu që kishte qenë para një viti. Ai i ra në gjunjë dhe i tha: – Aba, e bëra atë që më the, po tani çfarë duhet të bëj? Aba i thotë: – Shko përsëri në qeli, ha bukë një herë në dy ditë, pi pak ujë dhe lutu akoma edhe më shumë. Ai e falënderoi përsëri dhe iku. Kur u larguan njerëzit, aba Abrahami tregon që ai vetë e pyet aba Aresin: Përse të gjithë të tjerëve u thua gjëra shumë të thjeshta dhe këtij murgu i jep disa detyra shumë të vështira? Aba Aresi iu përgjigj: – Të gjithë që vijnë më pyesin kot, sepse dhe ato që u them, ata nuk do t’i bëjnë. I vetmi njeri që më pyeti seriozisht ishte ai murgu, ndaj edhe unë i fola atij shumë seriozisht.
E njëjta gjë është edhe me Librat e Shenjtë. Nëse ne i lexojmë në mënyrë sipërfaqësore, ato nuk na thonë dot asgjë. Po nëse i lexojmë me të gjithë shpirtin tonë, duke kërkuar realisht diçka, me siguri që do ta gjejmë. Sepse kur Zoti na thotë që kërkoni dhe do të gjeni, nuk do të thotë që bëni sikur kërkoni. Nëse ne do të kërkojmë me gjithë shpirt, Zoti do të na plotësojë çdo dëshirë. Historia e gjatë e jetës shpirtërore në Kishën tonë është e mbushur me mijëra ngjarje të tilla. Nëse ne i lutemi Perëndisë dhe i kërkojmë me të gjithë shpirtin tonë atë që duam, Ai do na e japë ne atë që është më e mira për ne. Po nëse bëhemi të sipërfaqshëm, duke ndjekur thjesht disa rite nga jashtë, asgjë nuk do të ndodhë brenda nesh.
Prandaj jemi thirrur vazhdimisht për t’u ngritur lart dhe Ungjilli i sotëm na kujton të gjithëve që duhet të përparojmë në jetën tonë shpirtërore, sepse nuk ekziston gjendje statike, as në planin fizik, as në planin shpirtëror.
Ungjilli i sotëm përfundon duke treguar që Zoti e filloi punën e tij publike duke predikuar Ungjillin. Kjo do të thotë që nëse ne jemi thirrur, nuk jemi thirrur thjesht për të përfituar disa gjëra, por jemi thirrur për të përhapur kudo Ungjillin, Lajmin e Mirë. Sa nevojë ka sot bota për Lajmin e Mirë! Nëse nuk ndryshon njeriu, as shumë gjëra nuk mund të ndryshojnë vetëm nga jashtë. Nëse nuk ndryshon njeriu, çfarëdolloj reformash të bëjmë, të njëjtat gjëra do të përsëriten vazhdimisht. Tolstoi, në një meditim shumë të bukur, thotë që sa herë njerëzit kanë thënë dhe kanë bërtitur ‘fitore’ kur kanë ndryshuar shumë gjëra! Meqenëse kanë bërtitur dhe kanë përsëritur vazhdimisht ‘fitore’, do të thotë që më parë s’kishin fituar asgjë, asnjë fitore nuk ishte realizuar. Sepse e vetmja fitore e vërtetë është kur ne ndryshojmë jetën tonë shpirtërore, kur ndryshojmë njeriun brenda nesh. Nëse nuk lind njeriu i ri brenda nesh, njeriu i vjetër do të sillet në të njëjtën formë (shih Ef.4:22-24). Dhe për të realizuar këtë gjë, Zoti na do ne që ta ndjekim Atë pas. Ta ndjekim Atë pas do të thotë të ndjekim rrugën e Tij (shih 1 Jn. 2:6), jo vetëm për veten tonë, por edhe për të tjerët.
Çfarë bënë apostujt dhe nxënësit e Tij? Ata lanë gjithçka, e ndoqën Zotin pas dhe pastaj e përhapën Ungjillin në të gjithë botën. Kjo është një nga mrekullitë më të mëdha që ka ndodhur në historinë e njerëzimit. Si ka mundësi që 12 njerëz shumë të thjeshtë, nga Galilea, krahina më e prapambetur e Perandorisë Romake, mundën të gjithë Perandorinë?! Zoti nuk zgjodhi 12 filozofë, as 12 shkencëtarë, as 12 mbretër shumë të mëdhenj për ta përhapur Ungjillin, por përdori 12 njerëz të thjeshtë. Ata nuk kishin arsim në kuptimin e jashtëm, por kishin një pastërti zemre, prandaj dhe arritën ta kuptonin Ungjillin dhe thellësinë e mësimit të Ungjillit, Dhe duke pasur një zemër të pastër, ata u munduan jo vetëm për veten e tyre, por dhe për të tjerët, që ta përhapnin Ungjillin kudo.
Është detyra e çdo të krishteri që të ndjekë rrugën e Krishtit dhe të përhapë Ungjillin jo vetëm te familja e tij, por në të gjithë botën. Sepse bota e sotme ka nevojë për dritën e Krishtit. Nëse nuk do ishte kjo dritë, bota do të ishte akoma më e keqe seç është sot. Pikërisht kjo dritë ndriçon zemrat e njerëzve, kjo dritë mund të ndriçojë popuj të ndryshëm për të hyrë në rrugën e së vërtetës dhe të drejtësisë. Prandaj dhe Zoti na thërret ne vazhdimisht.
Le t’i përgjigjemi thirrjes së Zotit dhe Ai do na bekojë dhe shenjtërojë. Sepse çdo njeri është thirrur për t’u bërë shenjtor. Kështu thuhet në Shkrimin e Shenjtë, ku Perëndia na drejtohet: “Jini të shenjtë, sepse Unë jam i shenjtë” (Ligj. Përt. 11:44). Perëndia nuk kërkon diçka që ne nuk mund ta bëjmë dot. Ne mund ta realizojmë atë, por jo vetëm me fuqinë tonë. Ne mund ta bëjmë atë kur jemi të përulur, kur pranojmë mësimin e Zotit dhe kur e ndjekim Atë pas.
Prandaj, le ta ndjekim Krishtin në thirrjen që Ai na bën në çdo pozicion të jetës, sepse duke ndjekur pas Krishtin, do të ndriçohemi ne vetë dhe do të kemi mundësi të ndriçojmë shumë njerëz rrotull nesh. Amin.

 

media.ngjallja.org

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων