Takim online i Kryeministrit Rama me kryetarët e komuniteteve fetare
Me kërkesën e Bordit të Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë u zhvillua sot, 6 maj 2020 një takim online me Kryeministrin, z. Edi Rama. Në të u fol për rihapjen e objekteve të kultit, pas mbylljes për shkak të pandemisë së Covid 19.
Në këtë takim merrni pjesë krerët e pesë komuniteteve fetare; Kryetari i Komuniteti Mysliman Shqiptar, H. Bujar Spahiu, Kryepiskopi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë Anastasi; Kryegjyshi Botëror Bektashian, H. Dede Edmond Brahimaj; Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Katolike, Mons. George Frendo, Kryetari i Vëllazërisë Ungjillore, Pastor Ylli Doci; si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar, Dr. Genti Kruja.
Në fillim Kryeministri falënderoi komunitetet fetare dhe të gjithë drejtuesit e tyre, për bashkëpunimin lidhur me këtë situatë të vështirë, si dhe për sakrificat e ndërmarra në ditë festash të rëndësishme fetare për secilin komunitet, lidhur me pezullimin e përkohshëm të ritualeve në objektet e kultit.
Liderët e komuniteteve fetare shprehën mendimet e tyre, duke vënë theksin në rëndësinë, që i jep feja shëndetit dhe jetës së njeriut dhe tek masat e marra që në fillim nga ana e këtyre komuniteteve. Ndërsa tani, me përmirësimin e situatës shëndetësore, si vendimeve nga qeveria shqiptare për rihapjen e aktiviteteve të ndryshme të jetës së përditshme edhe komunitetet fetare kanë marrë masat për një rihapje graduale të objekteve të kultit, kishave, xhamive e teqeve, në bashkëpunim me organet kompetente dhe ekspertët e fushës.
Kryepiskopi Anastas tha gjatë këtij diskutimi se “Kërkesa më e madhe që kemi është të kemi vendet e lutjes dhe adhurimit dhe të na jepni drejtimin të kujdesemi për këtë gjë, të mbajmë distancën mes njerëzve. Vendet e adhurimit ofrojnë shpresë dhe gëzim. T’ua japin njerëzve këtë mundësi; e përsëris duke iu përmbajtur udhëzimeve të dhëna deri tani. Komunitetet fetare kanë dhënë shembull të përulësisë dhe jemi gati për të vazhduar me këtë, gjithmonë në bashkëpunim të mirë me shoqërinë dhe në solidaritet me gjithë popullin”.
Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, H. Bujar Spahiu u shpreh “Në kuadër të hapjes graduale që po merret në kushtet e pandemisë kërkuam këtë takim për të diskutuar rreth hapjes graduale të objekteve të kulteve, duke respektuar rregullat e distancimit social. Pra, të na lejohet të kryejmë adhurimet në objektet tona të kultit”
Mons George Frendo tha “Ju përgëzoj për masat në radhë të parë, pasi siç e keni thënë edhe ju vetë do të kishim pasoja më të rënda, por unë bashkohem me çfarë u tha më parë, se strukturat tona lejojnë respektimin e masave, pra të mos japim dorën e të shmangim kontaktet fizike. Dëshirojmë të hapet më shumë, të kemi leje që të bëhen takime fetare, si mesha apo kremtime, duke shmangur çdo rrezik”.
“I morëm masat ashtu siç keni udhëzuar ju, as Sulltan Novruzin nuk e festuam. I falënderoj vëllezërit e mi për këtë propozim dhe bashkohem me të”, tha më pas H. Dede Edmond Brahimaj.
Nga ana e tij kryeministri Rama shtoi: “Ajo që keni bërë është fantastike; ndihma që keni dhënë është e paçmuar. Keni përcjellë një mesazh shumë të qartë për popullin shqiptar. Sa i përket shqetësimit tuaj, unë bashkohem me ju, që në kuadër të masave për lehtësimin e ndërveprimeve dhe jetës së përditshme sociale është e nevojshme të adresojmë edhe situatën aspak të lehtë që kjo luftë ka krijuar mbi komunitetet tuaja dhe të lehtësojmë pengesat e mëdha në ushtrimin e aktiviteteve tuaja.
Kjo është një gjë që duhet bërë në mënyrë graduale. Kjo kërkon një bashkëbisedim me ju se praktikat janë të ndryshme nga komuniteti në komunitet. Ndryshe nga aktivitetet e tjera të biznesit në rastin e komuniteteve fetare duhet bërë bashkërisht. Nga sot apo nesër ju duhet të jeni disponibël për t’u vendosur në kontakt me personat që hartojnë masat lehtësuese, për të pasur një konsultim konkret, se si mund të hartohet një kalendar gradual, deri në normalizimin e plotë. Nëse do hartojmë një kalendar të arsyeshëm, besoj që më 18 maj, kur do të jetë konfiguruar gjithë projekti i fazës së dytë, të mund të japim edhe disa indikacione konkrete për institucionet fetare”.
Menjëherë pas mbledhjes, grupi i punës nga qeveria ka kontaktuar me Këshillin Ndërfetar dhe komunitet fetare, për të përcaktuar dhe diskutuar rreth kalendarit dhe propozimeve për rihapjen e objekteve të kultit.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










