Të njohim besimin e krishterë orthodhoks
Pjesa XII – KRIJIMI (1/2)
Kisha Orthodhokse beson se Perëndia Atë, është “Krijues i qiellit dhe i dheut dhe të gjithë të dukurave dhe të padukurave”. Të krijosh, do të thotë të bësh nga hiçi; të sjellësh në ekzistencë atë që nuk ekzistonte më parë; ose duke cituar Meshën e Shën Joan Gojartit “nga e mosqena në të qenët na solle”. Doktrina orthodhokse e krijimit thotë që Perëndia ka krijuar nga hiçi çdo gjë që ekziston.
Në Shkrimin e Shenjtë krijimi tregohet në kapitullin e parë të Gjenezës. Pika doktrinore kryesore rreth krijimit është, që vetëm Perëndia është i pakrijuar dhe ka ekzistuar përherë. Çdo gjë tjetër përveç Perëndisë është krijuar nga Ai. Megjithatë, Perëndia nuk krijoi gjithçka në mënyrë individuale dhe në të njëjtën kohë. Në fillim Ai krijoi bazat e ekzistencës dhe pastaj në periudha kohe (ndoshta miliona vjet – shih 2 Pietri 3:8) kjo bazë e parë ekzistence – me anë të fuqisë që Perëndia i kishte dhënë – prodhoi krijesat e tjera të Perëndisë: “Le të prodhojë toka bimë… le të prodhojnë ujrat qenie të gjalla… le të prodhojë toka qenie të gjalla, sipas llojeve të tyre…” (Gjeneza 1:11,20,24).
Kështu, ndonëse Perëndia është padyshim krijuesi i gjithçkaje, Ai vepron gradualisht në kohë dhe me anë të gjërave të bëra më parë prej Tij, të cilave u kishte dhënë fuqi dhe mundësi jetëprodhuese. Sipas Besimit Orthodhoks, gjithçka që Perëndia bën është “shumë e mirë”: qiejtë, toka, bimët, kafshët, dhe së fundi vetë njeriu (Gjeneza 1:31). Perëndia është i kënaqur me krijimin dhe e bëri atë jo për tjetër qëllim, por vetëm që ai të marrë pjesë në Hyjninë e Tij, në ekzistencën e pakrijuar dhe të jetojë prej “frymës së jetës” së Tij (Gjeneza 1:30; 2:7).
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










