14/03/2021 14/03/2021 E diel, 14 mars 2021 – Shenjtori i ditës. DERI PËR PASHKË NUK KONSUMOJMË MISH DHE PRODUKTET E TIJ. (Edhe sot mund të konsumojmë bulmet dhe peshk). KRESHMA E PLOTË FILLON NESËR NË DT.15 MARS. Oshënar Benedikti. Bonifati i Skocisë. Mbretëresha Matilda. Oshënar Efskimon Rrëfyesi. – Oshënar Benedikti – Ati ynë oshënar Benedikti lindi rreth...
14 Μαρτίου, 2021 - 13:11

Shenjtori i ditës: Oshënar Benedikti – Oshënar Efskimon Rrëfyesi

Διαδώστε:
Shenjtori i ditës: Oshënar Benedikti – Oshënar Efskimon Rrëfyesi

E diel, 14 mars 2021 – Shenjtori i ditës.

DERI PËR PASHKË NUK KONSUMOJMË MISH DHE PRODUKTET E TIJ. (Edhe sot mund të konsumojmë bulmet dhe peshk).

KRESHMA E PLOTË FILLON NESËR NË DT.15 MARS.

Oshënar Benedikti. Bonifati i Skocisë. Mbretëresha Matilda. Oshënar Efskimon Rrëfyesi.

– Oshënar Benedikti –

Ati ynë oshënar Benedikti lindi rreth vitit 480 në Norçia, qytet i vogël mes maleve në verilindje të Romës, në një familje të krishterë mjaft të pasur. E dërguan për të studiuar në Romë, por që fëmijë kishte arritur urtësinë e një plaku. Ai dëshironte t’i pëlqente vetëm Perëndisë, prandaj i përbuzi kënaqësitë e botës e premtimet e kota dhe kërkoi jetën murgërore.
Kur ndaloi në qytezën Emfida, mëndesha, që e kishte ndjekur pas me dashurinë e një nëne, mori hua një shoshë balte të pjekur për të pastruar grurin, që të përgatiste bukë. Por ena ra e u thye. Kur Benedikti pa pikëllimin e mëndeshës, u ul në gjunjë dhe filloi të lutej me lot. Kur u ngrit, shosha ishte si në fillim. Të mrekulluar nga kjo, banorët e varën shoshën te dera e kishës.

Por, i frikësuar se mund të privohej nga hiri hyjnor për shkak të lavdisë së kotë, Benedikti u largua fshehurazi dhe u tërhoq në Subiako, në malet e Abruceve, në një shpellë që ndodhej në 600 metra lartësi, ku mbeti i panjohur nga njerëzit, me përjashtim të një murgu kinovi, Romanit, i cili e veshi me skimën engjëllore dhe i sillte fshehurazi pak ushqim, që e hiqte mënjanë nga racioni i tij.

Pas tre vjetësh, Perëndia, që nuk donte ta linte të fshehur virtytin e tij, i zbuloi një prifti vendin se ku ndodhej dhe ditën e Pashkës ai shkoi dhe i çoi ushqim. Benedikti, i cili kishte harruar nocionin e kohës, e përshëndeti duke i thënë: “E di se është Pashkë, përderisa kam edhe nderin të të shikoj!”. U gjet edhe nga disa barinj dhe më pas shumë njerëz e vizitonin për të dëgjuar fjalë shpëtimi.

Një ditë, teksa lutej i vetëm, iu shfaq demoni në formën e një mëllenje dhe menjëherë u sulmua aq shumë nga afshet e tundimit mishor, sa gati e la vetminë, por me ndihmën e Hirit u hodh lakuriq mbi një ferrë me gjemba dhe me hithra përreth dhe përmes dhimbjes mori fitoren përfundimtare mbi epshin. I hirësuar nga Perëndia me papasionshmërinë e mishit, fitoi pjekurinë dhe u bë një mësues i virtytit për të tjerët.

Kur ndërroi jetë igumeni i manastirit fqinj të Vikovaros, murgjit këmbëngulën që të vinte Benedikti në vend të tij dhe arritën ta bindnin të merrte drejtimin e tyre. Por, kur shenjti iu caktoi disiplinë të rreptë, e cila binte ndesh me sjelljen e tyre, filluan të pëshpëritnin kundër tij. Madje shkuan aq larg, sa tentuan ta helmonin, por sapo shenjtori bëri shenjën e kryqit mbi kanën me helm, ajo u thye. Fytyra e tij ishte e qetë dhe shpirti plot paqe, pa urrejtje ndaj armiqve të tij. I la murgjit e pakorrigjueshëm dhe u kthye në vetmi, që të vigjilonte pa pushim mbi zemrën e tij në prani të Krijuesit, pa e lënë syrin e shpirtit të hidhte vështrime jashtë.

Ndërsa po rritej në virtyt dhe soditje, tërhoqi dishepuj dhe nga Roma erdhën shumë fisnikë për t’i besuar shpirtrat e tyre tek ai, si Mauri (27 janar) dhe Placidi i vogël. I vendosi ata në dymbëdhjetë manastire, të ndara mes tyre dhe secili kishte dymbëdhjetë murgj. Në krye të çdo vëllazërie ishte një igumen, i cili i jepte llogari njeriut të Perëndisë për sa i përkiste jetës së përbashkët dhe përparimit shpirtëror të çdo murgu. Benedikti ishte në të njëjtën kohë ati i tyre shpirtëror dhe shembulli i gjallë i bindjes së përsosur të kanonit murgëror. I ndihmonte me të mira materialet që siguronte hiri hyjnor dhe, duke dalluar mendimet e fshehta të zemrës së tyre, nuk ngurronte që t’i korrigjonte, me dashurinë e tij atërore, ndonjëherë edhe me dënime trupore, me qëllim që të hiqnin dorë nga zakonet e këqija.

Virtytet e tij dhe mrekullitë që bënte sollën sprova të tjera për Benediktin. Një prift me emrin Florent, nga xhelozia për shenjtorin dhe me sugjerimin e djallit, filloi të përhapte shpifje, që t’ia largonte vizitorët, madje arriti t’i dërgonte një ditë edhe bukë me helm. Kur mori këtë dhuratë vdekjeprurëse, Benedikti ia dha një korbi, i cili e kishte zakon të merrte ushqim përditë nga dora e shenjtorit dhe e urdhëroi ta hidhte në një vend ku të mos e gjente askush. Prifti i padenjë nuk ndaloi së shpikuri dredhi e kurthe, por, kur pa se nuk mund ta dëmtonte dot me asgjë Benediktin, vendosi t’i rrëzonte në mëkat dishepujt e tij, duke dërguar shtatë vajza të reja të vallëzonin lakuriq para tyre, në kopshtin e manastirit. Nga frika se mos bëhej shkak rënieje për vëllezërit, Benedikti vendosi të largohej dhe, pasi u dha porositë e fundit superiorëve të manastirit, e la Subiakon, i shoqëruar nga një grup i vogël dishepujsh (rreth vitit 529). Kur mësoi më vonë për vdekjen aksidentale të Florentit, njeriu i Perëndisë vajtoi hidhur për të dhe i kërkoi me ashpërsi të pendohej njërit nga dishepujt, i cili kishte shfaqur gëzim.
Shkuan në Kasino, një mal i lartë midis Romës dhe Napolit, në majë të të cilit ndodhej tempulli kushtuar Apollonit. Shenjtori copëtoi idhullin, rrëzoi altarin dhe e shndërroi tempullin e lashtë në kishë kushtuar shën Martinit të Turit (11 nëntor). Ai preu pemët ku banorët shkonin dhe adhuronin idhujt dhe arriti t’i kthente me fjalën e tij apostolike. Me britma keqardhjeje dhe me mallkime, satanai u përpoq t’u ngrinte kurthe murgjve gjatë ndërtimit të manastirit, por çdo herë fuqia e Perëndisë e kthente mbrapsht.

Mbreti i ostrogotëve, Totila, i cili po shkatërronte atëherë Italinë me luftë të përgjakshme, kërkoi ta vinte në provë shpirtin profetik të shenjtorit dhe i dërgoi shqytarin e tij të veshur me të gjitha stolitë mbretërore. Por, kur pa pajisjet e ndritshme, njeriu i Perëndisë thirri: “Lëri, o bir, ato që nuk të përkasin ty!”. Totila erdhi atëherë në vete dhe ra në këmbët e shenjtorit, i cili e qortoi për veprat e tij të këqija dhe i paratha se do të mbretëronte nëntë vjet në Romë dhe pastaj do të vdiste. Ky parashikim u plotësua saktësisht në vitin 556.
Një herë tjetër, iu shfaq në ëndërr igumenit që kishte caktuar në manastirin e Terraçinës dhe i tregoi vendin ku duhej të ngriheshin ndërtesat e reja.

Në kohë zie buke, bëri përmes lutjes që të kishte grurë e vaj me bollëk për manastirin, që t’i linte murgjit të punonin pa shpërqendrim në veprën e Perëndisë, para së cilës asgjë tjetër nuk është e preferueshme. E kishte organizuar në mënyrë të balancuar adhurimin e shenjtë, që të ishte i arritshëm për të gjithë, duke u mbështetur në traditën e Etërve të Lindjes dhe zakonet romake të kohës. Vazhdimisht i bashkuar me Perëndinë nëpërmjet lutjes, nuk e nënvlerësonte punën e dorës bashkë me murgjit. Një ditë, duke u kthyer nga ara, pa në derën e manastirit trupin e pajetë të një fëmije, që i ati e kishte lënë aty. I shtyrë nga dhembshuria, Benedikti iu lut Zotit dhe, për hir të besimit të të atit, fëmija erdhi në jetë. Vetë fjalët e shenjtit kishin fuqi hyjnore dhe pushtet të dënonin ose të çlironin shpirtrat e të fjeturve.

Në ato kohë lufte e invazionesh, parashikoi rënien e Romës dhe shkatërrimin më pas të manastirit të Kasinos nga longobardët (583). Dhe ndoshta, duke pasur parasysh këtë profeci, në fund të jetës shkroi Kanonin e tij, dokument i mrekullueshëm rreth dallueshmërisë shpirtërore dhe vetëpërmbajtjes plotësisht latine, e cila u bë me të vërtetë karta e murgjve të Perëndimit. Duke u bazuar edhe në shkrimet e Etërve, si të Pahomit, Vasilit dhe Kasianit, si dhe në institucionet murgërore që zbatoi në manastirin e tij, ai paraqet në të parimet dhe ligjet e funksionimit të një manastiri me jetë kinoviake.
Për shën Benediktin manastiri është imazh i Kishës dhe “një shkollë ku mësohet t’i shërbesh Zotit”, nën drejtimin e igumenit dhe nëpërmjet bindjes së shenjtë ndaj porosive ungjillore.

Duke këmbëngulur atje deri në vdekje dhe duke marrë pjesë me durim në Pësimin e Zotit tonë Jisu Krisht, murgjit mund përparojnë në virtyt, që të arrijnë përfundimisht në Mbretërinë e përjetshme. Nëse në fillim ata duhet ta dhunojnë natyrën e tyre të pabindur, derisa të çlirohen nga egoizmi, zemra e tyre do të zgjerohet dhe ata do të mund të vrapojnë në udhën e urdhërimeve të Perëndisë me ëmbëlsi të papërshkrueshme të dashurisë.

Sikurse episkopi në kishën lokale, edhe igumeni mban në manastir vendin e Krishtit dhe duhet të japë llogari para Perëndisë për bindjen e dishepujve, duke treguar tërë kujdesin e tij për t’i mësuar, sigurisht me fjalë, por mbi të gjitha me shembullin e jetës së tij. Ati shpirtëror, i mbushur plot dashuri, duhet të dijë ta ndërthurë butësinë me rreptësinë e duhur dhe, nëse në fushën shpirtërore ka autoritet të plotë, për sa u përket gjërave materiale të komunitetit, duhet të veprojë “bashkë me këshillin” dhe t’i ndajë përgjegjësitë me të tjerët. Pasi tregoi instrumentet e veprave të mira, virtytet murgërore dhe shkallët e përulësisë që na çojnë te dashuria, d.m.th. te bashkimi me Perëndinë, shën Benedikti përcaktoi se si duhet të kremtohen Shërbesat Hyjnore të ditës dhe të natës dhe saktësoi se në to duhet të qëndrojmë para Perëndisë dhe engjëjve duke psalur në atë mënyrë, që mendja jonë të përputhet me zërin tonë.

Në vazhdim përmbledh të gjitha aspektet e jetës së përbashkët, duke zbuluar në mënyrë të pagabueshme gjithçka që mund të bëhet rast rënieje ose neglizhence në detyrat e shenjta të murgjve, si: në vakte, në gjumë, në veshje, në shërbime, në punën e dorës, në daljet jashtë manastirit, në pritjen e vizitorëve dhe në lidhjet e vëllezërve midis tyre dhe me të huajt. Asgjë nuk i shpëton kujdesit të tij baritor dhe me pak fjalë saktëson se çfarë duhet të bëjmë për të përmbushur gjithçka “siç i ka hije dhe me rregull” (I Kor. 14:40).

Përfundimisht, duke kujtuar përulësisht se ky Kanon është një skicë dhe fillim i jetës shpirtërore, i dërgonte te mësimi i Etërve të shenjtë ata që dëshironin t’i përkushtoheshin soditjes për të arritur atdheun qiellor.

Disa kohë pas bisedës së tij të mrekullueshme dhe të fundit me të motrën, shën Skolastikën, dhe pas vdekjes së kësaj të fundit, teksa qëndronte te dritarja duke u lutur, pa një dritë të shkëlqyeshme të largonte tutje errësirën dhe në qendër të kësaj drite soditi botën e tërë, si të ishte e mbledhur nën një rreze dielli. I ngritur mbi botën dhe jashtë vetes nga bashkimi me Krijuesin, Benedikti mundi të sodiste tërë krijesën, gjithçka që është nën Perëndinë, në dritën hyjnore që buronte prej zemrës së tij. Pasi arriti në kufijtë e jetës së ardhshme, pa në këtë dritë shpirtin e Gjermanoit, episkopit të Kapuas, i cili fluturonte drejt qiellit. Paranjohu ditën e fjetjes së tij, dhe urdhëroi t’i hapej varri, në të cilin kishte vënë më përpara trupin e së motrës dhe pastaj e zunë ethet. E çuan në kishë, u kungua, ngriti duart drejt qiellit dhe dha frymën e tij të fundit, duke thënë fjalët e një lutjeje (rreth vitit 560). Po atë ditë vëllezërit panë një udhë shtruar me tapetë të bukur dhe të ndriçuar me pishtar, që ngrihej nga manastiri i tij deri në qiell dhe një jerond i nderuar u shfaq në majë për t’iu zbuluar se andej kishte kaluar shenjtori, për të shkuar në atdheun e tij qiellor.

Më vonë, nga lipsani i shenjtorit filluan të kryheshin mrekulli të shumta. Por, pas shkatërrimit të manastirit nga longobardët, ai u harrua, deri kur murgjit e manastirit të Flerit në Francë erdhën dhe morën lipsanin, në fillim të shek. 8, për ta transferuar në manastirin e tyre, i cili mori emrin e shenjtorit (Shën Benedikti-syr-Luar), ku nderohet edhe sot.

 

 

– Oshënar Efskimon Rrëfyesi –

Pas një fëmijërie të virtytshme, shën Efskimoni u bë murg dhe ishte i mbushur aq shumë me hirin e Shpirtit të Shenjtë, saqë arriti të ngjallte një fëmijë dhe të dëbonte me anë të lutjes të gjithë parazitët që dëmtonin kopshtet me perime. U hirotonis episkop i Lampsakës gjatë persekutimit ikonoklast dhe u bë mbrojtës i zjarrtë i së vërtetës pranë shën Theodhor Studitit.

Për këtë arsye u burgos dhe u internua me urdhër të perandorit Theofil (829-842). Sado që vuante, kujdesej me dashuri për të mjerët dhe madje, pas fjetjes së tij, vazhdoi t’u shpërndante bekime besimtarëve.

 

facebook.com/koash1991

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων