17/03/2020 17/03/2020 E martë, 17 mars 2020 – Shenjtori i ditës. JEMI NË KRESHMËN E MADHE TË PASHKËS Oshënar Aleksi, njeriu i Perëndisë. Episkop Patriku, ndriçuesi i Irlandës. – Oshënar Aleksi, njeriu i Perëndisë – Oshënar Aleksi lindi në Romë gjatë sundimit të perandorit Arkad (395-408). Prindërit e tij besimtarë ishin pa fëmijë për shumë vjet. I...
17 Μαρτίου, 2020 - 17:10

Shenjtori i ditës

Διαδώστε:
Shenjtori i ditës

E martë, 17 mars 2020 – Shenjtori i ditës.
JEMI NË KRESHMËN E MADHE TË PASHKËS

Oshënar Aleksi, njeriu i Perëndisë. Episkop Patriku, ndriçuesi i Irlandës.

– Oshënar Aleksi, njeriu i Perëndisë –

Oshënar Aleksi lindi në Romë gjatë sundimit të perandorit Arkad (395-408). Prindërit e tij besimtarë ishin pa fëmijë për shumë vjet. I ati ishte senator dhe quhej Efimian, ndërsa e ëma quhej Agllai. Mori edukimin më të mirë dhe, kur arriti në moshën e pjekurisë, prindërit vendosën ta martonin me një vajzë nga fisnikëria romake.

Natën e dasmës, në çastin kur ishin në dhomën e tyre, Aleksi, i cili ishte dashuruar me virgjërinë e shenjtë e të përsosur, i pëshpëriti disa fjalë në vesh vajzës, i la unazën dhe u largua në fshehtësi. U nis me anije duke ia besuar veten Providencës hyjnore, arriti në Laodiki dhe prej andej u bashkua me një karvan tregtarësh që shkonin në Edesë të Mesopotamisë. Ndaloi në një kishë që i përkushtohej Hyjlindëses dhe qëndroi atje në narteks për 17 vjet; i veshur me rroba të vjetra e të rreckosura, duke u ushqyer me lëmoshat e besimtarëve që vinin për t’u lutur.

Ndërkohë, i ati kishte dërguar shërbëtorët e tij gjithandej për ta kërkuar, ndërsa e ëma u vesh me thes dhe qante e pangushëlluar dhe e dërrmuar. Nusja, si turtullesha që pret dhëndrin e saj, priste ndonjë lajm. Disa nga të dërguarit e Efimianit arritën deri në Edesë, kaluan para Aleksit dhe madje i dhanë lëmoshë, pa u shkuar fare ndër mend që ai mund të ishte zotëria i tyre, sepse i gjithë trupi ishte transformuar nga asketizmi, vuajtjet e sëmundjet që duronte nga dashuria për Perëndinë.

Në fund të këtij asketizmi të gjatë që ushtronte fshehurazi, një ditë Hyjlindësja iu shfaq kishtarit dhe i kërkoi që ta lejonte njeriun e Perëndisë të hynte. Nga frika e ndereve dhe lavdërimeve, Aleksi u largua përsëri, hipi në një anije dhe u nis për në Tars. Por erërat e kundërta, ose më mirë të themi, Përkujdesja hyjnore, e shtyu anijen deri në portin e Romës. Shenjtori iu bind kësaj shenje hyjnore dhe pa u vonuar shkoi në shtëpinë e familjes, ku si lypsar i kërkoi të atit lëmoshë, ndërsa po dilte nga shtëpia.

Pa e njohur birin e tij të dashur, Efimiani, i cili ishte bërë më i dhembshur që ditën e humbjes së të birit, i urdhëroi shërbëtorët t’i gjenin një strehë këtij njeriu të mjerë dhe ta ushqenin me tepricat e tryezës së tyre për sa kohë që të dëshironte të qëndronte aty. Njeriu i Perëndisë qëndroi 17 vjet në hyrjen e shtëpisë së të atit dhe duroi pa u ankuar, madje me kënaqësi, talljet e fyerjet e shërbëtorëve. Kur ndjeu largimin e tij nga kjo botë, kërkoi letër dhe bojë dhe pasi shkroi gjithë historinë e tij, fjeti dhe iku në banesat e përjetshme.

Në të njëjtën ditë, kur po kryhej Liturgjia Hyjnore në bazilikën e Shën Petros, nën drejtimin e papës dhe në prani të perandorit Honor (395-423) dhe të shumë besimtarëve, u dëgjua një zë në shenjtërore, që tha: “Kërkoni për Njeriun e Perëndisë; ai do të lutet për qytetin dhe për të gjithë ju. Tashmë ai po largohet nga trupi!”. Ndërsa turma lutej, zëri u dëgjua sërish për t’u zbuluar se ai gjendej në shtëpinë e Efimianit.

Kur kortezhi, i kryesuar nga perandori dhe papa, arriti në atë shtëpi, shërbëtori që i përgjigjej nevojave të lypësit u tregoi se ai ua jepte ushqimin më të varfërve dhe për vete ushqehej vetëm të dielave me pak bukë e ujë dhe i duronte me qetësi ofendimet e shërbëtorëve. Shkuan në kasollen ku kishte qëndruar shenjtori dhe e gjetën të vdekur me letrën në dorë.

Kur e lexuan atë përpara popullit, të gjithë mbetën pa gojë dhe të shastisur nga mënyra e mrekullueshme me të cilën ky shërbëtor i Perëndisë kishte luftuar kundër natyrës, për të fituar të mirat e përmbinatyrshme. Kur perandori dhe papa panë lotët dhe vajtimin e prindërve të Aleksit, i nxitën që të gëzoheshin, madje të ngazëlloheshin që sollën në botë një shenjtor të tillë, i cili do të mbretëronte me Krishtin në përjetësi. Turma e njerëzve rrethoi shtratin ku prehej i lumuri; të verbrit rigjetën shikimin, të shurdhrit dëgjuan, memecët lavdëruan Perëndinë me zë të lartë, frymët e këqija morën arratinë. U bë një rrëmujë kaq e madhe, saqë kortezhi mbeti në vend.

Perandori i hodhi turmës monedha ari, me shpresën se njerëzit do të suleshin mbi to dhe do ta linin kortezhin mortor të ecte përpara. Por populli e përbuzi arin e prishshëm për të marrë hirin e paprishjes, duke prekur trupin e shenjtorit. Përfundimisht, trupin e tij e vendosën në bazilikën e Shën Bonifacit, në një arkë të zbukuruar me ar dhe gurë të çmuar, dhe që aty dilte miro erëkëndshme, që shëronte të gjitha llojet e sëmundjeve.

* * * * *

– Episkop Patriku, ndriçuesi i Irlandës –

Ky apostull i Perëndimit të Sipërm lindi në Britaninë e Madhe rreth vitit 383, në një familje kelte të romanizuar, e cila ishte bërë e krishterë prej shumë kohësh. I ati, Kalpurniusi, ishte dhjak dhe në të njëjtën kohë kishte detyrën e dekurionit. Ai kishte si pronë një vilë të bukur dhe vitet e para e la të birin të endej në kotësi, pa ndonjë interes për gjërat e Perëndisë.

Kur Patriku mbushi 16 vjeç, u zu rob nga piratët, bashkë me banorë të tjerë të krahinës dhe u shit në Irlandë te një pronar tokash, i cili e ngarkoi të ruante bagëtinë nëpër male. Ashpërsitë e mërgimit në atë tokë të huaj, e dhënë plotësisht pas paganizmit dhe kontakti me natyrën e kthyen zemrën e të riut drejt Perëndisë. Ai filloi të jetonte me pendim, duke i kaluar ditët dhe pjesën më të madhe të netëve në lutje, i përgjunjur mbi tokën e ngrirë apo të lagur nga shirat, pa ndier asnjë vështirësi; kaq shumë ishte mbushur shpirti i tij nga ngushëllimi hyjnor.

Pas gjashtë vitesh robërie, që ishin kthyer në parajsë dëfrimi, një natë dëgjoi një zë t’i thoshte: “Mirë bëre që kreshmove dhe u lute, Perëndia e dëgjoi lutjen tënde, shko dhe kthehu në atdhe, anija jote është gati!” Plot besim, u arratis dhe, duke ecur andej-këtej më shumë se 320 kilometra, arriti në një liman dhe u nis me një anije tregtarësh paganë. Pas tri ditësh mbërritën në një tokë të shkretë e të panjohur dhe nisën të kërkonin ndonjë vendbanim. Duke u endur afro një muaj dhe duke rrezikuar të vdisnin nga uria, përfundimisht ata i kërkuan Patrikut të ndërmjetonte pranë Perëndisë që t’i shpëtonte. Sa ngriti duart i riu i krishterë, u shfaq një tufë derrash dhe njerëzit i therën disa prej tyre që t’i hanin. Pas shumë peripecish, Patriku arriti të kthehej në atdhe, por përsëri e rrëmbyen piratët. U lirua pas dy muajsh, pikërisht sipas asaj që iu paratha.

U kthye në shtëpinë atërore dhe pati një vegim të ri: një njeri qiellor me emrin Viktor u paraqit para tij me një pako letrash. Kur hapi të parën, lexoi: “Zëri i Irlandës! O bir i shenjtë, të lutemi të vish e të ecësh mes nesh”. Ai besoi se dëgjonte zërin e njerëzve të pyllit të Foklutit, ku kishte kaluar vitet e robërisë. Ndjeu brenda tij thirrjen e Perëndisë dhe vendosi të përgatitej që të ungjillëzonte këta barbarë, pasi plotësoi formimin e tij teologjik, të cilin e kishte neglizhuar në rini. Shkoi në Gali, qëndroi në qendra të ndryshme monakale, kryesisht te Lerinët, dhe për 15 vjet ndenji në Okser, për të ndjekur mësimin e shën Gjermanoit (31 korrik), i cili e hirotonisi dhjak.

Kur u kthye nga një mision në Angli, ku kishte luftuar kundër heretikëve të Pelagjit (429), shën Gjermanoi solli lajme për nevojën e ngutshme për misionarë në tokën e Irlandës. Shën Paladi, dhjak i Romës, u hirotonis atëherë nga papa Çelestini I (431), që të qeveriste dhe të organizonte të krishterët e shpërndarë të Irlandës. Por ai u ndesh menjëherë me vështirësi të mëdha; ngriti vetëm tri kisha dhe pas tri muajsh vdiq befas. Atëherë shën Patriku u hirotonis episkop nga shën Gjermanoi, me mision për të ungjillëzuar barbarët e Irlandës. Për këtë detyrë ishte tashmë i përgatitur, jo vetëm nga thirrja e Perëndisë, por dhe sepse njihte gjuhën dhe zakonet e atyre popullsive. Duke kujtuar mëkatet e rinisë, ngurroi ta pranonte hirotonisjen, por u sigurua nga një vizion i ri se ky ishte vullneti i Zotit.

Zbarkoi në ishull në krye të një grupi të vogël klerikësh, në vendin ku kishte mbërritur më parë shën Paladi dhe menjëherë mori pjesë në një mbledhje të madhe që mbanin herë pas here prijësit e klaneve. Pa frikë predikoi Krishtin përpara atyre luftëtarëve të ashpër dhe arriti të kthente disa, duke fituar kështu edhe kthimin në Krishterim të popullsive të tyre, si dhe sipërfaqe tokash që të ndërtonte kisha e manastire.

Përshkoi mbarë Irlandën, veçanërisht pjesën veriore, duke shpallur pa u lodhur fjalën e Perëndisë, duke iu drejtuar në fillim udhëheqësve të klaneve dhe mbretërve lokalë. Kështu ai arriti të kthente mbretërit e Dublinit, të Munsterit dhe të shtatë bijtë e mbretit Konagt. Hasi veçanërisht në kundërshtimin e druidëve, të cilët përdornin kundër apostullit magjitë e tyre, por me fuqinë e Perëndisë, Patriku e mposhti pafuqinë e tyre dhe disa i ktheu në besimin e vërtetë dhe ata u bënë priftërinj të devotshëm e të zellshëm për ungjillëzimin e vëllezërve të tyre.

Pasi predikoi në mbretërinë e Orielit, themeloi një manastir në Armagh, i cili u bë qendra e udhëtimeve të tij misionare dhe më pas selia kryepiskopale e Irlandës. Duke u përballur me dhunë, kërcënime dhe rreziqe të të gjitha llojeve, me një përbuzje të plotë të vetvetes, Patriku përshkonte këto toka të egra duke lënë Perëndinë të fliste përmes ndërmjetësit të Tij. Megjithëse nuk i pëlqente arti i të folurit, fjala e shenjtorit, e cila mbështetej në referenca e citime biblike, kishte fuqi hyjnore për të sjellë te Krishti jo vetëm popullin, por edhe bardët, të cilët u bënë murgj dhe filluan t’i shërbenin Kishës me dhuntinë e tyre poetike, duke kompozuar himne të mrekullueshme, sa thuhet se edhe engjëj përkuleshin lart nga qielli për t’i dëgjuar.

Duke hirotonisur priftërinj dhe episkopë, shën Patriku organizoi Kishën e re, duke respektuar me urtësi veçoritë e popullit irlandez. Episkopët e tij nuk i kishin selitë e tyre nëpër qytete, por në manastire, të cilat në brezat e mëvonshëm njohën një lulëzim të konsiderueshëm dhe e shndërruan Irlandën në një Tebaidë të re, nga ku dolën shumë murgj, misionarë të guximshëm dhe të palodhur, që kontribuuan gjerësisht në riungjillëzimin e Evropës pas invazioneve barbare.

Edhe kur ishte në një nga këto manastire-episkopata, edhe në udhëtim, shën Patriku nuk e linte asnjëherë pa bërë kanonin e përditshëm të lutjes që kishte, i cili përfshinte recitimin e gjithë Psaltirit, me gjithë kantikët e Dhiatës së Vjetër dhe tekste të tjera të hyjfrymëzuara, si Apokalipsi i shën Joanit. Bënte njëqind herë shenjën e kryqit në çdo orë të ditës, dhe kur ndeshte ndonjë kryq në rrugë, zbriste nga karroca dhe përkulej para tij.

Në rrugëtimet e tij misionare, më shumë se një herë rrezikoi të vritej nga kundërshtarët, por engjëlli i Kishës së tij ia mënjanonte rrezikun. Ai që kishte njohur vuajtjet e skllavërimit, u bë mbrojtësi i popullsive që kërcënoheshin nga sulmet e piratëve dhe shkishëroi Korotikun, kryetarin e një hordhie bretone, i cili, kur zbriti në mes të një popullate të sapopagëzuar, masakroi shumë prej tyre dhe bëri robër shumë të tjerë, për t’i shitur si skllevër. Disa muaj më vonë, Korotiku, i cili refuzoi të pendohej, pësoi një sëmundje mendore dhe vdiq në dëshpërim.

Në moshën 80-vjeçare, pasi kishte mbushur 30 vjet si episkop, shën Patriku, u tërhoq në një vend të qetë dhe shkruante në Rrëfimin e tij:

“Ia rrëfej Zotit tim dhe nuk kam turp në praninë e Tij: që kur e kam njohur Atë në rininë time, dashuria e Perëndisë u rrit brenda meje, dhe deri tani, me hirin e Zotit, e ruajta besimin. Ai që kaq shpesh e fali marrëzinë dhe neglizhencën time për t’iu përgjigjur asaj që Shpirti më frymëzonte, pati mëshirë për mua për dobi të mijëra e mijëra njerëzve, sepse shikonte se isha i gatshëm për Të. Dhëntë Perëndia që bijtë e mi të ma kalojnë në vepra më të larta dhe në fryte shpëtimi! Kjo do të ishte lavdia ime, pasi “një bir i urtë është lavdia e atit të tij” (Fja. Urt. 10:1). Por, shumë të dashur, jeni ju dhe jo pasuritë tuaja që kërkoj. Ajo që m’u dha falas, e shpërndava falas. Për ju të mirat tuaja, ndërsa për vete lodhjet dhe rreziqet, dhe shkova kudo për ju, madje edhe në krahinat ku askush nuk kishte ardhur për të pagëzuar.

Me hirin e Perëndisë, përmbusha gjithçka me vigjilencë dhe zemërgjerësi për shpëtimin tuaj. Zoti Krisht u bë i varfër për ne, dhe unë, i varfër e fatkeq, pres çdo ditë të më vrasin, ose të më bëjnë kurth, ose të më zënë si skllav. Por, për shkak të premtimeve të qiellit, nuk i trembem aspak këtyre gjërave, por vrapoj në duart e Perëndisë së tërëfuqishëm që më zgjodhi për këtë mision. Si do t’ia shpërblej për mirëbërjet që bëri për mua? Dhe nëse arrita të bëja ndonjë vepër të mirë nga dashuria për Perëndinë tim, askush mos thëntë që arrita ta bëja unë, por kjo ishte dhuratë e Perëndisë. I kërkoj të më bëjë të denjë të derdh gjakun për Emrin e Tij, të privohem nga varri dhe kufoma ime e copëtuar le t’u hidhet si ushqim zogjve dhe bishave të egra”.

Para fjetjes së tij, e cila i ishte lajmëruar nga Perëndia, Patriku ndërmori një udhëtim tjetër inspektimi. Buzë rrugës dalloi një ferrë që lëshonte flakë, por pa u djegur. U afrua dhe një engjëll, përveç premtimeve të tjera, i tha se do të gjykonte popullin irlandez ditën e Gjyqit. U kthye në Saul, në krahinën e Ulidias dhe fjeti në paqe më 17 mars 461, i shoqëruar nga himne të ushtrive qiellore. Trupin ia vendosën mbi një karrocë që e tërhiqnin dy qe të egër. Ata u ndalën në një vend ku hapën varrin e tij, i cili më pas u quajt Daun-Patrik.

Falë veprimtarisë së shën Patrikut, Irlanda u bë ishulli i shenjtorëve dhe ai nderohet me zell si mbrojtësi i saj kryesor, madje i janë dedikuar mbi dyqind kisha. Nderimi i tij u përhap shumë shpejt në të gjithë Perëndimin.

 

 

facebook.com/koash1991

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων