15/08/2019 15/08/2019 – Fjetja e Hyjlindëses Mari – Kur i pëlqeu Krishtit Perëndisë tonë të merrte pranë vetes nënën e Tij, dërgoi një engjëll (sipas disave, bëhet fjalë për Kryeëngjëllin Gabriel, ashtu si në ditën e Ungjillëzimit. Supozohet që kjo ngjarje të ketë ndodhur rreth 11 vjet pas ngjalljes së Krishtit, kur e Tërëshenjta ishte në moshën...
15 Αυγούστου, 2019 - 11:23

Shenjtori i ditës – Fjetja e Hyjlindëses Mari. Dëshmor Tarsizi në Romë

Διαδώστε:
Shenjtori i ditës – Fjetja e Hyjlindëses Mari. Dëshmor Tarsizi në Romë

– Fjetja e Hyjlindëses Mari –

Kur i pëlqeu Krishtit Perëndisë tonë të merrte pranë vetes nënën e Tij, dërgoi një engjëll (sipas disave, bëhet fjalë për Kryeëngjëllin Gabriel, ashtu si në ditën e Ungjillëzimit. Supozohet që kjo ngjarje të ketë ndodhur rreth 11 vjet pas ngjalljes së Krishtit, kur e Tërëshenjta ishte në moshën 59-vjeçare), 3 ditë më përpara për t’i dhënë këtë lajm. Kur iu afrua, engjëlli i tha Hirplotës: “Ja çfarë deklaron yt Bir: Ka ardhur koha të të marr pranë Vetes, Nëna ime. Mos u turbullo nga ky lajm, por më tepër gëzohu, sepse do të shkosh në jetën e përjetshme”.

Hyjlindësja i priti më gëzim këto fjalë dhe, me dëshirën e zjarrtë për të shkuar tek Biri i saj, shkoi në Malin e Ullinjve për t’u lutur në qetësi, ashtu siç bënte shpesh. Ndodhi një mrekulli e çuditshme: në çastin kur e Tërëshenjta mbërriti në majën e kodrës, pemët e mbjella përreth përkulën degët e tyre duke nderuar e duke lavdëruar Nënën e gjithë botës. Pasi u lut, ajo u kthye në shtëpi në malin Sion (sipas shumë autorëve, shën Maria banonte në shtëpinë e shën Joan Theologut në Sion).

Pasi u kthye në shtëpi, gjithçka u drodh. E gjithë shtëpia ndriçoi dhe, duke lavdëruar Perëndinë, thirri prindërit dhe fqinjët e saj. I rregulloi të gjitha, gjithashtu edhe shtratin e vdekjes dhe urdhëroi të bëhej gati gjithçka që ishte e nevojshme për varrimin. U dha lajmin e largimit në qiell grave që kishin ardhur dhe si provë tregoi degën e palmës që engjëlli i kishte dhënë, si simbol i fitores së paprishjes. Njerëzit e pritën këtë lajm me lot e vajtim, duke iu lutur së Tërëshenjtës të mos i linte jetimë, por ajo i siguroi duke u thënë se edhe në qiell do të lutej për ta.

Me këto fjalë gratë ndalën lotët dhe shpejtuan përgatitjet. Përveç kësaj, nëna e Zotit u dha dy vejushave, që e shoqëronin, dy veshjet e saj të vetme. Papritur, shtëpia u tund nga një zhurmë e ngjashme me atë të bubullimës dhe u mbush me re, të cilat sollën apostujt nga tërë skajet e tokës. E gjithë Kisha ishte e pranishme mistikisht me anë të apostujve për të kremtuar varrimin e Nënës së Zotit. Me lot në sy i thanë Hyjlindëses: “Nëse do të qëndroje në botë dhe do të jetoje mes nesh, do të kishim një ngushëllim të madh, o Mbretëreshë, do të ishte si të shihnim Birin tënd e Zotin tonë.

Por meqë tani kjo është sipas vullnetit të Tij, ti do të ngjitesh në Qiell, ndërsa ne do të vajtojmë e do të qajmë ashtu si tani. Por gëzohemi për gjithë atë që është ruajtur për ty”. Shën Maria u përgjigj: “O nxënës dhe miq të Birit dhe Perëndisë tim, mos e ktheni gëzimin tim në trishtim, por varroseni trupin tim dhe ruajeni në pozicionin që do të shtrihem në shtratin e vdekjes”.

Në këto fjalë mbërriti në vend ena e zgjedhur, apostull Pavli. I ra ndër këmbë së Tërëshenjtës për ta nderuar dhe i drejtoi këto fjalë lavdërimi: “Gëzohu, Nënë e Jetës, qëllimi i predikimit tim, sepse, megjithëse nuk e pashë aspak Krishtin trupërisht, duke të parë ty, besoj se po sodit Atë Vetë”. Pasi tha përshëndetjet e fundit, e Tërëshenjta u shtri në shtratin e vdekjes, i drejtoi lutje të nxehta Birit për ruajtjen dhe paqen e botës. Më pas, u dha bekimin apostujve dhe hierarkëve (të cilët shoqëronin apostujt) dhe dha shpirtin e saj të bardhë e më të ndritshëm se drita në duart e Birit e Perëndisë së saj, i cili iu shfaq i shoqëruar nga kryeengjëlli Mihael dhe fuqitë engjëllore.

Fjetja e saj ndodhi pa vuajtje e ankth, ashtu si dhe lindja. Petroja, korifeu i apostujve, psali himnin funebër dhe shoqëruesit ngritën trupin dhe, me pishtarë e himne, shoqëronin kortezhin bashkë me shën Joan Theologun, i cili qëndronte në krye e mbante palmën e lavdisë. I dëgjonin engjëjt, të cilët bashkonin zërin e tyre me atë të njerëzve, e u duk sikur toka dhe qielli ishin mbushur me lavdërim për nder të së Tërëshenjtës. Ajri u pastrua nga ngjitja e shpirtit të saj në qiell, toka u shenjtërua nga trupi i saj dhe shumë të sëmurë u shëruan.

Duke mos duruar këtë ngjarje, krerët e judenjve nxitën njerëzit e popullit që të shkonin e të rrëzonin trupin e Hyjlindëses. Por drejtësia hyjnore e ndëshkoi planin e tyre të keq, prandaj të gjithë u verbuan. Njërit prej tyre, priftit Jefonias, më të guximshmit, i cili tentoi të prekte shtratin e shenjtë, iu prenë të dyja duart nga shpata e zemërimit hyjnor dhe krahët i mbetën të varur në shtrat. I penduar nga ky ndëshkim, Jefonia besoi me gjithë zemër dhe nga fjala e Petros u shërua e u bë një nga shoqëruesit e tyre. Degën e palmës, që iu dha Nënës së Zotit, ai e vuri mbi sytë e shokëve të tij dhe i shëroi nga verbëria shpirtërore e fizike.

Apostujt e varrosën trupin e së Tërëshenjtës Mari në kopshtin e Gjetsemanisë dhe qëndruan atje për tri ditë, ku dhe lutjet e tyre ishin të shoqëruara nga himne engjëllore. Por njëri nga apostujt (sipas disave, Thomai) nuk ishte me ta në varrim dhe mbërriti në Gjetsemani ditën e tretë dhe nuk mundi të ngushëllohej që s’e pa dot për herë të fundit trupin e shenjtë të Hyjlindëses. Kështu, me pranimin e apostujve të tjerë, vendosën të hapnin varrin e të nderonin trupin. Sapo u hoq guri, të gjithë u befasuan, sepse trupi nuk ndodhej më atje dhe pëlhura ishte bosh.

Ishte një dëshmi se Nëna e Zotit ishte ngjitur në qiell, te Biri i saj, pra se ishte ngjallur dhe trupi ishte bashkuar sërish në qiell me shpirtin. Maria, “bija e Adamit”, por që u bë me të vërtetë “Nëna e Perëndisë” dhe “Nëna e Jetës” duke lindur Atë që është Jeta e vërtetë, kalon nëpërmjet vdekjes. Por vdekja e saj nuk është një humbje, sepse, me ngjalljen e Krishtit, i cili u dha vullnetarisht te vdekja për shpëtimin tonë, dënimi i Adamit u bë “vdekje jetëdhënëse” dhe burim i një jete të re. Kështu, varri i Gjetsemanisë u shfaq si një “dhomë nusëroreje”, ku është kryer dasma e paprishjes.

Shpirti i saj i pastër, kur u nda nga trupi, u bashkua me Dritën hyjnore dhe trupi, pasi qëndroi për pak kohë në tokë, u ngjall me hirin e Krishtit të ngjallur. Ky trup shpirtëror u pranua në qiell si tempulli i Perëndi-Njeriut, si froni i Perëndisë. Prandaj ngjitja e saj në qiell është shkaku i gëzimit të të gjithë besimtarëve të cilët kanë marrë garancinë se në personin e saj e gjithë natyra njerëzore bëhet mbajtëse e Krishtit dhe është thirrur të banojë me Perëndinë.

Tregohet se, gjatë varrimit, apostujt u mblodhën për një drekë vëllazërore dhe në vendin e Krishtit vunë një copë bukë në formë trekëndëshi. Por, në çastin kur thirrën emrin e Krishtit, siç e kishin zakon, dëgjuan nga lart në qiell të Tërëshenjtën që thoshte: “Gëzohuni, sepse do të jem me ju deri në ditët e fundit të jetës”. Të gëzuar, apostujt thirrën së bashku me një zë: “E Tërëshenjtë, Nënë e Zotit, shpëtona!”
Prandaj kjo është origjina e shërbesës së Ngjitjes të së Tërëshenjtës, që kremtohet në manastire pas mbarimit të drekës, në ditët e festave.

 

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë / Facebook

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων