TRAJNIM ME STAFIN E KAMPEVE TË KISHËS SONË
Në datat 1-2 mars 2024, me bekimin e Kryepiskopit Anastas, u zhvillua një trajnim dyditor me stafin e kampeve verore të Kishës sonë. Ky takim u mbajt në mjediset e Manastirit të “Shën Vlashit”, nën drejtimin e Mitropolitit të Fierit, Hirësi Nikollës.
Në të morën pjesë klerikë, teologë, katekistë dhe bashkëpunëtorë vullnetarë, të cilët diskutuan për përmirësimet e mundshme organizative të kampeve, që përfshijnë 3 grupmosha: fëmijë, adoleshentë dhe të rritur.
Vera e vitit të kaluar (2023) do të shënonte rifillimin e organizimit të tyre, pas ndërprerjes për shkak të pandemisë, që ndaloi për disa vite këtë traditë të bukur të Kishës sonë, të krijuar e mbështetur vazhdimisht nga Kryepiskopi Anastas. Në fjalën e mirëseardhjes për rreth 100 të pranishmit në trajnim, Mitropoliti i Fierit, Hirësi Nikolla, nënvizoi rëndësinë e kampeve për jetën shpirtërore e sociale të fëmijëve e të rinjve, por edhe nevojën e përkushtimit të gjithësecilit në mirorganizimin dhe mbarëvajtjen e tyre. Përmes kampeve, theksoi Hirësi Nikolla, ne bëjmë të prekshme jetën e bukur të Kishës sonë, një jetë plot kuptim e domethënie.
Gjithashtu, atë Spiridhoni nga Mitropolia e Pireut, i cili prej shumë vitesh drejton kampingje verore për të rinjtë, ndau përvojën e tij.
Edhe Prof. Dr. Gëzim Tushi trajtoi ndikimin e këtyre organizimeve në aspektin sociologjik. Në kohën e sotme, u shpreh ai, kur edukimi i brezave është bërë i vështirë, ndikimi edukativ është gjithashtu i vështirë dhe të kuptosh tingullin e kohës do të thotë të kuptosh çfarë ndryshimesh kanë ndodhur ndër breza, cilët janë fëmijët dhe adoleshentët e sotëm.
Në vazhdim, atë Emiliano Lito foli për zhvillimin e kampeve në Mitropolinë e Gjirokastrës. Më pas, të pranishmit u ndanë në grupe pune, ku ofruan ide e sugjerime përmirësuese për ecurinë sa më të mirë të kampeve, datat e zhvillimit të të cilave do të bëhen të njohura së shpejti.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










