25/02/2021 25/02/2021 E enjte, 25 shkurt 2021 – Shenjtori i ditës. Oshënar Tarasi i Konstandinopojës. Hierodëshmor Rigini dhe 40 dëshmorët me të. – Oshënar Tarasi i Konstandinopojës – Ky ndriçues i shkëlqyer i Orthodhoksisë lindi në Konstandinopojë nga një familje e njohur, anëtarët e së cilës ishin nderuar me titullin e patricëve. Ashtu si i ati, një...
25 Φεβρουαρίου, 2021 - 15:52
Τελευταία ενημέρωση: 25/02/2021 - 15:54

Shenjtori i ditës: Oshënar Tarasi i Konstandinopojës – Hierodëshmor Rigini

Διαδώστε:
Shenjtori i ditës: Oshënar Tarasi i Konstandinopojës – Hierodëshmor Rigini

E enjte, 25 shkurt 2021 – Shenjtori i ditës.

Oshënar Tarasi i Konstandinopojës. Hierodëshmor Rigini dhe 40 dëshmorët me të.

– Oshënar Tarasi i Konstandinopojës –

Ky ndriçues i shkëlqyer i Orthodhoksisë lindi në Konstandinopojë nga një familje e njohur, anëtarët e së cilës ishin nderuar me titullin e patricëve. Ashtu si i ati, një gjykatës i famshëm, kishte ndjenjën e përkrahjes dhe të mbrojtjes së të varfërve e të pafajshmëve, ndërsa nga e ëma trashëgoi një besim të madh te Perëndia. Pas një arsimimi të gjerë në shkencat profane, ai u ngrit në dinjitetin e konsullit dhe u bë sekretar i parë i shtetit (Protasecretis), në mbretërimin e Irinit dhe të birit të saj, Konstandinit VI (780). Shenjti ia rrëfente të gjitha shqetësimet e tij Perëndisë, edhe pse kishte një shkëlqim të madh në jetën politike.

Në këto kohë, Patriarku Pavël IV (780-784), që ishte kthyer në Orthodhoksi, pasi më parë kishte mbështetur ikonoklastët, i dëshpëruar për shkak të gjendjes së vështirë në të cilën ndodhej Kisha bizantine, dha dorëheqjen dhe u tërhoq në manastirin e Florusit. Perandoreshës regjente dhe birit të saj, të cilët erdhën për ta qortuar për këtë vendim, ai iu tha se e kishte të pamundur të luftonte më tej dhe rekomandoi Tarasin, si të vetmin njeri të aftë për të rivendosur besimin e drejtë dhe për ta sjellë Kishën e Konstandinopojës në kungim me patriarkanat e tjera.

Tarasi, i shqetësuar nga ky propozim dhe duke nxjerrë si pengesë gjendjen e tij të një laiku të thjeshtë, në fillim refuzoi, por nën presionin e sovranëve, të senatit dhe të mbarë popullit që ishte mbledhur para pallatit, iu desh të pranonte. Për t’i dhënë fund një herë e mirë herezisë, ai vendosi të thërriste pa vonesë një Sinod të madh Ekumenik. Tarasi u hirotonis kryepiskop i Konstandinopojës më 25 dhjetor 784.

Sapo u vendos në shandanin e Kishës, ai kishte si përkujdesje të vetme të ndriçonte të tjerët me dritën e virtyteve të tij të shenjta: me kreshmën, qëndrimet zgjuar gjatë gjithë natës kushtuar lutjes dhe meditimit të Fjalës së Perëndisë, si dhe veprave të frymëzuara prej dashurisë ungjillore. Duke imituar Zotin, shenjti iu përkushtohej të tjerëve si një shërbëtor dhe nuk vuante aspak kur nuk i bëheshin shërbimet e zakonshme për rangun e tij. I veshur me një thjeshtësi të tillë dhe i përulur në të gjitha veprimet, luftoi me anë të shembullit të tij kundër luksit të tepruar të klerit të asaj epoke. Shën Tarasi i jepte lëmoshat me një bujari të tillë saqë mori epitetin “Josifi i ri”. Ndërtoi spitale dhe bujtina, i ftonte të varfrit në tryezën e tij për të ndarë me ta ushqimin e tij të thjeshtë dhe u jepte një pension të vazhdueshëm të varfërve të tjerë, që i kishte shkruar në një regjistër papirusi. Gjatë dimrit shkonte vetë, i veshur me rroba priftërore, për t’iu ofruar të varfërve ushqim të bollshëm.

Me anë të këtij shembulli të jetës së virtytshme dhe me anë të mësimit të tij, tërhoqi një numër të madh nxënësish që hoqën dorë prej botës dhe themeloi për ta një manastir të madh, mbi bregun e djathtë të Bosforit, nga ku dolën një numër i mirë episkopësh, si shën Mihaili i Sinadës dhe Theofili i Nikeas, të cilët u bënë shtyllat e Orthodhoksisë që po rilindte. Sipas premtimit të tij, në gusht të vitit 786, patriarku thirri me anë të urdhrit të sovranëve një Sinod të madh episkopësh në Konstandinopojë, në kishën e Apostujve të Shenjtë. Por ikonoklastët u futën me dhunë në kishë dhe i dëbuan etërit. Kryengritja u shtyp me vështirësi dhe Sinodi u transferua në Nike, ku sesioni i parë i tij u çel më 24 shtator 787. Shën Tarasi kryesonte në seanca dhe drejtonte me kujdes dhe autoritet debatet, që patën si përfundim dënimin e herezisë dhe restaurimin e nderimit të ikonave të shenjta.

Në vazhdim, bariu i mirë punoi me shpirt për të sjellë heretikët në Kishë me anë të ëmbëlsisë së tij, pa i trembur ose pa i larguar ata me masa të ashpra, gjë që shkaktoi kundërshtimin e murgjve rigorozë studitë, shën Platonit dhe nipit të tij, shën Theodhorit. Ai punoi edhe për luftimin e simonisë në hirotonisjen e priftërinjve dhe nuk ngurroi të ekspozohej edhe vetë për të mbrojtur të drejtën e gjetjes strehë ndër kisha. Gjithashtu mbrojti një magjistrat që ndiqej, sepse kishte shpërdoruar paranë e shtetit, i cili erdhi në Shën Sofi për të gjetur strehë dhe azil, duke qëndruar në anë të altarit dhe dënoi me aforizim ushtarët që e kishin arrestuar me forcë.

Kur Konstandini VI u bë perandor i vetëm (790), ai ishte kundër ligjeve të Kishës dhe ndau gruan e tij, Maria Armenasen, për të pasur grua një prej shërbëtoreve të tij, Theodhotën. Patriarku refuzoi të bekonte këtë lidhje jashtëmartesore dhe e qortoi ashpër perandorin në shumë raste, duke e kërcënuar me anatemë, po të vazhdonte në mëkatin e tij. Perandori i irrituar e arrestoi Tarasin, duke ndaluar çdokënd që të komunikonte me të. Ai e detyroi bashkëshorten e ligjshme të merrte vellon murgërore dhe e bekoi martesën e tij me anë të një prifti intrigant, Josifit, ekonomit të Kishës së Madhe. Por gjykimi i Perëndisë nuk vonoi dhe në vitin që pasoi, Konstandini, viktimë e një konspiracioni, u verbua dhe u shfronëzua.

Shën Tarasi, kur rimori lirinë e tij, aforizoi priftin Josif dhe në këtë mënyrë u pajtua me studitët që ishin ndarë prej kungimit të tij, duke tërhequr një pjesë të madhe të popullit në skizmë.

Duke ruajtur si Jovi qëndrueshmërinë, paqen e shpirtit dhe qetësinë në mes të gjithë këtyre sprovave, patriarku i shenjtë vazhdonte të mësonte popullin që të ndiqte besimin e rivendosur orthodhoks, që jep fryte me anë të praktikimit të porosive. Me ardhjen e perandorit Niqifor I (802-811), kisha rigjeti më në fund paqen dhe shën Tarasi, pasi plotësoi veprën e tij, në fund të një baritimi patriarkal prej 22 vjetësh, u sëmur rëndë. Megjithatë vazhdonte të kryente përditë Liturgjinë Hyjnore, i mbështetur mbi një bastun.

Kur mbërriti në prag të vdekjes, të gjithë e shikonin me sytë e tyre duke luftuar kundër demonëve, që e akuzonin për krime imagjinare. Duke pasur një ndërgjegje të pastër para Perëndisë, ai i dëbonte ata me anë të dorës, sepse nuk mund të fliste. Dhe kur në Kishë filluan të psalnin himnin: “Përkule, o Zot, veshin tënd tek unë” (Ps. 85:1), shpirti i tij i lumur u largua nga veshja e lëkurtë dhe u ngjit lart në banesat e përjetshme, i shoqëruar me lotët e gjithë qytetit (18 shkurt 806).

Shenjti u varros më 25 shkurt në manastirin e tij dhe vaji i kandilit që digjej para varrit, kreu në vazhdim mrekulli të shumta.

Më 820, perandori Leon V Armeni, që kishte mbështetur ikonoklastët për shtatë vjet rresht dhe kishte persekutuar egërsisht orthodhoksët, pa në ëndërr shën Tarasin, me fytyrë të rreptë, që urdhëroi dikë që quhej Mihail ta vriste perandorin me shpatën e tij. Në fakt, pas gjashtë ditësh, Leoni u vra nga Mihail Gojaci, i cili i mori pushtetin (4 dhjetor 820). Thuhet se pamja e jashtme e shën Tarasit ishte fort e ngjashme me atë të shën Grigor Theologut.

 

 

* * * * *

– Hierodëshmor Rigini –

I lindur në Livadhia, në Beoti, në fund të shekullit të 3-të, nga prindër të krishterë, që i rrënjosën dashurinë për virtytin dhe zellin për të vërtetën, shën Rigini, me anë të Hirit të Perëndisë që jepte shumë fryte tek ai, u bë i njohur në të gjithë arkipelagun e Cikladeve dhe në pjesën tjetër të Greqisë.

Kur vdiq episkopi i Skopelos, ai u zgjodh si pasues nga i tërë populli entuziast i qytetit. Ndërkohë që herezia arianiste vazhdonte të bëhej pengesë pas Sinodit të Nikeas (325), u mblodh një Sinod tjetër i ri në Sardikë (Sofje të Bullgarisë), në vitin 343, gjatë të cilit shën Rigini u dallua për aftësinë e tij të madhe për të hedhur poshtë heretikët.

Kur u pohua plotësisht besimi i vërtetë për hyjninë e Birit të Perëndisë, ai u kthye në dioqezën e tij, por nuk mundi të shijonte paqen për një kohë të gjatë, ngaqë Julian Apostati nisi persekutimin kundër të krishterëve (361). Prefekti i Greqisë erdhi një ditë në ishullin e Skopelos për të arrestuar episkopin dhe të krishterët më të njohur të qytetit. Njësoj si hekuri që futet në zjarr e kur goditet lëshon shkëndija përreth, kështu edhe shenjtori shkëlqeu në të gjitha torturat dhe u jepte kurajë të krishterëve, që të qëndronin të fortë në besë. Kur magjistrati e pa se nuk mund ta përkulte, dha urdhër t’i pritej koka, më 25 shkurt 362.

Lipsanet e tij u transferuan në Qipro dhe vetëm në shekullin e 19-të besimtarët e Skopelos arritën të merrnin disa pjesë.

 

facebook.com/koash1991

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων