28/04/2020 30/04/2020 Vendndodhja: Kisha e Shën Nikollës ndodhet në gjirin e Porto Palermos, i cili është i njohur që në kohët e lashta si gjiri Panorma dhe shtrihet në juglindje të qytetit të Himarës, në brigjet e detit Jon. Gjiri Panorma është me origjinë tektonike, i identifikuar si bregdet i thepisur dhe i paraqitur dhe në hartat...
28 Απριλίου, 2020 - 22:14
Τελευταία ενημέρωση: 30/04/2020 - 15:42

Restaurimi në proces i kishës së shën Nikollës në Porto Palermo, Himarë

Διαδώστε:
Restaurimi në proces i kishës së shën Nikollës në Porto Palermo, Himarë

Vendndodhja:

Kisha e Shën Nikollës ndodhet në gjirin e Porto Palermos, i cili është i njohur që në kohët e lashta si gjiri Panorma dhe shtrihet në juglindje të qytetit të Himarës, në brigjet e detit Jon. Gjiri Panorma është me origjinë tektonike, i identifikuar si bregdet i thepisur dhe i paraqitur dhe në hartat e vjetra. Brenda gjirit ndodhet një gadishull i vogël dhe tërheqës shkëmbor, i cili hyn rreth 300 metra në det. Këtu ndodhet dhe  kalaja/fortesë e famshme e Porto Palermos,

Objekti ndodhet buzë rrugës nacionale Vlorë – Sarandë, rreth 8.5 km larg qendrës së Himarës. Kisha rrethohet nga disa objekte të ndërtuara gjatë periudhës së komunizmit, atëherë kur e gjithë zona rreth saj u shndërrua në bazë ushtarake detare.

 

Analizë Historike

Kisha e hirshme e Shën Nikollës është i vetmi element që ka mbetur nga manastiri dikur i ndritshëm i Shën Nikollës së Panormës (sot gjiri emërtohet i Palermos), kjo dëshmohet nga burime të shkruara dhe gjetje të tjera. Bëhet fjalë edhe për përshkrimet tejet argumentuese që na japin udhëtarë dhe historianë të huaj që kanë kaluar në atë zonë.

Informacioni bazë që na shpie në përfundimin se kisha që sot ka shpëtuar është katholikoni i një institucioni monastirik, vjen nga libri i hulumtuesit dhe theologut, Theofan Popa, i cili u referohet mbishkrimeve të manastireve dhe kishave të Shqipërisë. Këto mbishkrime, i ndjeri Popa i ka mbledhur nga shënime të Pulitsës, të botuara më parë, si edhe nga kërkime të tij të drejtpërdrejta në terren si nëpunës i Institutit të Monumenteve të Kulturës, në periudhën e persekutimit ateist. Popa gjeti një kuti lipsanesh të shenjta në manastirin e Shën Dhimitrit në Qeparo, në të cilën shkruhej në greqisht: “Kjo kuti lipsanesh është e manastirit të Shën Nikollës – Palermo, 1800”.

Në një ballafaqim me një tjetër mbishkrim që referon libri “1811”, që ishte e murosur në një gur qosheje në konakët e manastirit të Shën Dhimitrit, mund të mbështetet hipoteza se, pasi Ali Pashë tepelena shkatërroi manastirin e Shën Nikollës në Palermo, sikundër do të përshkruhet më poshtë,  murgjit transferuan çka kishin shpëtuar nga manastiri në Palermo dhe ndërtuan rreth kishës së Shën Dhimitrit, e cila ekzistonte prej kohësh, konakët për t’u vendosur atje. Kështu kutia e lipsaneve u gjend në atë vend nga Popa rreth vitit 1970.

Poukevili, prift francez dhe diplomat – konsull i Francës në oborrin e Ali Pashës rreth vitit 1811 vizitoi trevën e Himarës dhe mbajti shënime, të cilat i botoi më vonë në Paris më 1820. Poukevili na jep një përshkrim të përsosur të peizazhit të gjirit të Panormës, të kështjellës dhe të rripit të ngushtë të tokës që e lidh atë me sterenë, pikërisht atje ku ndodhet kisha e Shën Nikollës dhe disa kasolle, që janë mbetje nga godina të tjera të manastirit të vogël që ishte atje. Duhet theksuar se rreth vitit 1798  Ali Pasha e mori trevën e Himarës dhe në vitin 1806 ndërtoi kështjellën. Në këtë kështjellë qëndroi Poukevili. Pra, më 1811 kisha e hirshme e Shën Nikollës me disa kasolle përreth ishte atje.

Faktet dëshmojnë për një përpjekje disaditore të Ali Pashës për të rrënuar krejt kishën dhe godinat e tjera përreth manastirit të vogël. Spiro Llambro, letrar dhe historian epirotas, shumë pranë në kohë me ngjarjet, përshkruan në librin e tij “Himara” se, për tri ditë, ushtarët e Aliut gjuanin me top nga një anije e ankoruar në gji, kishën, ngaqë ajo pengonte planin e tij për të ndërtuar kështjellën mbi gërmadhat e së vjetrës. Kisha, me sa duket, si në një mrekulli i mbijetoi goditjeve me top dhe përpjekjeve për shembjen e saj dhe kështu, pavarësisht nga dëmtimet ruhet deri më sot.

Nuk përjashtohet mundësia, me sa dëshmojnë elementet arkitektonike, që të dispononte edhe kube qendrore, duke i ngjarë kështu kishave të tjera manastiriale të asaj periudhe (shek. XVII-XVIII): “Shën Dhmitri” në Qeparo, “Fjetja e Perëndilindëses” në Kakome, “Shën Jorgji” në Vollodër, “Shën Vasili” në Shën Vasil etj., në të njëjtën vijë të rajonit bregdetar. Ka të ngjarë që bombardimet me top nga anije të ushtarëve të Ali Pashës, sipas dëshmive historike, ia dolën të rrëzonin kubenë dhe, gjatë rikuperimit të kishës së hirshme, ajo nuk u rindërtua, por duhet të jetë mbyllur hapja në harkun e qemerit të mbulesës së nefit kryesor të kishës.

Në vijim, kisha u përdor gjatë gjithë kohës si paraklis nga besimtarët e fshatrave kufitare, kryesisht të Qeparoit dhe të Himarës, dhe si një faltore e të gjithë zonës atje.

Në vitet që pasuan (mesi i shek. XX), me stabilizimin e shtetit komunist në Shqipëri,  e gjithë zona rreth “Shën Nikollës” u shndërrua në bazë ushtarake detare, që nga dhjetëvjeçari ’60. Rruga që shpie në Himarë dhe në vazhdim në Vlorë kalonte nga Gryka e Kudhësit dhe lartësitë e Pilurit. Për pasojë, kisha së bashku me pasurinë që dispononte u shtetëzua dhe e gjithë zona iu nënshtrua transformimeve të mëdha, si rezultat i të cilave sot nuk është e mundur të gjenden të tjera gjetje apo gërmadha të godinave përreth saj. Vetë kisha u shndërrua në depo të materialeve luftarake, pasi paraprakisht ishte zbrazur nga relike të vlefshme kishtare që përmbaheshin atje. U hoqën, natyrisht, kambaneria, kryqet dhe çatia me tjegulla, që u zëvendësua me soletë betoni antiestetike dhe të ndërtuar pa mjeshtëri. Me rënien e sistemit komunist, ndonëse zona vazhdonte të qëndronte e kontrolluar për qarkullimin e lirë, banorët filluan, të ndrojtur, të vinin në kishë dhe sidomos pas vitit 1997 kur u “hap” zona në mënyrë më të rregullt i rikthyen në Faltoren e tyre, duke vijuar përpjekjen për të zgjidhur dhe rregulluar edhe çështje të zotërimit të pasurisë.

 

Angazhimi Dhe Përmbushja E Procedurave

Teknike E Financiare

Besimtarë dhe dashamirës të kësaj kishe, prej vitesh kërkonin me interesim të veçantë restaurimin e saj. Për këtë, ata kishin mbledhur edhe një kontribut, i cili, me anë të atë Jani Mërkurit, iu vu në dispozicion Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Duke parë këtë interesim, Kryepiskopi Anastas i kërkoi Bërthamës së Trashëgimisë Kulturore të Kryepiskopatës fillimin e proceduarave për realizimin e projektit dhe miratimin e tij më pas në Këshillin Kombëtar të Restaurimit të Ministrisë së Kulturës. Pas kësaj,  Kryepiskopi akordoi pjesën më të madhe të shumës së preventivuar për realizimin e këtij restaurimi, e cila, duke iu bashkëngjitur asaj të besimtarëve, mundësoi fillim e punimeve në kishë.

 

Ndërhyrjet E Propozuara Që Aktualisht Po Zbatohen

  • Zbankim dheu dhe pastrim shkurresh.
  • Rikonstruksion i plotë i çatisë, mbulimi i saj me tjegulla vendi. Kjo do të bëhet duke ruajtur me rigorozitet kuotat ekzistuese të këtij objekti. Para këtij rikonstruksioni do të çmontohet betoni, i cili, në mënyrë të çuditshme, ka mbuluar gjithë sipërfaqen aktuale të çatisë.
  • Do të realizohet përforcimi i konstruksionit ekzistues nëpërmjet përforcimit të qemerëve të mbulesës.
  • Gjendja e muraturës paraqitet e mirë, nevojiten disa injektime dhe fugatime.
  • Do të plotësohen të gjitha elementet që i japin formën dekorative të katër fasadave, të cilat vende-vende janë dëmtuar.
  • Duke parë lagështinë që krijohet në pjesën e poshtme të mureve, përveç pastrimit të përgjithshëm do të realizohet një sistemim i jashtëm i drenazhimit, sipas detajit të mëposhtëm:
  • Ndërhyrja do të plotësojë me dyer dhe dritare druri të gjithë objektin.
  • Riparimi i suvasë së brendshme të mureve dhe tavanit.
  • Riparim i fugaturës së mureve, muri në përgjithësi është i rregullt por fugat janë të degraduara dhe të shpëlara për shkak të ujërave që kanë shpëlarë materialin lidhës.

Është parashikuar realizimi i murit mbajtës të dherave, sidomos në anën lindore të objektit, pasi, ashtu siç është evidentuar dhe më lart, në këtë zonë ka prani të masave të dheut dhe bimësisë së lartë. Gjithashtu është parashikuar realizimi i murit mbajtës dhe në pjesën perëndimore, meqenëse ka disnivel dherash dhe duhet të bëhet disiplinimi i tyre për të lehtësuar afrimin në kishë.

 

Për Bërthamën e Trashëgimisë Kulturore

Përgatiti: Ark. Rest. Gentian Stratobërdha

 

orthodoxalbania.org

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων