15/02/2020 15/02/2020 Apostull Onisimi nga të 70-t. Oshënar Eusebi në Siri. Dëshmor Majori në Gaza. Apostull Onisimi nga të 70-t. Onisimi, frigjeas nga origjina, ishte skllav në shtëpinë e Filemonit, një të krishteri nga Kolosi në Azinë e Vogël, i njohur për besimin e tij të palëkundur dhe për dashurinë e zjarrtë për të afërmin. Onisimi u...
15 Φεβρουαρίου, 2020 - 15:11
Τελευταία ενημέρωση: 15/02/2020 - 15:12

Shenjtori i Ditës

Διαδώστε:
Shenjtori i Ditës

Apostull Onisimi nga të 70-t. Oshënar Eusebi në Siri. Dëshmor Majori në Gaza.

Apostull Onisimi nga të 70-t.

Onisimi, frigjeas nga origjina, ishte skllav në shtëpinë e Filemonit, një të krishteri nga Kolosi në Azinë e Vogël, i njohur për besimin e tij të palëkundur dhe për dashurinë e zjarrtë për të afërmin. Onisimi u arratis në Romë, pasi bëri një vjedhje në shtëpinë e zotërisë së tij.

Atje u takua me apostull Pavlin, që ishte atëherë i burgosur për Jisu Krishtin dhe, nëpërmjet mësimit të tij apostolik, Onisimi pranoi gabimin. Ai u bë i krishterë dhe nuk vonoi që të tregonte frytet e pendimit me anë të jetës së tij të shenjtë. Por, duke mos dashur të hidhëronte nxënësin e tij, Filemonin, apostull Pavli e dërgoi Onisimin tek ai me një letër, duke i kërkuar që Filemoni ta falte dhe ta lironte. Kjo është Letra drejtuar Filemonit, që na ka ardhur edhe ne, midis 14 letrave të apostull Pavlit. Filemoni besnik e pranoi me gëzim kërkesën e apostull Pavlit. Ai e mirëpriti Onisimin jo si një skllav, por si një vëlla dhe e dërgoi përsëri pranë apostull Pavlit si njeri të lirë, kështu që apostulli mund ta bënte shërbëtor të Ungjillit.

Pas martirizimit të apostull Pavlit, Onisimi u tregua mjaft i zellshëm për të predikuar doktrinën e Shpëtimit. E arrestuan dhe e çuan përpara Tertulit, guvernatorit të Romës, i cili ushqente armiqësi kundër tij, sepse i kishte konvertuar në të krishterë gruan e të vëllait. Kur Tertuli e pyeti Onisimin se përse e kishte braktisur zotërinë e tij, ai u përgjigj: “Unë jam shërbëtori i të vetmit Zotëri të vërtetë, Jisu Krishtit!”. “E kush ka paguar për lirinë tënde?” – “Jisu Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë që më ka blerë me çmimin e Gjakut të Tij”, u përgjigj Onisimi plot siguri.

Ngaqë po tregohej i vendosur në talljen që i bënte kultit të idhujve, guvernatori dha urdhër ta torturonin. Onisimi, jo vetëm që qëndroi i patundur në vendimin e tij, duke mos e ndier fare dhimbjen, por edhe gëzohej mes mundimeve, që zgjatën për 18 ditë me radhë, duke u tallur me torturuesit e tij. Guvernatori, kur pa këtë qëndresë, e internoi në Pozuoli, afër Napolit. Edhe pse autoritetet ia kishin ndaluar, Onisimi nisi të predikonte besimin e krishterë.

Kur e dëgjoi këtë, Tertuli e arrestoi përsëri dhe e solli me pranga në Romë. Meqenëse Onisimi nuk donte t’u ofronte sakrificë idhujve dhe iu përgjigj me trimëri pyetjeve të gjykatësit, ky i fundit dha urdhër që ta kamxhikonin pa mëshirë. Sa më shumë mish dhe gjak shkëputej prej trupit të tij, aq më i fortë dhe i guximshëm i bëhej shpirti, duke shpresuar gjërat e qiellit. Tirani, kur e kuptoi se nuk po ia dilnin dot, dha urdhër t’i thyhenin duart dhe këmbët, duke e goditur me shkopinj dhe u kthye në gjykatë para se të zbatohej vendimi.

Shenjtori dha shpirt nga goditjet dhe lipsanin e tij të shenjtë e mori një grua e devotshme e qytetit.

* * * * *

Dëshmor Majori në Gaza.

Shën Majori ishte ushtar në kompaninë e Mauritanisë në Gaza të Palestinës, gjatë mbretërimit të Dioklecianit dhe Maksimianit (297). Ai u denoncua si i krishterë dhe iu dorëzua guvernatorit të qytetit për ta marrë në pyetje.

Për 7 ditë, 36 ushtarë e rrahën pa pushim, gjaku i rrodhi çurg e njomi dheun. Por martiri i shenjtë i duroi me burrëri, si një ushtar trim i Krishtit, të gjitha rrahjet e torturat dhe pohoi besimin pa u lëkundur aspak. Kështu e dorëzoi shpirtin e tij te Perëndia dhe la banesën tokësore, për t’u bashkuar në qiell me rangjet e ushtarëve të zgjedhur të Perëndisë së plotfuqishëm.

 

 

facebook.com/koash1991

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων