26/11/2019 26/11/2019 E martë, 26 nëntor 2019 – Shenjtori i ditës. KRESHMA E KRISHTLINDJES (15 nëntor – 24 dhjetor) Oshënarët Alip Stiliti, Stilian Paflagoni, Nikoni “Pendohuni” Oshënar Heremoni. – Oshënar Alip Stiliti – Ati ynë i shenjtë Alipi lindi në qytetin e Andrianopojës, provinca e Pamflagonisë, në kohën e Iraklit (610-641). Kur e ëma ishte shtatzënë, pa...
26 Νοεμβρίου, 2019 - 21:00

Shenjtori i ditës

Διαδώστε:
Shenjtori i ditës

E martë, 26 nëntor 2019 – Shenjtori i ditës.
KRESHMA E KRISHTLINDJES (15 nëntor – 24 dhjetor)

Oshënarët Alip Stiliti, Stilian Paflagoni, Nikoni “Pendohuni” Oshënar Heremoni.

– Oshënar Alip Stiliti –

Ati ynë i shenjtë Alipi lindi në qytetin e Andrianopojës, provinca e Pamflagonisë, në kohën e Iraklit (610-641). Kur e ëma ishte shtatzënë, pa vegim një qengj, i cili mbante në vend të brirëve dy qirinj të ndezur, si profeci e hireve hyjnore që do të mbushnin shërbëtorin e Perëndisë.

Jetim nga i ati, e ëma ia besoi episkop Theodhorit, që kur djali ishte tre vjeç, që të shërbente në kishë dhe të mësonte Shkrimet e Shenjta. Fëmija tregoi aftësi dhe devotshmëri të tillë, sa tërhoqi vëmendjen dhe besimin e episkopit, i cili, me rekomandimin unanim të vëllezërve, e ngarkoi Alipin me funksionet e ikonomit të kishës dhe e dorëzoi dhjak kur arriti moshën kanonike. E kryente me përpikëri këtë detyrë të dyfishtë, por shpirti i tij ishte i plagosur nga dashuria për Krishtin dhe dëshironte të bënte një jetë më të përsosur, duke ndjekur rrugën e ngushtë dhe të shtrënguar të jetës murgërore.

Përfundimisht, duke iu bindur zërit të ndërgjegjes së tij, ua shpërndau të mirat të varfërve dhe ia besoi së ëmës planin që kishte për të ikur në Tokën e Shenjtë dhe të bëhej murg. E ëma nuk e kundërshtoi, as donte ta mbante afër vetes, por i ra në krahë duke qarë, lavdëroi Perëndinë për vendimin e guximshëm dhe i dha bekimin. Iku fshehurazi, nga frika se mos e pengonin episkopi dhe banorët e qytetit.

Disa ditë më vonë, kur arriti në Efkaita, ditën e festës së shën Theodhorit (17 shkurt), episkopi e gjeti dhe e detyroi të kthehej në atdhe. E sollën me forcë në botë, por shërbëtori i Perëndisë u ngushëllua me një vegim, përmes të cilit mësoi se dhe në qytetin e lindjes ishin Vendet e Shenjta: Bethlehem, Nazaret, Jerusalem, Golgotha, pasi atje donte Perëndia që ai të ushtrohej. Filloi të kërkonte një vend të izoluar. Arriti në një mal të egër në jug të Adrianopojës, zbuloi një burim falë një vegimi dhe u përgatit të ndërtonte një kishëz dhe më pas do të ngrinte një qeli; por episkopi e donte më afër vetes, që të shërbente në këtë botë për të cilën tashmë ishte bërë i huaj, prandaj bllokoi burimin, që ta detyronte Alipin të zbriste në luginë në një vend më të arritshëm.

Ai vazhdoi kërkimet e veta dhe u fut në një vend të frikshëm për të gjithë banorët e zonës, ku kishte varre të vjetra dhe tempuj paganë, qendra demonësh dhe tmerri për njerëzit. Me gjithë këshillat e të afërmve për të hequr dorë nga plani i tij, Alipi u ngjit në majë të njërit prej këtyre monumenteve të braktisura. Ishte një kolonë (kion), në majë të së cilës ngrihej statuja e një kafshe fantastike, gjysmë dem, gjysmë luan. “Këtu, tha ai, është vendi i prehjes sime!” Dhe u kthye në qytet të kërkonte një kryq e një levë. Me anë të levës, e hodhi statujën përtokë dhe e zëvendësoi me kryqin jetëdhënës, i vendosur për t’i mundur demonët në strofkën e tyre.

Por, kur episkopi do të shkonte te perandori për disa çështje, e detyroi shenjtin ta shoqëronte në udhëtimin e tij. Kur arritën në Kalqedoni, Alipi u fsheh në sallën e lutjeve të Shën Vasës, ngjitur me detin, dhe dremiti derisa episkopi u nis për në Konstandinopojë. Në gjumë iu shfaq shën Efimia (16 shtator), mbrojtësja e Kalqedonisë, e cila e urdhëroi të kthehej në vendin e tij dhe e siguroi se do ta mbronte. Pasi u kthye, shenjti ndërtoi edhe një kishëz kushtuar shën Efimisë, në një vend që iu përcaktua me anën e një vizioni të një personi të shenjtë.

Meqë shenjti nuk zotëronte asgjë, disa miq të tij i siguronin burimet e nevojshme dhe u morën me punët e ndërtimit. Alipi, sado që kishte dëshirë për t’u vendosur mbi shtyllë, ndoqi me bindje këshillat e jerontëve dhe u tërhoq në një qeli të ngushtë, jo larg prej andej, për të punuar për pastrimin e shpirtit të tij me kreshmë, agripni dhe lutje. Ishte 30 vjeç dhe qëndroi dy vjet në këtë qeli, në një betejë të pakursyer kundër demonëve. Ishte i palëkundur para ngacmimeve të tyre të këqija dhe i dëbonte me shenjën e Kryqit dhe me anë të fjalëve të zjarrta të Shkrimit të Shenjtë.

Shërbëtori i Perëndisë u bë menjëherë i njohur dhe, megjithëse nuk donte të turbullohej në aktivitetin e tij të shenjtë, u detyrua të pranonte shumë besimtarë që shkonin për të marrë bekimin e tij. I butë, i kujdesshëm me këdo, që nga fëmija deri te plaku, nga i varfri deri te i pasuri, nuk linte asnjë të largohej pa qenë i mbushur me gëzim shpirtëror. Por vuri re se kjo i bënte keq shpirtit të tij, prandaj vendosi të ngjitej në majën e shtyllës, duke u mbrojtur nga paqëndrueshmëritë e motit nëpërmjet një çatie të vogël, bërë me disa dërrasa. Vendi ku qëndronte ishte kaq i ngushtë, aq sa nuk mund të shtrihej, as të ulej, por rrinte vetëm në këmbë, duke luftuar kundër të nxehtit, të ftohtit, shiut, erës. Ndërkohë që martirët vuanin për disa çaste, shën Alipi martirizohej përditë për 53 vjet me radhë, duke dhunuar çdo ditë natyrën njerëzore. Demonët xhelozë u tërbuan nga ai dhe i hidhnin gurë.

Një ditë, duke dashur t’u tregonte se trupat e tyre ishin më të pafuqishëm nga ata të luftëtarëve të Krishtit, i kërkoi një sëpatë së ëmës që rrinte rrëzë shtyllës dhe e rrëzoi përdhé çatinë, që t’u ekspozohej gjuajtjeve me gurë të demonëve, nëse ishte ky vullneti i Perëndisë dhe të vdiste si Stefani, martiri i parë. I frikësuar nga ky guxim dhe besim i palëkundur te Perëndia, demonët e braktisën atë vend, duke vajtuar për humbjen që pësuan.

I ekspozuar ndaj shikimeve të njerëzve si llamba në mbajtësen e saj, shenjti shkëlqeu me virtytet e tij (Matth. 5.14-16). E kishte mposhtur dashurinë për veten dhe egoizmin dhe, si apostujt, ishte bërë lojë në botë, në engjëjt e në njerëzit nga dashuria për Krishtin (I Kor. 4.9). Turma njerëzish vraponin te shtylla dhe kërkonin ndërmjetimin e shenjtit. Disa qëndruan aty për t’u bërë nxënës të stilitit. E para ishte një grua e shquar me emrin Efimia dhe shpejt erdhi ta takonte një tjetër grua fisnike, Euvula, e cila u bë kryetare e manastirit, të ndërtuar pas pak kohësh atje. E ëma e shenjtit, e cila ende e kishte dobësinë e natyrës së saj si nënë, e kishte ndjekur pas dhe e kishte ndihmuar të birin në përmbushjen e betejave të tij, u fut dhe ajo në manastir, por pa veshur skimën murgërore, sado që biri i saj e donte këtë gjë. Ishte kaq e përkushtuar sa, duke pasur si detyrë të ndante lëmoshat, u jepte të varfërve madje dhe nga më të domosdoshmet për mirëmbajtjen e manastirit.

Pak kohë më vonë, disa burra i kërkuan shenjtit të qëndronin pranë tij dhe ai themeloi një manastir nga ana tjetër e shtyllës. Ishte një pamje e admirueshme të dëgjoje 7 herë në ditë korin e virgjëreshave dhe atë të murgjve që lavdëronin Perëndinë dhe të shikoje shenjtin që rrinte mes tyre si engjëll.

Shumë herë, dëshmitarë të ndryshëm panë një dritë qiellore që shkrepëtinte në majë të shtyllës, shoqëruar me vetëtima dhe bubullima. Shenjti kishte dhuntinë e profecisë, shëronte të sëmurët, pajtonte armiqtë, mësonte misteret e Urtësisë hyjnore: qoftë drejtpërdrejt, qoftë me letra; u bë një për të gjithë që t’i fitonte të gjithë më Krishtin (I Kor. 9.22). Një herë, për të ndihmuar një të varfër, i hodhi tunikën e tij që lart nga shtylla dhe vetë ndenji i zhveshur në të ftohtë, derisa e vuri re një i mbyllur i manastirit të burrave dhe e ndihmoi. Hiret e tij u shpërndanë mbi dishepujt, prandaj vinin shumë që t’i tërhiqnin në manastirin e tyre apo për t’i bërë episkopë nëpër kisha.

Pas 53 vjetësh betejash heroike, gjysma e trupit të shenjtit ishte paralizuar dhe këmbët iu prenë, prandaj për 14 vjet u detyrua të rrinte shtrirë në njërën brinjë, pothuajse pa lëvizur. Njëkohësisht vuante nga një plagë e rëndë dhe, si një Jov tjetër, lavdëronte Perëndinë (Jov. 1.21). Kur fjeti, në moshën 99-vjeçare, populli erdhi për ta nderuar dhe një i demonizuar u shërua kur u afrua pranë tij.

* * * * *

– Oshënar Stilian Paflagoni –

Me sa duket shkëlqeu midis shekujve të 4-ët dhe të 6-të në Paflagoni (në bregdetin jugor të Detit të Zi). Atje ishte lindur dhe rritur, atje ishte dhe lipsani i shenjtë i tij.

Nuk disponojmë shumë të dhëna. “Duke qenë i shenjtëruar që nga barku i nënës”, ua shpërndau pasurinë prindërore të varfërve dhe u bë murg. U izolua në një shpellë dhe duke u stërvitur me ushtrime të rënda trupore, ua kaloi në asketizëm të gjithë murgjërve të atëhershëm. Ushqehej nga engjëlli!

Shpejt fama e tij u përhap kudo, kështu që u bë si pol magnetik, tërheqës për besimtarët, që vinin me vrap për të shëruar trup e shpirt. U bë i denjë që të marrë “informacion”, për vdekjen e tij që ishte afër, pra, duke i psalur himne Zotit fjeti me fytyrën që iu ndriçua si diell, ndërkohë që një grup engjëjsh merrnin trupin e tij.

Mrekullitë e tij nuk pushuan. Kështu shëronte foshnjat dhe gjithashtu u jepte fëmijë nënave besimtare që kishin mbetur pa fëmijë si rezultat i vdekshmërisë së lartë të fëmijëve në atë kohë. Këto nëna kërkonin ndihmën e tij dhe pikturonin ikonën e tij. Pra, ai pikturohet zakonisht me një foshnjë në gjirin e tij.

Stilian, rrjedh nga greqishtja dhe do të thotë shtyllë.

* * * * *

– Oshënar Nikoni “Pendohuni” –

Lindi në një fshat të Pontit, pranë qytetit të Trebizondës, rreth vitit 920. Rridhte nga një familje besimtarësh dhe pronarë të pasur tokash. Që në moshë të re tregoi urtësi dhe dashuri të thellë për veprat e virtytit. Një ditë, kur i ati e kishte dërguar të këqyrte pronat, u pikëllua kur pa mjerimin dhe punën e mundimshme të të varfërve. Nuk u revoltua, por filloi të meditonte rreth kotësisë së të mirave të kësaj bote. Sa mundime dhe shpresa të kota bën njeriu për të mbyllur këtë jetë të shkurtër në varr, qoftë i pasur apo i varfër! Mori atëherë vendimin të braktiste gjithçka që e lidhte me këtë jetë dhe u nis që të punonte për jetën e përjetshme mes murgjve.

Fshehurazi nga prindërit, shkoi në manastirin e Gurit të Artë, që ndodhej në një zonë të egër, mes Pontit dhe Pamflagonisë. Igumeni, i informuar hyjnisht për mbërritjen e të riut në çastin kur kremtonte Liturgjinë Hyjnore, e priti me gëzim dhe e veshi menjëherë me skimën e madhe murgërore, pa provën e zakonshme që kalojnë rishtarët.

Sjellja e të riut u bë menjëherë objekt i admirimit të vëllezërve më me përvojë: bindje absolute, pranim i punëve më të vështira, përulësi, durim. I praktikonte me zell gjithë virtytet e shenjta, por mbi gjithçka shkëlqeu në kreshmë dhe në lutje. Hante një herë në javë, pasi kungohej me Misteret e Shenjta dhe kënaqej me bukë të thatë dhe pak ujë. I çliruar nga pesha e trupit, kalonte gjithë netët në lutje dhe fytyrën e kishte përherë të lagur nga lotët.

Pas 2 vjetësh, gjatë të cilave bëri në manastir një jetë të pëlqyeshme si ajo në shkretëtirë, igumeni i dha bekimin të tërhiqej i vetëm në një qeli dhe t’i përkushtohej ekskluzivisht veprës së Perëndisë. I shtoi akoma më shumë betejat në kreshmë e agjërim dhe në dërrmimin e shpirtit. Derdhte aq shumë lot, sa dyshemeja e qelisë së tij ishte e lagësht dhe kur e pyesnin se përse qante kaq shumë, shenjti përgjigjej se nuk mund t’i përmbante lotët kur shikonte të ishte i veshur me mish të vdekshëm dhe të prishshëm. Megjithatë, Perëndia i kishte dhënë thellë në zemër vizionin e të mirave që janë ruajtur për shenjtorët në Mbretërinë e Tij qiellore. Ishte pikërisht ndjenja e padenjësisë së tij dhe frika e privimit nga jeta e përjetshme (për të cilën kishte çdo ditë një parashijim), të cilat e bënin të derdhte lotët si lumë.

Qëndroi për 12 vjet në këtë qeli dhe arriti papasionshmërinë e lumur dhe pastërtinë e zemrës. Ati i tij shpirtëror mori atëherë një zbulim të ri hyjnor për shenjtin dhe mësoi se Perëndia e thërriste Nikonin të dilte nga vendi i asketizmit të tij dhe të merrte detyrën e lartë të jetës apostolike. Ai i tha shenjtit të nisej e t’u mësonte njerëzve mëshirën e Perëndisë dhe të shpallte kudo ku Providenca do ta drejtonte: “Pendohuni, se Mbretëria e qiejve u afrua!” (Matth. 4.17), duke imituar Zotin dhe shën Joan Pararendësin. Të gjithë vëllezërit u mblodhën dhe qanë për largimin e Nikonit.

Disa ditë më vonë, meqë i ati, i shoqëruar nga shërbëtorët e tij, përgatitej për ta kapur që ta bindte të kthehej në atdhe, shenjti kapërceu mrekullisht një lumë që kishte dalë nga shtrati dhe, pasi u përkul i heshtur tri herë para të atit që vajtonte në krahun tjetër të bregut, vazhdoi rrugën e tij pa u kthyer pas (Lluk. 9.62).

Si shën Joan Pagëzori, predikonte pendimin dhe ardhjen e pritshme të Krishtit (Matth. 3). Shën Nikoni shkonte më këmbë nëpër rrugë, qytete dhe fshatra; veshur me një tunikë të varfër, këmbëzbathur, ushqehej me ç’mblidhte, duke u u shpallur të gjithëve pendimin dhe mesazhin e shpëtimit nëpërmjet pendimit, lotëve dhe mundimeve të jetës engjëllore. Sipas porosisë së Zotit, ai nuk mbante as shkop, as trastë, as bukë, as para (Lluk. 9.3). Shkonte atje ku Perëndia e çonte, edhe në sprova nga ana e djajve, duke e mbajtur shpresën vetëm në jetën e përjetshme.

Pas 3 vjetësh predikimi, u nis për në ishullin e Kretës, i cili sapo ishte çliruar nga një pushtim i gjatë dhe i dhimbshëm arab nga Niqifor Fokai (961). Situata morale e banorëve ishte e rënë dhe virtytet e krishtera ishin përçmuar dhe injoruar. Ndoshta i shoqëruar nga shën Athanas Athoniti, miku i perandorit (5 korrik), Nikoni përhapi atje për 7 vjet mesazhin e pendimit dhe kontribuoi gjerësisht për rivendosjen e jetës së krishterë. Nga Kreta, u kthye në Greqi, në Epidaur, në Dhamala, pastaj shkoi me det në Athinë, ku u bë shumë i dashur për banorët. E vazhdoi udhëtimin misionar drejt ishullit të Eubesë, ku predikimi i tij pati një sukses të tillë, sa vinin dhe e dëgjonin ditë e natë. Fjalët e tij i siguronte me çudira dhe shërime dhe të shumtë ishin ata që nisnin një jetë të virtytshme e të shenjtë.

Më pas vazhdoi në Thivë e u kthye më këmbë në Korinth, ku predikoi duke imituar modelin e tij të shkëlqyer, shën Pavlin. Pastaj, duke kaluar nga Argosi dhe Nafplio, shpërndau farën e mirë të Ungjillit në Peloponez dhe arriti në Lakedemoni (Spartë), rreth vitit 970. Pushoi disa ditë dhe i rinisi pelegrinazhet e tij. Gjatë rrugës u sëmur rëndë dhe u detyrua të qëndronte në një shpellë, ku u vizitua nga shumë besimtarë dhe bëri që të rridhte për ta një burim me veti shëruese.

Kur e mori veten, banorët e Spartës, viktima të një epidemie shfarosëse, erdhën e i kërkuan ndihmë. Shën Nikoni i çliroi nga epidemia falë lutjes dhe vendosi të kalonte pjesën tjetër të ditëve për të thelluar veprën e tij misionare. U bë shumë i dashur për të gjithë banorët e qytetit; të shumtë ishin ata që shkonin të merrnin shërimin nga të këqijat që i kërcënonin dhe të dëgjonin mësimet e tij. Me bekimin e episkopit të Spartës, Theopemptit, shenjti ndërmori ndërtimin e një kishe të madhe e të shkëlqyer. Të gjithë banorët morën pjesë me zell në punime. Shumë herë, ai pati edhe ndihmën mrekullibërëse të Perëndisë përmes lutjes: zhvendosi shkëmbinj, siguroi materiale që mungonin dhe ushqim për punëtorët; vuajti edhe keqtrajtime nga këta të fundit, se nuk ishin paguar. Kisha përfundoi dhe shenjti deri në fund të jetës së tij predikoi në të dhe priti shumë vizitorë. Në fund të jetës, ngriti një manastir të vogël, ku pranonte dishepujt.

Shën Nikoni shkëlqeu edhe disa vjet me mrekullitë dhe mësimdhënien, pastaj u sëmur dhe u përgatit për largimin nga kjo jetë. Mblodhi nxënësit dhe bashkëpunëtorët, mirëbërësit e shumtë që Hiri i kishte treguar, dhe u dha porositë e tij të fundit, duke iu kujtuar se është urgjente të pendohemi dhe të kthehemi te Perëndia që tani, pasi pas vdekjes s’ka më mundësi pendimi. I ngushëlloi për largimin e tij të afërt duke iu folur për ngjalljen e të vdekurve dhe i porositi të ruanin si të mirën më të çmuar dashurinë për Perëndinë dhe për njerëzit, sepse kjo është lidhja e përsosmërisë (Kol. 3.14). “Largojuni krenarisë, bashkohuni me përulësinë; mos i përbuzni të varfrit; shmangiuni çdo të keqeje, çdo xhelozie dhe kujtimit të fyerjeve; falini vëllezërit tuaj. Shkoni rregullisht në kishë dhe rrëfeni shpesh mëkatet tuaja te priftërinjtë dhe etërit shpirtërorë. Nëse i ruani këto porosi, nuk do t’ju braktis kurrë”. Pasi ia besoi tërë fëmijët e tij shpirtërorë mbrojtjes së Perëndisë, i ngriti edhe një herë duart drejt qiellit dhe dha shpirt (rreth vitit 1000).

Menjëherë u nderua si shenjtor nga banorët e Spartës, u konsiderua si mbrojtës i qytetit dhe lipsani i tij nderohet atje me besim.

 

 

facebook.com/koash1991

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων