14/06/2023 14/06/2023 E mërkurë, 14 qershor 2023 – Shenjtori i ditës. JEMI NË KRESHMËN E APOSTUJVE Profeti Elise. Metodi i Konstandinopojës. Oshënar Nifoni nga Lukova (Sarandë). – PROFETI ELISE – Profeti Elise, emri i të cilit do të thotë: “Perëndia është shpëtim”, ishte i biri i një kultivuesi të pasur tokash në Abel-Meola të luginës së Jordanit....
14 Ιουνίου, 2023 - 15:22

Profeti Elise. Metodi i Konstandinopojës. Oshënar Nifoni nga Lukova (Sarandë)

Διαδώστε:
Profeti Elise. Metodi i Konstandinopojës. Oshënar Nifoni nga Lukova (Sarandë)

E mërkurë, 14 qershor 2023 – Shenjtori i ditës.
JEMI NË KRESHMËN E APOSTUJVE

Profeti Elise. Metodi i Konstandinopojës. Oshënar Nifoni nga Lukova (Sarandë).

– PROFETI ELISE –

Profeti Elise, emri i të cilit do të thotë: “Perëndia është shpëtim”, ishte i biri i një kultivuesi të pasur tokash në Abel-Meola të luginës së Jordanit. Një ditë që po lëronte arat me 12 palë qe, profeti Ilia (20 korrik) iu afrua dhe i hodhi përsipër mantelin e tij, duke e caktuar trashëgimtar të dhuratës së tij profetike. Eliseu sakrifikoi buajt dhe i përdori drutë e parmendave për të zier mishin e tyre si ofrim për Zotin. Më pas i braktisi të gjitha dhe, pa u përshëndetur me të tijtë, ai ndoqi pas Ilian dhe u bë shërbëtori i tij i përkushtuar.
Kur Ilia e plotësoi misionin e tij, Eliseu nguli këmbë për ta ndjekur deri në vendin ku do të merrej në qiej dhe kërkoi nga mësuesi i tij t’ia transmetonte dyfish frymën profetike. Atëherë u shfaq një karrocë e zjarrtë dhe Ilia u ngjit në qiej në mes të një vrundulli ere, duke lënë të binte manteli i tij në tokë. Eliseu e mori dhe u kthye në Jordan. Rrahu ujërat me mantel duke thirrur “Perëndinë e Ilias” dhe ato u hapën më dysh duke e lënë Eliseun të kalonte pa iu lagur këmbët. Atëherë anëtarët e grupit të profetëve erdhën dhe e nderuan duke i thënë: “Fryma e Ilias u preh tek Eliseu!”.
Eliseu e ushtroi funksionin e tij profetik mbi 50 vjet (850-800 para Kr.), në mbretërinë e Samarisë, në kohët e mbretërimit të Joramit, Ju, Joahazit dhe Joait. Ai i nxiste pareshtur izraelitët t’u largoheshin perëndive të huaja, Baalit e Astartes dhe të ktheheshin në adhurimin e të vetmit Perëndi të vërtetë.
Fryma e Perëndisë ishte tek ai “fuqi” që i shndërronte ligjet e natyrës duke dëshmuar për hirin që u jepet atyre që i qëndrojnë besnikë Perëndisë dhe në këtë mënyrë parafiguroi veprën e Shpëtimtarit Jisu Krisht.
Profeti i pastroi me kripë ujërat e një burimi pranë Jerikosë, shumëfishoi furnizimet e vajit të një vejushe të varfër që ajo të paguante borxhet e saj, e shndërroi ushqimin e hidhur në një supë të shijshme për të ngrënë profetët dhe shumoi 20 bukë tërshëre për të ushqyer 100 shpirtra, si dhe ngjalli të birin e vdekur të një gruaje të pasur.
Një herë tjetër, ndërsa një nga vëllezërit e profetit Elise po punonte në brigjet e Jordanit, i shpëtoi nga duart hekuri i sëpatës dhe ra në ujë. Ai ia tregoi njeriut të Perëndisë dhe atëherë ai hodhi një shkop në ujë në po të njëjtin vend dhe e solli sëpatën mbi sipërfaqe, duke paratreguar në këtë mënyrë cilësinë e Kryqit, që lartëson natyrën e rënë të njeriut.
U zbuloi mbretërve të Izraelit dhe aleatëve të tyre planet e mbretit të Asirisë.
Paratha vrasjen e mbretit të Damaskut, Ben-Adad II, nga oficeri i tij Azaili dhe i tregoi këtij të fundit se do të merrte pushtetin. Një herë tjetër, shëroi Neemanin e lebrosur, gjeneralin e ushtrisë siriane, duke i thënë të shkonte të lahej në Jordan, duke paratreguar për ne kështu shpëtimin e idhujtarëve me Pagëzimin e shenjtë.
Me të gjitha këto mrekulli që kreu Perëndia nëpërmjet profetit të tij, Mbretëria e Izraelit u pastrua nga adhurimi i Baalit, por hebrenjtë, që ishin shkaktarë të ndarjes së mbretërisë, përsëri kishin nevojë për ndërhyrjet e vazhdueshme të Perëndisë për t’iu larguar idhujve dhe mëkatit e për t’iu kthyer adhurimit të Perëndisë së vërtetë.
Profeti i shenjtë Elise fjeti në moshë të madhe, pasi i paratha mbretit të Izraelit, i cili erdhi te shtrati i tij për të qarë për humbjen e madhe, se do të mposhte sirianët në betejë. Po atë vit, një i vdekur, të cilin e hodhën mbi varrin e profetit, gjatë një sulmi të moabitëve, u rikthye në jetë dhe qëndroi në këmbë. Për këtë arsye Urtësia e Sirakut e lavdëron profetin e shenjtë duke thënë: “Edhe në fjetjen e tij trupi i tij profetizoi” (Urtësia e Sirakut 48:13). Varri i tij, që nderohej shumë prej hebrenjve, u përdhos gjatë kohës së Julian Apostatit (362), por një pjesë e lipsaneve të profetit mundën të transferoheshin në Aleksandri dhe Konstandinopojë, ku u ndërtua edhe një kishë në kujtim të tij.
* * * * *
– OSHËNAR NIFONI NGA LUKOVA (Sarandë) –
Bir i një prifti shpresëtar, lindi më 1315 në fshatin Lukovë të Sarandës. Në moshën 10-vjeçare ia besojnë një xhaxhai të tij, vëlla i manastirit të afërt të Mesopotamit, një manastir bizantin perandorak me interes arkitektonik. Atje mësoi Shkrimet e Shenjta, u bë murg dhe (rreth vitit 1335) prift. Inteligjent, i kujdesshëm, pra, dhe shumë i ditur, aspiroi jetën eremite. Iku nga manastiri dhe mësoi në mënyrë të frytshme te një jeront i Sinait, i cili kishte ardhur në malin Giromero të Epirit. Shpejt arriti të recitonte të gjithë Psaltirin drejt me një këmbë! Për hir të qetësisë së skajshme, shkoi në Malin e Shenjtë, në “kathismën” e shën Petro Athonitit (12 qershor) në zonën e Lavrës, nën drejtimin e asketit Theognost.
Mbas 3 vjetësh, ai zbuloi se Nifoni ishte prift, kështu që oshënari iku, pasi jeronti i tij i sillej tashmë si vëlla. Në vazhdim u ushtrua në vende të ndryshme të Malit të Shenjtë, si: në Skitin e tanishëm të Shën Anës; më pas afër mikut të tij të ngushtë, shën Maksim Kafsokalivit (13 janar), biograf i parë i të cilit është Nifoni; më pas në shpellën në breg të detit para Kafsokaliveve të sotme.
Për vite të tëra jetonte me bukë thatë që hante një herë në javë, ndërsa për njëfarë kohe kishte për dietë të vetme lakrat dhe jetonte në qiell të hapur pa banesë dhe pa strehë. U akuzua, pra, nga ziliqarë si i mashtruar (nga djalli), dhe u thirr për të ndërruar mënyrë jetese, kështu që u bind përulësisht. Referohen: parashikime ngjarjesh të largëta, shërime trupore dhe shpirtërore dhe mirëbërje të tjera.
Afër tij ishin tërhequr dikur shumë veta, por i la dhe iku për të mos e shpërndarë vëmendjen. Vetëm dy murgj murgëruan bashkë me të, patriotët e tij Marko dhe Gavriil. E paranjohu fjetjen e tij, gjatë së cilës fytyra e tij shekullore shkëlqeu si diell (E diel 14. 6. 1411).
Nifon, greqisht do të thotë: i gatshëm, i kthjellët.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων