15/06/2021 15/06/2021 E martë, 15 qershor 2021 – Shenjtori i ditës. Profeti Amos. Apostujt Stefanai, Fortunati nga të 70-t. Oshënar Jeronimi. Oshënar Agustini i Iponës. – Profeti Amos – Profeti i shenjtë Amos ishte blegtor dhe kultivues fiqsh në fshatin e Tekoas, disa kilometra larg Betlehemit. Ai jetoi në mbretërimet e Osias (781-740), mbretit të Judas dhe...
15 Ιουνίου, 2021 - 15:07

Profeti Amos

Διαδώστε:
Profeti Amos

E martë, 15 qershor 2021 – Shenjtori i ditës.
Profeti Amos. Apostujt Stefanai, Fortunati nga të 70-t. Oshënar Jeronimi. Oshënar Agustini i Iponës.
– Profeti Amos –
Profeti i shenjtë Amos ishte blegtor dhe kultivues fiqsh në fshatin e Tekoas, disa kilometra larg Betlehemit.
Ai jetoi në mbretërimet e Osias (781-740), mbretit të Judas dhe të Jeroboamit II (784-744), mbretit të Izraelit. Kur po kulloste grigjën e tij, Zoti e thirri dhe i tha: “Shko, profetizoji popullit tim Izrael”. Shkoi në Mbretërinë e Veriut, ku të pasurit i shtypnin të varfrit në mënyrë të turpshme, silleshin në mënyrë të shthurur dhe adhuronin një viç të artë. Për këtë arsye Perëndia e urdhëroi t’u lajmëronte se ndëshkimi i tyre nuk do të vononte. Amosi paratha fillimisht shkatërrimin e kombeve fqinje: të Damaskut, Filistisë, Fenikis, Edomit, Amonit dhe Moabit dhe shtoi se zemërata e Perëndisë do të binte edhe mbi Mbretërinë e Judës dhe para kësaj, mbi Mbretërinë e Samarisë që kishte fyer Emrin e tij të shenjtë për hir të kultit idhujtar.
Profeti pa si fillim një vizion me një shumicë karkalecash që do të gllabëronin të gjitha kulturat e mbjella në Izrael, por ndërmjetoi për popullin dhe kjo plagë u mënjanua.
Banorët e Mbretërisë së Veriut nuk u penduan dhe vazhduan në mëkatet e tyre, kështu që Zoti i shfaqi profetit, në tri vizione, se nuk do t’i falte më, por do t’i godiste rebelët dhe do të rrëzonte përtokë qytetet e tyre. Ai tha se “Dita e Zotit”, që prisnin ata që mburreshin se ishin populli i zgjedhur “do të ishte errësirë dhe jo dritë”. Kulti i tyre hipokrit, i përzier me paudhësi, tërhoqi zemërimin e Zotit, që i hodhi poshtë duke thënë: “Unë i urrej, i përbuz të kremtet tuaja dhe nuk mund t’i duroj dot festat tuaj solemne. Largoni prej meje tingullin e kantikëve, që të mos dëgjoj muzikën e harpave” (5:21-23).
Ata i priste ndëshkim i tmerrshëm, i cili do të shënonte edhe fundin e Mbretërisë skizmatike të Izraelit: “Ajo ka rënë, nuk do të ngrihet më virgjëresha e Izraelit”.
Megjithatë, nuk do të mungonte shpresa e shpëtimit: “Kërkoni Zotin dhe do të jetoni… Urreni të ligën, doni të mirën dhe bëni që të mbretërojë e drejta, ndoshta Zoti do ta mëshirojë mbetjen e Josifit” (5:14-15). Sepse atëherë thotë Zoti: “Unë do të dërgoj urinë në vend, jo urinë e bukës, jo një etje, por urinë për të dëgjuar fjalën e Zotit” (8:11).
Kur profeti po lajmëronte këto ngjarje në Bethel, prifti Amasias e akuzoi te mbreti se po përhapte lajmin se sovrani do të vdiste nga shpata dhe se populli do të internohej larg tokës së tij. Ai i tha Amosit: “Shiko, ik, largohu nga dheu i Judës, ha bukën tënde atje dhe atje poshtë profetizo. Por mos profetizo më në Bethel, sepse është vendi i shenjtë mbretëror, një tempull për mbretërinë” (7:12-13). Amosi vazhdoi të profetizonte me gjithë këto kërcënime dhe i paratha priftit se do të vdiste në internim.
Në fund, ai paratha se këto fatkeqësi do të ngrinin linjën e Davidit, dhe do të përgatisnin për ardhjen e Mbretërisë Mesianike. Sipas profetit, në këto ditë, malet do të pikojnë ëmbëlsi dhe e tërë toka do të shndërrohet në një kopsht frutash të përjetshme.
Në një traditë të mëvonshme na thuhet se biri i Amasias, Osia, e goditi Amosin dhe e la gjysmë të vdekur. Profeti u çua në atdheun e tij, Tekoa, ku dha frymën e fundit pas disa ditësh.
* * * * *
– Oshënar Jeronimi –
Mësuesi i Kishës, Sofron Efsev Jeronimi (greqisht: me emër të hyjshëm), lindi në vitin 347 në Dalmaci (Sllovenia e sotme), nga prindër të krishterë të pasur. Që herët u shqua për aftësitë e tij dhe u edukua në Romë për retorikë, filologji dhe filozofi greke e latine.
Në moshën 18-vjeçare u pagëzua nga papa shën Liberi (27 gusht), por më pas bënte një jetë të çrregullt… Ndryshoi kur shkoi në Francë dhe nisi të merrej me teologji.
Në vitin 373 nisi një udhëtim, duke kaluar nga Greqia dhe Azia e Vogël, për në Antioki të Sirisë, ku mësoi interpretimin e Shkrimit. Pasi u shërua nga një sëmundje e rëndë, mësoi hebraishten, ndërsa paralelisht punonte për të jetuar.
Në Antioki (376), u dorëzua, pa dëshirën e tij, presviter, por nga përulësia asnjëherë nuk kreu detyrat e priftit dhe rronte si murg i thjeshtë!
Në vitin 378 ose 379 shkoi në Konstandinopojë për të mësuar për dy vjet pranë shën Grigor Theologut (25 janar) dhe këtu u lidh edhe me shën Grigorin e Nisës (10 janar).
Për shkak të problemeve kishtare shkoi në Romë (382) ku u njoh me shën Epifanin e Qipros (12 maj), udhëhoqi shpirtërisht një shoqëri virgjëreshash fisnike dhe punoi si këshilltar i papa Damasit, pasardhës i të cilit do të bëhej ai në fron, nëse nuk do të reagonin disa klerikë të keqdashës… Mësoi për pak kohë në Aleksandri pranë Didimit të verbër.
Më pas shkoi në Nitri të Egjiptit dhe së fundi, në Betlehem (386), ku krijoi dy manastire: Manastirin e burrave, të cilin e drejtonte vetë, dhe atë të femrave, që e drejtonte patricia romake, Paola, e cila ishte një grua e ve, e ëma e virgjëreshës Eustaci.
Jeronimi fjeti në vitin 420 dhe lipsani i tij u transferua në shekullin e 14-të në kishën Santa Maria Maxhore të Romës.
La një volum të madh shkrimesh historike, kundërshtimesh ndaj herezive etj., dogmatike, si dhe letra, omeli, përkthime të teologëve të Lindjes, të çmuara për Perëndimin dhe, kryesisht, përkthimin latinisht të Shkrimit të Shenjtë, Vulgatën, që mënjanoi përkthimin më të vjetër, Italën. Shkroi gjithashtu edhe “Për (135) burra të shquar (të Kishës)”.
* * * * *
– Oshënar Agustini i Iponës –
Ishte bir i Patricit, aristokrat i degjeneruar idhujtar dhe në fund i krishterë, dhe Monikës, besimtare e zjarrtë. Lindi më 354 në Numidia (të Algjerisë së sotme). I talentuar nga pikëpamja mendore, ndërsa studionte në Kartagjene ra në mëkat dhe bëri një fëmijë jashtë martese, Adeodatin. Kërkimet e tij shpirtërore e bënë të hallakatej në filozofi të ndryshme dhe në herezinë e Manikaizmit. Në Milano, ku jepte mësimin e retorikës (oratorisë), u ndriçua (384) nga predikimet e episkopit, shën Ambrozit (7 dhjetor). Por, etja e tij metafizike nuk ishte ngopur akoma.
E qetësonin letrat e Pavlit, derisa njëherë, siç po qante në kopshtin e tij, duke iu falur Perëndisë që ta qetësonte, dëgjoi një zë të mistershëm melodioz prej fëmije: “Merre dhe lexoje!” Mori Ungjillin. Syri i shkoi te Romakët 13:11-14: “Tani është ora të zgjohemi nga gjumi… le të hedhim tej punët e errësirës … vishni Zotin…”. Hiri e mbushi. Lutjet e dhimbshme të pareshtura të Monikës ishin dëgjuar. U pagëzua natën e Pashkës (387) nga Ambrozi, bashkë me Adeodatin 15-vjeçar, ndërsa thuhej se psalej për herë të parë “Të himnojmë, të bekojmë…”.
Misticist dhe njeri i zemrës themeloi vëllazëri murgërore në atdheun e tij, mbas kthimit atje më 388. Por, duke vizituar miqtë e tij në Ipona, në breg të Numidias, u detyrua prej të gjithëve më 391 të bëhej prift, më 396 ndihmës episkop dhe mbas pak kryebariu i qytetit. U kujdes pa u lodhur për klerin dhe popullin turpëronte dhe i bënte të pavlerë heretikët dhe idhujtarët.
Ati i vjetër dhe më i famshëm perëndimor fjeti më 28.8.430, duke na lënë në trashëgim një vepër tejet të madhe për nga shtrirja: Vepra polemike (si “Për [88] herezitë”), dogmatike (“Për Trininë”; “Për shtetin e Perëndisë” etj.), vepra autobiografike (“Rrëfime”; “Rishikime”), vepra filozofike, shpjeguese, morale, predikime e letra. Doktrina novatore dhe të fuqishme të tij u keqkuptuan nga heretikët.
Agustin, latinisht do të thotë: i respektuar.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων