27/07/2021 27/07/2021 A dëshiron ta bësh të pasur djalin tënd? Edukoje sipas doktrinës së Zotit. Se i pasur është, jo ai që fiton para dhe që s’ndien të ngopur me këto, po përkundrazi ai që di të jetojë i kënaqur dhe me pak. Apo ke dëshirë ta bësh të ditur e të lavdëruar? Dije mirë se dituria...
27 Ιουλίου, 2021 - 17:36

RRITJA DHE EDUKIMI I FËMIJËVE (3) – Këshilla nga Shën Joan Gojarti

Διαδώστε:
RRITJA DHE EDUKIMI I FËMIJËVE (3) – Këshilla nga Shën Joan Gojarti

A dëshiron ta bësh të pasur djalin tënd?
Edukoje sipas doktrinës së Zotit. Se i pasur është, jo ai që fiton para dhe që s’ndien të ngopur me këto, po përkundrazi ai që di të jetojë i kënaqur dhe me pak.
Apo ke dëshirë ta bësh të ditur e të lavdëruar?
Dije mirë se dituria e vërtetë nuk sigurohet me anën e shkencës e të dijenive të ndryshme, po me librat e Perëndisë, të cilat na mësojnë misionin që kemi në këtë jetë, detyrat e mëdha që kemi kundrejt Perëndisë e kundrejt të afërmit tonë, të cilat më në fund na ndihmojnë posaçërisht në formimin e karakterit tonë me anën e porosive të Ungjillit. Me një edukim të tillë të jesh i sigurt se biri yt do të bëhet me të vërtetë i madh e i lavdëruar; sepse nga kjo dituri do të mësojë të përbuzë e të mos i japë rëndësi lavdisë dhe famës së gënjeshtërt e të kotë të kësaj bote, që lakmohet edhe prej njerëzish të dobët e të ligj, po të kërkojë vetëm e vetëm lavdinë e Zotit, e cila është e amshuar dhe kurorëzon tërë ata, qofshin të vegjël, qofshin të mëdhenj, që kanë jetuar me përulësi e me virtyt, duke kërkuar e duke bërë gjithnjë ato që i pëlqejnë Zotit.
Dhe mos më thuaj se këto gjëra janë të pamundura, përkundrazi janë fare të lehta dhe mund t’i bëjë çdo njeri, si i pasuri, ashtu edhe i vobekti; pastaj këto bëhen jo me ndihmën e shkencave e të arteve, po me ndihmën e fjalëve hyjnore.
Mos kërko ta bësh fëmijën të rrojë këtu poshtë sa më shumë vjet, po përpiqu t’i sigurosh jetën e amshuar; të kujdesesh që t’i sigurosh gjëra më të mëdha e të rëndësishme, dhe jo ato që janë të vogla e pa rëndësi.
Dëgjoje edhe njëherë Pavlin që thotë: “T’i edukoni fëmijët me këshillat e me porositë e Zotit”. Mos lakmo pra, ta bësh djalin orator të mirë, por mësoje që të jetojë në mënyrë të krishterë dhe si i krishterë i vërtetë. Sepse në i mungoftë oratoria, s’ka për të pësuar asnjë dëm: po në qoftë se i mungon edukata e krishterë, të siguroj se edhe zotësia oratorike më e madhe, nuk do të jetë e zonja t’i sjellë asnjë shërbim e asnjë dobi.
Sjellje të mira duhen, e jo fjalë të thata; karakter i lartë duhet e jo zotësi dialektike; vepra më në fund duhen e jo fjalë; këto i falin mbretërinë e amshuar, këto i falin të mirat e vërteta.
Mos u mundo pra, t’ia mprehësh gjuhën djalit tënd, po t’ia pastrosh bukur e mirë shpirtin dhe zemrën.
Ju lutem, mos kujtoni se këto i them, me qëllim që t’ju ndaloj të përkujdeseni për kulturën e fëmijëve. Aspak. Vetëm dua të theksoj këtë: të mos e keni mendjen vetëm në diturinë e jashtme dhe në disa të mira lëndore, siç është lavdia dhe pasuria, po më tepër në pasurimin e shpirtit me anën e porosive hyjnore.
Disa besojnë se këto mësime janë të përshtatshme e të nevojshme vetëm për murgjit e për disa që jetojnë brenda në manastire. Aspak. Janë më të nevojshme për ata që një ditë do të hyjnë në jetën shoqërore.
Pse vallë? Sikundër nuk ka nevojë për kapedanë të zotë e për anije të fortë ai që qëndron përherë në limanet, përkundrazi këtë nevojë e ndien ai që udhëton me anijen nëpër det, pikërisht ashtu ngjet edhe me njerëzit e shoqërisë dhe me ata të manastireve.
Murgu pa ndonjë tundim e pa ndonjë përpjekje të madhe mund të jetojë si në liman, i qetë dhe të kalojë aty në manastir një jetë të rregullt e të lirë nga çdo përkujdesje e çdo shtrëngatë e jetës.
Kurse njeriu i jetës shoqërore, si luftëtar brenda në det, gjendet gjithnjë në mëshirën e dallgëve të jetës, duke luftuar me këto pa pushim.
Kështu pra, edhe biri yt, që e përgatit për jetën shoqërore, ka nevojë më të madhe për edukatën fetare, pasi ky do të përballojë ngasjet më të shumta e më të forta gjatë jetës së tij në këtë botë.
#BesimiOrthodhoks #Krishterimi #Familja
* * * *
Shkëputur nga libri “Pjesë të zgjedhura nga kryeveprat e shën Joan Gojartit”, Botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë 2013.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων